Ka ardhur koha që zyrtarët serbë të pranojnë më në fund të vërtetën për gjenocidin dhe krimet e luftës dhe të ndalojnë lavdërimin e kriminelëve të luftës, shkruan Edward P. Joseph, 25 vjet pasi qe dëshmitar i rrethimit të enklavës së Zepës nga ana e trupave serbe të Bosnjës.
Njëzet e pesë vjet më parë, enklava e izoluar, e rrethuar boshnjake e Zepës ra, duke i dhënë fund një dëbimi njerëzor tre javor në një shkallë që në Europë nuk shihej që nga koha e Luftës së Dytë Botërore.
Unë isha në Zepa kur ajo kapitulloi më 25 korrik 1995, një nga të paktët zyrtarë ndërkombëtarë të pranishëm gjatë “sipërmarrjes gjenocidale”, siç e vendosi Tribunali i Hagës, e kryer në Srebrenicë dhe Zepa nga Ushtria Serbe e Bosnjës.
Duke iu përgjigjur kërkesave të zyrtarëve qendrorë dhe lokalë boshnjakë (myslimanë boshnjakë), unë dhe kolegët e mi të misionit paqeruajtës të OKB-së u futëm në kontakt të drejtpërdrejtë me kriminelët e dënuar të luftës, gjeneralin Ratko Mlladiç dhe nënkolonelin e tij të lartë, gjeneralin Zdravko Tolimir.
Lidershipi i Ushtrisë Serbe të Bosnjës e urrente praninë boshnjake në Zepa, ashtu si edhe në Srebrenicë, dhe nuk humbi kohë për t’i kthyer sytë e tij nga fshati. Vetëm 20 km larg Srebrenicës, Zepa ishte enklava më e vogël, më e izoluar boshnjake, e cila shtrihej në një grykë të thellë me pyje të dendura.
Ndërsa mijëra burra dhe djem boshnjakë nga Srebrenica ndodheshin të vdekur në varre masive dhe mijëra të tjerë po lëviznin nëpër pyje natën, duke kaluar nëpër fushat e minuara dhe duke duruar zjarrin e trupave serbe, burrat e Zepës ishin objektivi i radhës i Ratko Mlladiçit.
Për fat të keq për Mlladiçin, ai e nënvlerësoi vendosmërinë dhe guximin e komandantit të Ushtrisë Boshnjake, kolonelit Avdo Paliç. Paliç dhe numri i vogël i ushtarëve lokalë ishin shkatërruar tashmë nga rrethimi dhe ishin mundur pa shpresë. Të dyja palët kishin mësuar tashmë në Srebrenicën fqinje se Kombet e Bashkuara nuk do të përdornin forcë për të përmbushur mandatin e tyre të mbrojtjes dhe as nuk do të thërrisnin NATO-n. Por Paliç, duke zbatuar urdhrat e ardhura nga Sarajeva, me kokëfortësi refuzoi të dorëzohej.
Kur unë dhe kolegu im i Kombeve të Bashkuara për çështje civile mbërritëm më 19 korrik 1995, Mlladiç i vendosi trupat dhe artilerinë e tij në kodrat me pamje nga qyteti i vogël. Altoparlantët transmetonin mesazhe dekurajuese, duke u bërë thirrje banorëve ta shpërfillnin Paliçin dhe të dorëzoheshin.
Duke parashikuar një kapitullim të pashmangshëm, Mlladiç na përshëndeti me të njëjtin vanitet që kisha vërejtur në takimet e armëpushimit në Sarajevë. Papritur, zjarri e zbehu propagandën, pasi forcat serbe rifilluan sulmin e tyre mbi qytetin. Humori i Mlladiçit ndryshoi dhe ai na urdhëroi i zemëruar të largoheshim.
Paliç, familja e të cilit ishte ndër banorët e cenueshëm, rezistoi edhe për pesë ditë të tjera. Për arsye që nuk i dimë, ajo vonesë do të rezultonte të ishte shpëtimi për mijëra birra nga Zepa.
U rikthyem në Zepa kur ajo kapitulloi, më 25 korrik, për të gjetur forcat e Ushtrisë Serbe të Bosnjës teksa silleshin rrotull në qendër të qytetit. U habitëm teksa hasëm kolonelin Paliç teksa këqyrte me kujdes një evakuim të rrezikshëm.
Objektivi ynë i Kombeve të Bashkuara kishte qenë minimizimi i traumës së evakuimit të grave dhe fëmijëve të Zepës, ndërsa prisnim një evakuim me shumë gjasa katastrofik të burrave, të lidhur me një shkëmbim të mundshëm të burgosurish.
