
BIRN ka mësuar se serbët kanë kryer luftime dhe misione kundërzbulimi për disa njësi paraushtarake pro-ruse, përfshirë grupin famëkeq Wagner të mercenarëve.

“Baruti të hyn nën lëkurë. Adrenalina është fantastike, plot pasiguri, si seksi i egër,” thotë Stevan Miloseviç, një serb që lufton për forcat pro-ruse në zonën polemike të Donbassit në Ukrainën lindore.
Miloseviçi, i cili është në të tridhjetat, tha për BIRN në një intervistë të realizuar nëpërmjet Facebookut, se dita e tij e punës si një snajperist fillon rreth orës 6 të mëngjesit me kafe dhe mëngjes. Pas kësaj, atë e çojnë në pozicionin e tij si snajperist, të cilin ai ndonjëherë duhet të mbajë për ditë me radhë.
Shënjestrat e tij janë ushtarë ukrainas në rajonin e Donbassit të Ukrainës lindore. Më shumë se 10,000 njerëz – civilë dhe luftëtarë – janë vrarë deri tani në konfliktin midis Ukrainës dhe luftëtarëve separatistë pro-Rusisë që refuzojnë të njohin qeverinë e Ukrainës dhe në vitin 2014 pushtuan territorin në Ukrainën lindore.
Miloseviçi i mbron veprimet e tij duke pretenduar se Ukraina nuk ka respektuar marrëveshjet e Minskut, të nënshkruara nga Kievi dhe Moska në 2014 dhe 2015, të cilat duhej të siguronin një armëpushim në Ukrainën lindore. Lufta ka vazhduar me të dyja palët që refuzojnë fajin për dështimin e armëpushimit.
“Luftëtarët ukrainas po përdorin vazhdimisht armë të rënda dhe po bombardojnë pozicionet tona, si dhe fshatrat e banuara nga qytetarë dhe civilë,” thotë ai.
Miloseviç është një nga 29 serbë të dënuar nga gjykatat serbe që nga viti 2015 për luftim me njësitë pro-ruse në Ukrainë. 16 serbë të tjerë të akuzuar për luftime në Ukrainë po presin aktualisht të dalin në gjyq. Të gjithë personat e dënuar bënë marrëveshje për pranim fajësie që kanë rezultuar me dënime të pezulluara prej rreth një viti burg. Tre autorë u dënuan me gjashtë muaj arrest shtëpie.
Dënimet me burg janë pezulluar me kusht që të dënuarit të mos kryejnë më të njëjtën vepër brenda një periudhe të caktuar kohore – zakonisht midis një dhe pesë vjetësh.
Kjo nuk e ka penguar Miloseviçin, i cili në vitin 2015 mori një dënim të pezulluar prej pesë vitesh burg, që të kthehej në fushat e betejës të Ukrainës lindore. Ai thotë se u kthye në Ukrainë në gusht 2018 dhe aktualisht po lufton për Njësinë e Prizrak, e cila është pjesë e Brigadës Ndërkombëtare. Prizrak në rusisht përkthehet “fantazmë”.

Vendime të hartuara pjesërisht
Në vitin 2014, Serbia miratoi një ligj që i ndalon qytetarët që të luftojnë në fushat e huaja të betejës me formacione ushtarake dhe paraushtarake, vetëm në rast se është pjesë e një misioni zyrtar të një organizate ndërkombëtare ku Serbia është anëtare. Dënimet variojnë nga gjashtë muaj deri në pesë vjet burg.
Dokumentet nga Gjykata e Lartë e Beogradit të siguruara nga BIRN pasi paraqiti një kërkesë për të drejtë informimi tregojnë se luftëtarët serbë iu bashkuan tetë njësive pro-ruse. Gazetat gjithashtu zbulojnë detajet e panjohura deri më tani të lëvizjeve dhe veprimeve të luftëtarëve serbë, duke përfshirë luftimin, operacionet për të siguruar objekte ushtarake dhe detyra kundër-zbulimi.
