AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Tema:
  • Belinda Balluku
  • Erion Veliaj
  • Veting
    • KPK
    • KP
    • KPA
  • SPAK
  • Mjedisi
  • Edi Rama
  • Sali Berisha
  • Zgjedhje 2025
    • Zgjedhje të pjesshme
AI News
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
AI News
Kryefaqja Analiza

Gratë kërkojnë më shumë transparencë gjatë takimeve të këshillave bashkiakë

Marsela DautingaMarsela Dauti
6 years më parë
në Analiza, Artikull kryesor Analiza, Në Fokus
Koha e leximit: 6 min lexim
A A
0
Ndaj në FacebookNdaj në Twitter
Barazia gjinore | Ilustrim nga Pixabay

Gratë, krahasuar me burrat, e marrin fjalën më shpesh të kërkojnë transparencë si dhe përfshihen më intensivisht në diskutimin e mungesës së transparencës. Kontributi i grave është më i madh në këshillat bashkiakë ku zbatimi i kuotës gjinore 50% ka sjellë përmirësim të dukshëm të numrit të grave.

Barazia gjinore | Ilustrim nga Pixabay

Në vitin 2015, propozimi për rishikimin e kuotës gjinore në Kodin Elektoral hasi kritikë në Komisionin Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut. Kuota gjinore u cilësua si një formë “filantropie politike” që do të çonte në “një lloj parazitizmi politik” (Mbledhje e datës 24 Mars, 2015, fq. 4). Përfaqësueset e Aleancës se Grave Deputete e kundërshtuan këtë argument duke theksuar se rritja e përfaqësimit të grave në politikë nuk do t’i shërbente vetëm grave por edhe zhvillimit të vendit në terësi, në mënyrë të veçantë adresimit të problemeve të qeverisjes si korrupsioni dhe kriminalizimi i politikës. Në seancën parlamentare të datës 2 prill (2015) ku u diskutua kuota gjinore, një prej deputeteve ju drejtua kolegëve të saj duke thënë: “Doni të bëjmë dekriminalizim? Bëni parlamentin 50% gra dhe 50% burra! E përsëris: bëni parlamentin 50% gra dhe 50% burra!” (fq. 77). Organizatat e shoqërisë civile dhe organizatat ndërkombëtare e mbështetën fort propozimin për rritjen e kuotës gjinore.

Në vitin 2015, pragu i kuotës gjinore ndryshoi nga 30% në 50%. Megjithatë, ky ndryshim u realizua vetëm në nivelin vendor. Si rezultat i ndryshimeve në Kodin Elektoral – pragu i kuotës një prej tyre – përqindja e numrit të grave në këshillat bashkiakë në vitin 2015 arriti në 34.80 – një përqindje pothuajse tre herë më e lartë se zgjedhjet e mëparshme. Në vitin 2011 gratë përbënin 12.33% të anëtarëve të këshillave bashkiakë dhe 23.7% e këshillave nuk kishin asnjë grua (Dauti & Gjermeni, 2015). Zbatimi i kuotës gjinore në vitin 2015 e ka vënë Shqipërinë krah vendeve të zhvilluara përsa i përket përfaqësimit numerik të grave në politikë. Shqipëria është një prej 10 vendeve Europiane me përqindjen më të lartë të grave në këshillat bashkiakë, duke u renditur pranë vendeve si Finlanda, Norvegjia, dhe Belgjika (Council of European Municipalities and Regions, 2019).

Një nga shqetësimet është se kuota gjinore më shumë sesa i shërben forcimit të pozitave të grave në politikë i shërben drejtuesve të partive (Erebara, 2015). Në mënyrë strategjike, drejtuesit i përdorin kuotat për të rritur kontrollin ndaj përfaqësuesve lokalë dhe për të forcuar pozitat e tyre në pushtet. Këto shqetësime nuk i përkasin vetëm Shqipërisë. Studimet tregojnë se drejtuesit e partive përvetësojnë përfaqësimin politik të grave për të zhvendosur vëmendjen nga skandalet e korrupsionit, për tu dukur demokratikë, apo për të përmirësuar reputacionin në arenën ndërkombëtare (Bjarnegård & Zetterberg, 2019; Valdini, 2019). Po ashtu, drejtuesit veprojnë në mënyrë strategjike duke rekrutuar në politikë gra me të cilat ndajnë lidhje familjare apo fisnore, ç’ka është vënë në pah edhe në Shqipëri (Krasniqi, 2017). Kjo strategji nuk është rezultat i kuotës gjinore.

