Gjyqtarja e Apelit të Korçës, Brunilda Malo u shkarkua nga detyra për diferenca të mëdha negative, me burim kryesor pamundësinë për të vërtetuar të ardhurat e përfituara nga biznesi privat i bashkëshortit, sipas vendimit të arsyetuar të KPK-së.
Pamundësia për të provuar ligjshmërinë e të ardhurave me burim aktivitetin privat të bashkëshortit të ndjerë në Shqipëri dhe në Shtetet e Bashkuara e vështirësuan që në fillim përballjen e gjyqtares së Apelit të Korçës, Brunilda Malo me Komisionin e Pavarur të Kualifikimit.
Komisioni i përfaqësuar në këtë proces nga Xhensila Pine, Valbona Sanxhaktari dhe Roland Ilia e përfundoi rivlerësimin e Malos vetëm për kriterin e pasurisë dhe më datë 7 nëntor 2019 vendosi shkarkimin e saj nga detyra, duke arsyetuar se kishte kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm.
Në vendim shpjegohen kundërshtimet e gjyqtares Malo duke kërkuar disa herë riçeljen e hetimit e deri në kërkesën e saj për përjashtim të trupës gjykuese, duke pretenduar se kishte krijuar bindjen se vendimi është i paragjykuar dhe se seanca dëgjimore ishte thjeshtë një formalitet. Këto kërkesa u rrëzuan njëra pas tjetrës në KPK.
Aktiviteti privat i bashkëshortit Arben Malo –ish-kryebashkiaku i Kolonjës, i cili ndërroi jetë në vitin 2016 zuri një pjesë të rëndësishme të hetimit të KPK-së.
Në vendimin e zbardhur, Komisioni arrin në përfundimin se gjyqtarja Brunilda Malo nuk mundi të vërtetojë me dokumente të ardhurat në vlerën e 24 milionë lekëve të bashkëshortit nga biznesi në fushën e ndërtimeve.
Në vendim shpjegohet se tё ardhurat e papërfshira në analizën financiare i përkasin periudhës 2002-2004, kur bashkëshorti i Malos rezultonte si ortak i vetëm; viteve 2005-2006 kur ai ishte ortak me pjesë takuese 33% të aksioneve të shoqërisë dhe më pas nga viti 2006 – 2012 si ortak me pjesë takuese 25 %.
“Nga hetimi rezulton e paprovuar me dokumentacion ligjor përfitimi i të ardhurave nga aktiviteti i shoqërisë në formën e dividendit për periudhën 2002 − 2004, si dhe për periudhën 2005 − 2012 për ortakun A.M dhe këto të ardhura të deklaruara nga subjekti nuk janë marrë në konsideratë në analizën financiare të kryer nga Komisioni,” citohet në vendim.
Trupi gjykues vlerëson se subjekti nuk ka arritur të provojë me dokumentacion ligjor se shoqëria ku bashkëshorti i gjyqtares Malo, që fillimisht ka qenë administrator i vetëm e më pas ortak, të ketë shpërndarë dividend ndër vite.
Për të arritur në këto konkluzione, KPK u referohet edhe dokumentacioneve lidhur me një konflikt të lindur mes ortakëve të shoqërisë dhe bashkëshortit të Malos. “Po ashtu, ka rezultuar se në vitin 2013 konflikti i lindur mes palëve, bashkëshortit të subjektit të rivlerësimit me cilësinë e ortakut në shoqërinë “***” sh.p.k. dhe dy ortakëve të tjerë, ka pasur si objekt pretendimet e bashkëshortit të subjektit z. A.M., me cilësinë e paditësit për ‘detyrimin e të paditurit shoqëria tregtare “***” sh.p.k. të kryejë pagesën e fitimit të deklaruar në pasqyrat financiare të shoqërisë (dividend) për të gjithë periudhën e papaguar deri në ditën e ekzekutimit të vendimit,’ shpjegohet në vendimin e KPK.
Aty theksohet se vetë paditësi ka pretenduar se; nga momenti kur është caktuar administrator shtetasi A.R, shoqëria tregtare i ka shkëputur marrëdhëniet me të, duke e përjashtuar “de fakto” nga çdo lloj aktiviteti apo dhe shpërblimi nga shpërndarja e fitimit për gjithë vitet nga 2006 e në vazhdim.
Ka rezultuar se konflikti është zgjidhur me marrëveshje nga ku bashkëshorti i gjyqtares Malo u ka shitur ortakëve kuotën e tij në vlerën 6 milionë lekë dhe i është njohur dëmi i shkaktuar në shumën 4 milionë lekë, për të cilën është deklaruar se është likuiduar cash.
Sipas Komisionit, rezulton se përfitimi i dëmshpërblimit është bërë me marrëveshje mes ortakëve, por në vijim ai ka qenë gjithashtu pjesë e vendimit të gjykatës i cili është i formës së prerë dhe i ka konsideruar si të ardhura të ligjshme vlerat 6 milionë e 4 milionë lekë.
