Megjithëse gazsjellësi Nord Stream 2 gjendet në 160 kilometrat e fundit, transformimi i tregjeve botërore të energjisë që nga koha kur ndërtimi i tij filloi nënkupton që projekti nuk ka më asnjë kuptim ekonomik. Po pse kancelarja e Gjermanisë Angela Merkel është e vendosur që ta përfundojë këtë projekt?
Gazsjellësi Nord Stream 2, i cili është fare pranë përfundimit, lidh në mënyrë të drejtpërdrejtë Rusinë me Gjermaninë dhe nuk është ndërtuar posaçërisht për të siguruar gaz natyror të lirë. Ai ëështë ndërtuar për përfitim personal dhe për interesat kombëtare të dy vendeve.
Gazsjellësi që kalon diagonalisht detin Balltik ka vënë ballë për ballë Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimin Europian kundër Gjermanisë si dhe ka shkaktuar një korr kritikash nga brenda Gjermanisë kundër kancelares Angela Merkel. Në fakt, nëse çështja do të lidhej ngushtësisht me molekulat e gazit, projekti nuk do të kishte nisur kurrë të zbatohej. Po se u bë?
Duhet të shkojmë pas më 2005 kur Gerhard Schröder dhe presidenti i Rusisë Vladimir Putin firmosën një marrëveshje pak ditë para se Schröder të largohej si kancelar. Pak pasi ia kaloi pushtetin Merkelit, gjigandi rus i energjisë Gazprom, efektivisht një vegël e Kremlinit, emëroi Schröderin si kryetar të bordit të aksionerëve të Nord Stream AG. Më 2016 Schröder mori drejtimin e Nord Stream 2, një kompani që ka për aksioner të vetëm Gazprom.
Që nga ajo kohë, Schröderi ka qenë pararoja e palodhur e Putinit. Ai nuk lodhet kurë së përsërituri se e bëri këtë për të mirën e Gjermanisë, për shkak se kjo zgjidh problemin e sigurisë energjetike me çmime të arsyeshme.
Në fakt, Gjermania dhe Europa Perëndimore nuk kanë nevojë për Nord Stream 2. Çmimet e naftës janë përgjysmuar që nga viti 2008. Dhe me fushat e reja të gazit që po fillojnë të shfrytëzohen, veçanërisht në Mesdhe apo në Amerikën e Veriut, çmimet e gazit kanë rënë me kati 80% gjatë kësaj periudhe. Për më tepër, bollëku i gazit nuk ka gjasa të jetë i përkohshëm nëse marrim parasysh se gjithnjë e më shumë energji e rinovueshme po hyn në treg.
Sakaq ekzistojnë 13 gazsjellës nga Rusia për në Europë, të cilat transportojnë 250 miliardë metra kub gaz në vit. Nord Stream 2 do të rrisë varësinë nga Rusia, por më shumë se kaq është në lojë, për shkak se gazsjellësi anashkalon Ukrainën dhe Poloninë. Për Putinin, Ukraina, një ish-republikë sovjetike, bën pjesë me të drejtë në rodina apo mëmëdheut të tij dhe sakaq ka rrëmbyer dy zopa: Krimenë dhe Donbasin. Në mënyrë të ngjashme ai beson se Polonia, një ish satrapi e Rusisë, duhet të jetë pjesë e sferës së ndikimit të Rusisë.
Nord Stream 2 i mundësin Putinit të dobësojë të dyja këto vende duke i hequr atyre tarifat e tranzitit të gazit dhe duke thyer kontrollin e Ukrainës mbi gazsjellësit. Në vitin 2020, Ukraina fitoi 3 miliardë dollarë nga tarifat e transportimit të rreth 50 miliardëve metra kub gaz. Nord Stream 2 është në gjendje të transportojë të njëjtën sasi gazi, një rastësi kjo shumë e pastër. Loja e Schröderit me Gazpromin do t’i mundësojë Putinit t’i shtrëngojë vidat Ukrainës (dhe Polonisë), në një kohë kur qeveria në Kiev është duke tentuar dëshpërimisht t’i rezistojë presionit mbi ekonominë sakaq të dobët të vendit.
Schröderi nuk po mendonte me të vërtetë për Gjermaninë dhe Europën kur u bë mik me Putinin se sa po mendonte për pesionin modest të kancelarit, afro 93 mijë euro në vit. Çudia e madhe në këtë mes është Merkeli. Kur ish presidenti i SHBA-së Donald Trump i tha asaj, “duhet të mos blesh më gaz nga Putini,” ajo nuk u lëkund. Një zyrtar gjerman pa emër u betua në atë kohë, “ne do të bëjmë gjithçka që nevojitet për ta përfunduar këtë gazsjellës.”
