Hetimi i Komisionit të Pavarur të Kualifikimit ka nxjerrë në pah probleme për të tre kriteret e vetingut për kreun e Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, Fehmi Petku.
Kryetari i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, Fehmi Petku u përball të martën gjatë seancës dëgjimore në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit me probleme për pasurinë, pastërtinë e figurës dhe profesionalizimin.
Trupa gjykuese e Komisionit përbëhej nga Genta Tafa Bungo kryesuese, Xhensila Pine relatore dhe Pamela Qirko anëtare, ndërsa në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte e pranishme Elka Ermenkova.
Relatorja e çështjes, Xhensila Pine pohoi se komisioni ka kryer rivlerësim për të tre kriteret për gjyqtarin Petku. Si pjesë e procesit të rivlerësimit, KPK ka administruar raportet e hartuara për subjektin nga Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, Drejtoria e Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar dhe Inspektoriati i ish-Këshillit të Lartë të Drejtësisë.
Fehmi Petku e ka filluar karrierën në sistemin e drejtësisë në vitin 1994. Ai ka punuar pranë Gjykatës së Tiranës përgjatë viteve 2000-2009 dhe më pas në Gjykatën e Apelit për Krime të Rënda. Prej vitit 2015, Petku është emëruar kryetar i Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda.
Gjatë seancës dëgjimore të mbajtur të martën, Petku i kontestoi gjetjet e relatores Pine dhe kërkoi konfirmimin në detyrë nga KPK.
Pasuritë e trashëguara
Në raportin që Inspektoriati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesit, ILDKPKI ka depozituar pranë KPK-së, ka konstatuar se gjyqtari Petku nuk ka kryer deklarim të saktë, nuk ka pasur burime të ligjshme pasuie, ka kryer deklarim të rremë dhe ka fshehje të pasurisë, por nuk është gjendur në kushtet e konfliktit të interesit.
Relatorja Pine renditi pasuritë që zotëron familja e gjyqtarit Petku, të cilat në pjesën më të madhe janë deklaruar si trashëgimi nga babai i tij. Disa prej pasurive të pasqyruara në raportin e komisionit ishin trualli 270 m2 dhe banesa tre kate+papafingo e ndodhur në lagjen “Ali Demi” Tiranë – me pjesë takuese ¼, sipërfaqe toke 4000 m2 e blerë në gusht të vitit 1996 në shumën e 6 milionë lekëve dhe një tjetër sipërfaqe 2000 m2 e blerë për 3 milionë lekë në Tiranë, një trualli 1600 m2 dhe një ngastër toke bujqësore me sipërfaqe 10,000 m2, të gjitha me pjesë takuese ¼ dhe të trashëguara nga babai.
Pine theksoi se për shkak se gjyqtari Petku ka deklaruar se këto pasuri i ka përfituar nga trashëgimia, analiza financiare është shtrirë edhe në mundësitë e të atit për krijimin e tyre. Ajo pohoi se nga verifikimet e kryera ka rezultuar se babai i gjyqtarit Petku ka qenë administrator i një shoqërie në vitin 1994 dhe se të ardhurat për atë vit kanë qenë në shumën e 546 mijë lekëve.
Ndërkohë, sipas përllogaritjeve të bazuara në referencat e Entit të Banesave, vlera e kostos së ndërtimit të banesës tre kate+papafingo në Tiranë, sipas Komisionit, ka qenë 17 milionë lekë. Komisioni ka konstatuar se të ardhurat e përfituara nga shitja e kësaj banese firmës piramidale “VEFA” kanë qenë 520 mijë USD. Të ardhurat e përfituara nga kjo shitje janë deklaruar si burim kryesor për pronat e blera më pas në kryeqytet.
Por, pak vite më vonë familja Petku ka arritur ta zotërojë sërish banesën në lagjen “Ali Demi”. Babai i gjyqtarit Fehmi Petku, ka zhvilluar një proces gjyqësor kundër ish-kompanisë “VEFA” duke kërkuar njohjen si pronar të banesës në fjalë, me pretendimin se në kontratën e shitjes, një pjesë të konsiderueshme të parave i ka lënë me përqindje, por pas falimentimit të firmës piramidale nuk i janë kthyer më. Ai ka arritur të fitojë të drejtën e pronësisë së shtëpisë në fjalë.
