Shekulli i XXI do të jetë një periudhë ku infrastruktura do të zgjerohet në mënyrë të paprecedentë dhe më shumë se 90 trilionë dollarë do të shpenzohen gjatë 15 viteve në vazhdim për të ndërtuar ose zëvendësuar diga, hidrocentrale dhe objekte të tjera. E vetmja mënyrë për të shmangur projekte të pamatura është të njohim vlerën e vërtetë të natyrës.
Në nëntor 2017, shkencëtarët që punonin në Sumatra, Indonezi, bënë një njoftim emocionues. Ata kishin zbuluar një specie të re orangutangu, duke e çuar në shtatë numrin e llojeve të majmunëve në nivel global.
Por një vit më vonë, shtëpia e vetme e 800 orangutangëve të egër Tapanuli po shembet për një digë dhe një hidrocentral që kushtojnë 1.6 miliardë dollarë. Edhe pse projekti do të kontribuojë më pak se 1% në kapacitetin gjenerues të planifikuar të vendit, shkencëtarët thonë se kjo do të çojë në zhdukjen e këtyre specieve të rralla. Kjo ngre edhe një herë një pyetje të rëndësishme. Sa vlen natyra?
Indonezia nuk është e vetmja që po bën kompensime të dëmshme mjedisore. Shekulli i XXI do të jetë një periudhë zgjerimi të paparë të infrastrukturës dhe 90 trilionë dollarë do të shpenzohen gjatë 15 viteve të ardhshme për të ndërtuar ose zëvendësuar diga, termocentrale dhe objektet e tjera. Në fakt, në një dekadë e gjysmë në vazhdim do të ndërtohet më shumë infrastrukturë sesa ajo që ekziston aktualisht. Natyrisht, habitatet do të dëmtohen gjatë këtij procesi.
E megjithatë, rritja mjedisore nuk është e paracaktuar. Është e mundur të bëhen zgjedhje të zgjuara dhe të qëndrueshme. Për ta bërë këtë, ne duhet të njohim vlerën e vërtetë të natyrës dhe të bëjmë etikat mjedisore dhe analizat e kostove dhe përfitimeve pjesë të çdo projekti.
Për momentin, kjo nuk po ndodh. Shumica e infrastrukturës planifikohet dhe ndërtohet në bazë të vlerësimeve të tregut që nuk marrin në konsideratë natyrën. Si rezultat i kësaj, bota po përballet me një krizë në rritje: dobësimi i shërbimeve të ekosistemit – siç është uji i pastër, mbrojtja nga përmbytjet dhe pllenimi i bletëve – që mbrojnë biodiversitetin dhe formojnë themelin mbi të cilin varet mirëqenia njerëzore.
Për të ndryshuar status quon, ne duhet të bëjmë një zgjedhje etike që të mos ekspozojmë habitatet kritike dhe “kapitalin natyror” në rreziqe më të mëdha – pavarësisht përfitimeve të mundshme ekonomike. Ashtu si shumica e botës ka refuzuar përdorimin e skllevërve ose të punës së fëmijëve, ashtu duhet të mohohet edhe shkatërrimi i përhershëm i natyrës.
Disa ekonomistë e kanë njohur këtë duke ndërtuar kosto mjedisore në argumentet e tyre; pylli tropikal i Amazonës është një rast në fjalë. Atje shpyllëzimi ka zvogëluar prodhimin e reve të ngrohta që janë tepër të rëndësishme për transportimin e shiut në të gjithë Amerikën e Jugut. Thatësira që preku San Paolon midis vitit 2014 dhe 2017 besohet se është shkaktuar, të paktën pjesërisht, nga mungesa e këtyre “lumenjve fluturues”. Siç theksoi edhe shkencëtari brazilian i klimës Antonio Nobre, nëse këto pompa uji ajrore fiken përgjithmonë, një zonë që siguron 70% të prodhimit kombëtar bruto të Amerikës së Jugut do të shndërrohet në shkretëtirë.
Sigurisht, identifikimi i kapitalit kritik natyror është sfidues, sidomos në shkallë më të vogël. Ndërkohë që shumë njerëz mund të bien dakord në lidhje me rëndësinë e mbrojtjes së Amazonës, është më e vështirë të tregohet vlera e ruajtjes së orangutangëve në Indonezi. Por, me kalimin e kohës, humbja e habitatit të orangutangut Tapanuli do të ndryshonte thellësisht përbërjen e pyllit tropikal dhe do të prishte shërbimet e saj ekologjike. Në të njëjtën kohë, eliminimi i një specie majmuni të madh – më i afërti me llojin tonë – do të fshinte një mundësi për të kuptuar më mirë evolucionin dhe gjenetikën tonë.
Në botën e zhvilluar, disa qeveri dhe biznese po e bëjnë zgjedhjen etike duke zbatuar “parimin e kujdesit” ndaj rritjes. I miratuar në vitin 1992 si pjesë e Deklaratës së Rios mbi Mjedisin dhe Zhvillimin, parimi mishëron përfundimin se është më me vend he sigurisht kushtin më pak të shmanget degradimi mjedisor në radhë të parë.
Sfida e vërtetë është futja e këtij karakteri në ekonomitë në zhvillim, ku do të ndodhin pjesa më e madhe e shpenzimeve të infrastrukturës. Merrni parasysh zhvillimin e autostradës. Deri në vitin 2050, do të ketë 15.5 milionë kilometra rrugë të reja të asfaltuara, mjaftueshëm për t’i rënë më shumë se 600 herë rrotull Tokës. Më shumë se 90% të këtyre rrugëve të reja do të ndërtohen në vende të zhvilluara, të cilat tashmë përballen me një presion të madh mjedisor. Në rajonin e Amazonës, për shembull, ka rreth 53,000 kontrata për të punuar nëpër miniera që përfshijnë 21% të masës së tokës. Në Guine, një digë e mbështetur nga Banka Botërore thuhet se po kërcënon një strehë shimpanzesh. Dhe në Tanzani, qeveria ka miratuar një digë dhe një hidrocentral në Rezervuarin Selous Game, një vend trashëgimi botërore i mbrojtur nga UNESCO.
Me rritjen e nevojave njerëzore pas rritjes së popullsive dhe të të ardhurave, ka arsye legjitime për të ndërtuar më shumë infrastrukturë. Por nëse tendencat aktuale vazhdojnë, interesat afatshkurtra do të zhvendosin pasuritë natyrore mbi të cilat varet e gjithë jeta. Për të planifikuar një zhvillim të mençur, qeveritë dhe biznesi duhet të njohin rolin e natyrës në mbështetjen e aktivitetit ekonomik dhe në sigurimin e shëndetit ekologjik dhe njerëzor. Në fund të fundit, ne nuk duhet dhe nuk mund të jetojmë në një botë ku natyra nuk ka asnjë vlerë.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. Nature vs. Infrastructure