Gazetarët afganë të strehuar në Tiranë thonë se raportimi ishte një punë e rrezikshme në Afganistan, por me marrjen e kontrollit nga talebanët u bë vdekjeprurës. Të arratisur vetëm me rrobat e trupit, ata frikësohen se puna e tyre mund të shërbejë si shkak për persekutimin e familjarëve.
Ziagol Azimi, kryeredaktore e AWNA, Agjencia e Lajmeve për Gratë e Afganistanit me seli në Herat, në kufi me Iranin, nuk e kishte menduar asnjëherë që të largohej nga vendi.
Një ditë para se talebanët të merrnin nën kontroll Heratin, Azimi citohet nga media ndërkombëtare të thotë: “unë refuzoj të kem frikë”.
Por 18 ditë më vonë, kryeredaktorja 27-vjeçare ndodhet përkohësisht në Tiranë si refugjate dhe thotë se është e tronditur nga rënia e shpejtë e Afganistanit në duart e talebanëve.
“Nuk e kam imagjinuar këtë situatë. Nuk e kam pritur që situata të bëhet kaq keq, kaq shpejt,” tha Azimi, e paqartë për të ardhmen.
Ziagol Azimi i tha BIRN se ishte e ndërgjegjshme se do ta kishte të vështirë kur vendosi të studionte për gazetari dhe u punësua në një media që trajtonte çështjet e grave, në një vend ku ‘nuk ka shumë gra që duan të bëhen gazetare”.
Ajo dhe koleget e saj ishin shpeshherë shenjestër e kërcënimeve të talebanëve dhe grupeve konservatore.
“Atyre [ekstremistëve] nuk u pëlqen që të flitet për problemet e grave. Duan që t’i mbajnë të fshehta,” tha Azimi dhe shton se vetëm fakti që një grua ishte gazetare, mjaftonte për të pasur kërcënime dhe probleme në rrugë.
Megjithatë, ajo thotë se nuk pati frikë derisa talebanët morën nën kontroll vendin dhe Azimi e ndjeu se jeta e saj nuk ishte më e sigurt.
Në oborrin e godinave 11-12 në Qytetin Studenti, Azimi është e rrethuar nga kolegë të tjerë gazetarë me të cilët ka punuar ose i njeh prej ekranit –një profesion gjithmonë i vështirë në Afganistan, por që nën regjimin taleban konsiderohet si vdekjeprurës.
Ata i thanë BIRN se përpara se të mbërrinin në Shqipëri, u shoqëruan nga Kabuli në aeroport përmes një karvani të shoqëruar nga ushtarët amerikanë, talebanët dhe ambasada e Katarit.
Gazetarët e mediave kryesore të Afganistanit janë mes 607 refugjatëve afganë që mbërritën në Shqipëri prej mëngjesit të 27 gushtit dhe ndër të fundit qytetarë afganë që u evakuuan përpara se amerikanët të largoheshin nga Kabuli më 31 gusht.
Të paqartë për të ardhmen e tyre, gazetarët e strehuar në Tiranë janë gjithashtu të shqetësuar për të afërmit dhe kolegët që lanë pas.
Gazetarët ishin shenjestër
Gazetaria ishte një ndër profesionet më të rrezikshme në Afganistan dhe sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve, CPJ, 28 gazetarë dhe punonjës të medias u vranë nga viti 2017 deri në gusht të këtij viti.
Viktima e fundit ishte Mina Khairi, prezantuese e një televizioni privat, e cila humbi jetën si pasojë e një atentati me eksploziv në makinën e saj më 3 qershor 2021.
Faisal Karimi, gazetar dhe lektor i gazetarisë në universitetin e Heratit prej 20 vitesh, sot refugjat në Tiranë, i tha BIRN se raportimi nuk ishte kurrë i lehtë për ta. Me marrjen e vendit nga talebanët, ai thotë se të gjithë gazetarët po përpiqen të ikin, ndërsa gazetaria nuk ka asnjë mundësi për mbijetesë në Afganistan.
“Kjo është e situata,” thotë Karimi, ndërsa na tregon në ekranin e telefonit të tij videon e një gazetari në studio, ndërsa pas shpinës së tij qëndrojnë tetë talebanë të armatosur dhe me gishtin në këmbëz.
“Televizionet private u mbyllën. Ato që janë ende hapur, janë marrë nga talebanët në shërbim të propagandës,” shtoi ai.
Karimi mbërriti në Tiranë së bashku me të shoqen dhe dy fëmijët e mitur, pasi fshiu çdo gjurmë të punës së tij 20-vjeçare nga rrjetet sociale dhe nga telefoni, prej frikës se talebanët mund ta ndalonin. Mes pajisjeve të tij me vlerë 20 mijë dollarë, ai mundi të merrte me vete vetëm një lap-top të fshehur mes rrobave.
