
Pak ditë më parë, Partia Demokratike e qendrës së djathtë, shpesh e vetëshpallur me prirje konservatore, kujtoi 30-vjetorin e fitores së saj të parë dërrmuese në mars 1992, e cila i dha fund diktaturës brutale komuniste njëpartiake të vendit.
Partia ishte krijuar nga një lëvizje studentore antikomuniste, intelektualë dhe forca të tjera të shoqërore të bashkuar për t’iu kundërvënë sundimit të padurueshëm, me grusht të hekurt, të Partisë së Punës komuniste dhe për ta nxjerrë Shqipërinë nga prapambetja e saj ekstreme politike, ekonomike dhe sociale.
Gjatë tre dekadave në vijim, Partia Demokratike qeverisi Shqipërinë për 13 vjet, e udhëhequr nga kardiologu i mirënjohur Sali Berisha, fillimisht si president i Shqipërisë, nga viti 1992 deri në 1997, pastaj për dy mandate të tjera, si kryeministër, nga viti 2005 deri në 2013.
Atë vit, partia humbi zgjedhjet legjislative dhe Berisha u largua si kryetar partie, duke i hapur rrugën të mbrojturit të tij, Lulzim Bashës.
Marrja e partisë nga ana e Bashës pritej të sillte një fillim të ri dhe një epokë të re për partinë pas lidershipit të fortë, por shumë të kritikuar të Berishës.
Por, ndryshe nga pritshmëritë, nën pretendimin e të ashtuquajturave “reforma”, Basha përdori mbështetjen e liderit historik si një mjet për të përjashtuar politikanë të profilit të lartë nga partia dhe për të shtrënguar kontrollin e tij në drejtimin e partisë. Lidershipi i tij ishte shumë i ngathët për të reformuar vërtetë partinë, për të ndërtuar një model të ri politikëbërjeje ose për ta rikthyer partinë në pushtet.
Pavarësisht humbjeve të njëpasnjëshme elektorale, më e fundit në zgjedhjet parlamentare të prillit, Basha u kap pas kryesimit të partisë dhe bëri premtime për rikthimin e saj të shpejtë në pushtet.
Lëvizja e SHBA-së e ndan partinë në dy kampe

Nëse SHBA-ja nuk do ta kishte shpallur ish-liderin e partisë Berisha “persona non grata”, partia do të ishte zhdukur në heshtje, e izoluar dhe e braktisur nga elektorati i saj dhe nga publiku i gjerë për shkak të performancës së dobët.
Shpallja “non grata” e ish-kryeministrit bëri bujë në parti dhe për habinë e të gjithëve, me kërkesën e ambasadores amerikane në Tiranë, Basha e pezulloi Berishën nga grupi parlamentar.
Kjo erdhi si goditje për Berishën dhe për shumicën e anëtarëve të partisë, të cilët tashmë ishin të lodhur duke e parë veten ende në opozitë edhe pas tetë vjetësh. Kjo i dha fund papritur marrëdhënies së mirë mes Berishës dhe Bashës dhe e ndau partinë në dy kampe antagoniste.
Berisha mblodhi mbështetjen në bazë dhe në kuvendin e tij shkarkoi Bashën si kryetar partie, ndryshoi statutin e Partisë Demokratike dhe ndërmori nismën për riorganizimin e partisë fund e krye.
Por Basha nuk i njohu këto vendime dhe qëndroi me kokëfortësi në detyrë deri në një tjetër humbjeje, atë në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit, të cilat e detyruan atë të largohej pasi një shumicë dërrmuese e deputetëve të tij i bëri presion të bënte një hap pas.
Ribashkimi i partisë nuk është sfida më e madhe

Ndërsa kriza po vlonte, të dyja palët u angazhuan në retorikë poshtëruese që shkaktoi më shumë tension dhe krijoi një çarje të thellë në parti që e ndau atë nga lart poshtë.
Por dorëheqja e Bashës dhe një vendim gjykate për ligjshmërinë e “Konventës Kombëtare” të Berishës më 11 dhjetor, hoqën një pengesë që pengonte ribashkimin e partisë.
Berisha ka dëshmuar se është ende figura më me ndikim midis anëtarëve të partisë dhe gjithë opozitës dhe shumica e fraksionit të Bashës tani ka të ngjarë të bashkohet me këtë grup dhe partia do të ribashkohet nën drejtimin e ish-kryeministrit.
Megjithatë, uniteti brenda partisë nuk është sfida më e madhe me të cilën përballet PD-ja në muajt e ardhshëm. Kjo sepse Berisha është edhe pika më e fortë edhe më e dobët e partisë së tij.
Ai ka treguar se është ai që ushtron autoritetin dhe se është ai qendra e gravitetit brenda partisë, por rezultati i zgjedhjeve të fundit tregon se partia ende përballet me një ngjitje të pjerrët, në përpjekje për të mposhtur Partinë Socialiste të kryeministrit në detyrë Rama.
Kjo është për shkak të një kombinimi të arsyeve historike dhe bashkëkohore.
Partia Socialiste, pasardhëse e Partisë së vjetër komuniste të Punës, është fraksioni politik më i vjetër në pushtet në Shqipëri dhe ka bazën më të madhe të çdo partie në vend.
Duke qenë se votuesit shqiptarë priren të jenë partiakë dhe fushatat elektorale të drejtuara nga pushteti, kjo i lë socialistët me një avantazh të qartë ndaj qendrës së djathtë të spektrit politik.
Përveç kësaj, 30 vjet pas rënies së regjimit komunist, ka një zhgënjim të madh me politikën partiake, në të cilën Berisha ka qenë një lojtar kyç.
Për ta përkeqësuar edhe më tej situatën për opozitën, Shqipëria është tkurrur demografikisht vitet e fundit. Edhe pjesëmarrja në zgjedhje ka rënë vazhdimisht dhe mbetet për t’u parë se si Partia Demokratike nën drejtimin e Berishës mund të arrijë dhe t’i nxisë këta votues të zhgënjyer.
Berisha ka treguar në të kaluarën se është i aftë të ringrejë vetën dhe partinë, por siç janë gjërat, koha s’është aspak në favor të tij.
Ai ka dekada në politikë, gjë e cila i ka konsumuar shumë energji. Përveç kësaj, ai ka qenë një mbështetës i vendosur i SHBA-së në rajon gjatë gjithë karrierës së tij politike, por shpallja e tij si “persona non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit vitin e kaluar e vë atë kundër administratës amerikane.
Rikthimi i tij në krye të partisë pritet të tensionojë marrëdhëniet e partisë me administratën aktuale të presidentit Biden. Në një deklaratë të vitit të kaluar, Zëvendës Ndihmës Sekretari i Shtetit, Gabriel Escobar, paralajmëroi për pasojat nëse Berisha zgjidhet në krye të Partisë Demokratike.
Por, që atëherë situata ka ndryshuar. Rezultati i zgjedhjeve të pjesshme të 6 marsit panë Berishën t’ia kalonte Bashës dhe të dilte si i vetmi kundërshtar politik që përballet me kryeministrin Rama. Kjo mund të sjellë një rikalibrim të qasjes së SHBA-së ndaj Partisë Demokratike dhe Berishës.
Opinionet e shprehura janë vetëm ato të autorit dhe jo domosdoshmërish pasqyrojnë pikëpamjet e BIRN.