
Socialistët janë përballë rrezikut të transformimit në një forcë anti-europiane. Ata po mbështeten jo te logjika, por te keqinformimi i shqiptarëve. Kjo lojë me dredha duhet të marrë fund nesër.

Kuvendi i Shqipërisë pritet të përmbysë tre shekuj të zhvillimit njerëzor dhe tridhjetë vjet demokraci hibride shqiptare për të krijuar një regjim kontrolli administrativ mbi median online në Shqipëri. Regjimi i ri, i cili është specifikisht për median online dhe përjashton politikanët nga subjekti i këtij ligji, ndonëse supozohet se do të luftojë shpifjen, ka gjasa do të kthehet në një mekanizëm presioni dhe shantazhi financiar dhe verbal për këdo gazetar apo qytetar që dëshiron të flasë, të protestojë, të ngrejë zërin, apo të raportojë, pa përmirësuar aspak cilësinë e diskursit publik në Shqipëri.
Nën një kërcënim të tillë, e vetmja hapësirë diskutimi që do të mbetet jashtë kontrollit administrativ të shtetit do të jetë arena e debatit politik, ironikisht pikërisht hapësira ku shpifjet, cënimi i dinjitetit të tjetrit dhe mungesa e etikës janë pothuajse të zakonshme.
Maxhoranca socialiste në Kuvendin e Shqipërisë ka bërë përgjatë një viti të tërë, një përpjekje të pabesueshme për të mos dëgjuar. Ata kanë refuzuar të dëgjojnë këshillat e organizatave më të vjetra dhe më të konsoliduara të shoqërisë civile në Shqipëri, kanë refuzuar të dëgjojnë organizatat më të njohura ndërkombëtare të mbrojtjes së lirisë së shprehjes dhe të drejtave të njeriut, kanë refuzuar të dëgjojnë këshillat e ekspertizës më të lartë që mund të ofrojnë institucione të tilla si Këshilli i Europës apo Delegacioni i Bashkimit Europian në Shqipëri.
Këto janë ndoshta projektligjet më të kritikuara dhe më kontroverse të ndërmarra në Shqipëri që nga koha kur vendi fitoi për herë të parë lirinë e shprehjes në vitin 1992.
Pavarësisht të gjitha këtyre, reagimi i socialistëve është përqendruar jo te reflektimi dhe pranimi i vërejtjeve, por te një fushatë propagandistike dhe dizinformuese e mbushur me argumente të pambështetura në fakte.
Përgjatë një viti të tërë në diskutimit të këtyre projektligjeve, BIRN ka vërejtur një numër të madh pretendimesh të shprehura nga zyrtarë të ndryshëm të qeverisë apo deputetë socialistë, të cilat, jo vetëm që nuk përbëjnë vetëm një këndvështrim të ndryshëm ndaj fakteve të njohura, por përbëjnë saktësisht deklarata krejt të kundërta me faktet e njohura.
I tillë p.sh. është pretendimi i përsëritur se një model i tillë i kontrollit administrativ mbi median online mbështetet te ligji kroat. BIRN e ka verifikuar këtë pretendim dhe ka dalë në konkluzionin se asnjë ligj i tillë apo i ngjashëm nuk ekziston në Republikën e Kroacisë.
Po kështu rezulton i pambështetur në fakte pretendimi i kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste Taulant Balla se qëndrimi i socialistëve ndaj lajmeve të rreme është “i njëjtë” me atë të Bashkimit Europian. Në Bashkimin Europian është vetë-rregullimi dhe jo rregullimi përqasja e vetme e pranuar. Dhe Bashkimi Europian është i palëkundur në këtë qëndrim.
Dhe po kështu rezulton i pambështetur në fakte pretendimi se “rregullimi i medias” është tendencë e përgjithshme e Bashkimit Europian, Amerikës, Kanadasë e Australisë. E kundërta e kësaj duket se është e mbështetur në fakte solide, siç bënë të ditur pesëmbëdhjetë organizatat shqiptare të të drejtave të njeriut në deklaratën e tyre kundër projektligjeve. Në SHBA, neni i parë i Kushtetutës sanksionon se “Kongresi nuk mund të bëjë ligje” të tilla.
Kushdo që ka ndopak njohuri mbi historinë e lirisë së shprehjes e di se pas periudhës historike të njohur si Rilindja Europiane, emrin e së cilës socialistët kanë kopjuar si slogan elektoral, erdhi një periudhë tjetër e njohur si Iluminizmi. Disa nga emrat më të njohur të iluminizmit janë John Milton, John Locke apo John Stuard Mill.