Dokumentet listojnë njësitë e mëposhtme me të cilat luftuan serbët: Brigada Ndërkombëtare, Brigada e Shtatë, Regjimenti Husar-Serb, Njësia Ural, Njësia Batman, Njësia e e Parë Sllave, Njësia Rezanj dhe gjithashtu grupi famëkeq Wagner.
Ndërsa gjykata dokumenton me detaje se cilat njësive iu bashkuan luftëtarët serbë dhe përshkruan se si serbët morën pjesë në konflikt, një numër emrash të personave të dënuar dhe disa detaje rreth mënyrës së organizimit të tyre janë zhdukur nga të gjitha dokumentet gjyqësore, përfshirë vendimet. Ky informacion normalisht do të bëhej publik.
Është gjithashtu e paqartë se si u arrestuan luftëtarët dhe nëse ata iu dorëzuan autoriteteve serbe.
Gjykata e Lartë tha se i kishte mbajtur sekret emrat për shkak të “ligjeve për mbrojtjen e të dhënave personale”.
Brigada Ndërkombëtare
Shumica e luftëtarëve serbë iu bashkuan Brigadës Ndërkombëtare, të njohur gjithashtu si “Pyatnashka”, e cila, sipas llogarisë së saj zyrtare Vkontakte në mediat sociale, po lufton në zonën Donetsk në Ukrainën lindore.
Sipas dokumenteve të gjykatës, nëntë serbë të dënuar, përfshirë Miloseviçin, që po luftonin për separatistët pro-rusë në Ukrainë ishin pjesë e kësaj njësie.
Gazetat gjithashtu përmendin Nikola Peroviçin si një nga njerëzit që trajnuan luftëtarët serbë për Brigadën Ndërkombëtare. Dokumentet e gjykatës nuk specifikojnë nëse ai është midis të dënuarve.
Në një raport të vitit 2014 të publikuar nga gazeta franceze Le Monde, Peroviç është përshkruar si franko-serb dhe citohet të ketë thënë: “Së shpejti do të nisemi për në Ukrainën lindore për të luftuar së bashku me vëllezërit tanë rusë.”
Brigada Ndërkombëtare pretendon se është formuar fillimisht nga 15 “vullnetarë nga Rusia”, por së shpejti iu bashkuan shumë njerëz.
“Brigada mori pjesë pothuajse në të gjitha avancimet e ushtrisë së Rusisë së Re në të gjitha frontet. Ajo fillimisht ishte e angazhuar në mbrojtje, pastaj në dëbimin e armikut nga territori i aeroportit të Donetskut,” shkruhet në përshkrimin e njësisë në llogarinë e saj Vkontakte.
Sipas dokumenteve të gjykatës, anëtarët serbë të Brigadës Ndërkombëtare ishin fizikisht dhe taktikisht të trajnuar dhe gjithashtu mësuan se si të përdorin armë në Ukrainën lindore.
Luftëtarëve serbë në këtë njësi iu dhanë uniforma, pushkë automatike dhe municione. Ata ishin përgjegjës për ruajtjen e pikave të kontrollit dhe për mbrojtjen e pozicioneve luftarake. Ata gjithashtu siguruan ndërtesa dhe shkarkuan ndihma humanitare.
BIRN dërgoi pyetje në lidhje me luftëtarët serbë në emailin zyrtar të Brigadës Ndërkombëtare, por nuk mori asnjë përgjigje deri në kohën e publikimit.
Peroviçi gjithashtu është lidhur me Unité Continentale nga një portal lajmesh me bazë në Paris, World Crunch, në një artikull të botuar në vitin 2014, në të cilin Peroviç u përshkrua si shtetas me shtetësi franceze dhe serbe dhe se më parë ka shërbyer si tetar i lartë në një batalion francez që luftoi në Afganistan.
Në faqen e saj zyrtare në Facebook, Unité Continentale (Njësia Kontinental) publikon lajme nga fusha e betejës ku, siç thotë, lufton me Brigadën Ndërkombëtare. Njësia gjithashtu poston në gjuhën serbe dhe ndan lajme mbi zhvillimet e marrëdhënieve Kosovë-Serbi.