Lidhur me këtë marrëdhënie interesi mes familjes Petku dhe kompanisë “VEFA”, komisioni ka konstatuar se gjyqtari Fehmi Petku ka qenë anëtar i një trupe gjykuese që ka shqyrtuar një çështje me palë presidentin e firmës piramidale të sipërcituar, Vehbi Ali Muça. Relatorja e çështjes u shpreh se gjyqtari Petku ka qenë anëtar i kësaj trupe gjykuese edhe pse ka pasur marrëdhënie interesi me palën në gjykim duke bërë që ai të ishte i njëanshëm.
Komisioni ka konstatuar mangësi të dokumentacionit edhe për truallin 6000 m2 në Sauk të Tiranës që zotërohet nga familja Petku. Në këtë truall është identifikuar nga komisioni një objekt informal që sipas relatores Pine, rezulton të jetë fshehur nga gjyqtari Petku pasi nuk është pasqyruar as në deklaratën veting dhe as në deklarimet periodike.
Një tjetër problematikë e gjetur prej komisionit është edhe pamundësia e vërtetimit të pronësisë nga ana e gjyqtarit për pjesën takuese 1700 m2 të një sipërfaqe toke në Kukës.
“Duket se subjekti nuk ka burime të ligjshme për krijimin e pasurive”, u shpreh ndër të tjera relatorja Xhensila Pine.
Probleme me figurën dhe profesionalizmin
DSIK ka raportuar pranë komisionit se janë konstatuar kontakte të gjyqtarit Fehmi Petku me persona me lidhje me krimin e organizuar. Ndërkohë janë siguruar edhe informacione që ngrenë dyshimet për përfshirje të gjyqtarit në korrupsion pasiv gjatë shqyrtimit të çështjeve gjyqësore. Gjithashtu, relatorja Pine u shpreh se lidhur me të dhënat e konstatuara për djalin e gjyqtarit Petku, ky i fundit mund të vihej nën presion nga persona me lidhje me krimin e organizuar.
Lidhur me profesionalizimin, Reltorja Pine u shpreh se nga verifikimi i tre dosjeve të zgjedhura nga vetë gjyqtari Petku, rezulton se ai zotëron aftësi të mira të intepretimit të ligjit, ka njohuri të veprës penale, ka aftësi në arsyetimin ligjor. Ndërkohë, në 5 dosjet e shortuara ka rezultuar se nuk i kushton vëmendje arsyetimit të vendimeve. Katër prej tyre i ka mbaruar brenda afatit, ndërsa njërën jashtë afatit.
Komisioni ka gjetur se nga 25 seanca që janë verifikuar, vetëm 8 prej tyre kanë rezultuar produktive. Ndërkohë, është konstatuar se gjyqtari Petku i nënshtrohet formimit të vazhdueshëm.
Ndaj tij ka pasur dy denoncime; një nga shtetasi V.Ç. i cili nuk ka referuar shkelje ligjore dhe nga shtetasi E.A, i cili ka pretenduar se Petku ka dhënë një vendim në vitin 2003 duke kryer shkelje, pasi nuk ka pasur dokumente ku të bazonte vendimin.
Mbrojtja e Petkut
Gjyqtari Fehmi Petku i cilësoi pjesën më të madhe të gjetjeve të KPK-së të pasakta, si për pasurinë ashtu edhe për kriteret e tjera.