Janë ngritur një sërë pyetjesh rreth mundësive reale që kanë gratë të sjellin ndryshim në politikë, veçanërisht në lidhje me përmirësimin e cilësisë së qeverisjes. A i sfidojnë apo përforcojnë gratë praktikat e qeverisjes së dobët në këshillat bashkiakë?

Gjatë takimeve të këshillave bashkiakë, zyrtarët e bashkisë bëjnë një prezantim të punës së tyre në sektorë të tillë si ndihma ekonomike, shërbimet publike, apo taksat e tarifat. Prezantimet e punës ndiqen nga pyetje. Këshilltarët i vënë zyrtarët e bashkisë përpara përgjegjësisë dhe kërkojnë fakte, arsyetime, apo shpjegime.

Në periudhën kohore gusht – dhjetor 2016 dhe 2018, ne grumbulluam të dhëna rreth diskutimeve të mbajtura në 11 këshilla bashkiakë. Grupi kërkimor, i përbërë nga rreth 40 persona dhe i mbështetur në terren nga Rrjeti Barazi në Vendimmarrje, ndoqi dhe regjistroi 75 takime të këshillave bashkiakë, të cilat u transkriptuan fjalë për fjalë. Transkriptet (1405 faqe) u përdorën për të identifikuar problemet që ngrenë këshilltarët kur e marrin fjalën.

Analiza tregoi se këshilltarët vënë në pah probleme që lidhen me pjesëmarrjen e komunitetit në vendimmarrjen lokale, transparencën, paanësinë (apo objektivitetin në vendimmarrje), dhe zbatimin e ligjit.

Gjatë analizimit të transkripteve ne evidentuan një sërë fjalësh kyçe që këshilltarët përdorin gjatë kohës që e marrin fjalën dhe i drejtojnë kërkesa zyrtarëve të bashkisë. Për shembull, kur këshilltarët e marrin fjalën dhe vënë në pah probleme të lidhura me paanësinë, ata përdorin fjalë të tilla si luks, vjedhje, diskriminim, beton, hije, dyshim, propagandë, vasal, klienteliste, gradaçela. Apo, kur vënë në pah probleme të lidhura me transparencën, ata përdorin fjalë të tilla si informacion, transparencë, media, televizion, shpjegime, ekran, materiale, foto, hartë, kamuflazh.

Gjatë periudhës së marrë në studim, këshilltarët e morën fjalën 8555 herë. Analizimi gjuhësor dhe statistikor i transkripteve nxorri në pah se këshilltarët e marrin fjalën më shpesh për të diskutuar probleme të lidhura me zbatimin e ligjit, ndjekur nga paanësia, transparenca, dhe pjesëmarrja e komunitetit në vendimmarrje. Në mënyrë të ngjashme, këshilltarët përfshihen në mënyrë më intensive në diskutimin e zbatimit të ligjit dhe paanësisë e më tej transparencës e pjesëmarrjes së komunitetit në vendimmarrje.

Analiza tregoi se përqindja e rasteve kur gratë, krahasuar me burrat, e marrin fjalën për të diskutuar praktika të lidhura me transparencën është më e lartë, 28.05% kundrejt 24.25%. Në mënyrë të ngjashme, gratë përfshihen në mënyrë më intensive në diskutimin e transparencës – e matur kjo me shpeshtësinë e përdorimit të fjalëve kyçe në ligjëratë. Për më tej, gratë e marrin më shpesh fjalën dhe përfshihen në mënyrë më intensive në diskutimin e transparencës në këshillat ku zbatimi i kuotës gjinore 50% në vitin 2015 çoi në përmirësim të theksuar të numrit të grave. Për shembull, përqindja e rasteve kur gratë e morën fjalën për të diskutuar mungesën e transparencës në këshillat ku numri i grave u rrit me më shumë se 20 pikë përqindje (për shembull, nga 10% në 40%) është 26.23, ndërsa përqindja e rasteve për burrat është 18.97.

