Ndërsa liderët e Ballkanit Perëndimor dhe BE-së takohen në Slloveni për të diskutuar procesin e ngecur të integrimit evropian, ekspertët thanë për BIRN se si frustrimet e shkaktuara nga ngërçi mund të rrezikojnë reformat thelbësore, të përkeqësojnë tendencat autoritare dhe të vënë në rrezik sigurinë rajonale.

Ndërsa liderët e BE-së përgatiten të takohen me homologët e tyre të Ballkanit Perëndimor të mërkurën në Slloveni, përçarjet dhe përparësitë e ndryshme brenda bllokut pritet t'i mbajnë në harresë gjatë pjesës tjetër të dekadës shpresat e anëtarësimit të Serbisë, Bosnjës, Kosovës, Shqipërisë, Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.
Perspektivat e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor janë tema zyrtare e samitit, por disa shtete anëtare tashmë kanë sulmuar një përpjekje të Sllovenisë për të vendosur një afat kohor prej “jo më vonë se viti 2030” për të gjitha vendet në rajon për t'u bashkuar bllokut.
Sipas ndryshimeve të propozuara në projekt përfundimet e samitit, të rrjedhura në media të hënën, vendet anëtare të BE-së pritet të riafirmojnë angazhimin e tyre ndaj procesit të zgjerimit gjatë takimit të së mërkurës, por ata nuk do të ofrojnë një afat të qartë, sipas një projekt dokumenti parë nga Associated Press.
Edhe pse ngecja e procesit të zgjerimit të Bashkimit Evropian nuk është lajm i ri për asnjë në Ballkan, një artikull i Reuters i publikuar javën e kaluar, i cili zbulon mosmarrëveshjet e brendshme të bllokut mbi angazhimin e tij të vazhdueshëm ndaj zgjerimit në Ballkanin Perëndimor ka shkaktuar kritika të reja ndaj BE-së, pavarësisht përpjekjeve të Komisionit Evropian për të mohuar ose korrigjuar raportin.
Ngërçi po shkakton zhgënjim midis vendeve të Ballkanit – Serbia dhe Mali i Zi e kanë negociuar anëtarësimin për vite me radhë dhe Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut kanë pritur një dritë jeshile për fillimin e bisedimeve që nga viti 2019, duke ngritur pikëpyetje të mëdha në lidhje me angazhimin e BE-së në rajon.
Përpara samitit, i cili pritet të mos ofrojë drejtime ose afate të qarta për rrugën e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor, BIRN bisedoi me përfaqësues të shquar të shoqërisë civile në gjashtë vende për qëndrimin e Brukselit ndaj rajonit dhe pasojat e vonesave në procesin e pranimit.
Bosnjë: Ndihet “përsëri e tradhtuar”

“Perandori është lakuriq!” ishte përgjigja e gazetarit veteran boshnjak Sead Numanovic në një koment të botuar nga portali i lajmeve politicki.ba më 28 shtator, duke shtuar: “BE-ja na ka tradhtuar përsëri!”
Ky dhe raporte të tjera të ngjashme pasqyrojnë zhgënjimin në rritje të Bosnjës ndaj BE-së, që është i pranishëm edhe në pjesën tjetër të rajonit, madje edhe midis mbështetësve të fortë të idesë së zgjerimit.
“Kjo është një thirrje zgjimi, si në Ballkan ashtu edhe në BE”, tha për BIRN Osman Topcagiç, një nga nxitësit kryesorë të projektit të BE-së në Bosnjë.
Për më shumë se dy dekada Topcagiç ka shërbyer si ambasador i Bosnjës në Mbretërinë e Bashkuar, shef i misionit të Bosnjës në Bruksel dhe si shef i departamentit për integrimin në BE në Ministrinë e Jashtme të Bosnjës. Ai gjithashtu krijoi Drejtorinë e Bosnjës për Integrimin Evropian dhe ishte drejtori i parë i saj.
Topcagiç mori titullin “Kalorës i Urdhrit Kombëtar të Nderit” nga presidenti francez Jacques Shirak në 2007, dhe që nga viti 2018 ka qenë president i kapitullit boshnjak të Lëvizjes Pan-Evropiane.