Miloseviç, i cili ka shërbyer me Ushtrinë Serbe midis viteve 2006 dhe 2012, tha për BIRN se ai erdhi fillimisht në Donbass midis tetorit 2014 dhe janarit 2015 për të luftuar me Brigadën Ndërkombëtare për “t’iu bashkuar vëllezërve në Donbass dhe për t’i ndihmuar ata”.
Ai thotë se fluturimi i tij – nëpërmjet Moskës – u pagua nga Unité Continentale, që ai thotë se i ndihmon serbët të udhëtojnë në Ukrainë në mënyrë që të luftojnë. Duke mos dashur të japë detaje të plota të rrugës së tij për në Donbass, ai e përshkruan udhëtimin si të vështirë dhe: “Duhet të vraponi vërtet shumë shpejt, me gjithçka që keni me vete, për rreth një kilometër e gjysmë.”
Miloseviçi thotë se Unité Continentale merr mbështetje financiare nga jashtë Serbisë për të mbështetur luftëtarët e saj të huaj, por thotë se më vonë u transferua në njësinë Prizrak pas një mosmarrëveshjeje për punë parash me Unité Continentale.
BIRN dërgoi pyetje email në adresën elektronike të Unité Continentale, por nuk mori përgjigje deri në kohën e publikimit.
Brigada e Shtatë
Dokumentet tregojnë se tre serbë të dënuar luftuan si anëtarë të kësaj njësie. Sipas vendimeve, serbëve në këtë njësi iu dhanë pushkë automatike dhe u ngarkuan me sigurimin e ndërtesave në Donetsk në vitin 2015.
Disa prej tyre ngisnin tanke të epokës sovjetike T-64 dhe automjetet luftarake. Sipas autoriteteve ukrainase, kjo njësi luftoi kryesisht në qytetin Donetsk. Dokumentet përmendin një Nikola Joviç që të ketë luftuar për këtë brigadë. BIRN nuk qe në gjendje të verifikonte në mënyrë të pavarur identitetin e tij.
Sipas dokumenteve të gjykatës, Joviç u bashkua me brigadën në mars 2015 dhe mori armë dhe municione për të luftuar në Ukrainën lindore. Megjithatë, ai qëndroi vetëm deri në prill kur u rikthye në Serbi. Gjashtë muaj më vonë, ai e deklaroi veten fajtor dhe iu dha dënimi i pezulluar me një vit burg.
Regjimenti Husar-Serb
Kjo njësi më parë quhej Njësia Oplot, por më vonë e ndryshoi emrin e saj. Serbët në këtë njësi ishin ngarkuar me sigurimin e ndërtesave dhe ishin nën komandën e Alexander Zakharchenko të vrarë së fundmi.
Vdekja e Zakharchenkos më 31 gusht u vajtua mes nacionalistëve pro-rusë serbë.
Sipas dokumenteve të gjykatës, shtatë shtetas serbë luftuan në Regjimentin Husar-Serb, përfshirë një të quajtur Stefan Knezeviç, i cili tha se ishte përgjegjës për sigurimin e objekteve ushtarake dhe marrjen e armëve dhe municioneve. Ai kaloi pesë muaj në Ukrainë. BIRN nuk ka qenë në gjendje të konfirmojë identitetin e këtij luftëtari.
Dimitrije Jojiç, një serb i cili u vra në Siri në qershor 2017, u rendit gjithashtu si luftëtar i kësaj njësie. Sipas të përditshmes serbe Blic, Jojiç u vra ndërsa luftonte në anën pro-ruse kundër xhihadistëve.
Ai u varros në Moskë më 28 qershor 2017. Po të njëjtën ditë, anëtarët e klubit të tifozëve serbë të futbollit Firma (“Kompania”), zhvilluan një ceremoni speciale në qytetin verior të Novi Sadit, ku Jojiç jetonte para se të shkonte në Ukrainë.
Rasti i Jojiçit tregon se si dënimet kanë dështuar në parandalimin e rikthimit të luftëtarëve në fushat e betejës në vende të huaja, pasi ai u dënua në vitin 2015 për pjesëmarrje në luftimet në Ukrainën lindore me këtë njësi. Ai thuhet se iu bashkua Brigadës së Shtatë.
