Njëzetë e një vjet pasi Vukovari u ribashkua me Kroacinë, vendasit janë lodhur me imazhin e qytetit të shkatërruar nga konflikti dhe nuk u pëlqen “turizmi i luftës”, edhe pse tensionet etnike dalin ende në pah me raste dhe mësimi në shkollë vazhdon të bëhet i ndarë.
Qendra e Vukovarit duket e rregullt dhe e pastër. Në zonën e vogël në qendër të qytetit, gjithçka është në një vend: një treg, qendër tregtare, zyrë postare, librari, muze, kinema multiplex dhe kafene.
Ka gjithashtu edhe një zonë tërheqëse këmbësorësh, ku vendasit mund të bëjnë një shëtitje dhe ku pothuajse të gjithë duket se njihen, pasi ndalojnë për të përshëndetur njëri-tjetrin dhe të bisedojnë.
Mbizotëron një atmosferë relaksuese dimri. Njerëzit e moshuar ngrohen në kafene me pije të nxehta, ndërsa fëmijët bëjnë patinazh në akull në sheshin komunal.
Disa ndërtesa të shkatërruara ose të dëmtuara mbeten si një kujtesë për të kaluarën e kohës së luftës, kur qyteti ishte një pikë e nxehtë në konfliktin kroat – i rrethuar prej muajsh nga Ushtria Popullore Jugosllave dhe paraushtarakët serbë derisa ra në nëntor 1991.
Por numri i ndërtesave të cilat ende janë të prishura nga predhat dhe armët e vogla të zjarrit në Vukovar është zvogëluar gjatë viteve – një ndryshim që i pëlqen vendasve.
Megjithatë, turistët shpesh janë të prirur të shohin kullën e madhe të ujit të dëmtuar nga predhat që u bë simbol i rrethimit të vitit 1991 dhe varrezat përkujtimore ku janë varrosur viktimat e luftës.
Vizitorët mund të bëjnë edhe një “tur të Luftës Civile Jugosllave” dhe të blejnë kopje në miniaturë të kullës së dëmtuar të ujit ose bluza me temë nga lufta si suvenire.
Vukovari më në fund u riintegrua në Kroaci në janar 1998. Zona e Sllavonisë Lindore, në të cilën ndodhet qyteti, ishte pushtuar dhe qeverisur nga rebelët serbë gjatë luftës, më pas iu dorëzua kontrollit të Kombeve të Bashkuara pas përfundimit të konfliktit, që të riintegrohej në mënyrë paqësore gjatë një periudhe prej dy vjetësh.
Por banorët e Vukovarit pohojnë se qyteti i tyre është ende subjekt i paragjykimeve të vjetra që datojnë nga vitet e luftës.
“Kur u regjistrova në Fakultetin e Shkencave Politike në vitin 2009 në Zagreb, ishte shumë interesante kur u prezantova me kolegët e mi,” tha banorja lokale Biljana Gaca, e lindur në qytet.
“Oh, je nga Vukovari. Pra, si të shkojnë gjërat atje?” – fjalë për fjalë ata pyesnin veten nëse ka ende një gjendje rrethimi dhe nëse kemi energji elektrike. Nga kjo perspektivë, është qesharake për mua, por në vitin 2009 ishte tronditëse. Unë nuk mund të kuptoja se si njerëzit mund të kishin një ide të gabuar, një imazh të keq të Vukovarit,” shtoi ajo.
Media akuzohet për një axhendë të paracaktuar
Vukovari u bë simbol i vuajtjeve kroate gjatë rrethimit tre mujor në të cilin vdiqën më shumë se 3,000 ushtarë dhe civilë, 86 prej të cilëve fëmijë.
Vendasit tani përpiqen të theksojnë se situata ka lëvizur, por çdo vit në përvjetorin e rënies së Vukovarit, më 18 nëntor, gazetarët vërshojnë në qytet për të raportuar për përkujtimoren e përvitshme të sponsorizuar nga shteti.
Mediat kombëtare mund të kenë një axhendë të ngushtë, shprehet Goran Jeleniç nga Qendra për Edukimin Social PRONI, një OJQ që punon me të rinjtë: “Kur vijnë, ata vijnë me një qëllim, me një arsye, për përvjetorët,” tha Jeleniç.
Në një qytet në të cilin kroatët përbëjnë shumicën, por ka një pakicë serbe prej 30 për qind, mediat kombëtare janë më të interesuara në mënyrën se si kroatët dhe serbët bashkëjetojnë në praktikë pavarësisht nga trashëgimia e tyre e përbashkët e konfliktit.
Por kolegia e Jeleniçit, Karolina Sos Zivanoviç, tha se gazetarët ndonjëherë mbërrijnë me ide të paracaktuara të historisë – për shembull, duke pyetur nëse ka një çift kroato-serb të cilin mund ta intervistojnë.
