
Vendimi i zbardhur i Kolegjit të Posaçëm të Apelimit tregon se trupa gjykuese u nda sa i përket kalimit të çështjes ndaj ish-gjykatësit Artan Lazaj në seancë publike. Gjykatësit në pakicë këmbëngulën që vendimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit të korrigjohej, ndërsa 5 anëtarët ishin pro shkarkimit.

Gjatë seancës publike u krijua përshtypja se jo e gjithë trupa gjykuese në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit kishte qenë në favor të shkarkimit të ish-gjykatësit të Tiranës, Artan Lazaj pasi vendimi u njoftua si i marrë me shumicë. Megjithatë, vendimi i zbardhur i KPA-së tregon se debate pati vetëm për kalimin e çështjes në seancë publike, ndërsa të 5 anëtarët e Kolegjit ishin nw favor tw shkarkimit tw subjektit.
Trupa e KPA-sw që gjykoi rastin u nda. Tre anëtarë, përfshirë kryesuesin Sokol Çomo, relatoren Albana Shtylla dhe anëtaren Natasha Mulaj ishin pro kalimit të çështjes në seancë publike dhe prishjes së vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Ndërkohw, gjykatësit Ardian Hajdari dhe Rezarta Schuetz kërkuan të vendosej në Dhomë Këshillimi duke korrigjuar vendimin e KPK-së.
Ndërsa shumica arsyetoi se shkelja proceduriale e KPK-së ishte e rëndë dhe vendimi duhej prishur, pakica e gjeti shkeljen serioze, por sipas saj nuk cënonte në thelb vendimin, ndërsa i cilësoi pretendimet e Lazajt dhe mbrojtësit të tij si të paprovuara.
Nga vendimi i zbardhur dhe i publikuar sëfundmi, rezulton se të pestë anëtarët ishin në favor të shkarkimit të Lazajt. Në vendim vihet në dukje se KPA rihetoi dhe rianalizoi pasurinë e gjykatësit dhe doli në përfundimin se ai kishte bërë deklarime të pasakta dhe të pamjaftueshme, ndërsa nuk kishte të ardhura për të justifikuar pasurinë. Ditën kur ai u shpall, avokati i Lazajt e cilësoi vendimin si absurd, ndërsa tha se gjykata u bazua në një vendim që e kishte shpallur vetë të “pavlefshëm”.
Artan Lazaj ka ushtruar detyrën e gjyqtarit prej vitit 2003 deri në vitin 2009, më pas ia qe anëtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve deri në vitin 2012, ndërsa më pas u emërua në Gjykatën e Tiranës. Me 11 korrik 2018, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit vendosi shkarkimin e tij nga detyra. Lazaj bëri ankim në Kolegjin e Apelimit, duke pretenduar shkelje procedurale nga komisionerët e KPK-së.
Debati mbi procedurën
Në ankim Lazaj dhe avokati i tij akuzuan komisioneren, Brunilda Bekteshi se kishte qenë e njëanshme dhe cilëson vendimin e KPK të marrë në shkelje të rëndë të procedurave. Shumica e trupës gjykuese të KPA – siç del edhe nga vendimi i zbardhur, e pranoi këtë pjesë të ankimit duke e gjetur vendimin e KPK-së në shkelje të procedurës së Kodit Civil dhe e shpalli atë të pavlevfshëm.
“Kërkesa për përjashtimin e një anëtari të trupit gjykues lidhet drejtpërdrejt me parimin e gjykimit nga një gjykatë e paanshme”, thuhet në vendimin e arsyetuar. Sipas shumicës vendimi i KPK-së për të prapësuar pretendimet e Lazajt ndaj komisioneres Bekteshi duhej të ishte shqyrtuar me detyrim nga një trupë tjetër gjyqësore.
“Gjykata rithekson se kur shqyrtohet një çështje e caktuar, ekziston një arsye legjitime për të dyshuar se një gjyqtar nuk është i paanshëm, këndvështrimi i atyre që paraqesin këtë pretendim ka rëndësi, por vendimtar mbetet përcaktimi nëse ky dyshim është objektivisht i justifikueshëm. Pikërisht, vendimin lidhur me faktin nëse dyshimi është apo jo i justifikueshëm, nuk mund ta marrë i njëjti gjyqtar kundër të cilit ngrihen pretendimet për paanshmëri”, thuhet në vendimin e arsyetuar.
Por dy anëtarët në pakicë e kundërshtuan këtë qëndrim. Ata arsyetojnë se vendimi i KPK ka vetëm një “gabim serioz procedural” i cili sipas tyre “mund dhe duhej korrigjuar nëpërmjet arsyetimit të vendimit”.
