Je një nga mijëra adoleshentët azilkërkues në Greqi, që po rritesh në hijen e koronavirusit. Këto janë mundësitë e tua.
Në Shesin Viktoria kishte plasur një përleshje. Katër djem grindeshin dhe bërtisnin me të madhe. Njëri prej tyre hoqi rripin e pantallonave dhe nisi ta përdorte atë si kamxhik. Ndalon bisedën dhe i shikon që nga kafeneja. Nga çasti në çast, aty do të mbërrinte policia.
Në atë verë para virusit, rrotull kishte të rinj që shisnin karta SIM dhe karta rimbushëse, si edhe familje refugjatësh që kishin zaptuar stola të tërë, prindër me fëmijë të vegjël. Ata i panë të rinjtë që po grindeshin dhe e kthyen shikimin nga ana tjetër. Policia mbërriti, grindja u qetësua dhe gazetari që ishte ulur para teje bëri një pyetje tjetër.
Disa vijnë nga deti dhe ngecin nëpër ishujt. Grupi yt erdhi në këmbë, duke ecur përmes pyllit deri arriti lumin në kufi. Pas gjashtë përpjekjesh, arrite ta kaloje lumin. Më pas vazhdove të ecje, duke fjetur nëpër pyje për të shmangur policinë, derisa gjete trenin që të solli në Athinë.
Në atë kohë nuk e dije emrin e qytetit, por dije se ku duhej të ishe. Ti duhej të ishe pikërisht këtu, në Sheshin Viktoria. Po haje vaktin tënd të parë në Athinë, kur papritur dikush t'u afrua dhe të ofroi një vend ku të rrije.
Një vit më vonë, Athina ka dalë nga izolimi dhe ti je përsëri atje ku nise gjithçka, duke fjetur në strehën pranë Sheshit Viktoria, duke biseduar me të njëjtin gazetar dhe duke parë policinë që kalon aty pranë. Ata tani e dinë që ti je këtu. Emrin tënd e kanë në sistemin e tyre. Dhe ti e njeh mirë sistemin e tyre. Ke kaluar nëpër qelitë e policisë, qendrat e paraburgimit dhe strehat e tij.
Je larguar nga strehat në qytete të largëta greke në mënyrë që të mund të flesh në rrugët e Athinës, ku mund të bëje ende para. Dhe ke kaluar net të tilla rrugëve të Athinës që të kanë bërë të ndieje mall për qelitë e policisë dhe strehat, mall për një vend me një dyshek dhe me një derë që mund të mbyllej.
Çdo vit gjatë pesë viteve të fundit, dhjetëra mijëra njerëz kanë kaluar nëpër Greqi pa dokumente, duke shpresuar të arrijnë në Europën Perëndimore. Shumë prej tyre i janë larguar luftës dhe varfërisë, të tjerë thjesht duke shpresuar për një jetë më të mirë. Ndërsa shumica e tyre kanë vazhduar më tej rrugëtimin e tyre, shumë më tepër të tjerë kanë vazhduar të mbërrijnë, duke formuar një popullsi të madhe dhe të zhvendosur pjesërisht të dukshme për autoritetet greke.
Midis tyre ka shumë adoleshentë që udhëtojnë pa anëtarë të familjes, të klasifikuar sipas ligjit si “të mitur të pashoqëruar”. Ndërsa zhvendosen rrugëve, strehave dhe qendrave të paraburgimit, numri i tyre i vërtetë nuk dihet. Ti je një prej tyre.
“Problemi më i madh nga të gjithë”
Në qershor të këtij viti, një raport i qeverisë greke tha se në vend kishte rreth 4,700 të mitur të pashoqëruar, shumica dërrmuese e tyre djem mbi 14 vjeç. Raporti nga Qendra Kombëtare për Solidaritet Social, ose EKKA, agjencia qeveritare përgjegjëse për të miturit e pashoqëruar, tha se rreth 2,200 prej tyre u ishte siguruar strehim në formën e akomodimit të përkohshëm ose afatgjatë, ndërsa 1,100 të tjerë jetonin në qendrat e pritjes.
