Zyrtarët rumunë po vazhdojnë fushatën e tyre për të mos lejuar emërimin e ish-kryeprokurores së Anti-Korrupsionit Laura Codruta Kovesi në krye të Zyrës së Prokurorit Publik Europian duke e thirrur atë të enjten për një seancë të dytë dëgjimore në një rast abuzimi.
Një departament i posaçëm në Rumani i ngritur për të hetuar magjistratët thirri ish-kryeprokuroren e Anti-Korrupsionit në vend, Laura Codruta Kovesi, për një seancë dëgjimore të enjten ku pas katër orësh e njoftoi atë se ishte e dyshuar në një çështje të dytë.
Seanca në Rumani u zhvillua pasi krerët e grupeve politike në Parlamentin Europian u takuan në Bruksel për të vendosur hapat e ardhshëm në zgjedhjen e kreut të Zyrës së re Europiane të Prokurorit Publik, EPPO, post për të cilin Kovesi po kandidon.
Dy komitete të Parlamentit Europian e kanë zgjedhur atë tashmë si zgjedhjen e tyre për të kryesuar EPPO-në, Komitetin për Liritë Civile dhe Drejtësinë dhe Komiteti për Kontrollin e Buxhetit. Të dy preferuan atë para rivalit të saj më të afërt Francois Bonhert nga Franca.
Ndërsa Bonhert gëzon mbështetjen e qeverisë franceze, Kovesi është kundërshtuar hapur nga qeveria rumune, e cila ka lobuar kundër emërimit të saj në postin e EPPO-së.
Ajo u thirr të enjten për një seancë para departamentit të posaçëm që heton magjistratët, i cili u krijua së fundmi si rezultat i ndryshimeve në legjislacionin e drejtësisë të nxitura nga Partia Social Demokrate në pushtet.
Ai e ka akuzuar atë për ryshfet, shpërdorim detyre dhe dëshmi të rreme. Kovesi i ka mohuar akuzat. Një grup protestuesish kundër Kovesit u mblodhën para Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm të enjten, ndërsa një grup kundërshtar i mbështetësve të saj brohoriti pro saj.
“Jam akuzuar për drejtimin e një grupi krimi të organizuar brenda Drejtorisë Kombëtare Anti-Korrupsion,” u tha ajo gazetarëve pas seancës.
Hetimi për të filloi pasi manjati IT dhe politikani Sebastian Ghita, një ish-deputet i Partisë Social Demokrate – i akuzuar për korrupsion në disa raste – paraqiti një ankesë kundër saj. Ai është aktualisht në Serbi, ku ka marrë azil politik.
Qeveria rumune e shkarkoi atë nga posti i kreut të Drejtorisë Anti-Korrupsion në korrik 2018.
Gjatë qëndrimit të saj pesë vjeçar në krye të kësaj drejtorie, ajo zemëroi partinë në pushtet duke ndjekur penalisht qindra politikanë, nëpunës civilë dhe zyrtarë publikë për korrupsion – shumë prej tyre nga Social Demokratët.
Ajo gjithashtu paditi qeverinë rumune në dhjetor 2018 përpara Gjykatës Europiane të të Drejtave të Njeriut për shkarkimin e saj nga puna pa iu dhënë mundësia të mbronte veten.
Kur Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të BE-së, COREPER, votoi që Bonhert të drejtonte EPPO-në më 20 shkurt, kjo u pa gjerësisht si rezultat i lobimit të fortë nga qeveria rumune.
Faqja bullgare e lajmeve Sega njoftoi se përfaqësuesi bullgar në COREPER kishte votuar gjithashtu kundër emërimit të Kovesit.
Lajmet për këtë zemëruan disa në Bullgari. Një fushatë, e quajtur “Unë e mbështes Laura Kovesin për kryeprokurore të EPPO”, nisi një javë më parë dhe ka mbledhur tashmë mbi 1,500 ndjekës në Facebook.
Ata kanë hartuar një letër mbështetjeje për të dhe kanë kërkuar ndjesë për qëndrimin e shtetit bullgar në votimin e COREPER.
Fituesi do të emërohet si rezultat i negociatave midis Parlamentit Europian dhe Këshillit Europian.
Parlamenti Europian të enjten krijoi një komision prej tre anëtarësh që do të negociojë me Këshillin për emërimin përfundimtar.
Ata janë eurodeputetja holandeze Judith Sargentini, autore e një raporti mbi Hungarinë që çoi në nxitjen e Nenit 7 kundër vendit, eurodeputeti gjerman Ingeborg Grassle, nga Partia Popullore Europiane, një mbështetës i Kovesit dhe anëtar i Komisionit të Kontrollit të Buxhetit, dhe eurodeputeti britanik Claude Moraes, kreu i Komisionit të Lirive Civile.