Në Skënderaj, vendlindja e disa komandantëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë ish-presidentin Hashim Thaçi, i cili po pret gjyqin në Hagë për krime lufte, janë shtuar tensionet pas një sfide të fortë të opozitës në fushatën zgjedhore.

Për dy dekada, votuesit në qytetin e Skënderajt në Luginën e Drenicës në Kosovë kanë dhënë mbështetjen e tyre për Partinë Demokratike të Kosovës, PDK, dhe ish-kreun e saj Hashim Thaçi, shefi politik i kohës së luftës i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, UÇK, i cili dominoi sferën politike në vend në vitet pas konfliktit.
Skënderaj është vendlindja e Thaçit dhe gjithashtu vendlindja e Adem Jasharit, një nga themeluesit e UÇK-së, i cili u dënua në mungesë për terrorizëm nga një gjykatë jugosllave në 1997 dhe më pas u vra në një rrethim të përgjakshëm tre-ditor nga forcat jugosllave në mars 1998 së bashku me 57 anëtarë të familjes së tij të madhe.
Incidenti shihet si një pikë kthese në luftën e Kosovës për pavarësi nga sundimi i Beogradit dhe në sheshin kryesor në Skënderaj është një statujë e madhe e Jasharit, ndërsa një banderolë e madhe me fotografinë e tij, të babait të tij Shabanit dhe vëllait të tij Hamezit varet në një ndërtesë komunale aty afër.
Gjatë 21 viteve të pluralizmit të pasluftës në Kosovë, PDK ka udhëhequr shfaqjen politike në Skënderaj me një shumicë dërrmuese, edhe pse në zgjedhjet për kryetar komune të vitit 2017, mosmarrëveshjet brenda PDK-së krijuan kushtet që nipi i Adem Jasharit, Bekim Jashari, djali i vëllait të tij Hamezit, të kandidonte si kandidat i pavarur dhe të fitonte lehtësisht garën.
Me zgjedhjet e parakohshme të përgjithshme që do të mbahen më 14 shkurt dhe dorëheqjen e Thaçit nga posti i presidentit të vendit vitin e kaluar për t'u përballur me akuza për krime lufte në Hagë, gjatë javës së kaluar tensionet politike mbërthyen qytetin.
Në të gjithë vendin, kreu i partisë së opozitës Vetëvendosje, Albin Kurti, është kandidati kryesor për t'u bërë kryeministër pas zgjedhjeve, sipas disa sondazheve të publikuara gjatë javëve të fundit. Sondazhet e opinionit thonë që PDK-ja është në vendin e dytë ose të tretë, por shumë prapa Vetëvendosjes.
Kur Kurti shkoi në Skënderaj për të bërë fushatë zgjedhore mbrëmjen e 1 shkurtit, një grup prej rreth 30 protestuesish e gjuajtën atë me vezë dhe i fishkëllyen ndërsa ai po zhvillonte një takim parazgjedhor në një sallë me mbështetësit e Vetëvendosjes.
Pas incidentit, dega lokale e PDK-së në qytet u ankua se vizita e Kurtit ishte një “provokim” dhe “e papranueshme” sepse lideri i Vetëvendosjes shoqërohej nga një prani e madhe forcash policore.
“Na mungon Thaçi”