Sipas Topcagiç, ka qenë e qartë prej vitesh se anëtarësimi i plotë është hequr në mënyrë efektive nga tryeza për vendet e Ballkanit. “Pritshmëritë tona nga BE-ja kanë qenë joreale. Unioni sot nuk ka kapacitet dhe gatishmëri për t'u hapur për anëtarë të rinj”, tha ai.
Megjithatë, ai theksoi se edhe në këtë situatë të keqe, BE-ja kishte opsione dhe mjete të tjera për të mbajtur gjallë idenë e zgjerimit në rajon. Opsione të tilla përfshijnë një prani më konkrete politike dhe ekonomike në rajon, e cila mund të arrihet përmes hapjes së mëtejshme të tregut të BE-së dhe fondeve strategjike për vendet e Ballkanit.
Megjithatë, në vend të kësaj, BE-ja ka ndryshuar në mënyrë të përsëritur metodologjinë dhe kriteret e saj, duke dështuar në përmbushjen e premtimeve të mëparshme për vendet e Ballkanit, edhe pasi ata zbatuan reformat e dakorduara, tha Topcagiç.
Ai po i referohej dështimit të BE-së për t'i dhënë një regjim pa viza Kosovës dhe për të hapur negociatat e pranimit për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut – pasi Komisioni Evropian deklaroi zyrtarisht se ata i kishin përmbushur të gjitha kërkesat zyrtare.
Një mashtrim i tillë nuk mungoi as në pjesën tjetër të rajonit, gjë e cila ka minuar ndikimin e BE-së në rajon dhe ka ndaluar proceset e pranimit të vendeve të Ballkanit.
“BE-ja nuk ndryshon shumë nga Ballkani; tjetër gjë shkruhet në ligje dhe akte nënligjore dhe tjetër gjë vihet në zbatim”, mendon Topcagiç.
Ashtu si shumë ekspertë të tjerë vendas dhe ndërkombëtarë, ai druhet se rënia e plotë e perspektivës së zgjerimit të BE-së – dhe e pranisë së BE-së në rajon – do të kishte pasoja katastrofike për sigurinë e të gjithë Evropës.
“Çdo thellim i mëtejshëm i çekuilibrit midis BE-së dhe Ballkanit do të sillte paqëndrueshmëri të reja dhe ndoshta edhe dhunë në kufijtë e BE-së”, përfundoi Topcagiç.
“Maskat kanë rënë”, shkroi Numanovic në komentin e tij. “BE-ja dëshiron të merret (vetëm) me veten e saj në dekadën e ardhshme ose në dy dekadat e ardhshme. Ballkani Perëndimor është lënë vetëm.”
Mal i Zi: Vonesa në zgjerim rrezikon reformat
Autoritetet malazeze dhe aktivistët po i kërkojnë Bashkimit Evropian të vazhdojë me zgjerimin, duke theksuar se anëtarësimi në BE është në interesin jetik të të gjitha vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Ndërsa autoritetet zotohen të mbajnë një rrugë evropiane, aktivistët paralajmërojnë se shtyrja e procesit të zgjerimit mund të ngadalësojë reformat në vende si Mali i Zi.
Aktivistja civile Dina Bajramspahic thotë se Brukseli duhet të ruajë perspektivën e anëtarësimit për Ballkanin Perëndimor, pavarësisht rezistencës së disa shteteve anëtare ndaj procesit. “Deklaratat pesimiste për politikën e zgjerimit të BE-së janë një injeksion i ri i praktikave autoritare për autoritetet malazeze. Pa atë perspektivë, autoritetet do të humbasin motivin për të bërë kujdes si sillen”, paralajmëroi Bajramspahic. “Fatkeqësisht, publiku ynë nuk ka vetëdije të mjaftueshme demokratike për t'i bërë presion autoriteteve që të jenë përgjegjës dhe t'i përmbahen kursit evropian”, shtoi ajo.
Vendi me 620,000 banorë i filloi negociatat e pranimit në BE në qershor 2012, gjashtë vjet pasi votoi ngushtë në një referendum për shpërbërjen e një bashkimi shtetëror me Serbinë.
Në gati nëntë vjet që kur filluan negociatat, vetëm tre nga 33 kapitujt negociues janë përfunduar. Vendi është në procesin e përmbushjes së kritereve të përkohshme në kapitujt delikatë të sundimit të ligjit, 23 dhe 24- “Sistemi gjyqësor dhe të drejtat themelore” dhe “Drejtësia, liria dhe siguria” – ndërsa është në fazat përfundimtare të të gjithë kapitujve të tjerë.