Rreth 200 të mitur të pashoqëruar ishin në kampe dhe 200 të tjerë ishin në “paraburgim mbrojtës” – termi i përdorur për mbajtjen e të miturve në paraburgim për sigurinë e tyre. Sipas EKKA, edhe 1,000 të mitur të tjerë po qëndronin në “kushte të pasigurta strehimi”, që mund të nënkuptojë gjithçka, nga një shtrat marinari në një vend të ndotur, e deri tek një thes për fjetje në rrugët e Athinës ose Selanikut, qytetet më të mëdha në Greqi.
Numri i vërtetë i të miturve të pashoqëruar në Greqi ka të ngjarë të jetë më i lartë se totali zyrtar, pasi shifrat e EKKA-s bazohen tek ata që janë referuar në agjenci për ndihmë në lidhje me akomodimin.
Panagiotis Nikas, ish-kreu i Shërbimit të Pritjes së Parë, agjencia qeveritare greke përgjegjëse për regjistrimin dhe kontrollimin e refugjatëve dhe emigrantëve, argumenton se mungesa e të dhënave të besueshme rreth të miturve është një pengesë e madhe për të garantuar sigurinë e tyre.
“Nuk ka asnjë person që mund të të thotë saktësisht se sa të mitur të pashoqëruar ka sot në vend, as sa të tillë kanë mbërritur këtu brenda dy viteve të fundit”, thotë ai.
“Një shtet i mirëorganizuar mund ta mbështesë një të mitur për të cilin e di se po përballet me abuzim. Ai nuk mund të bëjë asgjë për një fëmijë që është jashtë radarit. Ky është problemi më i madh nga të gjithë.”
Sipas rregullave të BE-së, të gjithë azilkërkuesit duhet të regjistrojnë pretendimin e tyre në vendin e parë të BE-së që ata hyjnë. Megjithatë, shumica e atyre që hyjnë në Greqi shpresojnë të sistemohen në vende më të pasura të Europës perëndimore.
Nëse ata ia dalin të mbërrijnë pa u zbuluar, ata kanë pak stimuj për t'u regjistruar. Qëndrimi jashtë radarit u jep atyre më shumë mundësi për udhëtimin e ardhshëm dhe për të gjetur punë gjatë rrugës. Kjo gjithashtu i lë ata më të ekspozuar ndaj shfrytëzimit në tregun e zi.
Statusi yt i azilit është i ndërlikuar. Ke mbledhur portokalle në një fermë, ke shpërndarë ushqime të shpejta dhe ke arritur të dërgosh disa para në shtëpi. Nuk ke arritur ende në Gjermani, por ama as nuk ke hequr dorë nga shpresa. Shokut tënd Kamranit i pëlqen të thotë: “Mund të të marrin paratë, por ato që ke mësuar do të jenë të tuat përgjithmonë.” Ky është mësimi që ke nxjerrë, udhëzuesi yt për të mbijetuar.
Frikë nga izolimi
Nga jashtë, streha i ngjan çdo ndërtese tjetër në lagje, që do të thotë se muret janë të mbuluara me mbishkrime politike dhe trotuaret me urinë. Jeton në zonën me drita të kuqe në Athinë. Në rrugën kryesore ka shtëpi publike dhe në rrugica ka drogaxhinj që marrin heroinë dhe “sisa”, kokaina e të varfërve.
Brenda strehës, janë 20 persona që flenë në dy dhoma, të gjithë djem të rinj nga vendi i lindjes. Qiraja është pesë euro nata ose 100 euro muaji. Herën e parë që ndenje këtu, nuk kishe para dhe të tjerët ndërhynë për të mbuluar shpenzimet e tua. Këtë herë, je ti një prej tyre, që mbulon shpenzimet e të sapoardhurve.
