Kërcënimi rus ndaj Ukrainës nuk është e vetmja krizë e mundshme në Evropën Lindore këtë vit. Bosnja dhe Hercegovina po shkon drejt një periudhe trazirash të thella politike, me zgjedhje kyçe të planifikuara për në tetor.
Bosnja nuk ka qenë kurrë një vend pa komplikime. Në fund të shekullit të nëntëmbëdhjetë dhe në fillim të shekullit të njëzetë, ajo gjeneroi kriza njëra pas tjetrës, duke kontribuar përfundimisht në shpërthimin e Luftës së Parë Botërore. Më pas, me shpërbërjen e Jugosllavisë në fund të shekullit të njëzetë, vendi ishte skenë e një lufte brutale midis myslimanëve boshnjak, serbëve dhe kroatëve.
Marrëveshja e Dejtonit i dha fund konfliktit në vitin 1995, pasi më shumë se 100,000 njerëz ishin vrarë – përfshirë në masakrën gjenocidale të Srebrenicës në korrik – dhe pasi miliona të tjerë ishin dëbuar nga shtëpitë e tyre. Hapi i radhës ishte ndërtimi i një shteti funksional nga rrënojat. Por ushtritë e tre grupeve ishin të vetmet struktura funksionale të mbetura dhe shumë liderë lokalë e panë paqen si pak më shumë sesa vazhdimin e luftës me mjete të tjera. Shpresat se një brez i ri udhëheqësish jo-nacionalistë do të dilte nga hiri u shuan shpejt.
Edhe pse ndihma ndërkombëtare e ka transformuar vendin, duke mbuluar shumicën e gjurmëve të luftës, politika e tij mbetet thellësisht jofunksionale, për shkak të dominimit të vazhdueshëm politik të partive nacionaliste. Si rezultat, perspektiva e anëtarësimit të Bosnjës në Bashkimin Evropian duket gjithnjë e më e largët.
Në vlerësimin e tij vjetor të Bosnjës për vitin 2021, Komisioni Evropian vëren se “udhëheqësit politikë vazhduan të përfshiheshin në retorikë përçarëse dhe mosmarrëveshje politike jo konstruktive”. Praktikisht, nuk ka pasur asnjë progres në përmbushjen e 14 standardeve për fillimin e bisedimeve të pranimit në BE dhe “gjatë pandemisë, efektet negative të korrupsionit të përhapur dhe shenjat e kapjes politike vazhduan të shfaqen fuqishëm”. As zyrtarët e drejtësisë dhe as drejtuesit politikë nuk kanë arritur t’i trajtojnë këto probleme.
Për më tepër, për shkak të “fenomenit të përgjithësuar të korrupsionit” dhe një sektori publik “joefikas”, PBB-ja për frymë e Bosnjës mbetet vetëm një e treta e mesatares së BE-së. Vlerësohet se rreth gjysmë milioni njerëz janë larguar nga vendi gjatë viteve të fundit, duke humbur kështu talentet e reja tepër të çmuara për vendin.
Bosnja duhet të ishte shumë më mirë se sa ajo është 26 vjet pas përfundimit të luftës.
Në vend të kësaj, një tjetër krizë e thellë po afron. Lideri serb i Bosnjës, Milorad Dodik, po i bie daulles nacionaliste dhe po bën thirrje që Republika Srpska (një nga dy rajonet kryesisht autonome të vendit) të kërkojë pavarësi edhe më të madhe përballë qeverisë qendrore. Retorika po intensifikohet nga të gjitha anët, duke çuar në thirrje nga Christian Schmidt, Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Bosnje dhe Hercegovinën, për një tjetër ndërhyrje ndërkombëtare.
Por ky është ilaçi i gabuar për sëmundjen e Bosnjës. Një faktor në krizën aktuale politike është një ligj i ri i diskutueshëm që ndalon mohimin e gjenocidit, i imponuar verën e kaluar nga përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar në largim vetëm disa ditë përpara se të largohej nga detyra. Serbët e Bosnjës u përgjigjën menjëherë duke u tërhequr nga funksionet e përbashkëta shtetërore dhe Dodik që atëherë ka bërë ultimatume të ashpra.
Dodik herë pas here bën thirrje që Republika Srpska të shkëputet tërësisht nga Bosnja. Kjo retorikë bën që ai të dalë në titujt kryesorë të lajmeve, por nuk duhet marrë seriozisht. Në fund të fundit, si Serbia ashtu edhe Rusia kanë kërkuar qartë që të respektohet integriteti territorial i Bosnjës.
