Ishte një e shtunë pasdite, në Autoritetin Portual Naxos, kur mbërriti një mesazh urgjent: Një tjetër trup i pajetë ishte gjetur në plazhin e Glyfadës, një pikë turistike në verë, e vizituar rrallë në dimër. Rojet bregdetare shkuan atje dhe gjetën trupin e dekompozuar të një fëmije, ndoshta 12 vjeç. Në çantën e shpinës, aty pranë, kishte ushqime për udhëtimin, thuhet në raportet e publikuara më vonë në shtypin grek.
Që nga 4 janari, gjithnjë më shumë trupa janë zbuluar në plazhet e ishujve të Egjeut, Folegandros, Naxos dhe Paros, të gjithë nga anijet që u mbytën mes Krishtlindjeve dhe Vitit të Ri.
Kësaj radhe, deti kishte bërë të vetin për ata që përpiqeshin të arrinin në Evropë përmes të ashtuquajturës “rrugë kalabreze”, duke kaluar detin me varka të vogla nga Turqia drejt në Itali. Dhe ende nuk ka mbaruar.
Viti 2021 ishte një vit i zymtë për ato që quhen “vlera evropiane”. Gardhe të reja në kufijtë e jashtëm të BE-së, sisteme mbikëqyrjeje të teknologjisë së lartë, dhunë e rregullt shtetërore ndaj njerëzve të pafajshëm dhe kundërpërgjigje vdekjeprurëse u përdorën në emër të një “lufte hibride”, për “sigurinë kufitare”, kundër “emigrimit të paligjshëm” dhe në emër të “mbrojtjes”, duke shtrembëruar realitetin e njerëzve që u largohen luftërave dhe varfërisë dhe mësyjnë drejt kufijve të Evropës.
Që nga viti 2011, afërsisht dy dekada pas rënies së Murit të Berlinit, kur filluan të ndërtohen gardhet e para në Evropë si një masë afatshkurtër për të mbajtur jashtë emigrantët, është bërë e qartë se emigrimi nuk mund të frenohet. Njerëzit që nuk kanë mënyra ligjore për t’u larguar nga mjerimi, zgjedhin mënyra të rrezikshme dhe fshehurazi.
Më 24 nëntor 2021, 27 emigrantë dhe refugjatë humbën jetën kur gomonia me të cilën po përpiqeshin të kalonin kanalin mes Francës dhe Britanisë u shfry. Ishte tragjedia më e rëndë në dekada e regjistruar në detin mes dy vendeve. Kryeministri britanik Boris Johnson tha se ishte i tronditur, megjithatë, shumë biseda për kontrollet e dakorduara të kufijve në kuadrin e Brexit kanë dhënë pak rezultate.
Në fillim të dhjetorit 2021, Sllovenia akuzoi Kroacinë për hapjen e kufijve dhe për inkurajimin e emigrantëve dhe refugjatëve që t’i kalojnë ato dhe të aplikojnë për azil tek fqinji i saj. Një hetim mbi “rrugën e Ballkanit Perëndimor” raportoi në tetor se forcat e policisë kroate po rrihnin dhe po i kthenin pas ilegalisht emigrantët dhe refugjatët në Bosnje dhe Hercegovinë. Rojet kufitare rumunë ndërkohë kthyen pas refugjatë në Serbi. Në fillim të shtatorit 2021, Bullgaria dërgoi trupa në kufirin me Turqinë dhe Greqinë për të mbështetur 1,000 policë që ishin vendosur atje për të ndaluar refugjatët që vinin nga Afganistani.
Emigrimi po sfidon perceptimet e kontrollit kufitar, siç u pa në konfrontimin e vitit të kaluar midis Polonisë dhe Bjellorusisë për emigrantët që vinin përtej kufirit polak. Fjalimi i vitit ka qenë ai për një “luftë hibride” që pretendohet se po zhvillohet nga vende në kufi të Bashkimit Evropian, si Turqia dhe Bjellorusia, të akuzuara për manipulim dhe armatosje të emigrantëve dhe refugjatëve për t’i shtyrë ata drejt BE-së, në mënyrë që të destabilizojnë atë.