Ai sqaroi se ka deklaruar pranë ILDKPKI çdo pronë, konkretisht si bashkëpronar me ¼ pjesë takuese për tokën në Kukës, truallin dhe banesën tek Ali Demi, tokën në Sauk dhe tre banesat që ndodhet aty dhe tokën në Vaqarr. Për sipërfaqen e tokës në Kukës, gjyqtari Petku sqaroi se ajo ka qenë pronë e familjes prej 100 vitesh dhe se e kishin rifituar pas vitit ‘90. Lidhur me truallin 270 m2 në lagjen Ali Demi, Petku shpjegoi se babai i tij e kishte blerë në vitin 1960 dhe se kishte ndërtuar aty një banesë 2+1.
Më tej ai shpjegoi rrethanat familjare gjatë sistemit komunist kur ishin internuar fillimisht në Berat dhe më pas në Kukës. Më pas gjyqtari Petku pohoi se nga viti 1974 deri në vitin 1991 kur kishin jetuar në Kukës, familja ishte rritur në numër pasi djemtë po martoheshin dhe kishte lindur problemi i strehimit. Petku shtoi se në vitin ’90 është miratuar leja e banimit në Tiranë.
“Kur kemi jetuar në Kukës, edhe pse mësonim dhe të gjithë ishim me 10-ta, ishim të detyruar të punonim në punë të vështira, në miniera e ndërtim. Si punë të rënda ato paguheshin më mirë dhe të ardhurat e familjes në atë kohë ishin nga 35 deri në 40 mijë lekë në muaj”, pohoi gjyqtari Petku.
Ai shtoi se me këto të ardhura mund të bliheshin troje dhe të ndërtohej. Petku sqaroi se në vitin 1991 është blerë një truall në emrin e tij dhe një truall në emrin e babait.
Ai kontestoi më pas gjetjet e Komisioni për banesën në lagjen Ali Demi.
“Komisioni vlerëson si të ardhura vetëm pensionet e prindërve dhe rreth 500 mijë lekë të adhurua nga biznesi i babait. Ndërkohë që kanë qenë edhe të ardhurat e pagave të larta ndër vite në miniera e në ndërtim”, theksoi gjyqtari Petku.
Ai shtoi se për ndërtimin e banesës në fjalë kishte kontribuar edhe një shoqatë që ndihmonte të përndjekurit politik në ato vite.
Kostoja e ndërtimit të kësaj shtëpie në vitin 1995 ka qenë 12 mijë lekë. Sipas Petkut, komisioni e ka përllogaritur të përfunduar papafingon, por ai theksoi se kjo nuk ishte e vërtet pasi edhe në shitje nuk ishte përllogaritur dhe se edhe sot ishte ende e papërfunduar.
Ai shtoi se në vitin 1996, gjetën një okazion për të shitur shtëpinë në fjalë në shumën 520 mijë USD. Më tej sqaroi se pasi ngelën pa shtëpi nisën të kërkonin mundësi për strehim dhe se kishin gjetur e blerë tokën në Sauk ku gjenden edhe tre banesat.
Sipas gjyqtarit Petku, toka u ble në gusht të atij viti dhe në shtator nisën ndërtimet e banesave. Ai shpjegoi se për shkak të trazirave në vitin 1997 u ndërprenë ndërtimet e banesave pasi nuk përfitonin më të ardhurat nga paratë e depozituara tek firma piramidale “VEFA”.
Petku i quajti të gabuara edhe përllogaritjet e Komisionit për tokën në Sauk dhe banesat që ndodhen aty. Sipas Petkut, KPK i llogarit si të përfunduara në vitin 1996 banesat, ndërkohë që sipas tij, nga viti 1997 deri në vitin 2002 aty nuk është punuar. Ai tregoi edhe disa fotografi për të ilustruar pretendimet e tij.
Gjyqtari pohoi se gjatë kësaj kohe është marrë një kredi në Bankën Arabe dhe se ka pasur kontrata qiradhënie për qëndrimin e kosovarëve në Kukës. Lidhur me shitjen e një pasurie, Petku pretendoi se Komisioni e ka shënuar gabim vlerën 6 milionë lekë, pasi kjo vlerë ishte 600 mijë lekë. Gjithashtu, ai përmendi se në analizën financiare i ishte shtuar padrejtësisht shuma 14 milionë lekë.