“Në vlerësimin e pakicës, ky gabim procedural i trupit gjykues të Komisionit, në vetvete dhe parë në kontekstin e gjithë procedurës së ndjekur për subjektin në fjalë në Komision, nuk rezulton ta ketë bërë vendimin e Komisionit të padrejtë dhe të cenueshëm në tërësinë e vet, aq me tepër të pavlefshëm”, thuhet në arsyetimin e gjykatësve Ardian Hajdari e Rezarta Schuetz.
Sipas tyre Lazajt i ishin garantuar të gjitha të drejtat e një procesi të rregullt. Duke iu referuar ashtu si shumica precedentëve të vendosur nga Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut, pakica argumenton se një kërkesë e Lazajt për përjashtim të trupës gjykuese ishte rrëzuar dhe se pas kësaj për 46 ditë ai nuk kishte paraqitur asnjë kundërshtim për komisionerët që po hetonin çështjen e tij. Pakica citon se Lazaj kishte pranuar me shkrim se “nuk kishte pretendime lidhur me anëtarët e trupit gjykues”, por më pas ngriti pretendime ndaj Bekteshit.
Sipas pakicës këto pretendime të Lazajt nuk cënonin thelbin e vendimit të marrë nga KPK dhe se akuzat e ish-gjyqtarit ndaj Bekteshin mbeten të pavërtetuara edhe para KPA.
Në fund pakica arsyeton se “debati në seancë gjyqësore me praninë e palëve ishte i panevojshëm, sepse konstatimi i gjendjes faktike ishte bërë nga Komisioni në mënyrë të plotë dhe të saktë dhe, për pasojë, vërtetimi i fakteve të reja dhe marrja e provave të reja nuk nevojitej”.
Pakica po ashtu këshillon Komisionin që në vijim, përpjekjen për zvarritje ta marrë parasysh në vendimmarrje ndaj subjekteve.
Vendimi unanim mbi pasurinë
Të pesë gjykatësit ishin në favor të shkarkimit të Lazajt. Në vendimin e zbardhur del se KPA kishte rrëzuar thuajse të gjitha pretendimet e tjera të ish-gjyqtarit. Kolegji sipas vendimit rianalizoi situatën financiare të ish-gjykatësit dhe doli në përfundime të ngjashme me ato të marra prej Komisionit, duke gjetur se subjekti kishte bërë deklarime të pamjaftueshme, të pasakta dhe se nuk kishte burime financiare.
Kolegji bën me dije se rishqyrtoi provat e pranuar nga palët dhe mori në shqyrtim edhe pretendimet e Lazajt gjatë seancave publike, por doli në të njëjtat përfundime si Komisioni.
Duke renditur pasuritë e Lazajt njëra pas tjetrës, Kolegji gjeti se ai kishte kryer deklarim të pamjaftueshëm për një apartament 158,1 metër në Tiranë dhe se ka “pasur mungesë burimesh financiare të ligjshme për të paguar detyrimet” për këtë apartament.
Ndërkohë mbi një apartament 120 m2 po në Tiranë, u vërtetua sipas Kolegjit se subjekti ka bërë deklarim të pasaktë në disa vite lidhur me çmimin e blerjes dhe mënyrën e shitjes. U konstatua një deklaratë fiktive po mbi këtë apartament dhe mungesë burimesh financiare për blerjen e tij.
Lazaj u gjet me deklarim të pamjaftueshëm sa i përket pasurisë së bashkëshortes dhe me deklarim të pasaktë sa i përket të drejtave reale mbi një apartament në Vlorë – të deklaruar në pronësi në vitin 2003, por që rezultoi i shitur në vitin 2001.
Po ashtu atij iu gjetën pasaktësi edhe pamjaftueshmëri edhe për një tokë në Himarë dhe pagesat për shkollimin e fëmijëve.
“Nga analiza financiare e kryer për periudhën 2003-2016, rezulton se të ardhurat e përfituara nga burime të njohura, të ligjshme, nga subjekti dhe bashkëshortja e tij, nuk kanë qenë të mjaftueshme për të justifikuar blerjen e pasurive të luajtshme e të paluajtshme ndër vite, krijimin e kursimeve nga pagat e deklaruara në deklarimet periodike, likuiditetet në bankë, si dhe shpenzimet e kryera për jetesë, udhëtime, arsimim, shlyerje kredie bankare etj”, thuhet në vendimin e zbardhur të KPA e cila vendosi shkarkimin e Lazajt.
Avokati i Lazaj njoftoi pas shpalljes së këtij vendimi se do të ankimonte atë në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut, duke pretenduar se KPA ishte bazuar në një vendim që e kishte shpallur të pavlefshëm.