Më 29 shtator, Presidentja e Komisionit Von der Leyen tha se Mali i Zi kishte bërë progres më të madh drejt anëtarësimit të plotë në BE, ndërsa kryeministri Zdravko Krivokapiç pohoi se qeveria kishte vendosur integrimin evropian si përparësinë kryesore strategjike të politikës së jashtme. Presidenti Milo Djukanoviç i bëri thirrje Brukselit që të vazhdojë politikën e zgjerimit, duke thënë se anëtarësimi në BE ishte qëllimi i vetëm i duhur për vendet e Ballkanit.
Bajramspahic tha se qeveria duhet të punojë në mënyrë aktive në reforma, por edhe në lobimin ndërkombëtar.
“Qeveria duhet të gjejë të gjithë aleatët dhe miqtë e mundshëm të politikës së zgjerimit nga BE-ja dhe rajoni, dhe së bashku me ta të ndërgjegjësojë shtetet anëtare që bllokojnë integrimin e Ballkanit Perëndimor, për pasojat negative të qëndrimit të tyre ndaj vendeve tona”, tha ajo tha.
“BE-ja nuk do të jetë në gjendje të pozicionohet si një lojtar gjeostrategjik nëse nuk mund të përballojë Ballkanin e vogël dhe të dobët Perëndimor. Pasoja e keqkuptimit të BE-së për atë që po ndodh në rajon do të jetë prania në rritje e Rusisë dhe Kinës në rajon”, shtoi ajo.
Shqipëri: “Pengje të nacionalizmave të BE-së”

Si pjesë e vizitës së saj tre-ditore në Ballkanin Perëndimor, përpara Samitit të BE-së për Ballkanin Perëndimor më 6 tetor, Von der Leyen vizitoi Shqipërinë më 28 shtator, duke vizituar shkollat e dëmtuara nga tërmeti i vitit 2019 dhe të rindërtuara me fondet e BE-së, ku ajo tha: “E ardhmja e Shqipërisë është në Bashkimin Evropian”.
“Shqipëria ka përmbushur qartazi gjithçka që ne kemi kërkuar … jemi ne ata që duhet të japim tani”, tha Von der Leyen. “Unë jam vërtet e vendosur ta bëj të mundur këtë”, shtoi ajo, duke thënë se kjo mund të ndodhë deri në fund të vitit.
Shqipëria po pret pëlqimin e bllokut për të hapur bisedimet e anëtarësimit, pasi përpjekjet e fundit që nga viti 2019 dështuan. Por Konferenca e Parë Ndërqeveritare së bashku me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut nuk mund të mbahet këtë vit, pasi Bullgaria i bllokoi negociatat, duke cituar një mosmarrëveshje gjuhe dhe kulture me Maqedoninë e Veriut. Kryeministri shqiptar Edi Rama fajësoi “nacionalizmat e BE-së” për ngadalësimin.
“Ne jemi pengje të nacionalizmave të BE-së. Rruga e integrimit e Ballkanit Perëndimor varet gjithnjë e më shumë nga nacionalizmat e BE-së. Kur flas për nacionalizmat e BE-së, e kam fjalën për nacionalizmat e vendeve të fuqishme që mbajnë peng liderët të cilët ende nuk janë nacionalistë”, tha ai në Athinë në korrik, duke iu referuar bllokimit nga Bullgaria të Maqedonisë së Veriut.
Gjergji Vurmo, Drejtor Programi në Institutin për Demokraci dhe Ndërmjetësim, IDM, dhe një studiues i lartë mbi qeverisjen, zgjerimin dhe sigurinë e BE-së, me qendër në Tiranë, tha për BIRN: “Procesi i integrimit është ngadalësuar prej vitesh, ndërsa të paktën prej dy vitesh është në një krizë totale ekzistenciale.”
“BE-ja dhe ne, vendet e rajonit, i kemi harruar qëllimet e procesit”, shtoi ai.
“Procesi i integrimit të rajonit kishte për qëllim sjelljen e demokracisë, paqes dhe prosperitetit ekonomik në rajon. Aktualisht, të gjithë po debatojnë për procesin dhe si ta ringjallin atë”, tha Vurmo për BIRN. Ai tha se nevojitet një instrument i ri për të mundësuar qëllimet parësore të procesit.