Ndërsa në Sarajevë vazhdonin bisedimet, Paliç me mendjemprehtësi i mbajti burrat e tij të fshehur në pyllin e dendur në skajin e largët të grykës, ndërsa ai vetë, së bashku me imamin e ri të qytetit Mehmet Hajriç dhe shefin e mbrojtjes civile Amir Imamoviç, ndenjën pas.
Gratë dhe fëmijët ishin të tmerruar, duke u bërtitur sa herë që një xhip serb kalonte aty pranë duke valëvitur flamurin e tij. Siç isha udhëzuar nga agjencia e refugjatëve të Kombeve të Bashkuara, unë me dashamirësi fillova të pyesja gratë nëse ato po largoheshin me dëshirën e tyre. Me radhë, secila nënë pohoi me kokë, përveç njërës, e cila tha: “Jo, dua të qëndroj në shtëpinë time, por kush do të më mbrojë?”
Pas kësaj, gruaja shpërtheu në lot, së bashku me të tjerat. E ndalova menjëherë këtë marrje në pyetje tepër të pakuptimtë. Duke qenë se kishim pritur gra të traumatizuara nga Srebrenica dy javë para kësaj, unë dhe kolegu im u përqendruam në regjistrimin e emrave të familjeve ndërsa ato hipnin në autobus, dhe së bashku me të gjithë të pranishmit – ushtarët e Ushtrisë Serbe të Bosnjës, Paliçin dhe praninë e kufizuar ushtarake të Kombeve të Bashkuara – u përpoqëm që kjo të bëhej në një mënyrë sa më dinjitoze dhe të sigurt që ishte e mundur.
Me fatin e burrave të Zepës ende në fije të perit, e pyeta Mlladiçin nëse ai do t’i lejonte Kombet e Bashkuara të evakuonin burrat boshnjakë drejt një vendi të sigurt. Përgjigja e tij drithëruese, më vonë mësova se ishte e njëjta që kishte dhënë edhe në Srebrenicë: “Po, ata mund të largohen – përveç kriminelëve të luftës.”
Por planet e Mlladiçit u prishën kur ai u detyrua me shpejtësi të rivendoste forcat e tij kryesore në frontin perëndimor, ku kroatët po bënin një progres vendimtar. Burrat e Zepës, kursyen një sulm të drejtpërdrejtë, u arratisën nga Srebrenica dhe kaluan në Serbi ose arritën të kapërcenin forcat serbe dhe të mbërrinin në zona që ishin nën kontrollin e boshnjakëve.
Kur Paliç u mor nga kompleksi ynë, unë dhe kolegu im e ndoqëm dhe i bëmë presion Mlladiçit që të na tregonte vendndodhjen e tij. Sipas asaj që u raportua, ky i burgosur lufte boshnjak, i rangut të lartë, u mbajt nga forcat serbe deri në momentin që ai u pushkatua në shtator 1995 dhe u varros në një varr masiv së bashku me imamin Hajriç dhe kryetarin e qytetit, Imamoviçin.
Pas luftës, ndihmova vejushën e tij, Esmën, t’i afrohej zyrtarëve ndërkombëtarë për t’i bërë presion lidershipit të Republikës Srpska për një përgjigje në lidhje me zhdukjen e Paliçit dhe vendndodhjen e eshtrave të tij. Kufoma e Paliçit u gjet në vitin 2009 dhe ai u rivarros në të njëjtin vit në xhaminë qendrore në Sarajevë.
Mohim i të pamohueshmes
Unë kam dëshmuar dy herë në Tribunalin e Hagës për ish-Jugosllavinë si dëshmitar. Së bashku me disa dënime individuale për gjenocid në Tribunal, Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë ka përcaktuar gjithashtu se në Bosnjën lindore në korrik 1995 është kryer gjenocid, një fakt që Serbia refuzon me ngulm ta pranojë.
Ndërkohë që përpjekja në rritje dhe sistematike e zyrtarëve serbë dhe simpatizantëve për të mohuar gjenocidin e Srebrenicës ka tërhequr vëmendje dhe është dënuar, pyetja se pse Beogradi investon kaq shumë energji në mohimin e të pamohuarës është anashkaluar.
Në disa raste, zyrtarët serbë kanë shkuar akoma më larg duke pranuar krimet që kanë të bëjnë me përcaktimin e gjenocidit, por më pas janë tërhequr përsëri. Në vitin 2010, parlamenti serb miratoi një rezolutë “duke dënuar ashpër krimin e kryer kundër popullatës boshnjake në Srebrenicë në mënyrën e përcaktuar me vendimin e dhënë nga Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë”.
Megjithatë, vetëm tri javë më vonë, qeveria e Republikës Srpska, entiteti me shumicë serbe në Bosnje, filloi rishikimin e një raporti qeveritar të mëparshëm që pranonte se rreth 8,000 boshnjakë ishin vrarë në Srebrenicë.