Kthimet e emigrantëve nga disa vende thjesht e devijojnë fluksin gjetkë
Sipas Frontex, gjatë vitit 2021, rrugët e Evropës Qendrore dhe asaj Perëndimore ishin ato më vdekjeprurëse, të ndjekura nga “Rruga e Atlantikut”. I ashtuquajturi “kalimi i Mesdheut Lindor” regjistroi pak më pak vdekje, por pati edhe humbje. Arsyeja për këtë është se Greqia, e cila është përdorur si një zonë amortizuese nga vendet e BE-së që nuk duan të presin vetë refugjatët, tani po kryen kthime të rregullta emigrantësh.
Në një përballje me gazetaren holandeze Ingeborg Bruegel, disa muaj më parë, kryeministri Mitsotakis e pranoi në mënyrë indirekte këtë praktikë. Në një intervistë për gazetën greke Kathimerini, ai shkoi edhe më tej duke hedhur poshtë ankesat për kthim pas të emigrantëve, duke thënë se roja bregdetare greke kishte të drejtë të bënte gjithçka “që të shikojë që ajo varkë me emigrantë të kthehet në pikën nga ajo është nisur”.
Kjo politikë u përkthye kohët e fundit në deportimin në Turqi të refugjatëve sirianë pasi grupi, i cili nisi udhëtimin e tyre për në Itali nga Libani, pretendoi se varka e tyre u kap në ishullin grek të Kastelorizos.
Në një rast tjetër, 30 azilkërkues kubanë që hynë në Greqi nga Maqedonia e Veriut u dëbuan në Turqi, iu hoq e drejta për të aplikuar për azil dhe iu konfiskuan pasaportat. Në shtator, një përkthyes i Bashkimit Evropian tha se rojet kufitare greke që e ngatërruan atë me një azilkërkues, e sulmuan atë dhe e detyruan të kalonte kufirin në Turqi, së bashku me dhjetëra emigrantë.
Mesazhi që qeveria greke dhe partnerët e saj evropianë duan t’u përcjellin njerëzve në kampet në Turqi është dhënë me sukses: “Mos shkoni në Greqi dhe mos hyni në Evropë. Ose do të vdisni rrugës ose do të burgoseni derisa të deportoheni në Turqi”.
Kjo është politika e vërtetë evropiane për këtë çështje. A është ajo e suksesshme? Në nëntor, Kroacia tha se kishte reduktuar kalimet ilegale të kufirit me 45 për qind dhe se emigrantët tani po merrnin një rrugë tjetër përmes Rumanisë. E njëjta gjë vlen edhe për detin Egje, ku pati pak më pak ardhje vitin e kaluar. Ndërkohë, numri i njerëzve të humbur në det në përpjekje për të arritur në Spanjë u dyfishua brenda një viti. Në total, pesë azilkërkues u mbytën në Mesdhe çdo ditë në vitin 2021. Njerëzit vazhdojnë të marrin rrugë gjithnjë e më të rrezikshme, ndërsa fluksi i pafund i emigrantëve vazhdon të ndryshojë kurs, drejt një jete me shpresë. Shumica nuk do të ndalen për sa kohë që shkaqet e emigrimit mbeten të pazgjidhura.
Ndërsa qeveritë e rajonit të Ballkanit përpiqen të mbyllin kufijtë e tyre, ato harrojnë gjithashtu se popujt e tyre dikur ishin në të njëjtën pozitë. Gadishulli Ballkanik është dhe ka qenë gjithmonë një burim emigrimi. Evropa e pasluftës, e themeluar mbi demokracinë dhe të drejtat e njeriut, po kthehet gradualisht në një arenë për politika çnjerëzore dhe të paligjshme ndaj njerëzve të pafajshëm.
Opinionet e shprehura janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.