Izolimi ishte shumë më i vështirë për të sapoardhurit. Ata kishin punuar në ndërtim ose mblidhnin hekurishte dhe tani u duhej të qëndronin pa para 40-50 ditë. Duke qenë se nuk ishin të regjistruar, nuk mund të kishin ndonjë mbështetje zyrtare. Që të vazhdonin të jetonin, ata u desh të merrnin hua nga shokët e tyre të dhomës.
Që të mund të dilje jashtë gjatë izolimit, duhej t'i dërgoje një mesazh në polici, duke dhënë emrin, adresën, qëllimin e vizitës dhe destinacionin tënd – i njëjti rregull për të gjithë në Greqi. Nëse policia i përgjigje mesazhit tënd me fjalën “LËVIZ”, ishin i lirë të dilje. Nëse të ndalonte policia jashtë, duhej t'i tregoje mesazhin që të kishte ardhur në telefon së bashku me kartën e identitetit ose pasaportën.
Ata që kanë aplikuar tashmë për azil, nuk kishin shumë frikë. Shoku jonë Abdo i dërgoi mesazh policisë për të kërkuar leje për të dalë. Kur u desh të specifikonte qëllimin e vizitës, ai tha – me të qeshur – se dëshironte të takonte disa vajza.
I erdhi një përgjigje automatike që i kërkonte të ridërgonte kërkesën e tij në formatin e duhur. “E dërgova për shaka dhe më erdhi ky mesazh i çuditshëm”, thotë ai. Ai ka katër vjet këtu dhe pret të marrë azilin së shpejti.
Djemtë e paregjistruar ishin tepër nervoz kur dilnin nga streha gjatë izolimit. Kudo nëpër rrugë kishte më shumë policë dhe më pak njerëz dhe ata ndiheshin më të ekspozuar. Kishte më shumë gjasa t'i ndalonin. E shikoje edhe vetë me sytë e tu frikën kur vizitoje bankën afër Sheshit Viktoria.
Radha ishte përhapur ngado, sepse të gjithë ruanin distancën nga njëri-tjetri. Si zakonisht, gjysma e klientëve të bankës ishin grekë të moshuar dhe gjysma tjetër ngjanin si djem si ti, që jetojnë në strehat aty pranë. E dalloje shumë shpejt se cilët prej tyre nuk ishin të regjistruar. Ishin ata që ia mbathnin me vrap sa herë që aty pranë kalonte ndonjë makinë policie.
Puna në të zezë
Pse ta shmangësh policinë? Nëse nuk je në sistemin e tyre, mund të vazhdosh të lëvizësh, të vazhdosh të kërkoni punë, të fitosh ndonjë pare sa aty këtu dhe ndoshta të gjesh një mënyrë për të vazhduar udhëtimin tën. Loja nuk është kurrë e lehtë, por mund ta luash atë sipas rregullave të tua.
Nëse të kap policia, atëherë duhet të ndjekësh rregullat e tyre. Duhet të dorëzosh një kërkesë për azil, e cila mund të dojë vite për t'u përpunuar dhe si përfundim edhe mund të refuzohesh. Dhe duhet të qëndrosh në paraburgim derisa shteti të të gjejë një vend në ndonjë strehë.
Rahmani u largua nga Athina sepse nuk donte të regjistrohej. Ai përfundoi duke u zhvendosur në Manolada, tre orë me makinë në perëndim, për të punuar në një fermë frutash. Ai punon shtatë orë në ditë, duke fituar 25 euro nga të cilat i paguan një euro në formë komisioni përgjegjësit ose kreut të grupit. Ai fle në një strehë duke paguar një qira mujore prej 50 eurosh.
Në kulmin e sezonit, ka mijëra emigrantë dhe refugjatë si ai, që mbledhin luleshtrydhe në Manolada që eksportohen në Europën Perëndimore dhe Rusi.
Rahmani u zhvendos atje duke besuar se do të ishte më i sigurt në një vend ku “nuk ka polici”. Por ka rreziqe të tjera. Në vitin 2013, rojet e armatosura në një fermë lokale qëlluan me armë ndaj një turme mbledhësish frutash të cilët kërkonin pagat e prapambetura.