Supozohet se furnizimi me energji është një shqetësim kryesor në mendjen e Merkelit. Kjo nuk ka të bëjë me “politikën e ulët” të gazit dhe parave, por me “politikën e lartë” të shteteve që kërkojnë pushtet dhe pozicion. Pavarësisht se sa herë gjermanët dhe rusët i janë vërsulur njëri-tjetrit, që nga koha e Bismarkut politika e Gjermanisë duket e njëjtë. Bismarku i tha vendit në mes në atë kohë: “Mos e prit kurrë lidhjen me Shën Petersburgun.” Me fjalë të tjera, ruaje paqen me gjigandin në krahun lindor të Gjermanisë.
Megjithëse tani mbrohet nga NATO, Republika Federale e ka respektuar Bismarkun duke ushtruar marrjen me të mirë, ose së paku duke ruajtur një neutralitet pozitiv. Me nuhatjen e saj të shkëlqyer për pushtet, Merkeli nuk po magjepset nga gazi i Rusisë por vetëm sa po i qëndron një rregulli klasik në diplomacinë e Gjermanisë.
Edhe gjatë Luftës së Ftohtë, Gjermania Perëndimore sfidoi tre presidentë amerikanë, Nixon, Carter dhe Reagan, duke shkëmbyer tuba çeliku me energjinë sovjetike. Por ajo që në kohën e krizës globale të naftës të viteve 1970 kishte kuptim ekonomik, tashmë reflekton vetëm këshillën e Bismarkut: Mos i inatos rusët.
Gjithsesi sot Merkeli po vepron në një skenë të re, jo vetëm për shkak të mbiofertës dhe rënies së kërkesës por edhe për shkak se bota industriale po zhvendoset te energjia diellore dhe ajo e erës si dhe te eficienca më e lartë energjetike. Papritur Merkeli është “vetëm në shtëpi”. Nuk janë vetëm amerikanët, britanikët dhe shtetet e Europës Lindore ata që duan të hedhin tutje Nord Stream 2. Edhe francezët janë duke u kthyer kundër.
Të varur nga energjia bërthamore, francezët nuk kanë nevojë për gaz rus. Parisi është më i shqetësuar për “marrëdhënien speciale” me Gjermaninë dhe hijen e gjatë që Rusia po hedh mbi Europën. Vetëm këtë muaj, ministri i jashtëm i Rusisë Sergey Lavrov kërcënoi se do të ndërpresë marrëdhëniet në rast se BE vendos sanksione shtesë.
Përveç kësaj Merkeli përballet me pakënaqësi të paprecedent edhe mes të vetëve. Shumë kristiandemokratë si ajo si dhe Të Gjelbrit që kanë prirje pacifiste tashmë janë kthyer kundër Putinit. Dhe po kështu kanë bërë edhe pjesë nga mëria liberale, e cila është shpesh armiqësore me Amerikën imperialiste.
Pse? Dy fjalë: Aleksej Navalni. Duke u përballur me rivalin më të rrezikshëm të vetin deri tani, Putini e ekzagjeroi. Tentativa e Kremlinit për të vrarë Navalnin dhe tani vendimi për ta burgosur atë për shumë kohë i është kthyer mbrapsht dhe ka zemëruar edhe kalsën politike të Gjermanisë. Mes demokracive, reagimi moral e mposht realpolitikën e stilit të Merkelit.
Merkeli e ka manovruar në këtë mënyrë Gjermaninë në izolim. Por fakti është që ka shumë gjasa që Nord Stream 2 do të realizohet. Me vetëm 160 kilometra të mbetura, është e paimagjinueshme që një projekt me vlerë 10 miliardë euro do të groposet në fund të rërave të detit Baltik. Në fund gjermanët nuk do të përballen me rusët ndërsa presidenti Joe Biden i SHBA-së do të jetë më i butë me Gjermaninë nga sa ishte Trump.
Menaxhimi i situatës ka filluar sakaq. Gjermania po punon për të marrë me të mira Biden duke premtuar se do të rrisë subvencionimin për ndërtimin e terminaleve të gazit natyror të lëngëzuar të cilat do të përdoren për importimin e gazit amerikan në Gjermani. Gjermania ka premtuar se do të punojë fort për rregulla të reja që të sigurojnë vijimin e transportit të gazit tranzit përmes Ukrainës. Polonia do të përfitojë fonde të tjera për terminale gazi. Dhe ka biseda në Gjermani për të mbyllur Nord Stream 2 në rast se Rusia dhunon ligjin ndërkombëtar dhe të drejtat themelore të njeriut. Në fund fare një marrëveshje do të arrihet. Por kush do të “negociojë” me tregjet e energjisë? Gjykata e kërkesës dhe ofertës mund të japë një vendim të parevokueshëm: nuk ka nevojë për një gazsjellës tjetër. Nëse do të ndodhë kështu, Nord Stream 2 do të kalbet në fund të detit Balltik si një monument ndaj babëzisë dhe çmendurisë.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. Germany’s Empty Pipeline Logic