“Në këtë pikë, ku kemi arritur instrumentalizimin e procesit nga vende të caktuara të BE-së dhe politikat e tyre populiste, është e nevojshme të rimendojmë një instrument të ri për të mundësuar arritjen e qëllimeve fillestare (paqe, demokraci, mirëqenie)”, shtoi ai.
Sipas Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, marrëdhënia midis Shqipërisë dhe BE-së bazohet në objektivin e integrimit në BE dhe është përparësi strategjike e politikës së jashtme të vendit. Interesi parësor i Shqipërisë në lidhje me BE-në është anëtarësimi në BE.
Në vitin 2003, Samiti i BE-së në Selanik konfirmoi perspektivën e anëtarësimit në BE për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përfshirë Shqipërinë.
Këshilli i BE-së përcaktoi përparësitë që Shqipëria duhej të përmbushte para fillimit të negociatave të pranimit: administrata publike, sundimi i ligjit, lufta kundër korrupsionit, krimi i organizuar, të drejtat themelore.
Serbi: Procesi i anëtarësimit në gjendje amullie prej vitesh
Anëtarësimi i Serbisë në BE ka qenë në agjendën e zgjerimit të BE-së që nga viti 2012 kur ajo u bë vend kandidat. Serbia aplikoi zyrtarisht për anëtarësim në Bashkimin Evropian më 22 dhjetor 2009 dhe në janar 2014 filloi negociatat për anëtarësim.
Megjithatë, procesi ka ngecur për vite. Serbia ka hapur vetëm 18 nga gjithsej 35 kapitujt e negociatave, ndërsa vetëm dy janë mbyllur përkohësisht. Në dy vitet e fundit, ajo nuk ka hapur asnjë kapitull, duke pasqyruar rrugën e ngadalësuar të Serbisë drejt anëtarësimit.
Ekipi i Serbisë për negociatat me BE-në nuk ka një shef zyre që nga shtatori i vitit 2019. Fushat me problemet më të mëdha janë drejtësia, liria e medias dhe lufta kundër korrupsionit, sipas raporteve të Komisionit Evropian mbi kapitujt kryesorë, 23 dhe 24, të cilët thuhet se ishin vendimtare për progresin e Serbisë në BE. Megjithatë, shumë i shohin marrëdhëniet konfliktuale të vendit me Kosovën, e cila shpalli pavarësinë nga Serbia në 2008, si një nga problemet kryesore.
Në shkurt 2020, BE-ja miratoi një metodologji të re për procesin e pranimit të krijuar për të rivendosur një “perspektivë të besueshme” për shtetet e Ballkanit Perëndimor. Ky sistem i ri ka për qëllim të garantojë mekanizma më të fortë për kushtëzimin pozitiv dhe negativ të vendeve kandidate.
Presidenti serb Aleksandër Vuçiç, i akuzuar nga opozita për autoritarizëm dhe uzurpim të të gjitha institucioneve, ka folur në favor të metodologjisë së re, por kur foli për kushtet e pranimit në janar 2020, nuk u duk i emocionuar me procesin e integrimit, duke i thënë presidentit francez Emmanuel Macron që vetë Franca sot nuk do të kishte qenë në gjendje të hapte ose plotësonte Kapitujt 23 dhe 24 në negociatat me BE-në.
Sonja Stojanovic Gajic, një studiuese e pavarur që ndjek procesin e integrimit të Serbisë në BE, tha për BIRN se arsyet e ngadalësimit të procesit të integrimit të Serbisë qëndrojnë si në problemet e brendshme të BE-së, ashtu edhe në mosgatishmërinë e Serbisë për të ndërmarrë reforma të thella dhe thelbësore strukturore.
“Pavarësisht problemeve dhe dallimeve të brendshme të BE-së, procesi i ngadaltë ka të bëjë më shumë me neglizhencën e qeverisë sonë, dhe shoqërisë në tërësi. Nëse do të kishte një gatishmëri të vërtetë për transformimin e kësaj shoqërie, në pesë vitet e ardhshme ne patjetër që mund të forcojmë institucionet për të punuar në favor të qytetarëve, por edhe për të zgjidhur probleme nga e kaluara me vendet fqinje”, tha Stojanovic Gajic për BIRN.