Mësimi kryesor nga kjo analizë është se pavarësisht pengesave që gratë hasin, roli i tyre nuk kufizohet në ruajtjen e statukuosë. Analiza e takimeve të këshillave bashkiakë tregon se gratë, krahasuar me burrat, janë më shumë të përfshira në diskutimin e problemeve të lidhura me mungesën e transparencës. Ndërkohë që gratë kërkojnë arsyetime apo shpjegime nga zyrtarët e bashkisë, kanë më shumë gjasa ta vënë theksin tek nevoja për më shumë transparencë. Këto përpjekje mbizotërojnë veçanërisht në këshillat ku zbatimi i kuotës gjinore 50% ka çuar në ndryshim të madh të raportit gjinor.

Grupi i Punës për Barazi Gjinore në Vendimmarrje ka propozuar që barazia gjinore të jetë një nga parimet bazë të Reformës Zgjedhore, e cila është duke u diskutuar aktualisht. Njëkohësisht, grupi ka propozuar kuotën gjinore 50% për të dyja nivelet e pushtetit. Gjetjet e këtij studimi, i cili u realizua fill pas zbatimit të kuotës gjinore 50% në këshillat bashkiakë, mbështesin këto propozime. Gjetjet evidentojnë se gratë – pavarësisht skepticizmit që ekziston – luajnë një rol të rëndësishëm në përmirësimin e cilësisë së qeverisjes në këshillat bashkiakë. Zgjerimi i kuotës gjinore 50% në nivel qëndror mund të çojë, gradualisht, në dobësimin e praktikave autoritare të qeverisjes përmes kërkesave për më shumë transparencë. Zbatimi me sukses i kuotës gjinore 50% në të dyja nivelet e pushtetit nuk do t’i shërbejë vetëm grave që aspirojnë të hyjnë në politikë por edhe përmirësimit të cilësisë së qeverisjes në vend.

Financimi i studimit: Grumbullimi i të dhënave në vitin 2016 u mbështet nga Programi i Zhvillimit të Kombeve të Bashkuara – Shqipëri dhe në vitin 2018 nga Programi Horizont 2020 për Kërkim dhe Inovacion i Bashkimit Europian, sipas marrëveshjes së grantit Marie Skłodowska-Curie numër 792969.

 

Burime

Bjarnegård, E., & Zetterberg, P. (2019). Gender equality as a new tool for autocrats? The changing relationship between regime type and the political representation of women. Paper presented at the Department of Government, Uppsala University, Sweden.

Council of European Municipalities and Regions. (2019). Women in politics: Local and European trends. Marrë nga https://www.iknowpolitics.org/sites/default/files/cemr_study_women_in_politics_en.pdf

Dauti, M., & Gjermeni, E. (2015). Mapping women’s representation in the local councils of Albania. In S. P. Ramet & C. M. Hassenstab (Eds.), Gender (in)equality and gender politics in southeastern Europe: A question of justice (pp. 213-228). New York, NY: Palgrave Macmillan.

Erebara, Gj. (2015). Çelësat e kashtës grave (gjithashtu edhe burrave). Balkan Investigative Reporting Network Albania. Marrë nga http://pushtetivendor.reporter.al/celesat-e-kashtes-grave-gjithashtu-edhe-burrave/

Komisioni Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut. (24 Mars, 2015). Procesverbal. Tiranë, Shqipëri: Kuvendi i Shqipërisë.

Krasniqi, A. (2017). Zgjedhjet 2015: Risitë dhe problematikat e përfaqësimit gjinor. Tiranë, Shqipëri: UN Women dhe Instituti i Studimeve Politike.

Kuvendi i Shqipërisë. (2 Prill, 2015). Procesverbal. Marrë nga

https://www.parlament.al/Procesverbale

Valdini, M. E. (2019). The inclusion calculation: Why men appropriate women’s representation. Oxford, UK: Oxford University Press.

