Në shpërthimin e fundit të luftimeve rreth Nagorno-Karabakhut, forcat armene kanë qëlluar raketa të prodhuara në Serbi të një lloji të blerë më parë nga një firmë e lidhur me tregtarin e armëve në listën e zezë të SHBA-së, Slobodan Tesiç.
Armët e prodhuara në Serbi, të një lloji që më parë i janë shitur nga shteti një kompanie private të lidhur me një tregtar serb armësh të futur në listën e zezë nga Shtetet e Bashkuara, janë përdorur në luftimet midis Azerbajxhanit dhe Armenisë për rajonin e Nagorno-Karabakhut, arriti të zbulonte BIRN.
Më 28 shtator, Azeri Defense, një revistë e industrisë së mbrojtjes, publikoi fotografi të mbetjeve të predhe që tha se u qëllua nga forcat armene nga raketahedhëset BM-21 Grad në qytetin azerbajxhanas të Horadizit, i cili ndodhet pak më lart Nagorno-Karabakhut.
Në të shkruhet “KV 05/19” që tregon se raketa me rreze të gjatë G-2000 është prodhuar nga prodhuesi shtetëror serb i armëve “Krusik”, në qytetin e Valjevës, në vitin 2019. Shënimi “EDePro” tregon që motori i raketës është prodhuar nga një tjetër kompani serbe, “EDePro” me qendër në Beograd.
Sipas dokumenteve të siguruara nga BIRN, në 2018 “Krusik” nënshkroi një kontratë për të njëjtin lloj rakete me rreze të gjatë G-200 të kalibrit 122 mm me “Vectura Trans”, një kompani private armësh që ka lidhje me tregtarin e armëve Slobodan Tesiç.
Shtetet e Bashkuara vendosën sanksione ndaj Tesiçit në vitin 2017, duke e akuzuar atë për ryshfet dhe shkelje të embargove të armëve. Ato shtuan “Vectura Trans” në fund të vitit 2019, duke pretenduar se Tesiç përdori kompaninë – themeluar vitin kur ai u rendit në listën e zezë – për të shmangur sanksionet në tregtinë e tij të armëve.
“Vectura Trans” nënshkroi një kontratë me “Krusik” në vitin 2018 për të blerë, ndër armë të tjera, 10 raketa G-2000 me një vlerë totale prej 34,000 dollarësh. Sipas dokumenteve të para nga BIRN, armët kishin si destinacion Armeninë.
“Lojë e dyfishtë”
Pasi iu kërkua të konfirmonte se cila kompani mori lejen për eksportin e armëve, ministria e tregtisë së Serbisë, e cila është përgjegjëse për eksportet e armëve, i tha BIRN se do të përgjigjej, por nuk e bëri kurrë këtë. “Vectura Trans”, “Krusik” dhe “EDePro” gjithashtu nuk iu përgjigjën kërkesave për komente.
Megjithatë, në fund të korrikut, ministri i tregtisë Rasim Ljajiç tha se Serbia kishte dhënë 19 leje për eksporte armësh në Armeni që nga viti 2017, kur filluan eksporte të tilla. Pesëmbëdhjetë u iu dhanë kompanisë “Vectura Trans”, tre “Partizan Tech” dhe një kompanisë shtetërore “Zastava Oruzje”. Ashtu si “Vectura Trans”, “Partizan Tech” është nën sanksionet e SHBA-së sepse punon në emër të Tesiç.
Në fillim të të njëjtit muaj, e përjavshmja serbe NIN raportoi se “Vectura Trans” kishte dërguar armë në Armeni nga tre prodhues në pronësi të shtetit serb, duke përfshirë kompaninë “Krusik”, vetëm disa ditë para se në Nagorno-Karabakh të shpërthenin tensione.
Ndërkohë që nuk ka një embargo të detyrueshme për eksportet e armëve në Azerbajxhan ose Armeni, sipas ligjit serb certifikata e përdoruesit të fundit – e cila duhet të specifikojë marrësin përfundimtar të armëve – mund të refuzohet nëse armët “mundësojnë shpërthimin ose vazhdimin e konflikteve të armatosura dhe të tjera në vendin e përdorimit përfundimtar”.
Rashad Suleymanov, kryeredaktor i “Azeri Defence”, tha se natyra e armëve tregonte një ngrohje të marrëdhënieve midis Serbisë dhe Armenisë.
“Këto raketa janë sisteme moderne, me sisteme me shumë lëshime raketash dhe kanë një rreze shumë të gjerë, gjë e cila tregon se qeveria serbe vendosi të mbështesë Armeninë dhe separatistët në Nagorno-Karabakh”, tha Suleymanov për BIRN.
“Serbia dhe Azerbajxhani kanë marrëdhënie të mira ekonomike dhe politike dhe vetëm kjo tregon se Serbia luan një lojë të dyfishtë.”
Embargo “vullnetare” armësh
Kombet e Bashkuara dhe Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë, OSBE, vendosën një embargo armësh në Azerbajxhan në fillimin e viteve 1990 për shkak të luftës për Nagorno-Karabakhun.
OKB-ja e ka hequr që atëherë embargon, por OSBE-ja, e cila monitoron armëpushimin e paqëndrueshëm në rajonin e diskutueshëm, e mbajti atë në fuqi. Megjithatë, embargoja e OSBE-së është e një natyre vullnetare, shumëpalëshe dhe shumë shtete pjesëmarrëse të OSBE-së kanë furnizuar me armë si Armeninë ashtu edhe Azerbajxhanin gjatë tre dekadave të fundit.