Nëse kjo nuk ndodh dhe Serbia nuk kryen reforma thelbësore, pavarësisht përpjekjeve për anëtarësim në BE, ajo mund të shohë dy skenarë të këqij në pesë vitet e ardhshme. “Skenari i parë është se si autoritetet serbe ashtu edhe vendet e BE-së thjesht pretendojnë se ne jemi duke negociuar, dhe se qeverisja, nën justifikimin e harmonizimit me BE-në, bëhet edhe më e keqe.”
“Shembulli për këtë është propozimi i fundit i Ligjit për Policinë që rrit lirinë e veprimit të politikanëve në lidhje me menaxhimin e policisë. Kjo do të thotë privatizim shtesë të kompetencave shtetërore nga partia në pushtet, gjë e cila do të çojë për pasojë që i gjithë aparati shtetëror të trajtohet zyrtarisht si pronë private e njerëzve në pushtet dhe jo si një e mirë publike”, tha ajo.
Ajo paralajmëron një skenar të mundshëm akoma më të keq ku kapja e shtetit do të maskohet duke ngritur incidente në rajone që do të shërbejnë si një justifikim për masa të jashtëzakonshme dhe mungesë llogaridhënieje.
“Në atë skenar, Serbia do të krijojë incidente dhe paqëndrueshmëri në vend ose përreth. Nuk ka pse të jenë konflikte të armatosura, mund të jetë edhe retorikë nxitëse ose incidente të vogla që do të bllokojnë jetën normale të njerëzve”, shtoi Gajic Stojanovic, duke iu referuar bllokimit të fundit në kufirin me Kosovën pasi kjo e fundit vendosi masa reciprociteti për çështjen e targave të automjeteve.
Maqedoni e Veriut: Sytë nga bllokada e Bullgarisë

Maqedonia e Veriut ka qenë një vend kandidat për t'u anëtarësuar në BE që nga viti 2005, por është lënë në dhomën e pritjes për mbi 16 vjet, duke mos qenë në gjendje të fillojë vërtetë bisedimet e pranimit në BE, pavarësisht rekomandimeve të përsëritura pozitive, kryesisht për shkak të bllokadave nga fqinjët e saj. Kur vendi zgjidhi përfundimisht një mosmarrëveshje të gjatë mbi emrin e tij me Greqinë në 2018, kjo u pa si një shtysë e madhe për perspektivat e vendit në BE. Maqedonia e Veriut e ndryshoi emrin e saj, dhe në këmbim, Greqia hoqi bllokadën e saj ndaj anëtarësimit të vendit në NATO dhe BE.
Por, në fund të vitit 2020, një fqinj tjetër, Bullgaria, bllokoi fillimin e bisedimeve të pranimit në Be të Maqedonisë së Veriut, duke përmendur mosmarrëveshjet mbi historinë, gjuhën dhe identitetin e saj, të cilat ajo këmbëngul se kanë rrënjë bullgare. Shkupi ndërkohë ka paralajmëruar se nuk do të bëjë kompromis mbi çështje të ndjeshme siç është identiteti kombëtar.
Shqipëria, e cila është në të njëjtën paketë aderimi me Maqedoninë e Veriut, ka rënë viktimë e kësaj mosmarrëveshjeje dhe nuk është në gjendje gjithashtu të fillojë bisedimet.
Pavarësisht shpresave se problemet me Bullgarinë mund të tejkalohen së shpejti me përfshirjen e Brukselit, Gjermanisë dhe vendeve të tjera të BE-së, një kompromis midis dy palëve nuk ndodhi. Bllokimi u zgjat gjatë vitit 2021 falë situatës politike në Bullgari, e cila nuk ishte në gjendje të zgjidhte një qeveri të re që mund të rifillonte bisedimet me Maqedoninë e Veriut gjatë dy zgjedhjeve të përgjithshme.
Mes ngërçit aktual, Shkupi shpreson se gjërat mund të ecin përpara nëse Bullgaria zgjedh një kabinet të ri pas zgjedhjeve të saj të treta të njëpasnjëshme të përgjithshme, që do të mbahen në nëntor.
Ndërkohë sondazhe të ndryshme të opinionit këtë verë kanë treguar se mbështetja publike për BE-në në vend ka rënë ndjeshëm si rezultat i bllokimit.