Trupi gjykues arsyeton se nisur nga fakti që shoqëria ka bërë ndër vite rritje të kapitalit të saj, duhet të merren në konsideratë edhe një vlerë 2.648.500 lekë e përfituar deri në datën 31 dhjetor 2018.
Megjithatë, KPK konkludon në përfundim se, të ardhurat e deklaruara nga gjyqtarja Brunilda Malo për periudhën 2002-2012, të përfituara nga veprimtaria tregtare e bashkëshortit nuk mund të konsiderohen të ardhura të ligjshme.
Ndërkohë, edhe për të ardhurat e deklaruara si të përfituara nga puna e bashkёshortit nё SHBA nё vitet 2007-2009 në vlerën 19 976 USD, transferuar në llogarinë e Malos pranë “Credins Bank” në vitin 2009, ka rezultuar se kjo shumë është më madhe se vlera e të ardhurave të përfituara dhe të dokumentuara në deklaratat tatimore, që ka qenë në shumën 14.588 USD.
Problemet me pronat
Për një apartament banimi me sipërfaqe 73.8 m² në Korçё, blerё në korrik të vitit 2007 për 4 milionë lekё, Komisioni konkludon se Malo nuk e ka pasqyruar vlerën sipas burimeve të përdorura dhe të deklaruara për blerjen dhe as vlerën e saktë të përdorur nga aktiviteti tregtar i bashkëshortit. Gjithashtu KPK konstaton se Malo nuk ka paraqitur dokumentacion ligjor provues lidhur me të ardhurat e përfituara biznesi i bashkëshortit.
Në vendim thuhet se sipas kontratës, ata e kanë blerë apartamentin në vlerën 1.7 milionë lekë, e cila është shlyer jashtë zyrës noteriale, ndërsa në deklaratën veting dhe në atë periodike të vitit 2007, çmimi i pasqyruar është 4 milionë lekë. Këtë ndryshim midis çmimit në kontratë dhe atij të deklaruar, Malo e ka justifikuar me punime të pakryera në apartament dhe me vlerën e mobilimit, duke konsideruar se shuma 4 milionë lekë përfaqëson çmimin real të apartamentit.
Për një ambient “bar-kafe” me sipërfaqe 90 m² në Ersekë, blerё në vlerёn 1.7 milionë lekë në prill të 2014-ës nёpёrmjet një ankandi, Malo ka deklaruar sërish si burim krijimi të ardhura nga paga dhe aktiviteti privat i bashkëshortit. Nga hetimi administrativ i KPK-së ka rezultuar se shoqëria që më parë ka zotëruar këtë pronë, ka marrë kredi nga “Raiffeisen Bank” në dhjetor 2008 me vlerë totale 80 mijë euro për kryerjen e një investimi. Për sigurimin e këtyre kredive ka shërbyer një truall dhe ndërtesa ku gjendej lokali i blerë më pas nga bashkëshorti i gjyqtares Malo. Për shkak të mosshlyerjes së kredisë kanë nisur procedurat e ekzekutimit dhe pjesa e pasurisë, “bar-kafe” me sipërfaqe 90 m2 e trualli, i janë nënshtruar procedurave përmbarimore, ku në përfundim të tyre, pasuria i ka kaluar ofertuesit të vetëm, bashkëshortit të Malos që e ka blerë në vlerën 1.7 milionë lekë.
Të njëjtën situatë konkludon KPK edhe në blerjen e një automjeti tip “Volksëagen” me vlerё 15 mijë euro, si burim krijimi të cilit gjyqtarja Malo ka deklaruar të ardhura nga aktiviteti privat i bashkёshortit për të cilat nuk ka paraqitur dokumentacion ligjor provues. Në vendim thuhet se ka mospërputhje midis burimeve të krijimit të kësaj pasurie të pasqyruar në deklaratën veting dhe në ato periodike 2006 e në 2015.
Depozitat bankare në vlera të mëdha
Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit tё Pastrimit tё Parave ka konfirmuar për Komisionin se ka pasur raportime të transaksioneve bankare për gjyqtaren Brunilda Malo. Komisioni identifikon disa depozita të transaksione në vlera në mëdha.
Në deklaratën periodike vjetore të vitit 2010, Malo ka shënuar çeljen e një depozite bankare në “Credins Bank” në datën 17 shtator 2010 në vlerën 14.800 euro, me burim mbylljen e një depozite pranë të njëjtës bankë dhe shtimin e disa kursimeve të tjera. E pyetur në lidhje me burimin e kësaj vlere, Malo ka sqaruar se kjo depozitë ishte krijuar nga kursimet cash në banesë; një pjesë e vogël e sjellë nga bashkëshorti kur është kthyer nga SHBA në vitin 2008, si edhe kursimet e transferuara nga “Bank of America” në vlerën 19.976 USD në datën 17 shkurt 2009.
