
Tuqididi argumentoi se lufta godiste grekët e lashtë për dy arsye kryesore: rritja e fuqisë së Athinës dhe frika që kjo krijonte te fuqia ekzistuese, Sparta. Për të parandaluar një luftë të re të ftohtë apo të nxehtë, SHBA dhe Kina duhet të mos ekzagjerojnë frikën nga njëri-tjetri dhe keqkuptimet që mund të lindin nga ndryshimi i balancës së fuqisë.

Kur ministri i jashtëm i Kinës Wang Yi, bëri thirrje për një fillim nga e para e marrëdhënieve me Shtetet e Bashkuara, zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë u përgjigj se SHBA i shihte marrëdhëniet si të tilla që kanë konkurrencë të ashpër që kërkon pozicion të fuqishëm. Është e qartë se administrata e Presidentit Joe Biden nuk është që thjeshtë po i përmbys politikat e Trump.
Disa analistë, duke cituar komentin e Tuqididit mbi Luftën e Peloponezit se ajo erdhi si pasojë e frikës së Spartës nga ngritja e fuqisë së Athinës, besojnë se marrëdhënia mes SHBA-së dhe Kinës po hyjnë në një periudhë konflikti në të cilën një hegjemon i vjetër përballet me një hegjemon në ngritje.
Unë nuk jam kaq pesimist. Sipas mendimit tim, ndërvarësia ekonomike dhe ekologjike redukton mundësinë e një lufte me të vërtetë të ftohtë, e aq më pak një lufte të nxehtë, për shkak se të dyja vendet kanë incentivë për të bashkëpunuar në një numër fushash. Në të njëjtën kohë, një keqllogaritje që sjell luftë është gjithmonë e mundur dhe disa e shohin gjithashtu si të mundshme që drejt katastrofës të ecet “në gjumë”, siç ndodhi në rastin e Luftës së Parë Botërore.
Historia është përplot me raste të keqkuptimeve mbi ndryshimin e balancave mes superfuqive. Për shembull, kur Presidenti Richard Nixon vizitoi Kinën më 1972, ai dëshironte të balanconte atë që e shihte si rritje të kërcënimit sovjetik ndaj një Amerike në rënie. Por ajo që Nixon e interpretonte si rënie, ishte në realitet një rikthim në situatën normale pas një roli artificialisht të lartë që Amerika pati në botë pas Luftës së Dytë Botërore.
Nixon shpalli multipolaritetin, por ajo që pasoi ishte fundi i Bashkimit Sovjetik dhe lindja e një Amerike unipolare pas dy dekadash. Sot, disa analistë kinezë e nënvlerësojnë qëndrueshmërinë e Amerikës dhe besojnë se Kina do të dominojë, por kjo mund të jetë gjithashtu një keqllogaritje e rrezikshme.
Po kaq i rrezikshëm është edhe mbivlerësimi apo nënvlerësimi i fuqisë së Kinës nga amerikanët ndërsa në SHBA ka grupime që kanë si interesa ekonomike ashtu edhe interesa politike për t’i bërë që të dyja. Matur me dollarë, ekonomia e Kinës është sa dy të tretat e ekonomisë së SHBA-së por shumë ekonomistë presin që Kina ta kapërcejë SHBA-në diku rreth viteve 2030, në varësi të normave të rritjes ekonomike të të dy vendeve.
A do ta pranojnë këtë ndryshim udhëheqësit amerikanë në mënyrë që të ndërtojnë një marrëdhënie konstruktive, apo do të frikësohen? A do të ndërmarrin udhëheqësit e Kinës më shumë rreziqe apo do të mundësojnë që Kina dhe Amerika të mësojnë të bashkëpunojnë në prodhimin e të mirave publike globale në kushtet kur balanca e pushtetit ndryshon?
Ta përsërisim edhe një herë shpjegimin që i dha Tuqididi rënies në luftë të botës antike greke: ai tha se shkaku ishte rritja e një fuqie të re dhe frika që kjo rritje i shkaktoi fuqisë ekzistuese.
Shkaku i dytë është më i rëndësishëm se sa i pari. SHBA dhe Kina duhet të shmangin ekzagjerimin e frikës që mund të krijojë një luftë të re të ftohtë, apo të nxehtë.
