Pasi Turqia hapi kufijtë e saj për refugjatët dhe emigrantët që përpiqen të largohen, rreth 600 të porsambërritur në ishullin grek të Lesbosit zbuluan se e drejta e tyre për të kërkuar azil ishte revokuar. Ata rrezikojnë të rikthehen në luftën, varfërinë ose shtypjen për shkak të të cilave u larguan nga vendet e tyre.
Më 14 mars, një anije greke detare u ankorua në territorin e Greqisë dhe në bordin e saj kishte 574 emigrantë dhe refugjatë nga Lindja e Mesme dhe Afrika.
Për dy javë, anija kishte shërbyer si një qendër lundruese para-deportimi, duke bllokuar emigrantët në portin në ishullin Lesbos – epiqendrën e krizës së emigrantëve të Europës – midis Detit Egje dhe gardhit rrethues.
Videot e siguruara nga Qendra Ligjore Lesbos, një ekip avokatësh, të diplomuarish për juridik dhe përkthyesish që mbështesin emigrantët dhe refugjatët në ishull, treguan kushtet e tmerrshme në anije. Shumica e atyre që mbaheshin aty flinin në dyshekë të hollë në dysheme, të rreshtuar në radhë. Ata nuk kishin qasje në ujë dhe vetëm tetë tualete të lëvizshëm. Emigrantët i lanin rrobat e tyre në det.
Ata që ishin në anije patën fatin e keq të mbërrinin në Lesbos pas 1 marsit, ditën kur Athina pezulloi të drejtat për azil për këdo që arrinte në tokën greke. Pezullimi pritet të zgjasë një muaj, tani për tani. 574 vetë u transferuan në një strukturë të mbyllur në veri të kryeqytetit, Athinë, në pritje të deportohen, njoftoi Associated Press.
“Nuk ka ushqim të mjaftueshëm për ne ose foshnjat”, tha Jonathan, një kongolez, para nisjes së anijes, i shqetësuar për shëndetin e gruas dhe fëmijës së tij. “Presim dhe presim. Ata na thonë vazhdimisht se do të largohemi së shpejti.”
Ai tundi kokën. “Jemi emigrantë, por kemi të drejta.”
Përmes gardhit me tela
Vendimi i qeverisë konservatore greke për të pezulluar kërkesat për azil erdhi pas një urdhri në fund të shkurtit nga presidenti Rexhep Tajip Erdogan në Turqinë fqinje që rojet bregdetare dhe policia kufitare të lejonin kalimin e refugjatëve dhe emigrantëve, duke shkelur një marrëveshje të vitit 2016 me Bashkimin Europian, sipas të cilës Turqia zotohej tí mbante ata brenda kufijve të vet.
Refugjatët dhe emigrantët u drejtuan në kufirin greko-turk, për të gjetur palën greke të mbyllur. Mijëra kanë ngecur në tokë neutrale. Shumë prej tyre janë zmbraosur me gaz lotsjellës dhe, siç raportohet, edhe me plumba.
Bisedimet midis BE-së, Greqisë dhe Turqisë nuk i kanë dhënë ende fund kësaj situate.
Sipas marrëveshjes BE-Turqi, e nënshkruar në vitin 2016, Ankarasë iu premtuan gjashtë miliardë euro ndihmë për të akomoduar refugjatët që ajo nuk lejonte të mbërrinin në tokën europiane.
Por Erdogani, i gjendur nën presionin në vendin e tij për humbjet e mëdha ushtarake turke në Siri, ka akuzuar vazhdimisht Europën se nuk ka përmbushur angazhimet e saj për ndihmë financiare dhe ka kërcënuar të hapë kufirin për rreth 3.6 milionë refugjatë sirianë brenda Turqisë dhe për shumë emirantë të tjerë nga kudo.
Në skajin lindor të portit të Lesbosit, pranë një porte të mbyllur, vizitorët erdhën për të ofruar mbështetje për ata që mbaheshin brenda. Midis vizitorëve ishin emigrantë dhe refugjatë nga kampi Moria në Lesbos, kampi më i madh dhe më famëkeq i emigrantëve në Europë, ku rreth 20,000 të tillë janë sistemuar në ndërtesa të ngritura për 3,000 persona.
Ata kaluan ushqime dhe rroba mbi gardh. Të tjerë kishin ardhur për të biseduar. Një polic grek që pinte duhan aty pranë, shikonte herë pas here dhe u tha atyre të lëviznin. Disa fëmijë afganë luanin pranë gardhit, duke parë se sa lart mund të ngjiteshin. Një djalosh i ri iu afrua telit me korrent në gardh, para se dikush ta vinte re dhe ta zbriste që aty.
E ndaluar në port, Salem, një 18-vjeçare siriane nga qyteti veriperëndimor i Idlibit, bisedonte me dy kushërirat e saj adoleshentë përmes gardhit. Kur dëgjoi urdhrin e Erdoganit, Salem, nëna dhe dy motrat e saj vendosën të provonin të kalonin detin për të mbërritur në Lesbos.
“Dua të shoh babanë tim në Gjermani”, tha Salem. Në anën tjetër të gardhit, kushërirat e saj Esma dhe Isra tashmë kanë kaluar gjashtë muaj në Lesbos.
Agjencia e Kombeve të Bashkuara për refugjatët, UNHCR, organet dhe OJQ-të për të drejtat e njeriut kanë dënuar qeverinë greke për pezullimin e kërkesave për azil. Human Rights Ëatch tha se masa “shkel në mënyrë flagrante ligjin ndërkombëtar dhe europian”.