Për konfliktin e interesit të konstatuar nga Komisioni për përfshirjen në gjyqin e Vehbi Ali Muçës, Petku tha se ishte caktuar të ishte anëtar i trupës gjykuese pa dëshirën e tij. Ndërkohë, ai e cilësoi përgjegjësi të kryetarit të gjykatës këtë gjë. Gjithashtu shtoi se nuk ekzistonte marrëdhënia me këtë palë në gjykim pasi në atë kohë likuidator i shumës së pakthyer ishte shteti dhe jo Vehbi Ali Muça. Petku pohoi se ai kishte qenë vetëm në fazën përgatitore dhe se më pas nuk kishte qenë pjesë e këtij procesi.
Gjyqtari Petku e quajti si një konstatim të drejtë të KPK-së gjetjen e një objekti informal në tokën në Sauk. Por sipas tij, ky objekt nuk gjendet në tokën pjesë takuese të tij dhe se vëllai që e zotëron është në proces legalizimi.
Ai u ndal edhe në analizën financiare duke theksuar se vlera e arredimit të komisionit nuk është e drejtë, pasi sipas tij, askush nuk i ndryshon mobiljet e shtëpisë çdo vit. Sipas Petkut, vendosja e shumës 1.8 milionë lekë si arredim për çdo vit, është shumë e lartë. Ai e quajti të padrejtë diferencën 3.6 milionë të pambuluar, duke theksuar se nuk janë marrë në konsideratë 4 burime financiare. Petku shpjegoi më tej se një makinë e djalit të tij e blerë në shumën e 14 mijë eurove, i ishte ngarkuar atij edhe pse e kishte paguar i biri dhe kërkoi zbritjen e kësaj shume. Gjithashtu, ai kërkoi edhe përllogaritjen e një të ardhure në vlerën e 200 mijë lekëve dhe të ardhurat e të birit për një vit pune.
Lidhur me konstatimin e KPK-së për vendimmarrjen pa dokumente në një proces të vitit 2003, gjyqtari Petku sqaroi se kishte zbatuar gjithë legjislacionin dhe rregullat përkatës, mes tyre edhe një udhëzim të Gjykatës së Lartë, që kërkonte që gjyqet të kryheshin me palë kundërshtare. Petku theksoi se për këtë arsye kishte shtyrë 7 herë seancat gjyqësore duke lajmëruar që të merrte pjesë edhe pala tjetër, Këshilli i Qarkut. Por, pas mos interesimit të institucionit edhe pas njoftimeve të njëpasnjëshme është marrë vendimi që i është njoftuar palës. Sipas gjyqtarit Petku, Këshilli i Qarkut nuk ka reaguar.
“Dy denoncuesit janë shprehur se nuk kanë pasur dyshime për korrupsion”, pohoi gjyqtari Petku.
Lidhur me konstatimet për pastërtinë e figurës, gjyqtari Petku e cilësoi flagrante sjelljen e institucionit përkatës që ka depozituar njëherë raport ku ka konstatuar përshtatshmërinë e tij dhe më pas, ka dorëzuar raport të ri pas kërkesës së komisionit për plotësimin me të dhëna të reja.
“Ose i pari është i paligjshëm, ose i dyti”, pohoi gjyqtari Petku lidhur me raportet që DSIK ka dorëzuar pranë Komisionit, një herë në favor të tij dhe një herë duke e cilësuar si të papërshtatshëm. Ai shtoi se verifikimi i figurës është kryer jashtë afatit ligjor, pasi është shtrirë para vitit 2012.
“Të hidhet poshtë një punë 25 vjeçare për informacione konfidenciale”, pyeti gjyqtari Petku, i cili shtoi se në telefonin e tij nuk kishte as numra horrash dhe as numra politikanësh.
“Kërkoj që komisioni të bindet se arrij nivelin e duhur për të tre kriteret dhe kërkoj konfirmimin tim në detyrë”, përfundoi Petku.
Komisioni do të shpallë vendimin më datë 9 prill, ora 09:00.