Por kriza ka thelluar përçarjet nacionaliste në Bosnje dhe ka nxjerrë në pah konfuzionin në zemër të rolit të supozuar të komunitetit ndërkombëtar në vend. A supozohet që Bosnja të jetë një protektorat, ku komuniteti ndërkombëtar mund të krijojë, imponojë dhe zbatojë vendime sipas dëshirës? Apo Bosnja është një vend vërtet sovran që duhet t’i zgjidhë vetë problemet e tij?
Në një farë kuptimi, zyra e Përfaqësuesit të Lartë Ndërkombëtar – një post që unë kam qenë i pari që e kam mbajtur pas luftës – është kthyer nga pjesë e zgjidhjes në një pjesë të problemit. Nga pala boshnjake, prania e saj fton kërkesa të vazhdueshme që të ndërmerren veprime ndërkombëtare kundër serbëve të Bosnjës apo kroatëve të Bosnjës. Ndërsa për grupet e fundit, ajo ngjall frikë se një veprim i tillë do të ndërmerret vërtet. Rezultati është paralizë dhe mosbesim, sepse asnjëra palë nuk ndjen nevojën për t’u ulur dhe për të diskutuar kompromiset e vështira të nevojshme për ta bërë vendin të funksionojë.
Një faktor kryesor në krizën aktuale janë zgjedhjet e përgjithshme të Bosnjës që do të mbahen më vonë këtë vit. Në zgjedhjet lokale të vitit 2020, partitë opozitare arritën fitore mbresëlënëse kundër forcave dominuese nacionaliste në Sarajevë dhe në qendrën serbe të Bosnjës, Banja Luka. Nga frika e humbjeve të mëtejshme, udhëheqësit nacionalistë nga të gjitha anët janë të etur për të krijuar një krizë të re për të trembur dhe mobilizuar bazat e tyre.
Është e rëndësishme që zgjedhjet e përgjithshme të mbahen siç është planifikuar. Por më pas, komuniteti ndërkombëtar duhet të rishqyrtojë qasjen e tij ndaj Bosnjës. Nëse nuk është gati të marrë kompetencat e plota të protektoratit, ai duhet të tërhiqet dhe t’i lërë liderët e vendit që t’i zgjidhin gjërat vetë. Ai proces do të jetë i ngadaltë dhe i vështirë, por duhet të ndodhë herët a vonë nëse Bosnja dëshiron të ketë ndonjë shans për të funksionuar si një vend sovran.
Duke u tërhequr, komuniteti ndërkombëtar duhet të vendosë dy kushte të vështira: integriteti territorial i Bosnjës duhet të ruhet; dhe misioni i vogël ushtarak i BE-së në vend duhet të mbetet, sepse ka kapacitetin të thërrasë përforcime të shpejta të NATO-s, nëse është e nevojshme.
Ky vit padyshim do të jetë politikisht i trazuar për Bosnjën. Nacionalistët serbë të Bosnjës do të duan që t’u jepet më shumë pushtet dhe Dodik – pavarësisht sanksioneve të reja të SHBA-së kundër tij – mund të përfshihet në më shumë hapa për të mbledhur mbështetësit e tij. Në të njëjtën kohë, nacionalistët boshnjakë do të kërkojnë që më shumë pushtet të centralizohet në Sarajevë dhe ata do të kërkojnë ndihmën e komunitetit ndërkombëtar për ta imponuar këtë. Nacionalistët kroatë të Bosnjës, nga ana e tyre, do të mbeten thellësisht të pakënaqur (jo në mënyrë të paarsyeshme) me një ligj zgjedhor që praktikisht u mohon atyre përfaqësimin në organin më të lartë vendimmarrës të vendit.
Kjo krizë politike sigurisht nuk është e para për Bosnjën dhe nuk do të jetë e fundit. Thirrjet për një tjetër ndërhyrje masive ndërkombëtare nuk janë befasuese, por janë të pamenduara. Bosnja nuk duhet të trajtohet më si protektorat. Ndërsa BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara mbeten të gatshme për të ndihmuar, janë boshnjakët si përfundim që duhet të marrin përsipër përgjegjësinë për Bosnjën.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. Bosnia’s Next Crisis