Luhatja midis pranimit të kryerjes së krimeve (nëse jo e gjenocidit) dhe përfshirjes në mohim, korrespondon me luftën më të gjerë midis serbëve për të përcaktuar vendin e tyre pas kolapsit të dhunshëm të Jugosllavisë.
Zyrtarët serbë zakonisht gjejnë guximin për të pranuar të kaluarën kur – të nxitur nga ndonjë pikë standarde e BE-së – ata fillojnë të pranojnë realitetin e ditëve të sotme. Nuk ishte rastësi që kur Dragan Caviç, presidenti i atëhershëm i Republikës Srpska, shprehu pendim për Srebrenicën në vitin 2004, Banja Luka po bashkëpunonte në mënyrë aktive me institucionet e Bosnjës së pasluftës.
Në vitin 2012, presidenti serb Tomislav Nikoliç deklaroi hapur se “në Srebrenicë nuk pati gjenocid”. Një vit më pas, Nikoliç kërkoi ndjesë (madje duke kërkuar “ndjesë për krimin e kryer”) – vetëm disa ditë pasi Serbia kishte përfunduar një marrëveshje normalizimi me Kosovën.
E anasjellta e kësaj – mohimi i së kaluarës që çon në papajtueshmëri – është gjithashtu e vërtetë. Pasardhësi i Caviç, lideri serb i Bosnjës Milorad Dodik, ka shoqëruar retorikën e tij për Srebrenicën, të cilën ai e ka quajtur “një mit të fabrikuar”, me hapa po aq provokues drejt shkëputjes nga Bosnja dhe Hercegovina.
Dodik e ka çuar përpara kërkesën e tij për shkëputje duke bërë një paralele të rreme me pavarësinë e Kosovës. Këtë lidhje e kundërshton edhe Beogradi. Në fillim të këtij muaji, anëtarët serbë të parlamentit të Kosovës – të gjithë bashkëpunëtorë të partisë qeverisëse të presidentit aktual Aleksandër Vuçiç – dolën nga salla e parlamentit kur aty u mbajt një minutë heshtje.
Vetë Vuçiç përvetëson një nga vërejtjet më të çuditshme dhe më profetike të luftës. Në të njëjtin muaj të masakrës së Srebrenicës, deputeti i atëhershëm i parlamentit Vuçiç deklaroi se “nëse vrisni një serb, ne do të vrasim njëqind myslimanë”. Vuçiç, gjithashtu, që prej asaj kohe ka qenë i lëkundur duke bërë deklarata pajtuese, por duke nderuar gjithashtu Mlladiçin.
Çështja është se rishikimi i gjenocidit të Srebrenicës është pjesë e pohimit të vazhdueshëm të objektivave territoriale nacionaliste serbe në Bosnje dhe Kosovë. “Vuajtja e serbëve” është në qendër të një komisioni që Dodik ka ngritur për të relativizuar barbarinë në Srebrenicë dhe Sarajevë.
Si për ironi, i njëjti pretendim – viktimizim i serbëve në duart e boshnjakëve – u përdor nga arkitektët e gjenocidit, Mlladiç dhe Tolimir, për të racionalizuar sulmin dhe për të mbuluar objektivin e tij të vërtetë: të largonin Republikën Srpska nga prania myslimane në Bosnjën Lindore. Përdorimi i të njëjtës narrativë nga ana e Dodikut tregon objektivat e tij territoriale në Bosnjë.
Ideja polemike e një “shkëmbimi territorial” Kosovë-Serbi (kodi për ndarje) si pjesë e një marrëveshje përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve është një tjetër nënprodukt i narrativës mashtruese të viktimizimit nga ana e Serbisë.
Vuçiç këtë javë e përmendi këtë narrativë si argumentin kryesor për ndarjen e Kosovës: “Ata (kundërshtarët e ndarjes) donin që Serbia të mos merrte asgjë, përgjithmonë. Unë kërkova territor nga Kosova, sepse shumë serbë kanë vuajtur”.
Presidenti serb ka shpërfillur përpjekjet e vendosura nga SHBA-ja dhe BE-ja për të bërë të mundur që viktimat serbe të krimeve të luftës të arrijnë drejtësi përmes gjykatave dhe jo territorit. Të njëjtën javë që bashkëpunëtorët e partisë së Vuçiçit në Kosovë dolën nga salla në momentin që u mbajt heshtje për Srebrenicën, zyrtari më i lartë në vend, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po merrej në pyetje për katër ditë me radhë nga prokurori në gjykatën e Hagës që e krijuan vetë Uashingtoni dhe Brukseli. Thaçi është akuzuar, përveç të tjerash, për rolin e tij në kryerjen e mbi 100 vrasjeve, përfshirë edhe të serbëve të Kosovës.
