Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla dhe Bledar Dervishaj, këshilltar ligjor i Presidentit të Republikës, u përshëndetën në fund të seancës gjyqësore në Gjykatën Kushtetuese ku u mbyll shqyrtimi i kërkesës së socialistëve për shkarkimin e presidentit Ilir Meta, duke takuar grushtet, buzëqeshur dhe kërkuar formalisht ndjesë për kohën e marrë.
Por seanca e ndarë në dy pjesë, me rreth një orë secila, nuk qe aq shfaqe xhentëlmenësh. Dervishaj në leximin e mbrojtjes akuzoi Kuvendin për falsifikim të datës në vendimin për ngritjen e komisionit hetimor, ndërsa cilësoi si antikushtetues të gjithë procesin dhe kërkoi rrëzimin e kërkesës për shkarkim.
Dervishaj dhe kolegia e tij i vunë gjykatës përmes një laptopi edhe të dëgjonte sekuenca disa sekondëshe të fushatës së kryeministrit Edi Rama, duke e fajësuar atë për fyerje të presidentit dhe presidencës.
Nga ana e tyre katër përfaqësues të Kuvendit, deputetët Taulant Balla dhe Klotilda Bushka, Drejtoresha e Shërbimit Juridik në Kuvend Mimoza Arbi dhe eksperti kushtetues Erind Mërkuri, morën secili fjalën për të kundërshtuar pretendimet e presidencës. Madje në një rast Mërkuri i kërkoi të heshte koleges Arbi fillimisht të ulej dhe më pas të heshte, ndërsa përpiqeshin t’i shpjegonin gjykatës datat në dokumentet e kuvendit.
Bushka lexoi konkluzionet dhe këmbënguli se Meta kishte bërë “shkelje të rëndë të kushtetutës dhe betimit me dorën mbi kushtetutë”. Deputetja tha se shkarkimi do ishte vendosje e një standardi përgjegjësie, ndërsa akuzoi presidentin se kishte diskretituar funksionin e lartë dhe se kishte marrë pjesë në fushatë zgjedhore kundër mazhorancës.
Në fund të seancës kryetarja e Gjykatës Kushtetuese, Vitore Tusha njoftoi tërheqjen e trupës për vendim. Tusha nuk përcaktoi një kohë për shpallje të vendimit, por tha se i zbardhur ai do të publikohej pas 30 ditësh.
Argumentet mbi procedurë
Në pjesën e parë të seancës palët u angazhuan në një debat mbi procedurën. Dervishaj paraqiti si prova të reja, ndryshimet e datave mes një dokumenti të protokolluar në Kuvend dhe versionit të tij online dhe këmbënguli se ndryshimet ishin të qëllimshme.
Në seancë ai tha se kjo e bënte procesin e ngritjes së komisionit hetimorë të paligjshëm dhe i kërkoi gjykatës ta rrëzonte kërkesën e Kuvendit bazuar mbi shkeljet proceduriale.
Dervishaj këmbënguli se presidentit nuk i ishte dhënë mundësia të dëgjohej në Kuvend. Ai po ashtu paraqiti fushatën e Ramës dhe disa segmente që pretendoi se i adresoheshin presidentit si prova që procesi ishte i nxitur politikisht.
“Edhe mos harroni asnjëherë patronazhistët ju njohin kush jeni”, u dëgjua Rama nga laptopi i një ndihmëseje të Gjykatës Kushtetuese që iu dha mbrojtjes në seancë.
Por pas paraqitjes së tre segmenteve video e audio nga fushata e kryeministrit Edi Rama, Dervishaj tha se nuk do e lexonte pjesën tjetër të përgjigjeve për 72 pyetjet që i ishin bërë.
Këmbënguljes së kryetares së Gjykatës Kushtetuese Vitore Tusha, se ishim në një seancë publike qëllimi i të cilës ishte tu jepte mundësi palëve të diskutonin publikisht, Dervishaj iu përgjigj se mjaftohej me versionin e dorëzuar me shkrim.
Në krahun tjetër përfaqësuesja e Kuvendit, Arbi mbrojti procedurën e ndjekur. Ajo sqaroi se vendimi për të miratuar në seancë komisionin dhe më pas raportin ishte marrë në datën 5 maj 2021, por se ishte firmosur nga kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi në 6 maj, kur raporti ishte përfundimtar. Arbi shpjegoi se në internet ndryshimi ishte bërë për të reflektuar këtë kohë, por se dokumenti origjinal dhe ai i publikuar në faqe ishin të njëjtë.
Ndërsa Arbi po i kthente përgjigje pyetjes së kryetares në lidhje me procedurat e ndjekura, ndërhyri Mërkuri. Ky në fillim i kërkoi Arbit të ulej dhe mori vetë podiumin, por kur përfaqësuesja e kuvendit foli sërish në përgjigje të pyetjes ndërsa ende nuk ishte ulur Mërkuri i bëri me shenjë të heshte dhe iu përgjigj vetë pyetjes.
