Një takim kokë më kokë midis një ish-gjenerali amerikan dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiç ka shpërfaqur rrjedhën e mundshme të veprimit të Beogradit në bisedimet e rëndësishme me Kosovën.
Vitin e kaluar, gjenerali një pension Ben Hodges, ish-komandant i Ushtrisë Amerikane në Evropë, USAREUR, mori një kërkesë interesante nga autoritetet serbe që të takohej me presidentin Aleksandër Vuçiç.
Hodges u habit. Ai e mori kërkesën ndërsa udhëtonte nëpër Ballkan. Ai po merrte pjesë në një konferencë mbi marrëdhëniet Serbi-NATO si kryetar i Qendrës për Analizën e Politikave Evropiane, CEPA. Megjithatë, Hodges vendosi të pranonte dhe u përgjigj: “Sigurisht”.
Takimi në mes të majit zbuloi diçka në lidhje me mendimin që presidenti serb kishte për ekonominë serbe, integrimin në BE dhe Kosovën. Shumë nga çështjet kryesore që ata diskutuan janë të rëndësishme për dialogun e ardhshëm Serbi-Kosovë të planifikuar të zhvillohet në Shtëpinë e Bardhë më 3 shtator.
Edhe pse Hodges mezi priste të dëgjonte atë që presidenti serb kishte për të thënë, ai ishte gjithashtu i kujdesshëm. Gjatë rrugës për në takim, Hodges pyeste veten: “Pse dëshiron të më takojë Vuçiçi?”. Dhe ia bëri këtë pyetje një bashkëbiseduesi serb. Përgjigja ishte: “Ai nuk ka asnjë tjetër me të cilin mund të flasë.”
Hodges priti të bëheshin fotot zyrtare, pasuar nga një takim dhe që e gjitha të mbyllej me një konferencë për shtyp, me Vuçiçin që u thoshte serbëve se ishte treguar i ashpër me ish-gjeneralin amerikan, dhe për pasojë, me SHBA-në. “Në vend të kësaj, shkova atje, bënë një fotografi, më pas të gjithë u larguan dhe mbetëm vetëm unë dhe ai në zyrën e tij për rreth 45 minuta”, kujton Hodges. Çuditërisht, në dhomë nuk kishte asnjë që të mbante shënime.
Admirim për Trump-in
Hodges mbërriti në Beograd vetëm disa ditë pasi presidenti amerikan Donald Trump pati një takim me kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, në Shtëpinë e Bardhë. Me sa duket, Vuçiç i kishte kushtuar vëmendje të madhe takimit me aleatin e tij hungarez dhe ia vuri në dukje këtë ish-gjeneralit amerikan: “Pavarësisht atyre që mendoni për presidentin Trump, kjo ishte diçka e rëndësishme për të gjithë në rajon, që një vend i vogël si Hungaria pati shansin të takonte presidentin amerikan.” Presidenti serb vazhdoi duke thënë se takimi me Orbanin ishte “një sinjal i mirë që tregonte se SHBA-ja interesohej për rajonin dhe se kjo nuk ndodhte vetëm me raste”.
Shqetësime për demografinë
Një nga gjërat e para që Vuçiç diskutoi me Hodges ishte numri i lartë i serbëve dhe njerëzve të tjerë nga Ballkani që po largohen nga rajoni. Hodges tha se Vuçiç dëshiron të trajtojë problemin demografik të vendit, duke provuar mundësi të reja ekonomike dhe investimi për të rinjtë në mënyrë që t’i ndalojë ata të largohen nga Serbia.
Sipas Hodges, Vuçiç i krijoi përshtypjen se e kishte në skemën e tij për Serbinë integrimin perëndimor të vendit. Megjithatë, normalizimi i marrëdhënieve Serbi-Kosovë është i lidhur drejtpërdrejt me integrimin në BE, gjë që e bën atë të komplikuar. Megjithatë, Hodges mendon se “Vuçiç e di se pa BE-në, Serbia mund të bëhet Venezuela e Evropës, një satelit i varur nga Kremlini“.
Vuçiç nën presion për të mos bërë lëshime për Kosovën
Një nga gjërat kryesore që Hodges mban mend nga takimi me Vuçiçin është se ai duhet t’i demonstrojë publikut serb se ai mund të nxjerrë përfitime të mëdha nga negociatat Serbi-Kosovë sepse normalizimi i marrëdhënieve me Kosovën do të kërkonte “një sakrificë” nga ana e Serbisë.
