Një lojë në të cilën lojtarët përpiqen të arratisen nga vendet komuniste përforcon narrativën që identifikon nazizmin dhe komunizmin si njësoj të këqij – një ide që po përdoret nga revizionistët historikë në Ballkan për të shfajësuar fashistët.
Angela, 54 vjeçe, jeton në Slloveni dhe punon në zyrën postare. Ajo dikur ishte komuniste, por u largua nga Partia pse e kuptoi se ajo thotë gënjeshtra.
Ivana, 20 vjeçe, jeton në Kroaci dhe dëshiron të bëhet prezantuese televizive. Prindërit e saj po përndiqen për arsye politike. Asaj nuk i lejohet të studiojë dhe nuk mund të ndjekë ëndrrat e saj. Ajo nuk sheh asnjë zgjidhje tjetër përveçse të largohet në Perëndim.
Angela dhe Ivana janë personazhe imagjinar në lojën “Përtej Perdes së Hekurt”. Në lojë lojtarët i ndihmojnë ata që të largohen nga vendet komuniste dhe të kërkojnë lirinë në Perëndim. Megjithatë, për fat të keq, loja ka një të metë të madhe – Jugosllavia nuk ishte kurrë pas Perdes së Hekurt.
“Përtej Perdes së Hekurt” u krijua për qëllime edukuese nga Platforma e Kujtesës dhe Ndërgjegjes Europiane, një nismë e mbështetur nga BE-ja. Platforma është një rrjet institutesh kërkimore kombëtare të specializuara në historinë totalitare. Parlamenti Europian bëri thirrje për krijimin e saj në vitin 2009 që të shërbente si “një qendër dokumentacioni pan-europian / përkujtimore për viktimat e të gjitha regjimeve totalitare”.
BE gjithashtu shpalli 23 gushtin në të gjithë Europën si Ditën e Përkujtimit të të gjitha viktimave të të gjitha regjimeve totalitare dhe autoritare, duke vendosur regjimet naziste dhe staliniste-komuniste në nivel të barabartë. Rezoluta të ngjashme u miratuan pak vite më parë nga komiteti i çështjeve politike i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës.
Ky ishte fillimi i “tregimit të dy totalitarizmave” – nazizmit dhe komunizmit si dy makthe të barabarta të Europës së shekullit të 20-të.
Për lojën “Përtej Perdes së Hekurt” e mora vesh në vitin 2016 dhe për dy vjet u përpoqa ta fusja në dorë. Nuk kishte asnjë mënyrë për ta porositur lojën në internet. Nuk ishte në listat në eBay, nuk shitej as në Amazon, asgjë. Kompania që prodhoi lojën (Czech Board Games) madje nuk e reklamon atë. Fati im ndryshoi në dhjetor të vitit 2018 kur më në fund e mora një nga një kontakti im në një panair lojërash në Esen të Gjermanisë.
Gjëja e parë që më ra në sy kur luajta, ishin ishte termat e përdorur për të përshkruar komunizmin – policinë sekrete të plotfuqishme; varfëria; paligjshmëria; persekutimi i fesë; kampet e detyruara të punës; mungesat e të mirave bazë.
Perëndimi përshkruhej nëpërmjet 30 neneve të deklaratës universale të të drejtave të njeriut – sepse këto ishin “të gjitha të dhunuara” nga diktaturat komuniste. Deklarata u miratua nga Kombet e Bashkuara në vitin 1948, por BRSS, së bashku me Jugosllavinë dhe një sërë vendesh të tjera, nuk pranuan ta miratonin.
Loja ka 30 fisha me personazhe imagjinarë me fotografi. Angela dhe Ivana, të cilat i përmenda më herët, vijnë nga Jugosllavia; më saktë nga Sllovenia dhe Kroacia, por shumica e personazheve të tjerë vijnë nga Bashkimi Sovjetik (Lituania, Estonia, Rusia, Bjellorusia, Letonia dhe Ukraina), Polonia (2), Çekosllovakia (4), Rumania (2), Hungaria (2) Bullgaria (2, duke përfshirë një turk të Bullgarisë), Gjermania Lindore (2) dhe Shqipëria (2, duke përfshirë një greko-shqiptar).
Ata kanë tetë muaj kohë (raunde) për t’u arratisur në këmbë, me aeroplan ose me mjete të tjera transporti, por gjithmonë hasin probleme. Refugjatët denoncohen, persekutohen dhe arrestohen, por ndonjëherë ata bëjnë edhe ndonjë pushim.
Skenari është i thjeshtë dhe loja është mjaft e hapur: vrapo ose përballu me shtypjen.