Ai tregon se ndryshoi veshje, la mjekër dhe ishte gjithë kohës në panik gjatë udhëtimit të tij nga Herati drejt aeroportit të Kabulit.
“Unë kam qenë në ekran dhe zëri dhe figura ime janë të njohura,” tha ai, ndërsa shtoi se nëse talebanët do e njihnin, situata e tij do ishte e vështirë.
Si shumë kolegë të tij, Karimi thotë se nuk e kishte menduar kurrë të emigronte. Por gjendja sipas tij është bërë e frikshme dhe shumica e gazetarëve janë të papunë, të papaguar prej muajsh dhe në rrezik për jetën.
“Në mëngjes po flisja me një kolege. Është e dëshpëruar, kërkon të largohet, ndërsa po qëndron e mbyllur në shtëpi. Më thuaj si mund ta ndihmoj unë atë?!”, pyet Karimi, po ashtu i dëshpëruar që ka lënë pas një karrierë dhe gjithçka që kishte investuar.
Një gazetar i Tolo News, një prej televizioneve më të mëdhenj në Afganistan, i tha BIRN në kushte anonimati se ai ende kishte frikë për të afërmit e tij në Kabul dhe për kolegët.
Të hënën, faqja në anglisht e Tolo News publikoi një peticion të 150 reporterëve që i kërkonin botës që t’i mbronte.
I ulur në një stol përballë një grupi fëmijësh që luajnë, gazetari thotë se gjithçka kishte ndodhur papritur.
“Ishim në newsroom duke diskutuar për punët e ditës, kur dikush erdhi duke bërtitur se talebanët kishin marrë Kabulin. Të gjithë ikëm,” tha ai, duke shtuar se për momentin ishte i qetë, por i paqartë për situatën e tij.
Ai dhe Karimi janë gjithashtu të paqartë se çfarë e solli kolapsin e shpejtë të qeverisë dhe ushtrisë në Afganistan, por të dy besojnë se ish-presidenti Ashraf Ghani ishte fajtor. Karimi thotë se Ghani e tradhëtoi vendin, ndërsa për gazetarin e Tolo News është ende e paqartë se çfarë ka pas marrëveshjes mes Ghanit, amerikanëve dhe talebanëve.
“Të gjithë duan të dinë këtë”, thotë ai.
Gazetaret gra, dyfish më të rrezikuara
Shumë prej refugjatëve afganë kanë mbërritur në Shqipëri vetëm me rrobat e trupit. Mjaft prej tyre kanë pasur frikë të marrin më shumë nga frika se talebanët do të kuptonin çfarë profesioni kishin apo se do bëheshin të dyshimtë.
Në gjendje shoku është edhe Simin Sadaf, redaktore e multimedias për “AWNA”, e cila vetëm pak javë më parë ishte duke redaktuar histori të grave afgane në sport apo ushtri.
“Fizikisht e kam lënë vendin, por zemra ime është në Afganistan tani,” thotë ajo në gjuhën e saj, ndërsa Karimi shërben si përkthyes.
Sadaf tregon se puna e saj si gazetare nuk kishte qenë e lehtë edhe para marrjes së kontrollit nga talebanët.
“Si gazetare kur del në terren, përballesh me sfida të dyfishta. Njerëz konservatorë, grupe ekstremiste fetare, që janë kundër pjesëmarrjes së grave në jetën sociale dhe njëkohësisht kundër diskutimit publik të problemeve të grave,” tha ajo.
Por Sadaf thotë se do të kishte qëndruar dhe se ajo që ka lënë pas ishte shumë e shtrenjtë për të. “Ne kemi lënë gjithçka pas, por nuk kishim zgjidhje tjetër,” shton ajo.
Me talebanët në fuqi, pjesa më e madhe e grave u fshehën në shtëpi dhe Sadaf thotë se puna e saj u shkërmoq brenda një dite.
Ajo nuk e ka përjetuar regjimin e parë të talebanëve, por thotë se gjithçka ndryshoi menjëherë teksa gratë u mbyllën në shtëpi apo ndryshuan veshje.
Njësoj si kolegët e tjerë gazetarë, edhe Sadaf thotë se është në ankth për të afërmit dhe frikësohet se puna e saj mund t’u sjellë probleme.
“Jam shumë e shqetësuar për prindërit dhe vëllezërit. Druhem se diçka mund t’u ndodhë atyre për shkak të punës time. Sepse ata (talebanët) mund të mësojnë që unë isha gazetare dhe familja ime do jetë në rrezik,”përfundon ajo.