Pendimi dhe revizionizmi më i shpeshtë i së kaluarës gjithashtu formëson dhe pasqyron ambivalencën strategjike të Serbisë. Vuçiç këmbëngul se Serbia do të vazhdojë të “ekuilibrojë” lidhjet e saj midis Lindjes dhe Perëndimit. Por ky ekuilibër ka kaluar ndjeshëm në favor të Rusisë dhe Kinës pasi Vuçiç është bërë më autoritar dhe e ka refuzuar gjithnjë e më shumë përgjegjësinë serbe për mënyrën e dhunshme që shpërbë Jugosllavia. Çuditërisht, Rusia vazhdon të pengojë një rezolutë të Kombeve të Bashkuara që dënon gjenocidin e Srebrenicës.
Me pak fjalë, shtrembërimi i qëllimshëm i së kaluarës është një pengesë serioze për stabilitetin. Së bashku me dënimin, hapi më i rëndësishëm që mund të merret për ta luftuar atë është të sfidohet në mënyrë të vazhdueshme dhe të fuqishme relativizimi dhe revizionizmi.
Pjesa më e madhe e saj buron nga akuzat e kohës së luftës që Mlladiç dhe stafi i tij i bënë vazhdimisht kolegëve të mi të Kombeve të Bashkuara për sulmet boshnjake në fshatrat fqinje serbe, jashtë Srebrenicës dhe Zepës të deklaruara “zona të sigurta” nga Kombet e Bashkuara. Sipas vetë raportit investigues të Kombeve të Bashkuara, bazuar kryesisht në raportimin bashkëkohor nga misioni paqeruajtës i UNPROFOR, akuzat ishin të çuditshme.
Pas një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Kombet e Bashkuara në prill-maj të 1993, “situata ushtarake rreth Srebrenicës ishte përgjithësisht e qetë”. Vlerësimi ushtarak i Kombeve të Bashkuara, i mbështetur nga një interlokutor serb, ishte se ushtria boshnjake e dobët, e trajnuar dobët dhe pak e armatosur në enklavat “nuk paraqiste ndonjë kërcënim të rëndësishëm ushtarak”.
Ajo që është akoma më e çuditshme, serbët nuk pranuan të lejojnë batalionin holandez të Kombeve të Bashkuara në Srebrenicë të hetonte pretendimet serbe për sulme boshnjake. Sa i përket vuajtjes, raporti i Kombeve të Bashkuara përshkruan shtrëngimin, privimin dhe rrezikun afatgjatë të banorëve të Srebrenicës dhe Zepës nga forcat serbe të Bosnjës për vite me radhë.
Komisionet e ngritura nga Dodik do të duhet të shpjegojnë se si sulmet e pretenduara nga boshnjakët pas prillit 1993 u shpëtuan raporteve të një aparati të Kombeve të Bashkuara që nuk ishin thjesht i gatshëm, por edhe i etur për t’i përcjellë ato. Misioni politik i UNPROFOR shpesh minimizoi shkeljet serbe dhe madhoi ato boshnjake me qëllim që të mbronte kërkesat amerikane për sulme ajrore të NATO-s.
Zona tjetër kritike që duhet sfiduar është nderimi i kriminelëve të luftës si Mlladiç dhe e ish-liderit politik serb të Bosnjës Radovan Karaxhiç. Rehabilitimi i këtyre figurave të urryera është një vetë-demonizim nga liderët serbë si Dodik.
E gjithë ideja e gjykatave të krimeve të luftës është të individualizojë fajin për krimet e kryera në emër të serbëve, nga forcat serbe, por jo nga “serbët”. Ndryshe nga Dodik, unë kam qenë dëshmitar i gjeneralit Mlladiç, gjeneralit Tolimir dhe anëtarëve të tjerë të vjetër të Ushtrisë Serbe të Bosnjës në Zepa dhe e di se historia e tyre nuk është aspak e nderuar.
Historia e asaj që ndodhi në Zepa tregon realitetin e një lufte në të cilën njëra palë gëzonte shumicën e avantazheve dhe pala tjetër duroi pjesën më të madhe të mizorisë.
Kronikat e Tribunalit të Hagës janë të mbushura me dëshmi grafike të qëndrueshme, përfshirë ato nga vetë autorët e krimeve, për tmerret e kryera në Srebrenicë dhe dorëzimin e detyruar në Zepa, të dyja së bashku dukë përbërë gjenocidin në Bosnjën Lindore.
Ata që mohojnë këtë realitet thjesht zgjasin dhimbjen e viktimave boshnjake dhe shtojnë barrën e popullit serb, dalja e plotë e të cilit nga luftërat jugosllave varet nga pranimi i së vërtetës.
Opinionet e shprehura janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.