Në përpjekje për të ruajtur optimizmin, qeveria në Shkup këtë fundjavë, përpara samitit BE-Ballkani Perëndimor, tha se mbetet me shpresë që përparimi me Bullgarinë mund të zhbllokojë fillimin e bisedimeve të pranimit para fundit të vitit.
Kryeministri Zoran Zaev ka përsëritur se BE-ja duhet të dërgojë një sinjal të fortë në lidhje me perspektivën e vendit të tij dhe rajonit.
Duke komentuar dokumentet e zbuluara nga Reuters, duke hamendësuar se BE-ja mund të mos garantojë më një perspektivë për anëtarësimin e rajonit në BE, sidomos për shkak të rezervave nga disa vende, përfshirë Francën, ekspertët thonë se debatet për zgjerimin nuk janë asgjë e re.
“Ne jemi përballur tashmë me debate të tilla për çështjen e zgjerimit. Këto nuk duhet të na dekurajojnë. Ajo që ne si vende të Ballkanit Perëndimor mund të bëjmë është të mësojmë të jetojmë me këto debate, dhe si të përdorim ndërkohë më së miri mekanizmat tashmë në fuqi, si mekanizmi i Stabilizim Asociimit”, tha Simonida Kacarska, kreu i Institutit të Politikave Evropiane, EPI, tha një shoqatë me qendër në Shkup.
Ajo shtoi se vetë BE-ja po pëson ndryshime, por “ajo që është e rëndësishme për ne është që axhenda e BE-së, si një koncept për transformim demokratik dhe ekonomik për vendet tona, është ende e vlefshme për ne. Nuk ka asnjë plan B, përveç përpjekjes për të përfituar sa më shumë nga mjetet dhe mekanizmat ekzistues në dispozicion”, tha ajo.
Në kontrast me optimizmin e Shkupit për zhvillimet në muajt e ardhshëm, Kacarska tha: “Do të isha më e kujdesshme në lidhje me pritshmëritë se mosmarrëveshja Shkup-Sofje mund të kapërcehej së shpejti dhe se, si rezultat, bisedimet e pranimit në BE mund të zhbllokohen.”
“Edhe nëse Shkupi e kapërcen këtë pengesë formale nga Sofja, pas zgjedhjeve bullgare, çështjet e ngritura nga Bullgaria do të mbeten dhe do të duhet të adresohen në fazat e mëvonshme, gjatë bisedimeve me BE-në, ku Bullgaria do t'i ngrejë ato herë pas here.”
Kacarska beson se Brukseli është i vetëdijshëm se, për të ruajtur shtysën për zgjerim midis vendeve të Ballkanit Perëndimor, ai do të duhet “të japë një sinjal të rëndësishëm në atë drejtim”.
“Ky ose do të ishte fillimi i bisedimeve të pranimit në BE me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, ose liberalizimi i vizave për Kosovën. Por unë do të preferoja të mos kisha pritshmëri shumë të larta që kjo do të ndodhë së shpejti, para fundit të vitit”, tha ajo
Duke folur për kohën se kur duhen pritur këto sinjale, ajo tha: “Për sa i përket realpolitikës, ne nuk duhet të presim realisht ndonjë sinjal të rëndësishëm nga BE-ja në lidhje me rrjedhën e zgjerimit dhe perspektivat e tij para zgjedhjeve presidenciale franceze në prill 2022.”
Ndërkohë, ajo vazhdoi, “Unë nuk pres shumë nga samiti BE-Ballkan Perëndimor, pasi është më shumë një event formal. Formulimet nga ky samit gjithsesi do të jenë të rëndësishme, por nuk është një format që mund të prodhojë vendime të mëdha.”
Kacarska tha se ndërsa shtysa për zgjerimin e BE-së po përballet me sfida nga vendet e BE-së, ajo po përballet gjithashtu me një mungesë besimi dhe një përpjekje për reforma edhe nga vendet e Ballkanit Perëndimor.
“Përfitimi nga BE-ja është afatgjatë … Kjo është arsyeja pse disa qeveri ndonjëherë ngurrojnë të ndërmarrin reforma të mëdha dhe të dhimbshme, kështu që, në atë drejtim, nëse nuk mbajnë një vizion për të ardhmen, progresi në terren dhe entuziazmi në përgjithësi do të ngecin.”