Kurti ka qenë një kritik i vendosur i ish-kreut të PDK-së Thaçi dhe pasardhësit të tij Kadri Veseli, i cili është gjithashtu në paraburgim në Hagë. Ata dhe dy ish-komandantë të tjerë të lartë të UÇK-së po presin gjyqin në Dhomat e Specializuara të Kosovës, që u krijua për të gjykuar krimet e luftës dhe të pasluftës nga guerilët e UÇK-së. Të gjithë ata janë vetëdeklaruar të pafajshëm.
Në Skënderaj, ndjenjat e luftës mbeten të forta dhe Thaçi është një hero lokal. Osman Koca, 78 vjeç, tha se ishte i mërzitur që Thaçi u desh ta ndërpriste karrierën e tij politike dhe të shkonte në Hagë.
“Njerëzit mund të thonë çfarë të duan, por neve po na mungon”, tha Koca.
PDK-ja në Skënderaj gjithashtu pretendoi që Kurti bëri akuza të rreme për korrupsion kundër Thaçit dhe Veselit.
“Akuzat e tij të pabazuara irrituan banorët e Drenicës”, tha Ragip Durmishi, një nënkryetar i degës lokale të PDK-së.
PDK-ja në qytet drejtohet nga Sami Lushtaku, komandanti i UÇK-së gjatë kohës së luftës në të ashtuquajturën Zona e Drenicës. Lushtaku në vitin 2015 u dënua me 12 vjet burg për krime lufte, por më pas u shpall i pafajshëm dy vjet më vonë nga Gjykata Supreme.
Ditë para incidentit me Kurtin, mediat kosovare publikuan një regjistrim audio në të cilin Lushtaku u dëgjua teksa u kërkonte vendasve “të mos ia hapnin derën” kreut të Vetëvendosjes gjatë fushatës zgjedhore.
Por Hysni Mehani, i cili kryeson degën e Vetëvendosjes në qytet dhe po kandidon për një vend në parlament, tha se kërkesa e Lushtakut për t'i mbyllur derën Kurtit ra në vesh të shurdhër.
“Kur qytetarët e shpërfillën këtë thirrje, atëherë PDK-ja nxiti strukturat e saj të krijonin atë incident”, tha Mehani.
Megjithatë, Ragip Durmishi, një mjek i cili është nënkryetar i degës lokale të PDK-së, e mohoi këtë dhe tha se incidenti u shkaktua nga një “prani e tepruar policore”.
“Protesta nuk ishte e organizuar. Ata u provokuan nga shpura e Albin Kurtit. Mbushja e sheshit me forca policore i irritoi qytetarët”, këmbënguli ai.
“Ditë më parë, nënkryetari i Vetëvendosjes Glauk Konjufca ishte në Skënderaj, pa asnjë shoqërim policie. Njerëzit e panë atë duke ecur në rrugët e qytetit dhe e përshëndetën”, shtoi ai.
Kurti e ka mohuar që prania e forcave policore gjatë vizitës së tj të ketë qenë e tepruar.
“Nuk kishte forca speciale të policisë që më shoqëronin fare. Unë shkova atje vetëm me një automjet policie, si gjithmonë”, tha Kurti të enjten në emisionin televiziv të BIRN në Kosovë “Debat Pernime”.
“Njerëzit nuk mund të kanosen”

Me afrimin e ditës së zgjedhjeve, Durmishi i PDK-së ishte optimist se partia e tij do të ruajë përparësinë e saj në Skënderaj.
“Atmosfera parazgjedhore flet në favor të PDK-së”, tha ai.
Por Mehani i Vetëvendosjes këmbënguli që pas dy dekadave dominimi politik të PDK-së, në qytet gjërat kanë ndryshuar.
“Njerëzit në zonë i kanë besuar PDK-së për një kohë të gjatë, por ata nuk mund të kanosen ose shantazhohen”, tha Mehani, duke lënë të kuptohet se protesta e javës së kaluar u organizua për të trembur mbështetësit e Vetëvendosjes që t'i qëndronin larg aktiviteteve të fushatës zgjedhore të Kurtit.
Zgjedhjet e parakohshme u shkaktuan në dhjetor 2020, kur Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi që qeveria e koalicionit e udhëhequr nga Lidhja Demokratike e Kosovës e Avdullah Hotit, LDK, ishte e paligjshme sepse ishte votuar për të ardhur në pushtet me ndihmën e një vote të pavlefshme të hedhur nga një deputet i cili kishte një dënim penal.
Hoti u bë kryeministër pasi një qeveri e udhëhequr nga Kurti, e cila kishte ardhur në pushtet pas zgjedhjeve të mëparshme të parakohshme të Kosovës në tetor 2019, u rrëzua. Votat kombëtare të PDK-së ranë në 21.2 për qind në zgjedhjet e vitit 2019 – rezultati i saj më i dobët që nga koha e luftës – dhe partia shkoi në opozitë.
Zgjedhjet e përgjithshme të kësaj jave do të jenë hera e pestë që votuesit në Kosovë votojnë që nga viti 2010, dhe në Skënderaj, disa njerëz nuk janë të bindur se zgjedhjet e parakohshme të fundit do të ndryshojnë ndonjë gjë për mirë.
“Shumë qeveri kanë ndryshuar gjatë viteve, por jeta nuk është përmirësuar”, tha për BIRN një 20-vjeçar i quajtur Blerim.
“Unë punoj në një biznes bujqësor familjar dhe asnjë qeveri nuk na ka mbështetur”, shtoi ai.
Ashtu si shumë të rinj të tjerë, Blerimi tha se ambiciet e tij qëndrojnë jashtë Kosovës.
“Dua të marr një vizë pune dhe të shkoj kudo në Perëndim për të punuar. Nuk shoh ndonjë perspektivë këtu”, shpjegoi ai.
“Para zgjedhjeve, të gjithë vijnë në shtëpitë tona duke kërkuar vota. Kur zgjedhjet të mbarojnë, askush nuk kujtohet më për ne.”