“Ajo që na ofendoi është se një media na u drejtua në këtë mënyrë: “Mund të na gjeni një kroat dhe një serb që do të mbërrijnë në qytet në orën 4 dhe të flasin për ndonjë gjë?” tha Sos Zivanoviç.
“Atëherë ne bënim shaka me njëri-tjetrin: ‘Po, i mbajmë në dollapë dhe, nëse është e nevojshme, mund të zgjidhni të merrni një flokëkuqe ose një bionde,” shtoi ajo.
Ka ende disa tensione etnike – në vitin 2013 dhe 2014, pati protesta të udhëhequra nga veteranët e luftës në Vukovar pasi gjuhës serbe dhe shkrimit cirilik iu dha statusi zyrtar në institucionet lokale për shkak të popullsisë së madhe të pakicës serbe të qytetit.
Vukovari ka qenë përsëri në shtypin kroat gjatë javëve të fundit, pasi një nxënës serb i klasës së tretë në Shkollën Teknike Nikola Tesla u sulmua në mes të janarit.
Anëtarët e Partisë së Pavarur Demokratike Serbe të Kroacisë pretenduan se sulmi ndodhi vetëm dy ditë pasi kryetari i Vukovarit Ivan Penava akuzoi nxënësit serbë të shkollës së nuk ishin mjaftueshëm patriotë dhe se shpërfillnin himnin kombëtar kroat.
Penava gjithashtu postoi një video në faqen e internetit të komunës së Vukovarit nga një ndeshje futbolli ku nxënësit rrinë ulur ndërkohë që në luhet himni kombëtar kroat. Një nga këta nxënës u bë atëherë viktimë e sulmit.
Penava këmbënguli se ndërhyrja e tij nuk shkaktoi dhunën, por këmbënguli se në Kroaci ekziston “agresioni i Serbisë së Madhe”, “epiqendra e të cilit është në Vukovar”.
Por Zoran Konjeviç, i cili jep mësim në Shkollën Teknike Nikola Tesla, shprehet se edhe pse sulmi shkaktoi një grindje politike, ai ishte një incident anormal dhe se pjesën tjetër të kohës, 370 nxënësit e shkollës dhe dhjetëra mësues vazhdojnë punën e tyre në paqe, si nxënësit dhe mësuesit kudo tjetër në Kroaci.
Kroatët dhe serbët studiojnë më vete në shkolla
Pas sulmit, një nxënëse e shkollës së mesme nga Vukovari, Martina Galiç, u intervistua në emisionin “Nedeljom u 2” të televizionit kombëtar dhe këmbënguli se nuk ka urrejtje mes nxënësve në shkollat e qytetit.
“Politikanët bëjnë rrëmujë, atëherë na mbetet neve ta ndreqim këtë rrëmujë,” tha Galiç.
Një nga rrëmujat më të mëdha në Vukovar është sistemi arsimor, argumentojnë disa ekspertë.
Pakicat etnike në Kroaci arsimohen sipas një prej tre modeleve. Në të parin e këtyre modeleve, nxënësit e pakicave etnike arsimohen vetëm në gjuhën e tyre, jo në gjuhën kroate; modeli i dytë përfshin disa lëndë që mësohen në gjuhën e pakicës, ndërsa modeli i tretë ofron një program me deri në pesë orë mësimore në javë ku mësohet gjuhë, letërsi, histori, gjeografi dhe arti i pakicës.
Në Vukovar përdoret modeli i parë, pra, nxënësit serbë studiojnë vetëm në gjuhën serbe dhe i bëjnë detyrat e tyre në shkrimin cirilik, ndërsa nxënësit kroatë studiojnë në gjuhën kroate.
“Dhe kjo do të thotë se nxënësit ose shkojnë në klasat serbe ose në klasat kroate. Pra, ato janë të ndara,” tha Lana Mayer nga Shtëpia Europiane Vukovar, një OJQ lokale.
“Në shkollat fillore, për fat të keq, fëmijët e zhvillojnë mësimin me turne. Pra, në mëngjes është turni që bën mësim në gjuhën kroate dhe turni që bën mësimin në gjuhën serbe është pasdite,” shpjegoi Mayer.
Kjo do të thotë se në shkollat fillore të Vukovarit, fëmijët kroatë dhe serbë as nuk e shohin njëri-tjetrin.
Në Vukovar ekziston një “shkollë ndërkulturore”, me pajisje shumë moderne, ku regjistrohen fëmijët e çdo etnie. Megjithatë, asnjë fëmijë nuk është regjistruar dhe projekti po përballet me dështim.
“Në thelb, për shkak të kësaj çështjeje dhe këtij problemi, unë u bëra aktive në politikë,” tha Biljana Gaca, e cila shkroi tezën e saj të masterit mbi modelet e edukimit për “pakicat kombëtare” në Kroaci.