Tregtia e armëve në Armeni nga ana e Serbisë rrezikon marrëdhëniet azeriane
Lidhjet diplomatike midis Serbisë dhe Azerbajxhanit janë thelluar gjatë dekadës së kaluar, duke filluar me ngritjen e një monumenti të liderit të ndjerë të Azerbajxhanit, Heydar Aliyev, në një park të famshëm të Beogradit në vitin 2011.
Në maj 2018, presidenti serb Aleksandër Vuçiç dhe homologu i tij në Azerbajxhan, Ilham Aliyev, djali i Heydarit, nënshkruan një marrëveshje partneriteti strategjik dhe një sërë marrëveshjesh tregtare.
Baku, megjithatë, është zemëruar për armët që Serbia i ka shitur Armenisë. Nagorno-Karabakh u shkëput nga Azerbajxhani pas rënies së Bashkimit Sovjetik në fillim të viteve 1990 dhe kontrollohet nga armenët etnikë. Aty kanë shpërthyer disa herë luftime, por këto të fundit janë më të këqijat që kanë ndodhur aty në gjithë këto vite.
Në korrik, ministri i jashtëm i Azerbajxhanit shprehu “zhgënjim dhe konfuzion të thellë” rreth transferimit të mortajave serbe dhe armëve të tjera në Armeni, duke thënë se ato ishin përdorur për të sulmuar policinë e Azerbajxhanit.
Tregtia “hedh dyshime në marrëdhëniet miqësore dhe bashkëpunimin midis dy vendeve në nivelin më të lartë”, u citua t’i ketë thënë ambasadores së Serbisë në Baku, Danica Veinoviç, zv/ministri i jashtëm i Azerbajxhanit, Kalaf Kalafov.
Në mbrojtje të Serbisë, ministri i tregtisë Ljajiç tha se këtë vit vetëm kompanitë private kishin eksportuar armë në Armeni dhe se Jerevani nuk ishte nën asnjë sanksion.
Vuçiç më 31 korrik argumentoi se Serbia i kishte shitur shumë më shumë armë Azerbajxhanit të pasur me naftë sesa Armenisë.
“Ne i kemi të dy miq”, tha ai. “Ne i kemi shitur dhjetë herë më shumë armë Azerbajxhanit në dy vitet e fundit.”
Ndoshta duke u përpjekur të ndreqte dëmet, ministri i brendshëm Nebojsa Stefanoviç vizitoi Bakun më 11 gusht për të diskutuar “çështjet e sigurisë”.
Sanksionet s’e pengojnë Serbinë të ketë marrëdhënie me firmat e lidhura me Tesiçin
Për vite me radhë i konsideruar si tregtari më i madh i armëve në Ballkan, Tesiç kaloi një dekadë në listën e zezë të Kombeve të Bashkuara, midis vitit 2003 dhe 2013, për shkeljen e një embargoje liberiane të armëve.
Sipas Thesarit Amerikan, i cili vendosi sanksionet ndaj tij në vitin 2017, “Tesiç do t’u siguronte në mënyrë të drejtpërdrejt ose indirekte ryshfete dhe ndihmë financiare zyrtarëve” në mënyrë që të siguronte kontratat e armëve.
Vectura Trans u sanksionua “se ishte në pronësi ose kontrollohej nga, ose vepronte ose pretendonte se vepronte në ermë të, në mënyrë direkte ose jo, të Tesiçit”.
“Tesic shfrytëzoi ‘Vectura Trans’ për të marrë një licencë të miratuar për eksporte, për të përfunduar marrëveshje armësh dhe për të finalizuar kontratat e armëve me një qeveri të huaj”, tha Thesari i SHBA-së në 2019.
Megjithatë, këto gjetje dhe sanksionet e SHBA-së nuk i kanë penguar autoritetet serbe të bëjnë biznes me Tesiçin.
NIN ka raportuar se kompanitë e kontrolluara ose në pronësi të Tesiçit kanë blerë armë nga “Krusik” me çmime më të ulëta se ato të paguara nga firmat shtetërore.
“EDePro”, i cili prodhoi bashkërisht raketat G-2000 me “Krusik” dhe i ekspozoi ato në një shfaqje armësh në Abu Dabi në vitin 2017, është kryesisht në pronësi private. E themeluar në vitin 1997, ajo drejtohet sot nga Branislav Jojiç, Milivoje Popoviç, Momcilo Sljukiç dhe Slobodan Petkoviç, edhe pse kompania shtetërore e armëve “Jugoimport-SDPR” zotëron gjithashtu dy për qind të aksioneve.
Edhe pse është regjistruar sikur merret me “kërkime dhe zhvillime në shkencat teknike dhe teknologjike”, “EDePro” ka gjithashtu një leje shtetërore për eksport dhe import të armëve dhe pajisjeve ushtarake.
Në maj 2002, Shtetet e Bashkuara thanë se kishin prova se një rrjet kompanish jugosllave kishin mbështetur një program raketash që ndiqej nga udhëheqësi i atëhershëm libian Muammar Gaddafi.
Kompanitë u identifikuan si “Jugoimport SDPR”, “Brunner” dhe “Infinity”. Jojiç i “EDePro” u identifikua se përfaqësonte “Jugoimport SDPR”. Ai gjithashtu ka punuar më parë për “Infiniti” dhe ishte një nga themeluesit e “Brunner”, i konsideruar si një pararendës i “EDePro” për sa i përket qasjes së tij të zhvillimit.