Kandidati socialist i Shkodrës deklaroi se nuk do të kërkojë të marrë mandatin e kryebashkiakut pasi rezultoi i dënuar në Itali. Ndërkohë, fati i qeverisjes së kryeqendrës së veriut mbetet i paqartë dhe kriza kushtetuese duket se do të rëndohet.

Valdrin Pjetri, 37 vjeç, i cili fitoi nominalisht zgjedhjet për postin e kryebashkiakut të Shkodrës me 100% të votave të vlefshme më 30 qershor, deklaroi të enjten se nuk do të kërkojë postin e kryebashkiakut ndërsa pretendoi se është viktimë e rrethanave dhe se është i bindur në pafajësinë e tij ligjore dhe morale.
“… vendos të dorëhiqem nga marrja e detyrës së Kryetarit të Bashkisë Shkodër,” deklaroi Pjetri në faqen e tij të Facebook. [Link]
Pjetri është akuzuar prej javësh nga Partia Demokratike në opozitë se ai ka një të shkuar penale dhe se si i tillë, bie nga ligji për Pastërtinë e Figurës, i njohur gjerësisht si ligji i dekriminalizimit të politikës, i cili u miratua fillimisht në vitin 2015 me synimin e pastrimit të politikës nga personat me të shkuar penale.
Pjetri fillimisht mohoi akuzat duke i konsideruar deklaratat e PD si baltosje. Por më 13 gusht, PD publikoi një vendim gjykate të dënimit të tij në Firence të Italisë në vitin 2003.
Pas kësaj, kryeministri Edi Rama lau duart në një seri mesazhesh në Tëitter ku deklaroi se “rrugët ishin të ndara” mes Partisë Socialiste dhe Pjetrit “deri kur të dalë e vërteta ligjore”.
Pjetri rezulton, sipas dokumentit të publikuar nga PD, vërtetësinë e të cilit BIRN nuk mund ta verifikojë në mënyrë të pavarur, se është arrestuar në flagrancë dhe ka pranuar fajësinë duke bërë marrëveshje me drejtësinë Italiane. Ai është dënuar me 18 muaj dënim me kusht dhe është përzënë nga shteti italian që nga ajo kohë.
Vetë Pjetri pretendoi se gjendur në mes të një stuhie mediatike ku akuzat dhe thashethemet i zunë vendin fakteve dhe të vërtetës.
“Një ngjarje krejt banale e ndodhur në mes të shokëve të mi bashkëstudent, në të cilën unë nuk kam asnjë faj e përgjegjësi e nuk i kisha kushtuar rëndësi, 17 vjet më parë në moshën 20 vjeçare, u nxor nga konteksti dhe rreth saj u ngritën akuza e linçime përtej çdo skrupulli moral e njerëzor,” deklaroi ai në Facebook.
Pjetri sipas CV-së së tij zyrtare ka filluar punë drejtor në shtet në Shqipëri në vitin 2015 ka bashkëthemeluar me të vëllanë dhe një person tjetër një sipërmarrje biznesi të quajtur Trigen Investment.
Sipas dokumenteve të kompanisë të publikuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, kjo kompani kishte kapital aksioner të nënshkruar prej 30 milionë lekësh dhe asete totale prej 136 milionë lekësh (afro 1.1 milionë euro). Trigen Investment rezulton se ka një hotel në periferi të Tiranës me emrin tregtar Privilege Hotel.
Zbulimi i të shkuarës penale të Pjetrit pritet të shkaktojë telashe shtesë për kryeministrin Edi Rama, i cili është akuzuar prej vitesh se mbështetet në elementë me të shkuar penale në fushatat e veta elektorale. Partitë politike të opozitës bojkotuan zgjedhjet e 30 qershorit për shkak se argumentuan se zgjedhjet nuk mund të ishin të lira dhe të ndershme për shkak të asaj që e quajnë “bashkëqeverisje të Edi Ramës me krimin”.
Pjetri është figura e disatë socialiste që bie nga ligji i dekriminalizimit.
Fati i qeverisjes së bashkisë më të madhe të veriut mbetet i paqartë pas kësaj. Kryebashkiakes aktuale Voltana Ademi i mbaron mandati më 20 gusht ndërsa procedura e zakonshme e zëvendësimit të Pjetrit përfshin shpalljen e vakancës nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme nga ana e presidentit Ilir Meta.