
Tre kandidatët për vendin e Prokurorit të Përgjithshëm paraqitën platformën dhe iu përgjigjën pyetjeve të anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë në një seancë publike intervistimi.

Tre kandidatët për vendin e Prokurorit të Përgjithshëm prezantuan para Këshillit të Lartë të Prokurorisë platformat me të cilat do të ndryshonin organin e akuzës nëse zgjidheshin në krye të tij. Në rradhë alfabetike, Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku, prokurorja e Apelit Fatjona Memçaj dhe Prokurori i Krimeve të Rënda Olsian Çela, folën për karrierën e tyre dhe arsyet se pse duhej të zgjidheshin në krye të prokurorisë.
KLP njoftoi ndërkohë se të enjten do të miratoi edhe renditjen e tre kandidatëve që më pas do i shkojë për votim Kuvendit.
Prokurori i Pwrgjithshëm zgjidhet me 3/5 ose 84 vota të deputetëve të Kuvendit dhe renditja e kandidatëve nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë është parashikuar si mekanizëm zhbllokues për rrethanat kur nuk arrihet një mazhorancë e cilësuar mes forcave të ndryshme politike.
Prokurori i ri i Përgjithshëm do të ketë kompetenca të kufizuara në kuadër të ndryshimeve ligjore, por zgjedhja e tij konsiderohet gjerësisht si një test për reformën në drejtësi.
Marku, e cila drejtoi institucionin në dy vitet e fundit, i mëshoi problematikave që hasi gjatë kësaj kohe, ndërsa vuri në dukje se kishte drejtuar institucionin nën presion “politik e mediatik”. Ajo po ashtu u duke e dyzuar sa i përket pavarësisë së prokurorëve të fituar pas reformës, ndërsa tha se Prokurori i Përgjithshëm nuk kishte më instrumente për të kontrolluar nëse udhëzimet e tij zbatoheshin.
Ndërkohë Memçaj vuri theksin te bashkëpunimin ndërinstitucional, zbatimi i reformës dhe përmirësimi i prokurorisë sipas saj për të pasur një institucion “dinjitoz në luftën ndaj krimit transnacional”. Po ashtu ajo foli edhe për një trajtim të barabartë para ligjit. “Unë jam një prokurore e mirë sepse kam frikë ligjin”, tha Memçaj.
Çela nga ana tjetër vuri theksin të një analizim i detajuar i punës së deri tanishme të prokurorisë përfshi mënyrën se si shpenzohej buxheti i saj dhe të politikave penale që ai i cilësoi “pa rezultat”. Ai po ashtu premtoi një sistem sinjalizimi për të mbrojtur qytetarët e dobët nga “dhuna e shtetit”. Çela u ndal gjatë te fakti që ashpërsimi i dënimeve nuk kishte prodhuar rezultatet e duhura në uljen e nivelit të kriminalitetit.

Marku bën bilanc
Prokurorja e Përgjithshme e Përkohshme Arta Marku, e cila kërkon të marrë një mandat 7 vjeçar në drejtim të prokurorisë, përtej platformës iu desh të bënte gati një bilanc të punës në dy vitet e fundit.
Marku tha para KLP se ajo kishte vënë re një sërë problematikash në mënyrën e funksionimit të Prokurorisë së Përgjithshme me kompetencat e reja që institucioni ka pas reformës. Ajo tha se edhe pse kishte bërë disa udhëzime për funskionimin e prokurorive, PP nuk kishte mënyra për të kontrolluar nëse këto udhëzime viheshin në jetë.
Ajo po ashtu vuri në dukje se edhe pse kishte marrë denoncime nga publiku kishte qenë e pamundur prej saj të kërkonte bërjen e rekursit nga prokurorët. Ajo po ashtu evidentoi faktin se kishte punuar në një periudhë tranzitore, kur shumë prej institucioneve që duhej të kontrollonin prokurorinë nuk ishin ngritur, duke bërë përshembull të pamundur inicimin e hetimeve apo marrjen e masave disiplinore.
Ajo po ashtu përmendi punën e bërë në këto vite për të theksuar se ishte e pavarur nga politika. Marku përmendi rastin e ish-kryebashkiakut të Vorës Agim Kajmaku ndaj të cilit u pre fletë arresti, për të treguar se ishte e pavarur politikisht, ndërsa tha se u kishte dhënë mbështetje publike prokurorëve që kishin hetuar çështje sensitive.