Serbët në Regjimentin Husar-Serbë po siguronin pikat e kontrollit ushtarak në kufirin në rajonin Debaltseve në zonën e Donetskut.
Krijimi i njësisë u njoftua zyrtarisht më 21 nëntor 2014 me një video që u bën thirrje serbëve të bashkohen.
Sipas dokumenteve të gjykatës, serbët që dolën të luftonin si pjesë e Brigadës së Shtatë hynë në Ukrainë pranë qytetit Alchevsk në Rajonin e Luhanskit.
Regjimenti Husar-Serb u shpërbë përfundimisht dhe të gjithë serbët që iu bashkuan atij përfunduan në Brigadën e Shtatë. Dokumentet e gjykatës tregojnë se një nga luftëtarët nga Husar-Serbë, pasi iu bashkua Brigadës së Shtatë, më pas vendosi t’i bashkohej Njësisë së Parë Sllave.

Mercenarët Wagner
Një grup rus, Kompania Ushtarake Private Wagner, punëson mercenarë që besohet të kenë luajtur një rol të rëndësishëm në betejat e luftuara nga separatistët pro-rusë në Ukrainën lindore dhe, nga viti 2016, gjithashtu edhe në Siri.
Zyrtarët rusë kanë pranuar prej kohësh praninë e luftëtarëve vullnetarë në rajonin Donbass të Ukrainës lindore dhe në Siri, ku Moska mbështet qeverinë e Damaskut, por mohon çdo lidhje me Wagnerin.
Në shkurt, zyrtari i shërbimit të sigurisë të Ukrainës Igor Guskov tha për televizionin ukrainas se të paktën shtatë mercenarë serbë po luftonin në Ukrainën lindore si pjesë e Wagnerit, një prej të cilëve ishte vrarë.
“Ne jemi të vetëdijshëm për shtatë mercenarë Wagner. Njëri prej tyre u vra,” u tha Guskov gazetarëve pa specifikuar emrin e serbit të vrarë ose datën e vdekjes së tij.
Miloseviçi i referohet luftëtarëve Wagner si “mercenarë” dhe thotë se grupi “ndihmon njerëzit këtu (në Ukrainën lindore) të udhëtojnë në Siri” për të luftuar.
Sipas dokumenteve të gjykatës, Slobodan Stanisiç ishte një nga serbët e dënuar që luftuan si pjesë e kësaj njësie. Ai thuhet se iu bashkua luftëtarëve Wagner në vitin 2015 dhe u kthye në Serbi në shtator të të njëjtit vit.
Pasi iu dha një pushkë automatike dhe municione, Stanisiç u ngarkua me sigurimin e ndërtesave të Fakultetit të Agronomisë në një nga qytetet në Donetsk, ku ishte baza e të gjithë njësisë. Ai e deklaroi veten fajtor dhe mori dënimin me një vit burg të pezulluar.
BIRN u përpoq të kontaktonte me Stanisiçin nëpërmjet llogarisë së tij në Facebook, por nuk mori asnjë përgjigje deri në kohën e publikimit.
Njësia Ural
Njësia Ural nuk ishte aq njohur mes serbëve. Sipas dokumenteve, dy persona u dënuan si pjesë e kësaj njësie përfshirë një i quajtur Igor Knezeviç – i cili luftoi në Togën Vetëtima të Uralit në vitin 2015 në Ukrainën lindore. BIRN nuk ka qenë në gjendje të verifikojë në mënyrë të pavarur identitetin e Knezeviçit.
Dokumentet gjithashtu zbuluan se një luftëtar i dytë, emri i të cilit mbetet i panjohur, ishte gjithashtu pjesë e grupit Vetëtima dhe ishte përgjegjës për çështjet e inteligjencës dhe gjithashtu për arrestimin e njerëzve të akuzuar për mbledhjen e informacioneve për shërbimin sekret të Ukrainës.
Njësia e Parë Sllave
Katër qytetarë serbë deri më tani janë dënuar për luftime në këtë njësi. Sipas dokumenteve të gjykatës, luftëtarët serbë ishin të vendosur në Novoazovsk, një qytet kufitar në skajin juglindore të Ukrainës në rajonin e Donetskut. Ata kishin detyrë të siguronin objektet ushtarake.