Xhoni i parë njihet për një dokument të lexuar në parlamentin anglez në vitin 1644 të njohur si Areopagitica. Në këtë dokument, ai u tall me zyrën e censurës, e cila licensonte botimin e çdo libri pasi e kontrollonte për një gamë të gjerë shkeljesh. “E si mundet që një hajdut lejohet të qarkullojë i lirë në rrugë ndërsa një libër duhet të shoqërohet gjithmonë me pranga?”
U deshën 50 vjet që nga ky fjalim por më 1694, sistemi i licencimit u rrëzua dhe media u bë e lirë. U desh akoma më shumë kohë për t’u kuptuar se jo vetëm censura paraprake, por edhe kërcënimi për ndëshkim pas publikimit është po aq negativ.
Është shumë e çuditshme që tre shekuj më vonë, në Shqipëri, socialistët po kërkojnë të miratojnë një ligj që pritet të krijojë një regjistër me mediat online, regjistër që supozohet se do të ndihmojë për të identifikuar shpejt këdo që një politikan supozon se e ka fyer. Sistemi i regjistrit të të gjitha faqeve online dukshëm paragjykon çdo shqiptar që ka diçka për të thënë online si shpifës, i tillë që duhet të mbahet shënim gati për t’u sulmuar sapo të shkruajë diçka që nuk na pëlqen.
Kuptohet që projektligjet e socialistëve kanë përjashtuar nga ky sistem regjistrimi faqet e veta. P.sh., PS.al apo PD.al, faqet e partive politike, nuk do të nevojitet të regjistrohen në AMA për shkak se ato mbartin ‘komunikime politike’ dhe si të tilla, janë përjashtuar nga përgjegjësia që socialistët kanë vendosur t’ia ngarkojnë medias online.
Milton njihet edhe si njeriu në origjinë të termit në anglisht Chilling Effect në lirinë e shprehjes, që në shqip mund ta përkthejmë afërsisht efekt frikësues, efekt ngrirës, efekt përcëllues. Ky pritet të jetë efekti i parë i projektligjeve të socialistëve, ai i frikësimit të kritikëve me gjoba marramendëse të ekzekutueshme menjëherë pasi vendosen nga një këshill etike pa të drejtë ankese. E kush mundet që të shkruajë qoftë edhe kritikën më të butë ndaj një pushteti, qoftë ky politikan apo korporatë, nëse kërcënohet nga mijëra euro gjobë të cilën duhet ta paguaj ende pa pasur të drejtë as të dëgjohet para një gjykate?
Askush nuk mund të shprehet lirshëm nëse një polic i rri gati me një shkop në dorë për ta goditur.
Përkundrejt këtyre të vërtetave kaq elementare dhe të mirëprovuara nga historia, socialistët kanë vendosur të luajnë kartën e keqinformimit të shqiptarëve, duke i ushqyer atyre argumente të pambështetura në fakte.
Deputetët socialistë shpërdoruan një shans historik. Ata mund të përcaktonin nëse do të mbahen mend si idiotë të dobishëm, si njerëzit që votuan të kthejnë Shqipërinë tre shekuj pas, apo si qytetarë të lirë të një vendi europian.
Sa për ne të tjerët, beteja për liri dhe demokraci dhe të drejta themelore dhe për shtetin e së drejtës vijon çdo ditë. Këmbëngulja e socialistëve për të çuar përpara këto projektligje anakronike ka sjellë edhe një avantazh të madh për shoqërinë shqiptare. Për herë të parë për aq kohë sa mbahet mend, një numër jashtëzakonisht i lartë qytetarësh, aktivistësh dhe organizatash të të drejtave të njeriut janë bërë bashkë në mbrojtje të lirive themelore të njeriut.
E gjithë kjo energji e akumuluar ka gjasa do të shërbejë jo vetëm për të luftuar deri në rrëzim paketën e censurës qeveritare ndaj medias, por edhe për të përparuar gamën e gjerë të të drejtave të nëpërkëmbura të shqiptarëve të zakonshëm.
Ditën e mërkurë, pasi socialistët të kenë një ligj të tillë në dorë, ne do të vijojmë të raportojmë çdo ditë. Ajo që na mbetet është që të rrëzojmë këto ligje në të gjitha rrugët e mundshme dhe është e sigurt se jeta e tyre do të jetë e shkurtër. Ajo çfarë do t’i mbetet deputetëve është turpi i të votuarit të ligjeve të tilla.