Kreu i grupit parlamentar të socialistëve Taulant Balla po ashtu foli në këtë pikë duke shpjeguar procedurat e ndjekura nga komisionet hetimore. Balla tha se e vetmja datë e mundshme për seancën për të miratuar komisionin ishte 7 maj dhe tha se kjo procedurë ishte e detyrueshme për kryetarin e Kuvendit dhe se ishte respektuar. Balla tha se kjo ishte një procedurë e zakonshme e ndjekur në Kuvend që prej vitit 2002.
Bushka këmbënguli se presidentit i ishte dhënë mundësia të fliste, por se e kishte injoruar parlamentin dhe e kishte konsideruar atë jo legjitim. Bushka po ashtu këmbënguli se fjalimet e Ramës në fushatë ishin ato të një kryetari partie dhe nuk mund të merreshin si argumente. Bushka tha se Rama ashtu e kishte parë “të arsyeshme të bënte fushatë”.
Konkluzionet përfundimtare
Bushka lexoi edhe përfundimet e shumicës parlamentare. Deputetja, e cila ishte sekretare e Komisionit Hetimor “Për hetimin e shkeljeve të rënda kushtetuese nga Presidenti i Republikës së Shqipërisë”, tha se Presidenti i Republikës kishte shkelur më shumë se njëherë kushtetutën dhe se ishet bërë palë me opozitën në zgjedhjet parlamentare.
Duke iu referuar thirrjeve të Metës gjatë fushatës për të “mprehur sfurqet e sopatat”, Bushka tha se ai kishte nxitur dhunë dhe ndasi, përkundër faktit që ishte përfaqësues i unitetit dhe betimit të bërë “me dorë në kushtetutë”.
Bushka po ashtu akuzoi Metën se kishte dalë jashtë kompetencave të tij në marrëdhëiet ndërkombëtare të vendit, duke akuzuar përfaqësuesit e SHBA në Shqipëri për ndërhyrje në punët e brendshme dhe aluduar se ata kishin tentuar ta vrisnin. Ajo tha se Meta kishte anashkaluar gjykatën dhe kishte bërë thirrje për vetëgjyqësi.
Ajo këmbënguli në fund të fjalës se ishin ndjekur procedurat dhe Metës i ishte dhënë mundësia të përgjigjej në Kuvend por se e kishte refuzuar atë. Ajo tha se mbrojtja ishte kontradiktore në pretendimin e ilegjitimitetit të parlamentit pas largimit masiv të deputetëve të opozitës dhe solli si provë se presidenti i ishte përgjigjur këtij parlamenti një vit më herët.
Bushka tha se nuk kishte asnjë precedent të një sjellje të ngjashme me atë të Metës në botë dhe i kërkoi gjykatës që të vendoste në favor të shkarkimit të tij edhe mbi akuzat e shkeljes së të drejtave të njeriut dhe të ngjashme. Ajo tha se ai kishte denigruar përfaqësues të shumicës dhe kishte bërë haptazi thirrje për të “votuar ndryshimin”.
Në konkluzionet e tij Dervishaj këmbënguli se ndërhyrjet e Metës para dhe gjatë fushatës së fundit zgjedhore nuk kishin qenë marrje krahu. Ai tha se presidenti kishte kritikuar si shumicën ashtu edhe opozitën.
Njësoj si në pretendimet publike të Metës ai këmbënguli se ndërhyrjet vinin për shkak të rrethanave të veçanta dhe situatës në të cilën ndodhej vendi dhe se mosreagimi në këtë rast ishte pranim i diktaturës.
Dervishaj këmbënguli se çfarë nuk tingëllonte mirë, kishte të bënte me temperamentin, por tha se kjo nuk mund të ishte shkak për shkarkim. Ai këmbënguli se raportet e OSBE/ODHIR për zgjedhjet i kishin dhënë të drejtë presidentit dhe e cilësoi kërkesën për shkak një sulm politik ndaj institucionit. Dervishaj tha se Meta kishte qenë paqësor dhe kishte reaguar vetëm në mbrojtje të të drejtës së votës.
Sipas këshilltarit ligjor të Metës një pjesë e deklarimeve të tij ishin nxjerrë nga konteksti dhe po përdoreshin për të sulmuar atë në proces që ai e cilësoi si antikushtetues. Dervishaj pretendoi se një vendim i Gjykatës Kushtetues të Rumanisë për mënyrën se si duhej të sillej presidenti ishte tregues se në ushtrim të funksioneve të tij kryetari i shtetit nuk mund të ishte pasiv dhe se mund të mbante qëndrime politike. Në fund ai kërkoi rrëzimin si antikushtetues të gjithë procesit.
Deputeti Taulant Balla e kundërshtoi krahasimin me Rumaninë duke vënë në dukje se ajo ishte republike “semi-presidenciale”, ku presidenti kishte më shumë kompetenca, mund të mblidhte qeverinë dhe mbetej anëtar i forcës politike në të cilën bënte pjesë.