Një nga vendimet zbulon se një luftëtar serb ishte gjithashtu përgjegjës për sigurimin e një burgu në Komisarovka në rajonin Mykolayivskas në jug të Ukrainës. Një tjetër luftëtar ishte aktiv në pikat e kontrollit rrugor në Donetsk.
Njësia Batman
Një shtetas serb u dënua për luftime me Njësinë e Batmanit. Sipas vendimeve të gjykatës, ai mori një numër të madh armësh, duke përfshirë raketahedhëse dore dhe luftuan në zonën në afërsi të aeroportit të Donetskut, Debaltsevit dhe Dokuchaievskit dhe në rajonin Mariupolit.
Sipas dokumenteve, ky luftëtar qëndroi në Ukrainë deri në tetor 2015, dhjetë muaj pasi komandanti i njësisë Batman, Aleksander Bednov, u vra gjatë një sulmi mbi autokolonën e tij.
Njësia Batman u shpërbë pas incidentit.
Njësia Rezanj
Sipas dokumenteve, një shtetas serb ishte shoferi i zv/komandantit të kësaj njësie në Donetsk dhe ishte gjithashtu pjesë e Batalionit të Shërbimit të Sigurisë. Ky luftëtar kryente punë të “mbrojtjes së kundërzbulimit” dhe më vonë edhe u bë komandant i Njësisë Batman.
Njësia erdhi në vëmendjen e publikut serb për herë të parë në tetor 2014 pasi shtetasi serb Dejan Beriç dërgoi një letër duke pretenduar se ai luftonte për këtë njësi që u botua në faqen e internetit të krahut të djathtë Koreni.
Ai tha se Njësia Rezanj u formua në fillim të luftimeve në Ukrainën lindore si një grup devijues me njerëz nga të gjitha ish-republikat e BRSS.
Tensionet Beograd-Kiev
Marrëdhëniet midis Serbisë dhe Ukrainës janë dëmtuar rëndë nga prania e luftëtarëve serbë mes grupeve separatiste pro-ruse në Ukrainë.
Ambasadori i Ukrainës në Serbi, Oleksandr Aleksandrovych, tha për BIRN në nëntor 2017 se rreth 300 serbë po luftonin në atë kohë në Ukrainë. Ambasadori akuzoi autoritetet serbe për shpërfillje të çështjes, që ai beson se është komplikuar nga lidhjet e ngushta të Serbisë me Rusinë.
Muajin e kaluar, ministria e drejtësisë e Serbisë tha për BIRN se autoritetet ukrainase nuk i kishin kontaktuar kurrë ata për serbët që luftonin në Ukrainë. Megjithatë, të njëjtin muaj Ministri i Jashtëm i Serbisë i konfirmoi BIRN-it se kishte marrë tri letra diplomatike deri më tani – njërën që mbante datën 11 janar 2018, një tjetër 27 nëntor 2017 dhe njëra 24 korrik 2015.
BIRN tani ka siguruar kopje të të tria letrave. Në letrat në vitin 2018 dhe 2017, Ambasadori Aleksandrovych kërkoi takime me prokurorët serbë dhe zyrtarët e gjykatës në lidhje me “bashkëpunimin për dhënien e informacioneve për qytetarët serbë që luftojnë në Ukrainën lindore”. Ministria e Jashtme iu përgjigj të dyjave me data konkrete për takime.
Megjithatë, sipas letrës së vitit 2015, ambasada ukrainase gjithashtu i dërgoi Ministrisë së Jashtme të Serbisë një listë të qytetarëve serbë të cilët ata thanë se kishin marrë pjesë në konfliktin e armatosur në Donbass.
“Ambasada e Ukrainës po kërkon që ky informacion të dërgohet në adresën e të gjitha institucioneve kompetente të Serbisë. Ambasada po kërkon gjithashtu të informohet nëse qytetarët e listuar po mbahen nën arrest në Serbi apo përballen me akuza penale.”