Dhjetëra punëtorë u plagosën, por kur çështja shkoi në gjykatë, të gjithë rojet i shpëtuan burgut. Punëtorët e çuan çështjen e tyre në Gjykatën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe përfundimisht fituan kompensim nga shteti grek në vitin 2017.
“Dera rrotulluese”
Çfarë ndodh nëse të ndalojnë në Athinë? Do të të çojnë në një rajon policie, do të regjistrohesh si një i mitur i pashoqëruar dhe do të të kërkojnë të dorëzosh një kërkesë për azil. Shteti tani është i detyruar të të ofrojë strehim dhe arsimim derisa të mbushësh 18 vjeç, ose derisa të sqarohet kërkesa jote për azil.
Do të të fusin në paraburgim mbrojtës derisa të gjendet akomodimi i përshtatshëm. Kjo në fillim mund të jetë një qeli policie ose një qendër paraburgimi si Amygdaleza, një ish-kazermë policie në periferi të Athinës.
Në teori, shteti duhet të të gjejë një strehë brenda katër javësh. Por duke qenë se nëpër streha ka mungesë vendesh të lira, mund të kalosh edhe disa muaj duke pritur në vende që i ngjajnë një burgu të vërtetë.
Grupet e të drejtave të njeriut i kanë kërkuar Greqisë të minimizojë sasinë e kohës që të miturit kalojnë në paraburgim mbrojtës, duke argumentuar se çdo formë e zgjatur paraburgimi mund të dëmtojë shëndetin e tyre mendor. Zyrtarët e qeverisë greke kanë thënë se ata po shtojnë kapacitetin e strehave që kanë në dispozicion dhe se po reformojnë sistemin.
Pas disa javësh ose muajsh, në varësi të kohës që duhet për të gjetur një vend të lirë në një strehë, do të zhvendosesh në shtëpinë tënde të re. Shumica e strehave ndodhen në provinca, në qytete të vogla ose në fshat.
Ke dëgjuar që djemtë e tjerë u referohen këtyre vendeve si “Saharaja” dhe mund ta kuptosh përse. Këto vende rrethohen nga hapësira të mëdha ku nuk ka asgjë. Tani ke një zgjedhje: të qëndrosh në strehë ose të shkosh drejt një qyteti të madh, në Athinë ose Selanik, ku mund të gjesh lehtësisht punë.
Zgjedh të shkosh në një qytet të madh. Në fund të fundit, nuk ke bërë gjithë këtë rrugë, nuk ke marrë parasysh gjithë ato rreziqe, që të rrish duarkryq dhe të preshës ndërsa sistemi vendos fatin tënd. Në Athinë të prezantojnë më Ibrahimin, i cili po siguron jetesën duke shitur cigare dhe hashash rreth sheshit Eksarkia që kur ishte 15 vjeç. Fillo të shesësh edhe ti cigare për të.
Sofia Papadopoulou, një specialiste për mbrojtjen e fëmijëve në Shoqatën për Mbështetjen Sociale të Rinisë, ARSIS, një OJQ që ndihmon të miturit e pashoqëruar në Selanik, beson se “shumë nga fëmijët në rrugë janë detyruar të marrin pjesë në veprimtari të paligjshme”.
Abdo ka një tjetër teori. “Disa njerëz thjesht preferojnë rrugët”, thotë ai. “Kjo ka të bëjë me udhëtimin e tyre këtu. Ata kanë mësuar të jetojnë në rrugë, madje krenohen me këtë.”
Ti nuk je nga ata djem. E kupton që të ka ardhur në majë të hundës nga rrugët kur një kalimtar të godet në kokë një mëngjes. Do një çati mbi kokë dhe një punë ku nuk do të të sulmojnë. Provon strehat që janë përreth sheshit Viktoria, por të gjitha janë plot.
Fle në një stol në shesh derisa policia të të marrë dhe të të çojë në rajon. Ata gjejnë emrin tënd në sistem, që përputhet me një raport të paraqitur nga streha pasi u largove që atje. Brenda pak orësh të kthejnë përsëri në Amygdaleza, duke pritur të dalë ndonjë vend i lirë në ndonjë strehë. Rojet të njohin.