Manuali i lojës është një kombinim i argëtimit, informacioneve politike dhe historike. Pjesa e pasme e manualit përmban dëshmi të përzgjedhura me kujdes të disa njerëzve që arritën të arratiseshin në Perëndim, me tetë histori të vërteta të njerëzve që u arratisën nga Polonia dhe Çekosllovakia.
Një tregim i dy totalitarizmave
Megjithatë, çështja kryesore është tregimi që del nga loja. Ai përcjell “tregimin e dy totalitarizmave” (sovjetik dhe nazist), por shpërfill kontekstin e pandarë historik, politik dhe shoqëror brenda të cilit lulëzuan regjimet shtypëse.
Jugosllavia, një vend që nuk ishte kurrë nën sundimin sovjetik, vendoset gjithashtu në të njëjtin nivel. Kjo nuk do të thotë se Jugosllavia ishte një demokraci e plotë në atë kohë, por siç kanë raportuar diku tjetër një sërë historianësh dhe sociologësh të mirënjohur, regjimi jugosllav nuk ishte totalitar.
Menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore, pati dëbime dhe hakmarrje ndaj bashkëpunëtorëve të dyshuar ose realë me fuqitë e Boshtit. Në një fazë të mëvonshme, regjimi përdori spastrime politike, vrasje dhe ndaloi disidentë nëpër burgje si Goli Otok. Megjithatë, sistemi politik i Jugosllavisë nuk u përfshi në asgjë të ngjashme me represionin komunist që pamë pas Perdes së Hekurt.
Kjo më sjell në pasojat e padëshiruara që “tregimi i dy totalitarizmave” ka për vendet e ish-Jugosllavisë, ku ky tregim është mbështetur masivisht nga revizionistët historikë të Luftës së Dytë Botërore.
Një sërë “sipërmarrësish të kujtesës” – ata të interesuar për të promovuar narrativat e tyre dhe përfaqësimet e së kaluarës së Luftës së Dytë Botërore – e kanë përqafuar të gatshëm narrativën anti-totalitare.
Në Kroaci, anti-totalitarizmi është një justifikim për të spastruar vendin nga e kaluara e tij jugosllave. Ultranacionalistët po e përdorin atë për të rehabilituar simbolikisht lëvizjen ustashe të kohës naziste – fashistët kroatë.
Roli i ustashëve në Holokaust dhe krime të tjera masive kundër romëve, serbëve dhe antifashistëve kroatë po minimizohen dhe krerët dhe bashkëpunëtorët e këtyre krimeve tani po përkujtohen si “viktima të Holokaustit të Kuq” të kryer nga komunistët.
Në Serbi, këto përpjekje po fitojnë terren me qëllim rehabilitimin e lëvizjes ultranacionaliste çetnike të Luftës së Dytë Botërore dhe liderëve të saj, që tani përshkruhen si “viktima të komunizmit” dhe “antifashistë të keqkuptuar”.
Narrativa anti-totalitare po rezonon edhe në Shqipëri, një shtet komunist që nga fundi i Luftës së Dytë Botërore deri në vitin 1991. Për momentin, ka shumë debate intelektuale dhe politike rreth kampit të punës së detyruar në Tepelenë në Shqipëri. Një ish-i burgosur madje u shpreh se Tepelena “ishte qartësisht një kamp përqendrimi dhe shfarosjeje, njësoj si Aushvici i ndërtuar nga nazistët gjermanë”.
Politikëbërësit me qëllim të mirë të BE-së kanë ofruar mbështetje për shumë nisma që pranojnë simbolikisht dhe përkujtojnë ata që ranë viktima të persekutimit, kanosjes dhe vrasjes politike komuniste dhe staliniste. Mantra ishte: të gjitha viktimat meritojnë respekt dhe ne kemi për detyrë t’i kujtojmë ata.
Vitin e ardhshëm, nën patronazhin e Parlamentit Europian, Platforma e Kujtesës dhe Ndërgjegjes Europiane do të ngrejë në Bruksel një monument për viktimat e regjimeve totalitare.
Koncepti i një “detyre përkujtimi” për krimet masive pohon legjitimitetin e kërkimit të kompensimit simbolik dhe nxjerrjes së mësimeve nga e kaluara. Ky kuptim – se memorializimi duhet të jetë një mjet për të luftuar padrejtësinë dhe për të promovuar pajtimin – përshkon politikën e kujtesës së BE-së.
Por në të njëjtën kohë, në të gjithë BE-në dhe në afërsi të saj, ultranacionalistët, mohuesit e gjenocidit dhe revizionistët historikë po luajnë “lojëra kujtese” me trashëgimitë totalitare të vendeve të tyre dhe po e përdorin dhe abuzojnë me të kaluarën për të promovuar paraqitjet e tyre të historisë.
Mendimet e shprehura në sektorin e Opinioneve janë vetëm ato të autorëve dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.