 

Etiketa: AMPbarazi gjinoreBashkimit EuropianDekriminalizimdeputetediskriminimFinlandagraInstituti i Studimeve PolitikeKorrupsioniKuvendiLigjLokaleMbledhjeMediaNorvegjiaparlamentPunëreporterreporter.alSHshqipShqipëriShqipëriaTaksatTransparencaUN WomenvjedhjeZgjedhjet
Tjetri
Skeda e pasurisë së deklaruar –Miranda Andoni –Gjykata e Apelit Gjirokastër

Skeda e pasurisë së deklaruar –Miranda Andoni –Gjykata e Apelit Gjirokastër

protesta 20 qershor

Retorika e Ramës kundër shqiptarëve të rajonit kritikohet si përçarëse

08:35 | 24/06/2026
gjykata

Strasburgu i jep të drejtë prokurorit Ferdinand Elezi

17:24 | 23/06/2026
revolucioni i flamingove slogani dhe simboli i protestave masive ne tirane. foto nensi bogdani

Mosbesimi dhe teoritë e komplotit janë litari që na la jashtë komunizmi

17:19 | 23/06/2026
gentjan osmani duke dale nga kpk

Strasburgu i hap rrugën prokurorit Gentjan Osmani të kthehet në detyrë

14:08 | 23/06/2026
gozi pde

Demokratët Europianë: Rama s’mund të shpërfillë kërkesat për llogaridhënie

11:37 | 23/06/2026
rama 2 ps

“Nga lajmi te lajmësi”: Manuali i propagandës së Ramës kundër protestës

08:46 | 23/06/2026
  • Opinion
  • Reportazhe
  • Analiza
  • Investigime
  • Lajme
  • Blog
  • Rajoni
  • Rreth nesh
  • Stafi
  • Kontaktoni
  • Ankesa dhe Korrigjime
  • Politika e privatësisë dhe rregulla të tjera
  • Letra për redaktorin
Follow Us

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2014 - 2026 Reporter.al - BIRN
Dev by Sfida.PRO

Menaxho Pëlqimin

Për të ofruar përvojën më të mirë, ne përdorim teknologji si cookies për të ruajtur dhe/ose për të aksesuar informacionin e pajisjes. Pranimi i këtyre teknologjive do të na lejojë të përpunojmë të dhëna si sjellja e shfletimit ose ID-të unike në këtë faqe. Mos pranimi ose tërheqja e pëlqimit mund të ndikojë negativisht në disa veçori dhe funksione.

Funksionale Always active
Ruajtja ose aksesi teknik është rreptësisht i nevojshëm për qëllimin e ligjshëm të mundësimit të përdorimit të një shërbimi specifik të kërkuar shprehimisht nga abonenti ose përdoruesi, ose me qëllimin e vetëm të kryerjes së transmetimit të një komunikimi përmes një rrjeti komunikimi elektronik.
Preferences
The technical storage or access is necessary for the legitimate purpose of storing preferences that are not requested by the subscriber or user.
Statistika
Ruajtja ose aksesi teknik që përdoret ekskluzivisht për qëllime statistikore. The technical storage or access that is used exclusively for anonymous statistical purposes. Without a subpoena, voluntary compliance on the part of your Internet Service Provider, or additional records from a third party, information stored or retrieved for this purpose alone cannot usually be used to identify you.
Marketing
Ruajtja ose aksesi teknik është i nevojshëm për të krijuar profile përdoruesish me qëllim dërgimin e reklamave, ose për të ndjekur përdoruesin në një faqe interneti ose në disa faqe interneti për qëllime të ngjashme marketingu.
  • Manage options
  • Manage services
  • Manage {vendor_count} vendors
  • Read more about these purposes
Shiko preferencat
  • {title}
  • {title}
  • {title}
Nuk u gjet
Shiko të gjitha rezultatet
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
    • Rajoni
  • Reportazhe
    • Profil
  • Opinion
    • Blog
    • Project Syndicate
    • Ese
  • Intervista

© 2024 Reporter.al - Dev by aplikacione.com.