Në datën 29 mars 2011, Malo ka derdhur vlerën 37 mijë euro në Bankën Kombëtare Tregtare. Për këtë transaksion, Malo ka deklaruar se e ka kryer në emër dhe për llogari të prindërve të saj, me qëllim blerjen e një apartamenti me sipërfaqe 56 m2 në Tiranë. Komisioni konstaton se Malo nuk e ka deklaruar këtë veprim financiar në deklaratën periodike vjetore të vitit 2011.
KPK konkludon se Malo nuk e justifikon me të ardhura nga burime të ligjshme krijimin e një depozite të krijuar në mars 2009 në “Credins Bank”. Në deklaratën veting është pasqyruar vlera 39.379 USD dhe si burim krijimi, aktiviteti nga puna e bashkëshortit nё SHBA nё vitet 2007-2009, kursimet e tij dhe të gjyqtares Malo nga pagat dhe aktiviteti privat, si edhe interesat bankare. Fillimisht llogaria është hapur nё vlerën 21.935 USD. Në vendim theksohet se nuk justifikohet me burime të ligjshme edhe një shtesë prej prej 14.800 USD e depozituar në datën 17 shtator 2010.
Komisioni konkludon njësoj edhe për një depozitё të hapur nё emёr tё gjyqtares Malo në “Credins Bank” me vlerё 22.284,32 euro, e transferuar nga një llogari nё emёr tё bashkёshortit dhe të një depozite tjetër të hapur në të njëjtën bankë në janar 2017, me vlerё 30 mijë euro.
Shpenzimet e studimit në Londër
Komisioni evidenton probleme edhe lidhur me shpenzimet për jetesën dhe akomodimin e njërës prej vajzave në Londër. Në vendim thuhet se gjyqtarja Malo ka dy vajza, të cilat aktualisht studiojnë në Londër. Sipas KPK, për njërën prej vajzave, Malo ka deklaruar se në periudhën janar 2016 – korrik 2016 ka studiuar në “International College” me tarifën 13.790 GBP ose 2.3 milionë lekë. Në shtator 2016, ajo ka filluar studimet në një universitet në Londër, me tarifën vjetore 9.750 GBP ose 1.5 milionë lekë për vitin 2016-2017 dhe tarifën vjetore 12.500 GBP ose 1.8 milionë lekë për vitin 2017-2018.
Për vajzën tjetër shpjegohet se i ka nisur studimet në Londër në vitin 2018 në të njëjtin kolegj me tarifën vjetore 17.239 GBP ose 2.381.391 lekë; se është hapur një llogari kursimi me vlerёn 13.000 GBP nё “Bank Lloyds Londёr” në Mbretërinë e Bashkuar. Malo ka shpjeguar se burim krijimi i këtyre vlerave kanë qenë kursimet ndër vite; të ardhura nga shitja e një aktiviteti dhe dhurata nga xhaxhallarët, të cilët janë në emigracion në Londër.
Komisioni konstaton se Malo nuk ka deklaruar shpenzime akomodimi dhe jetese të një prej vajzave gjatë studimeve në vitin 2016 në Londër dhe burimin e financimit të tyre.
Në vendim thuhet se nga analiza financiare e kryer nga Komisioni ka rezultuar se për periudhën deri para fillimit të deklarimit në vitin 2003, duket se gjyqtarja Malo dhe bashkëshorti i saj kanë një situatë financiare negative në vlerën 1.2 milionë lekë. Ndërkohë që në vitet në vazhdim balanca negative është thuajse 20-fishuar.
“Për periudhën 2003 – 2016, duket se subjekti i rivlerësimit dhe bashkëshorti i saj nuk justifikojnë me burime të ligjshme pasuritë, gjendjen e likuiditeteve në fund të çdo viti, si dhe shpenzimet e kryera në vlerën 19.514.051 (nëntëmbëdhjetë milionë e pesëqind e katërmbëdhjetë mijë e pesëdhjetë e një) lekë”, thuhet në vendim.
KPK konstaton se për periudhën 2017 – 2018, duket se subjekti i rivlerësimit dhe personat e lidhur me të nuk justifikojnë me burime të ligjshme pasuritë, gjendjen e likuiditeteve në fund të çdo viti, si dhe shpenzimet e kryera në vlerën e 409.119 lekëve.
Në analizën financiare të kryer nga Komisioni, subjekti i rivlerësimit ka rezultuar me një situatë financiare negative në vlerën totale 21.123.695 lekësh. Pjesa më e madhe e mungesës së burimeve financiare rezulton të ketë ardhur si pasojë e pamundësisë për të vërtetuar me dokumentacion ligjor për të ardhurat e bashkëshortit nga aktiviteti i tij privat.
Në përfundim, trupi gjykues i KPK konkludon se gjyqtarja Brunilda Malo ka kryer deklarim të pasaktë dhe të pamjaftueshëm për kriterin e pasurisë për të dhe për personat e lidhur, përfundimin që i kushtoi asaj karrierën në sistemin e drejtësisë.