“Zakonisht tashmë i njohim shumicën e të miturve që vijnë këtu”, thotë komandanti i qendrës së paraburgimit në Amygdaleza, Asimakis Solomos. “Madje themi: Prapë këtu?”
Solomos vlerëson se më shumë se gjysma e 600 të miturve që pranohen çdo muaj në Amygdaleza janë të porsaardhur. Pjesa tjetër janë të gjitha fytyra të njohura, thotë ai, të cilët i trajtojnë strehat dhe qendrat e paraburgimit si një “derë rrotulluese”.
Disa të mitur mezi presin që policia t'i marrë. Ata kontaktojnë një nga OJQ-të që merret me emigrantë dhe refugjatë dhe shoqërohen me dëshirë në stacionin e policisë, të shoqëruar nga një punonjës social dhe një avokat.
Aggeliki Theodoropoulou, një avokate e Këshillit Grek të Refugjatëve, një OJQ, thotë se jeta në rrugë mund t'i lodhë ose – nëse ndodh që të rrihen – t'i tmerrojë. “Ata thonë: Nuk më intereson, më fut në paraburgim. Nuk duroj dot më.”
Emoji të qeshura
Në strehën pranë sheshit Viktoria, të sapoardhurit po kontrollojnë telefonat e tyre për lajme nga miqtë e tyre. Gjatë izolimit ishte edhe më keq. Ata rrinin gjithë ditën me celular në dorë. Duke qenë se në atë kohë ishte edhe Ramazani, të gjithë dukej se bënin të njëjtat gjëra – dremisnin, ushtroheshin, shikonin filma dhe flisnin me njëri-tjetrin në Facebook.
Dy nga miqtë e të sapoardhurve u kapën sapo hynë në Greqi. Ata shkuan direkt në qendrën e paraburgimit, një vend i quajtur Fylakio afër kufirit turk, ku u desh të paraqisnin një kërkesë për azil. Duke qenë se ishin të dy nën 18 vjeç, ata i futën në “paraburgim mbrojtës”.
Edhe pse duhej të qëndronin vetëm për tre javë në Fylakio, mungesa e shtretërve nëpër streha do të thotë se ata kanë ngecur atje për shtatë muaj. Kur ndonjëri prej tyre poston emoji të lumtura në Facebook, të sapoardhurit e pyesin nëse ai ka ndonjë lajm të mirë. Përgjigja është jo, por se ata i kanë postuar ato emoji që të sigurojnë familjet e tyre në vendlindje se gjithçka ishte në rregull.
Në telefonin tënd ka lajme nga Rahmani në Manolada. Vetëm ai nga shokët e tu ka vazhduar të punojë edhe gjatë periudhës së izolimit, sepse luleshtrydhet nuk presin virusin.
Rezulton se qeveria kishte lehtësuar kufizimet për punëtorët në zonat bujqësore. Nëse policia do ta ndalonte Rahmanin, ai nuk do të duhej të tregonte asnjë mesazh apo mjet identifikimit. I duhej vetëm një letër nga punëdhënësit e tij, që konfirmonte statusin e tij.
Rahmani mund të mos e marrë dot kurrë azilin në Europë. Nëse qëndron i paregjistruar, ai nuk do të mund të aplikojë dot kurrë. Por falë pandemisë, ai do të ketë gjithmonë një copë letër ku skruhet se ai ka punuar në tokën europiane për disa javë gjatë këtij viti.
Ky artikull u realizua si pjesë e Balkan Felloëship for Journalistic Excellence, mbështetur nga Fondacioni ERSTE, në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanik i Gazetarisë Investigative.
Falënderojmë Kamranin, Abdon, Malikun, Imran, Munirin, Rahmanin dhe Tusharin.
Falënderime të tjera shkojnë për Nashrudin Nizamin.
Redaktimi nga by Neil Arun.