Në epokën pas Maos, populli i Kinës dhe udhëheqësit e Partisë Komuniste kanë aderuar te një kontratë e pashkruar sociale: populli toleron monopolin politik të partisë për sa kohë partia jep progres ekonomik dhe qeverisje të përshtatshme. Por menaxhimi i keq i COVID-19 ka kërcënuar këtë pakt të heshtur.
Mund të ngjajë fyese të sugjerosh se shpërthimi i një virusi të ri, Covid-19, ka vënë në rrezik sundimin e Partisë Komuniste të Kinës (PKK), veçanërisht në një kohë kur përpjekjet agresive kufizuese të ndërmarra nga qeveria duket se po funksionojnë. Por do të jetë gabim të nënvlerësosh komplikimet politike të krizës më të madhe të shëndetit publik në Kinë në historinë e re.
Sipas një analize të New York Times, së paku 760 milionë kinezë, ose më shumë se gjysma e popullsisë së vendit, janë vendosur në shkallë të ndryshme karantinimi shtëpiak. Kjo ka pasoja serioze në nivel individual dhe kolektiv, nga një fëmijë që mbetet në shtëpi vetëm me gjyshin e vdekur për shumë ditë se një ngadalësim i ekonomisë në shkallë të gjerë. Por duket se kjo ka sjellë gjithashtu edhe një rënie dramatike të infektimeve të reja jashtë Vuhanit, zona ku filloi sëmundja, deri në nivelin e më pak se 100 vetë në ditë.
Edhe nëse udhëheqësit e Kinës mburren me progresin në kufizimin e përhapjes së virusit, ata po japin shenja se janë të stresuar. Njësoj si elitat në autokracitë e tjera, ata ndjehen më të dobët politikisht veçanërisht në periudha krizash. Ata e dinë se, kur frika dhe lodhja popullore rritet, edhe një gabim i vogël mund t’i kushtojë shtrenjtë dhe të sjellë sfida serioze ndaj pushtetit të tyre.
Dhe “lodhja” është ta thuash me delikatesë. Publiku në Kinë është me të vërtetë i zemëruar ndaj përpjekjeve të autoriteteve për të shtypur informacionin mbi virusin e ri, përfshirë faktin që ai mund të transmetohet mes njerëzve. Askund kjo nuk ishte më e dukshme se sa te zemërimi mbi njoftimin e 7 Shkurtit se mjeku i Vuhanit, Li Venliang, të cilin autoritetet e akuzuan për “përhapje paniku” kur u përpoq të paralajmëronte kolegët mbi koronavirusin pas në dhjetor, vdiq pikërisht nga ky virus.
Ndërsa aparati censurues i Kinës është përkohësisht i dobësuar – ndoshta për shkak se censuruesit nuk kanë marrë instruksione të qarta mbi atë se si duhet të menaxhojnë histori të tilla – edhe gazetat zyrtare u detyruan të raportonin vdekjen e Li në faqet e tyre të para. Dhe udhëheqësit e biznesit, një grup që në mënyrë tipike është apolitik, kanë denoncuar sjelljen e autoriteteve të Vuhanit dhe kanë kërkuar llogaridhënie.
Nuk ka dyshim që keqmenaxhimi fillestar i krizës nga autoritetet i mundësoi virusit përhapjen e shpejtë, ndërsa profesionistët e shëndetësisë – mbi 3 mijë prej të cilëve janë infektuar deri tani – u goditën veçanërisht ashpër. Dhe pavarësisht përpjekjeve të qeverisë qendrore për të bërë kokë turku autoritetet vendore – shumë zyrtarë të shëndetësisë në provincën Hubei janë pushuar nga puna – ka gjasa do të ketë më shumë pyetje mbi atë që çfarë informacioni kishte presidenti i Kinës Xi Jinping.
Nuk është habi që Xi ka punuar fort për të riparuar imazhin e vet si udhëheqës i fortë dhe kompetent. Pasi qeveria qendrore urdhëroi mbylluen e Vuhanit në fund të Janarit, Xi emëroi kryeministrin Li Keqiang që të udhëheqë grupin e punës kundër koronavirusit. Por fakti që ishte Li dhe jo XI, ai që shkoi në Vuhan, dukej se dha mesazhin e gabuar, gjë që Xi e kuptoi në ditët që pasuan.
Më 3 Shkurt, në një takim të Komitetit Qendror të Byrosë Politike, Xi mori një pozicion të pazakontë mbrojtës në një fjalim që ngjante si menaxhim krize. Ndërsa Xi pranoi se ai kishte mësuar për shpërthimin e infeksionit para se të jepte alarmin, ai theksoi rolin e tij personal në udhëheqjen e luftës kundër virusit.
Për më tepër, më 10 Shkurt, Xi bëri një seri shfaqjesh publike në Pekin, që synonte të riforconte përshtypjen se ai kishte kontrollin e situatës. Tri ditë më vonë, ai pushoi nga puna krerët e partisë në provincën Hubei dhe bashkinë Vuhan për menaxhimin e papërshtatshëm të krizës prej tyre. Dhe dy ditë pas kësaj, në një lëvizje të paprecedent, PKK publikoi tekstin e plotë të fjalimit të Xi në takimin e brendshëm të Komitetit Qendror të Byrosë Politike.
Megjithëse Xi duket se ka rifituar aurën e tij si një udhëheqës dominues – kjo falë edhe propagandistëve të PKK-së, të cilët po punojnë jashtë orarit për të restauruar imazhin e tij – pasojat politike ka gjasa do të jenë serioze. Zemërimi i thellë që shënoi ato momente të pakta lirie relative në internet për dy javë, nga fundi i Janarit deri në fillim të Shkurtit, kur censorët humbën kontrollin mbi narrativën popullore – duket se ka shkaktuar shqetësime të mëdha për PKK-në.
Në fakt, ndërsa PKK mund të jetë shumë e aftë për të shtypur pakënaqësitë, e vërteta është që shtypja nuk i zhduk ato. Edhe një gabim momentar mund të shkaktojë një shpërthim ndjenjash anti-qeveritare. Mbetet për t’u parë se çfarë mund të ndodhë me kontrollin e pushtetit nga PKP nëse kinezët do të jenë të lirë të flasin publikisht për disa muaj me rradhë dhe jo vetëm për pak ditë.
Pasoja më e drejtpërdrejtë politike e COVID-19 mund të jetë gërryerja e mbështetjes për PKK-në nga popullsia urbane të shtresës së mesme. Jo vetëm që ata kanë parë se si jetët e tyre janë çorientuar shumë nga epidemia dhe mënyra e trajtimit të saj nga qeveria; ata janë ndërgjegjësuar se sa të pashpresë janë përballë një regjimi që i jep prioritet pushtetit të vet dhe jo shëndetit publik.
Në epokën pas Maos, populli i Kinës dhe udhëheqësit e Partisë Komuniste kanë aderuar te një kontratë e pashkruar sociale: populli toleron monopolin politik të partisë për sa kohë partia jep progres ekonomik dhe qeverisje të përshtatshme. Por menaxhimi i keq i COVID-19 ka kërcënuar këtë pakt të heshtur.
Në këtë kuptim, regjimi njëpartiak i Kinës mund të jetë në një pozicion akoma më të vështirë nga sa beson se është.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate.Will the Coronavirus Topple China’s One-Party Regime?