Ministria e Jashtme nuk i dha BIRN-it listën e emrave që i dha asaj ambasadori ukrainas, duke thënë se ka të drejtë t’i mbrojë të dhënat nëse ka ndonjë kërcënim për sigurinë kombëtare apo marrëdhëniet midis Serbisë dhe shteteve të tjera.
Zyra e Prokurorit të Përgjithshëm të Ukrainës tha për BIRN në tetor të këtij viti se kishte identifikuar gjashtë serbë që luftonin në Ukrainë si pjesë e një hetimi të veçantë para-gjyqësor për “luftëtarët e huaj që merrnin pjesë në luftën agresive kundër Ukrainës”.
Zyra e prokurorisë tha se i kishte dërguar një kërkesë “autoriteteve kompetente të Republikës së Serbisë në lidhje me ofrimin e ndihmës juridike ndërkombëtare për kryerjen e procedimeve ligjore” kundër personave të akuzuar se luftonin ilegalisht në Ukrainë, por nuk kishte marrë përgjigje.
“Serbia duhet të kthehet te Nëna Rusi”
Në vitin 2014, Aleksandër Vuçiç, në atë kohë kryeministër e tani president, i bëri thirrje të gjithë serbëve që luftonin në Ukrainë që të ktheheshin në Serbi.
“Angazhimi i qytetarëve tanë për para në këto konflikte po dëmton shtetin,” citohet të ketë thënë ai nga agjencia serbe e lajmeve Tanjug.
Pavarësisht thirrjes së Vuçiçit, shumë serbë thonë se ndihen të detyruar të bashkohen me njësitë separatiste nga simpatia që kanë për Rusinë dhe një ndjenjë vëllazërie të krishterë ortodokse.
Vetë Miloseviçi me krenari pretendon sse ka krijuar një organizatë në vendlindjen e tij Kovin, në veri të Serbisë, të quajtur Qendra për Ruajtjen e Traditës së Vëllazërisë Ortodokse Serbo-Ruse.
Këtë vit grupi organizoi festivalin një javor të filmit rus në Kovin dhe paradën e Regjimit të Pavdekshëm për të shënuar mposhtjen e Gjermanisë naziste nga Bashkimi Sovjetik në Luftën e Dytë Botërore.

Ka gjithashtu raportime se të huajtë që luftojnë në Ukrainën lindore paguhen mirë.
Snajperisti Miloseviç thotë se Republika Popullore e Luhanskut – një shtet i vetëshpallur në Ukrainën lindore që shpalli pavarësinë në vitin 2014 – i paguan atij një pagë mujore prej 15,000 rubla (200 euro).
Ai mohon çdo sugjerim se ai është një mercenar i paguar, duke e përshkruar veten si një ushtar me rrogë që lufton për një forcë të armatosur legjitime. Ai thekson se paga nuk është mjaftueshëm e madhe që ai të vërë në rrezik jetën e tij vetëm për përfitime financiare.
“Rreziku është i madh. Ne snajperistët dhe minavënësit bëjmë gjërat më të vështira dhe nuk ka vend për gabime,” thotë ai.
Të tjerë theksojnë se dënimet relativisht të buta për ata serbë që janë dënuar për pjesëmarrje në luftime në Ukrainë, zor se kanë shërbyer si një pengesë efikase për t’u rikthyer në fushëbetejat e Ukrainës.
Miloseviçi është i vetëpërmbajtur nga pasojat e mundshme të thyerjes së kushteve të dënimit të tij të pezulluar nëse ai kthehet në Serbi. Ai hedh poshtë ligjin sipas të cilit ai u dënua si “pa ndonjë të ardhme” duke parashikuar se ai do të hiqet.
Ai gjithashtu nuk e ka marrë seriozisht thirrjen e Vuçiçit për të ndalur luftën në Ukrainë.
“Qentë le të lehin, karvani të ecë përpara,” thotë ai. “Nëse Vuçiçi dëshiron të mbijetojë politikisht, ai duhet të kthehet urgjentisht te Lindja dhe Nëna Rusi, çdo gjë tjetër është shkatërrimtare për popullin serb dhe vendin.”