“Nuk është negociatë nëse nuk humb diçka, kështu që duhet të kesh diçka për të treguar për atë nga e cila hoqe dorë. Kështu që ideja e integrimit perëndimor është vërtet e rëndësishme”, komenton Hodges.
Një gjë që i ra në sy Hodges ishte se Vuçiç, siç sugjeroi një zyrtar serb para takimit të tyre, ngjante si një figurë e izoluar, sepse “ndaj ti ka shumë presion të brendshëm dhe të jashtëm”, duke e tërhequr atë në drejtime të ndryshme. Hodges-it iu duk se Vuçiçi “kishte nevojë për hapësirë në mënyrë që të bënte negociatat e vështira që nevojiten me homologun e tij nga Prishtina”.
Vuçiç theksoi Hodges se ka një larmi aktorësh që janë me vendosmëri kundër normalizimit të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Kosovës. Siç kujton Hodges: “Ajo që mbaj mend mirë nga vizita është se ai qartazi është nën një presion të madh nga Kremlini, Kisha Ortodokse Serbe, organizatat e veteranëve dhe të tjerë … shumë interesa të ndryshme.”
Takimi midis Vuçiç dhe Hodges u zhvillua mëngjesin pasi presidenti serb u takua me liderët e Kishës Ortodokse Serbe. Vuçiç i tha Hodges se liderët e Kishës e kishin paralajmëruar atë se ai do të konsiderohej “një tradhtar, nëse bën ndonjë marrëveshje për të njohur Kosovën”.
Sipas Hodges, Rusia është një tjetër pengesë kryesore për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën: “E kuptova qartë se Kremlini nuk kishte aspak dëshirë të shikonte të zgjidhur çështjen Kosovë-Serbi.”
Gjëra të rëndësishme për t’u mbajtur mend në bisedimet e ardhshme në Shtëpinë e Bardhë?
Shtëpia e Bardhë do të organizojë bisedimet midis Serbisë dhe Kosovës duke filluar nga 3 shtatori 2020, ndërsa Brukseli është planifikuar të zhvillojë diskutime politike midis palëve më 7 shtator. Trump mund të marrë pjesë edhe vetë në bisedimet në Shtëpinë e Bardhë.
Takimi Hodges-Vuçiç sugjeron se presidenti serb preferon takime të vogla, personale sesa grupe të mëdha. Kjo rezonon me atë që më tha kohët e fundit drejtori i programit për Fondin e Beogradit për Ekselencë Politike, Marko Savkoviç. Savkoviç tha se Vuçiç ka shumë besim te kontaktet personale dhe dypalëshe. Ai thotë se presidenti serb ka “lënë mënjanë” ministrinë e jashtme dhe se “ne kemi dëgjuar nga shumë ambasadorë se ata në fakt nuk kanë asnjë rol” në diplomacinë serbe. Trump, në mënyrë të ngjashme, nuk i beson Departamentit Amerikan të Shtetit, kështu që ata e kanë të përbashkët këtë gjë.
Siç Vuçiç i sugjeroi Hodges, ai e admiron presidentin Donald Trump, me të cilin është takuar rreth katër herë. Me Trump-in, Vuçiç mund t’i lërë mënjanë mosmarrëveshjet e tij me SHBA-në pasi Trump nuk ishte i përfshirë në politikë në vitet 1990, kur NATO-ja bombardoi objektivat serbe dhe kur SHBA-ja njohu Kosovën në vitin 2008. Në krahasim me zyrtarët e tjerë amerikanë, Trump perceptohet nga serbët si një ndërmjetësues neutral.
Nëse Trump vendos të marrë pjesë në bisedimet e Shtëpisë së Bardhë, ai megjithatë duhet të jetë i kujdesshëm. Një diplomat perëndimor me qendër në Beograd deklaroi se zyrtarët serbë mendojnë se ata mund ta manipulojnë presidentin amerikan duke ledhatuar “egon e Trump-it”, kur pak qeveri të huaja janë të gatshme ta bëjnë këtë haptazi.
Për më tepër, siç iu paraqit Hodgesit, Vuçiç është i kufizuar nga Kisha Ortodokse Serbe, publiku serb dhe Kremlini përsa i takon njohjes së Kosovës, megjithëse jo për arritjen e një marrëveshjeje.