Edhe nëse Kina e kapërcen SHBA-në për t’u bërë ekonomia më e madhe e botës, të ardhurat kombëtare nuk janë masa e vetme për të matur fuqinë gjeopolitike. Kina renditet shumë pas SHBA-së sa i përket ndikimit kulturor ndërsa shpenzimet ushtarake amerikane kanë katër herë më të larta se sa ato të Kinës. Dhe megjithëse kapacitetet ushtarake të Kinës janë rritur gjatë viteve të fundit, analistët që shikojnë me kujdes balancën ushtarake bien në përfundimin se Kina nuk do të jetë në gejndje të përjashtojë SHBA-të nga Pacifiku Perëndimor.
Në anën tjetër, SHBA ishte dikur ekonomia më e madhe tregtare dhe kreditori më i madh dypalësh. Sot, gati 100 vende mbështeten te Kina si partneri më i madh tregtar, në krahasim me 57 që mbështeten te SHBA. Kina ka në plan të shpenzojë më shumë se 1 trilionë dollarë në projekte infrastrukturore me Iniciativën Brez dhe Rrugë përgjatë dekadës së adhshme, ndërsa SHBA ka kufizuar ndihmën e vet për botën. Kina do të fitojë fuqi ekonomike për shkak të përmasave të mëdha të tregut të saj si dhe për shkak të investimeve të saj përtej detit dhe të ndihmave ekonomike. Fuqia e përgjithshme e Kinës në raport me atë të SHBA-ve ka gjasa do të rritet.
Pavarësisht kësaj, balancat e pushtetit nuk gjykohen dot kaq lehtë. SHBA-të do të mbajnë avantazhe afatgjata që bien ndesh me pikat ku Kina është e dobët. Njëra pikë është gjeografia: SHBA është e rrethuar nga oqeanet dhe nga fqinjë që me gjasa do t’i qëndrojnë mike. Kina është e kufizuar me 14 vende dhe ka mosmarrëveshje territoriale me Indinë, Japoninë dhe Vietnamin, gjë që kufizon aftësinë e saj për të ushtruar si pushtet të fortë ashtu edhe pushtet të butë.
Energjia është një fushë tjetër ku Amerika ka avantazh. Një dekadë më parë, SHBA varej nga energjia e importuar por revolucioni i energjisë nga burimet argjilore e ka transformuar Amerikën e Veriut nga një importues në eksportues të energjisë. Në të njëjtën kohë Kina është bërë gjithnjë e më e varur nga importet e energjisë nga Lindja e Mesme, të cilat duhet t’i transportojë nëpër rrugë detare të cilat vënë në dukje marrëdhëniet e saj problematike me Indinë.
SHBA-të kanë edhe avantazh demografik. Ky është vendi i vetëm i madh i zhvilluar që pritet të ruajë renditjen globale (vendin e tretë) sa i përket numrit të popullsisë. Ndonëse norma e rritjes së popullsisë së SHBA-së gjatë viteve të fundit është ngadalësuar në SHBA, ajo nuk pritet të kthehet në negative, siç po ndodh në Rusi, Europë dhe Japoni. Nga ana tjetër, Kina ka me të drejtë frikë se do të plaket para se të pasurohet. India do ta kapërcejë atë së shpejti si vendi më i populluar i botës ndërsa fuqia punëtore e Kinës shënoi kulmin në vitin 2015.
Amerika mbetet gjithashtu në pararojë në teknologjitë kyçe (bio, nano, informacion) të cilat janë me rëndësi thelbësore për rritjen ekonomike të shekullit të njëzet e një. Kina po investon shumë në kërkim dhe zhvillim dhe konkurron mirë në disa fusha. Por 15 nga 20 universitetet më të mëdha kërkimore të botës janë në SHBA; asnjë prej tyre nuk është në Kinë.
Ata që pretendojnë se ekziston Pax Sinica dhe se Amerika është në rënie, dështojnë të marrin parasysh gamën e plotë të burimeve. Arroganca amerikane përbën gjithmonë rrezik, por po kështu përbën rrezik edhe frika e ekzagjeruar, e cila mund të sjellë reagim të tepruar. Po kaq i rrezikshëm është rritja e nacionalizmit në Kinë, i cili, i kombinuar me besimin se Amerika është në rënie, mund të shtyjë Kinën të ndërmarrë rreziqe më të mëdha. Të dyja palët duhet të jenë të vetëdijshme për rrezikun e të bërit të llogarive gabim. Në fund të fundit, rreziku më i madh me të cilin ne përballimi është rreziku për të gabuar.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. What Could Cause a US-China War?