“Në një moshë shumë të re, në moshën 14 vjeçare, ishte krejtësisht e pabesueshme për mua që në një qytet që ka një histori dhe traditë ndërkulturore, fëmijët shkojnë në klasa të ndara fizikisht,” tha Gaca.
Mayer tha se nuk ka pothuajse asnjë komunikim midis fëmijëve të etnive të ndryshme kur ata janë të ndarë fizikisht.
“Sipas asaj që shoh unë – në mënyrë specifike, shembulli i fëmijës tim dhe shkollës që ai frekuenton – nuk ka komunikim dhe nuk mund të ketë kur ata nuk kanë aktivitete të përbashkëta,” tha Mayer, duke shtuar se jashtë shkollës, fëmijët komunikojnë kur ata janë mbledhur rreth një projekti të përbashkët.
Megjithatë, ka një lloj progresi drejt integrimit etnik në shkollat e mesme, sepse disa prej tyre, si Shkolla Teknike Nikola Tesla, nuk kanë turne për mësim në gjuhën serbe dhe atë kroate, kështu që nxënësit të paktën takohen në korridore.
“Këtu qëndrimet po fillojnë të ndryshojnë sepse e vërteta është se ata e shohin që gjërat nuk janë ashtu si duken në televizion,” tha Konjeviç.
“Këto gjëra po ndryshojnë, ata po fillojnë të shoqërohen me njëri-tjetrin. Unë do të thosha se mund të arrihet më shumë, por atmosfera në shkollë nuk është një atmosferë që ndan, por një atmosferë që lidh,” shtoi ai.
Ai përmendi faktin se së fundmi, nxënësit kroatë dhe serbë kanë qenë në ekskursione shkollore së bashku, për shembull, në panairin e librit në Zagreb dhe Beograd.
Emigracioni kërcënon ta ulë më shumë popullsinë
Siç vendasit i thonë kujtdo që pyet, njerëzit në Vukovar kanë të njëjtat probleme si qytetarët e tjerë kroatë – para së gjithash, papunësia dhe paqëndrueshmëria financiare.
“Ky është një problem në të gjithë Kroacinë. Të rinjtë, si edhe të moshuarit, kanë vendosur të ndërmarrin hapa radikalë dhe të largohen nga vendi,” tha Dejan Gemeri, një student 24-vjeçar i fizikës, i cili gjithashtu jep mësim në një shkollë fillore në Vukovar dhe në Shkollën Teknike “Nikola Tesla”.
Në të ardhmen, Gemeri e sheh veten të jetojë jashtë vendit, sepse ai mendon se Vukovari nuk ka punë për të si shkencëtar dhe ai nuk ka ndërmend të punojë për një kohë të gjatë si mësues.
Ai nuk është një anomali; popullsia e qytetit ka rënë nga rreth 45,000 para luftës në 27,000 në regjistrimin e fundit të vitit 2011, edhe pse shifra e vërtetë sot është ndoshta më e ulët, për shkak të emigrimit.
Fabrikat që dikur ofronin punësim në epokën eë Jugosllavisë janë mbyllur. “Vukovari kishte fabrika të mëdha. Fabrika e këpucëve “Borovo” kishte të punësuar 23,000 punëtorë,” tha Gaca.
Por shumë vendas besojnë se Vukovari ka ende shumë për të ofruar.
“Vukovari ka qenë gjithmonë një qytet plot me shpirt, plot njerëz me vlerë. Ai vazhdon të jetë i tillë ende edhe sot, por sigurisht që lufta la pasojat e saj,” tha Konjeviç.
Qyteti është restauruar mirë, vazhdoi ai, por përmirësimet infrastrukturore nuk mund ta fshehin mungesën e vendeve të punës.
Turizmi është një prioritet për autoritetet lokale; qyteti shtrihet në Danub dhe është një pikë ndalimi për udhëtarët që lundrojnë në lumë.
“Ne kemi një potencial të madh për turizëm. Kemi rreth 300 kroçera lumenjsh që ankorohen në Vukovar çdo vit,” tha Gaca.
Por Mayer tha se mendon se ajo turistëve shpesh u tregohen “vuajtjet dhe vende përkujtimore të luftës” në vend të gjërave pozitive që qyteti ka për të ofruar.
Ndërkohë Gaca pranoi se ajo mund të ketë nevojë të kërkojë një vend pune jashtë Vukovarit, por ajo ka ende shpresë se njerëzit e qytetit mund të luftojnë për të arritur një të ardhme më të begatë.
“Unë jam optimiste nga temperamenti dhe besoj në temperamentin e popullit të Vukovarit, në kurajën e tyre,” tha ajo. “Do të luftojmë të gjithë së bashku.”