Duke komentuar rënien e besimit popullor në procesin e zgjerimit të BE-së dhe dyshimet e shprehura të disa liderëve të Ballkanit Perëndimor përsa i takon premtimeve të BE-së, ajo tha se qeveritë e Ballkanit Perëndimor “duhet të mbajnë një komunikim strategjik me publikun në mënyrë që të mbajnë gjallë mbështetjen, por kjo është shumë e vështirë të bëhet, nëse mungon progresi konkret demokratik ose ekonomik brenda këtyre vendeve”.
Në këtë drejtim, ajo tha se një ngërç i zgjatur ose një sinjal negativ nga Brukseli për zgjerimin e BE-së mund të përbëjë një problem serioz sepse shtysa nga BE-ja dhe shtysa nga brenda Ballkanit Perëndimor janë të lidhura.
Kosovë: Asnjë perspektivë e qartë për anëtarësim
Ndër gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor, Kosova mbetet më larg objektivit të anëtarësimit.
Parlamenti i Kosovës ratifikoi një Marrëveshje Stabilizimi dhe Asocimi në 2015, por gjërat kanë ngecur që atëherë, ndërsa pesë vende anëtare të BE-së ende nuk e njohin pavarësinë e vendit nga Serbia të shpallur në shkurt 2008.
Donika Emini, drejtoreshë e platformës së shoqërisë civile të Kosovës, CivKos, tha për BIRN se qasja e zvarritur dhe ngurrimi nga BE-ja për të siguruar një perspektivë të qartë anëtarësimi për Kosovën prodhon sfida shumë-dimensionale.
“Dështimi i përsëritur i shteteve anëtare të BE -së për të rënë dakord për dhënien e liberalizimit të vizave Kosovës, pavarësisht se Kosova i ka përmbushur dhe zbatuar standardet e liberalizimit të vizave, është shembulli më i qartë se si politizimi errëson kushtëzimin (reformat). Për më tepër, kjo përcjell mesazhe shqetësuese se si kryeqytetet e BE-së devijojnë nga kushtëzimi i rënë dakord dhe rregullat e lojës”, tha Emini.
Dështimi për të ofruar një regjim pa viza për kosovarët, me perspektiva të paqarta për anëtarësim në BE dhe mungesë të pushtetit politike për të ndërmjetësuar dialogun midis Kosovës dhe Serbisë “thjesht zvogëlon vlerën e procesit dhe ndikon negativisht në besueshmërinë e procesit”, vuri në dukje ajo.
“Për Kosovën, status quo-ja është gjithmonë negative, dhe rrezikon të vërë në rrezik procese shumë të rëndësishme politike – siç është transformimi demokratik i vendit”, shtoi ajo.
Sipas mendimit të saj, mungesa e perspektivës së BE-së do të jetë e dëmshme për Kosovën jo vetëm në aspektin e realizimit të reformave dhe përfundimit të transformimit demokratik, por edhe në procesin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja me Serbinë.
“Pra, hezitimi i BE-së për të qenë efikas në të dyja jo vetëm që ka një ndikim të dëmshëm në Kosovë, por gjithashtu dëshmon se ndikimi transformues i BE-së nuk funksionoi”, paralajmëron Emini.
Edhe pse shumë dikur e panë Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit si një mënyrë që Kosova të thyente bllokimin e integrimit, gjërat nuk kanë evoluar aq shpejt sa pritej.
Emini fajëson rrugën e paqartë të anëtarësimit në BE, mungesën e vullnetit politik dhe krizat e shumta politike brenda Kosovës për suksesin e kufizuar në zbatimin e kësaj marrëveshjeje.
“BE-ja nuk duhet ta shohë Kosovën vetëm nga syri i Dialogut. Lidhja e Dialogut mes Kosovës dhe Serbisë me integrimin në BE qartazi i bën më shumë dëm reformave sesa shërben si katalizator i demokratizimit”, tha Emini.
Ajo pohon se rruga përpara është e mundur vetëm me një BE të angazhuar vërtet në procesin e integrimit në të.
“Procesi i integrimit në BE duhet të jetë një projekt rigoroz, i cili kompleton transformimin e vendit si dhe forcon ambiciet e politikës së jashtme të BE-së përmes një dialogu të suksesshëm Kosovë-Serbi”, shpjegoi Emini.
“Kjo nuk mund të arrihet përmes një qasjeje të vakët politike dhe pa një rrugë të qartë anëtarësimi për Kosovën dhe rajonin”, përfundoi ajo.