Memçaj premton udhëheqje me shembull
Fatjona Memçaj vuri në dukje studimet e saj të thelluara akademike dhe po ashtu u ndal te fakti i një Prokurori të Përgjithshëm që ofronte lidership dhe që mund të shërbente si shembull.
Ajo theksoi se puna e prokurorisë ishte të “demostronte mbrojtjen e shtetit të së drejtës” dhe të garantonte “zbatim efektiv të ligjit”. Memçaj tha se ishte e mundur të përmirësohej puna e prokurorisë për të arritur atë që kërkonin të gjithë njerëzit prej saj, zbatimin e reformës dhe po ashtu një përmirësim në çdo aspekt të prokurorisë.
Duke vënë në dukje kufizimet në kompetenca Memçaj pranoi se roli i PP ishte tashmë i kufizuar në atë të një menaxheri administrativ, por ajo theksoi se ishin mundësitë që në bashkëpunim formal dhe jo formal mes institucioneve të arrihej të përmirësoheshin problemet e organit të akuzës.
Ajo po ashtu theksoi rolin e Prokurorisë së Përgjithshme në marrëdhëniet me jashtë dhe premtoi një prokurori dinjitoze në tryeza me partnerët dhe me një bashkëpunim më efikas. Memçaj këmbënguli se do të ishte edhe një zë i prokurorëve duke vënë theksin te faktit se do të përcillte shqetësimet e tyre, përfshi ngarkesën e lartë në punë, mungesën e oficerëve të policisë gjyqësore dhe një sërë problemesh të tjera.
Prokurorja e Apelit po ashtu vuri në dukje nevojën e barazisë para ligjit. “Prokuroria po akuzohet se favorizon të fortët dhe sulmojmë të dobëtit”, tha Memçaj, duke premtuar se do të ndryshonte këtë qëndrim.
Ajo solli si shembull të pavarësisë së saj kalimin pa probleme të procesit të vetingut, duke vënë në dukje se nuk kishte pasur favorizime politike për të bërë karrierë. Ajo po ashtu tha se duke qenë prokurore apeli njihte me detaje punën e prokurorisë dhe po ashtu edhe problemet në të gjitha hallkat. Ajo po ashtu përmendi pavarësisnë e prokurorëve si të rëndësishme, por foli edhe për mekanizma që duhet të evidentojnë problemet dhe të bënin të mundur marrjen e përgjegjësive nga prokurorët dhe policia gjyqësore.

Çela premton ndryshim rrënjësorë
Olsian Çela, kandidati i tretë në listën e KLP për tu dëgjuar, premtoi një ndryshim rrënjësorë të rolit të Prokurorit të Përgjithshëm. Çela lexoi pjesë të platformës së tij para KLP një pjesë e të cilës kishte të bënte me analizimin e punës së deri tanishme të prokurorisë për të dalë më pas në politika më të qarta. Ai po ashtu premtoi ndryshime duke vendosur afate kohore.
Çela tha se ishte i nevojshëm analizimi i mënyrës se si prokuroria përdorte buxhetin për të kuptuar se si shpenzoheshin paratë dhe cilat ishin kostot e hetimit. Ai foli po ashtu për një analizë të detajuar të politikave penale dhe rezultateve që ato kishin dhënë, duke përmendur faktin se mjaft prej ashpërsimeve në Kodin Penal nuk kishin sjellë reciprokisht ulje të kriminalitetit.
Prokurori i Krimeve të Rënda foli po ashtu për krijimin e disa urave të bashkëpunimit me institucione të ndryshme, përfshi dhomën e avokatisë dhe krijuar një sistem sinjalizimi për të kontrolluar dhe mos lejuar shkeljen e ligjit nga prokurorët ndaj qytetarëve. Çela tha se kishte raste masash të ashpra sigurie apo dënimesh që nuk ishin të nevojshme dhe në të cilat nuk ishin në propocion me krimin e kryer dhe që sillnin mëtej pasoja sociale, duke krijuar probleme dhe duke kthyer sistemin e ndëshkimin në prodhues të krimit.
Duke iu referuar problematikave ai tha se disa prej tyre ishin “kronike”, ndërsa të tjera ishin shtuar me reformën në drejtësi dhe mënyrën se si interpretohej pavarësia e prokurorëve. Çela po ashtu tha se megjithë kopetencat e kufizuara prokurori i Përgjithshëm i kishte mundësitë ligjore për të ndikuar dhe përmiurësuar punën e prokurorisë në tërësi.
Ai shpjegoi ndër të tjera se edhe pse nuk mund të ndikonte në çështje konkrete dhe duhej të garantonte pavarësinë e prokurorit në këtë çështje, Prokurori i Përgjithshëm ishte i vetmi institucion që mund të koordinonte punën mes prokurorive të ndryshme dhe krijonte kompaktësinë e institucionit.
Çela foli për nevojën për të përmirësuar imazhin e prokruorisë në publik dhe ashtu si Memçaj vuri theksin në barazinë para ligjit dhe atë që ai e quajti një sistem që mund të mbronte qytetarët nga “dhuna e shtetit edhe brenda kornizave ligjore”.
Ai këmbënguli në domosodshmërinë që prokurorët të merrnin përgjegjësinë për çështjet që ndiqnin, por po ashtu tha se duheshin krijuar mekanizma kundër protagonizmit. “Jam i bindur që pavarësia e prokurorit ëhstë shumë e rëndësishme. Marrëdhenia drejtues vartës ka qenë problem kryesorë, ka çuar në deformime të interpretimit të ligjit”, tha Çela, ndërsa premtoi mekanizma për të identifikuar shkeljet disiplinore.