Në Serbi, nuk mund të nënvlerësohet roli i Kishës Ortodokse. Gjatë luftës në Bosnjë, një moment kyç për ambasadorin amerikan Richard Holbrooke ishte kur presidenti i atëhershëm i Serbisë, Sllobodan Millosheviç,i paraqiti atij të ashtuquajturën letër të Patriarkut, një dokument i nënshkruar nga kreu i Kishës Ortodokse Serbe, i cili i jepte Millosheviçit pushtet për të udhëhequr negociatat e paqes në emër të serbëve të Bosnjës.
Publiku serb është gjithashtu kryesisht kundër njohjes së Kosovës. Një sondazh sugjeron se 71.7 për qind e serbëve janë kundër njohjes. Vuçiç i kushton shumë vëmendje sondazheve dhe, duke pasur parasysh ambiciet e tij, ndërmjetësuesit duhet të kuptojnë se ai nuk do të bëjë një vetëvrasje politike duke njohur pavarësinë e Kosovës në këtë moment.
Megjithatë, Vuçiç ka aftësinë ta ndryshojë situatën në debatin për njohjen. Gjatë viteve të fundit, pasi është bërë gjithnjë e më autoritar, ai po ushtron kontroll më të fortë mbi median. Udhëheqësit e Kishës që i thonë Vuçiçit se arritja e një marrëveshje me Kosovën është një “mëkat”, si dhe të anketuarit në sondazhe, janë të njëjtët njerëz që gjithashtu konsumojnë propagandën e Vuçiçit.
Rrjedhimisht, nëse presidenti serb vazhdon ta prezantojë njohjen e Kosovës si një ide tradhtare dhe nëse mediat serbe vazhdon t’i demonizojnë kosovarët, Vuçiçi nuk duhet të habitet nëse publiku e dekurajon atë të arrijë një marrëveshje gjithëpërfshirëse me atë që ata e konsiderojnë si djall. I Dërguari Special i Presidentit Trump për Dialogun Serbi-Kosovë, Richard Grenell, si dhe Përfaqësuesi Special i BE-së për dialogun, Miroslav Lajcak, duhet ta kritikojnë atë për këtë.
Marrëveshje ekonomike ka më shumë gjasa sesa njohja
Unë ndaj të njëjtin mendim me Hodges se rritja e ekonomisë serbe është një shqetësim kryesor për Vuçiçin, sidomos përsa i takon frenimit të eksodit të të rinjve. Kjo është arsyeja pse ai ka ndërmarrë hapa drejt integrimit në BE. Sidoqoftë, që kur Vuçiç mbajti diskutimin e tij me Hodges, presidenti serb ka përmirësuar gjithashtu marrëdhëniet e tij me Kinën, duke kritikuar BE-në.
Grenell i kushtoi vëmendje oreksit të Vuçiçit për një marrëveshje ekonomike, jo politike, dhe është i gatshëm ta argëtojë atë. Lajcak duket më shumë në favor të marrëveshjes që ndërthur çështjet ekonomike dhe politike. Sipas një Këshilltari Special të Presidentit Amerikan, bisedimet e ardhshme në Shtëpinë e Bardhë do të përqendrohen kryesisht në “normalizimin ekonomik”. Megjithatë, për Vuçiçin, BE-ja mbetet një partner i rëndësishëm ekonomik dhe do të ishte një gabim që administrata e Trump t’i ndante bisedimet e Shtëpisë së Bardhë dhe dialogun e Brukselit nga njëri-tjetri, pasi kjo do të reduktonte shanset për krijimin e një marrëveshje gjithëpërfshirëse.
Sa i përket Rusisë, Kremlini mbetet një lojtar i rëndësishëm në Ballkan siç sugjerohet nga Hodges. Qendra StratCom e NATO-s së fundmi publikoi një sërë raportesh që tregojnë se Rusia vazhdon të përhapë narrativa anti-perëndimore dhe anti-kosovare në të gjithë Ballkanin Perëndimor.
Një nga objektivat strategjikë të Rusisë është të mbajë Serbinë dhe vende të tjera të Ballkanit jashtë BE-së dhe NATO-s. Helmimi i debatit mbi dialogun Serbi-Kosovë ndihmon në parandalimin e normalizimit, gjë e cila, nga ana tjetër, garanton se Serbia nuk do të mund t’i bashkohet BE-së. Arsyeja e vetme pse Kremlini do ta lejonte Serbinë në BE, do të ishte nëse ajo do të vepronte si Kali i Trojës i Rusisë.