Vlerësimi i Institutit të Statistikave për Prodhimin e Brendshëm Bruto në tremujorin e dytë 2020 tregon rënie ekonomike prej 10%, një shifër shumë më e përmbajtur nga sa pritej, duke treguar se ekonomia shqiptare ka avantazhin e prapambetjes.
Ndërsa shumica dërrmuese e shqiptarëve ishin mbyllur në shtëpi dhe shumica dërrmuese e aktivitetit ekonomik ishte paralizuar për shkak të pandemisë COVID-19 gjatë muajve mars, prill e maj, prodhimi i brendshëm bruto i vendit pësoi një kontraktim në terma realë prej vetëm 10.23%, një rënie kjo shumë më e vogël se sa rënia tipike e vendeve të zhvilluara, duke sugjeruar se ekonomia shqiptare, për shkak se gjendet në një fazë jo shumë të përparuar, preket më pak nga krizat dhe rimëkëmbet më lehtë.
INSTAT publikoi vlerësimin e vet fillestar për ecurinë e ekonomisë gjatë tremujorit të dytë, ku theksohet se segmenti Tregti, transport, akomodim dhe shërbim ushqimor pësoi rënien më të madhe me 26% ndërsa industria ra me 13% ndërsa bujqësia njohu rritje prej 2.6%. Një goditje e madhe në sektorin e industrisë u dha nga industria nxjerrëse, konkretisht nafta, e cila u paralizua për një periudhë të shkurtër për shkak të shpalljes së gjendjes së forcës madhore nga një rafineri në Spanjë që blen një pjesë të madhe të naftës së prodhuar nga Bankers Petroleum.
Të dhënat nga vendet e tjera tregojnë se urdhrat e qeverive për mbyllje të popullsisë në shtëpi për të ndaluar përhapjen e koronavirusit të ri, shkaktuan tkurrje të aktivitetit ekonomik në rreth 20%.
Rënia më e përmbajtur e ekonomisë shqiptare në krahasim me vendet e zhvilluara duket se mund të shpjegohen me hipotezën e Avantazhit të Prapambetjes zhvilluar nga ekonomisti Alexander Gerschenkron i cili argumenton se kur një ekonomi është e pazhvilluar, ajo ka potencialin të zhvillohet më shpejt se sa ekonomitë e zhvilluara ndërkohë që edhe krizat moderne nuk kanë shumë efekt në të.
Bujqësia, e cila në Shqipëri përbën rreth 22% të totalit të prodhimit, nuk u prek nga paraliza e shkaktuar nga pandemia dhe njohu rritjen e zakonshme në sasi prodhimi ndërsa industria e shërbimet, për shkak se ekonomia shqiptare vijon të jetë e përqendruar rreth mallrave dhe shërbimeve të domosdoshme, nuk pëson dot të njëjtën masë rënieje me vendet e zhvilluara.