Anijet u kthehen pas
Ata që mbahen në port nuk janë të vetmit të bllokuar në Lesbos. Në skajin tjetër të ishullit, në kopshtin e një kishe në fshatin bregdetar Skala Skamia, 42 emigrantë ndajnë dy tenda të UNHCR-së pranë një vendi të pistë. Fëmijët luajnë me top ndërkohë që një koordinator i UNHCR shpërndan ushqim.
Ata mbërritën më 5 mars nga Turqia. Një burrë togolez, i quajtur Moussa, përshkroi se si, gjatë kalimit të detit, një varkë iu afrua dhe filloi të vinte rrotull tyre. Dikush në varkën tjetër filloi të bërtiste dhe të qëllonte me armë në ajër.
Ata që ishin në gomone bërtisnin dhe ngrinin në krahë fëmijët e tyre, duke kërkuar që anija tjetër të ndalojë. Mbërriti një anije tjetër e madhe, duke u sjell rrotull tyre dhe duke shkaktuar dallgë aq të mëdha saqë njëra desh rrëzoi një nga foshnjat.
“Të gjithë filluan të qanin”, tha ai. “Menduam se do të vdisnim.”
Tregimi i Moussa-s ngjan me një video, të transmetuar në faqet e lajmeve dhe të shpërndarë gjerësisht nëpër rrjetet sociale, në të cilën shfaqen rojet bregdetare greke që zmbrapsin një varkë që transportonte emigrantë dhe refugjatë.
Ata në Skala Skamia nuk kanë qasje higjienë publike dhe nuk është e qartë nëse do të çohen në port për t’u bashkuar me të ndaluarit e tjerë. As Ministria greke e Migracionit dhe as Qendra e Parë e Pritjes, e cila raporton në Ministrinë e Mbrojtjes së Qytetarëve, nuk iu përgjigjën kërkesave për koment për këtë histori. Më 17 mars, atyre iu dorëzuan njoftimet për dëbim nga autoritetet greke.
“Jetët e tyre s’janë më si më parë”
Përshkallëzimi i situatës midis Turqisë dhe Greqisë javët e fundit ka rritur edhe tensionet në Lesbos, gjë e cila ka krijaur incidente ngacmimi dhe dhune nga rojat greke që synojnë emigrantët, refugjatët, punonjësit e OJQ-ve dhe gazetarët.
Grekët vendas ngritën postblloqe rreth kampit Moria për të parandaluar hyrjen e ardhjeve të reja. Disa OJQ kanë pezulluar operacionet për shkak të klimës së sigurisë. Të tjerë janë larguar plotësisht nga ishulli.
Pesëdhjetë e pesë vetë, kryesisht banorë të Lesbosit, janë ndjekur penalisht dhe Tasos Balis, zëdhënës i kryetarit të bashkisë Mytilini, qyteti kryesor i ishullit, e dënoi dhunën. Por, ai shtoi, “këtu në Lesbos janë të gjithë përbërësit për një shëmti kaq të madhe në një shoqëri”.
“Qytetarët tanë shohin dita ditës se jeta e tyre nuk është më si më parë”, tha Balis. “Atyre u kërkohet të kenë durim, sepse gjërat do të ndryshojnë. Kështu ka vazhduar për pesë vjet dhe tani gjërat nuk është se po përmirësohen.”
Pavarësisht të përforcimit të kufirit nga pala greke, Moria mbetet i mbipopulluar në mënyrë të rrezikshme. Infrastruktura e qytetit nuk mund ta përballojë dot shtimin e emigrantëve.
Koronavirusi krijon stuhinë e përsosur
Dhe sikur gjërat të mos ishin mjaftueshëm keq, Lesbosi raportoi rastin e parë të koronavirusit më 10 mars.
Punëtorët aty i druhen një epidemie në kampin Moria.
Rosa Duran nga OJQ-ja Lëvizja në Terren, e cila administron një pjesë të kampit, tha se kushtet vetëm do të përkeqësoheshin me uljen e pranisë së OJQ-ve.
“Kjo ka një ndikim masiv”, tha Duran. “Kapaciteti i kufizuar është bërë edhe më i kufizuar.”
Edhe Médecins sans Frontières, MSF, ndaloi operacionet për dy ditë, pra, 20,000 njerëz nuk kishin ku të drejtoheshin për kujdes mjekësor.
OJQ-të dhe mjekët vendas në ishull u takuan më 13 mars për të diskutuar masat parandaluese për të luftuar përhapjen e COVID-19, sipas UNHCR.
Më 16 mars, shërbimi zjarrfikës grek tha se një fëmijë kishte vdekur në kampin Moria pasi një në kontenierët ku ata jetojnë ra zjarr.
Në port, dy djem qëndronin të ulur në rrëzë të Statujës së Lirisë të ishullit, një imitim i monumentit ikonik në Nju Jork. Njëri kishte vënë maskë kirurgjikale. Shamsi, 16 vjeç, kishte gjashtë muaj që jetonte në kamp. Një natë më parë, ai kishte fjetur pranë statujës, në beton, për t’i shpëtuar zënkave në kamp.
“Dua të shkoj në një vend tjetër, ku mund të jetoj pa probleme, pa grindje”, tha ai.
“Ne u larguam për shkak të luftimeve në Afganistan. Tani ne duam të jetojmë në siguri.”
Si një i mitur i pashoqëruar, Shams nuk ka asnjë tendë të vetën, kështu që ai mbështetet te miqtë e tij që e lënë të qëndrojë në strehëzat e tyre. Sipas UNHCR, 42 përqind e 20,000 emigrantëve në dhe rreth Morias janë nën moshën 18 vjeç dhe gati gjysma e tyre janë më të rinj se 12 vjeç.
Shams ktheu kokën nga porti dhe tregoi me gisht një anije pasagjerësh të ankoruar pranë një anije detare. “Ajo është varka që do të më çojë në Athinë kur të largohem këtu”, tha ai.