Pas rizgjedhjes së Viktor Orban si kryeministër i Hungarisë për një mandat të katërt radhazi, propaganda pro-ruse vazhdoi të përhapet në internet në vend, pavarësisht mbështetjes zyrtare të qeverisë së Budapestit për vendosjen e sanksioneve nga ana e BE-së ndaj Moskës.
Dy raste të tilla janë dokumentuar në këtë analizë të fundit dy-javore të shkeljeve online, e realizuar nga monitoruesit e BIRN në Bosnje dhe Hercegovinë, Hungari, Maqedoninë e Veriut, Rumani dhe Serbi.
Ndërkohë, gazetarët janë shënjestruar online në Serbi dhe Rumani, ndërsa regjistrime bisedash të publikuara në internet nxjerrin në pah fërkimet politike dhe rastet e korrupsionit të dyshuar në Bosnje dhe Maqedoninë e Veriut.
Në Hungari përhapet dezinformimi për luftën në Ukrainë
Pavarësisht votimit për sanksionet e BE-së dhe shfaqjes së mbështetjes humanitare për refugjatët që ikin nga lufta në Ukrainë, Hungaria vazhdon të tregojë një ngurrim për t’iu bashkuar plotësisht bllokut evropian në dënimin e pushtimit rus.
Kryeministri Viktor Orban, pas fitores së tij të katërt zgjedhore më 3 prill, e përmendi presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky si kundërshtar në fjalimin e tij të fitores, konfirmoi se nuk do të ndërmarrë asnjë veprim kundër Bankës Ndërkombëtare të Investimeve të themeluar nga Rusia dhe këmbënguli që Rosatom i Rusisë do të vazhdojë ndërtimin e një termocentrali të i ri bërthamor në Hungari.
Duke pasur parasysh këtë kontekst, është e qartë pse propaganda pro-ruse është shumë e përhapur në Hungari, ku media pro-qeveritare mbështesin partinë në pushtet të Orban, Fidesz.
Më 4 prill, mijëra përdorues hungarezë të Facebook-ut filluan të shpërndanin foto të një burri të mbuluar me tatuazhe naziste, duke pretenduar se ai ishte “zëvendës shefi i policisë së Kievit”. Megjithatë, njeriu, emri i të cilit ishte Artem Bonov, nuk u shfaq në listën e punonjësve në faqen e internetit të Policisë së Kievit dhe u zbulua se ishte një aktivist i njohur i së djathtës ekstreme.
Më 8 prill, në Hungari u regjistruan dy raste të ndara dezinformimi dhe propagande. Në rastin e parë, disa faqe propagande ruse në gjuhën hungareze dhe faqet e tyre në Facebook përhapën informacione të rreme se nuk ka pasur masakër në qytetin ukrainas Bucha dhe se raportet për viktimat civile ishin të rreme.
Disa artikuj që përfshinin një video të masakrës në Bucha pretendonin në mënyrë të rreme se një nga trupat e vdekur të shtrirë në rrugë në të vërtetë po lëvizte, se kishte prova se masakra nuk ndodhi dhe se regjistrimet e bëra pas rimarrjes së qytetit ishin inskenuar.
Në rastin e dytë, pas miratimit të paketës së pestë të sanksioneve që synojnë ekonomitë ruse dhe bjelloruse nga Parlamenti Evropian, agjencia shtetërore hungareze e lajmeve MTI raportoi lajmin sikur eurodeputetët e Fidesz nuk kishin votuar pro sanksioneve.
Megjithatë, pavarësisht një pretendimi nga eurodeputetja e partisë Fidesz, Kinga Gal, e cila tha në Facebook se kolegët e saj eurodeputetë të Fidesz votuan me shumicë dërrmuese kundër propozimit për të vendosur një embargo ndaj gazit, naftës dhe energjisë bërthamore nga Rusia, propozimi i BE-së u mbështet nga eurodeputetët e Fidesz.
Gazetarët në shënjestër në Serbi dhe Rumani
Gazetarët vazhdojnë të sulmohen verbalisht nga media pro-qeveritare dhe figura politike në të gjithë rajonin dhe në fillim të prillit pati disa incidente në Serbi dhe Rumani.
Më 1 prill, Verica Marincic, një gazetare nga qyteti Indjija në Serbi, e cila punon për faqen e internetit IN Medija, raportoi se ajo mori kërcënime serioze përmes Facebook-ut.
Marincic tha se ajo beson se mesazhet kërcënuese ishin të lidhura me një artikull që ajo publikoi në lidhje me sjelljen e një prifti vendas i cili u arrestua disa ditë më parë pasi refuzoi të paguante për disa produkte nga dyqani lokal Lidl.
Në një rast tjetër më 5 prill, gazetari sportiv Milojko Pantic tha se kanali i tij në YouTube, i cili gjithashtu ka përmbajtje politike kritike ndaj qeverisë së udhëhequr nga Partia Progresive Serbe, ishte hequr nga platforma pa shpjegime.
Pantic tha se ai besonte se mbyllja e kanalit të tij kishte të ngjarë të lidhej me publikimin në kanalin YouTube të emisionit të tij për dështimet demokratike të Serbisë, i cili u ngarkua para zgjedhjeve parlamentare dhe presidenciale më 3 prill.
Ndërkohë në Rumani, Reporterë pa Kufij tha në një raport në faqen e saj të internetit se liria e shtypit mbetet e cenueshme pasi “vizioni i qeverisë për gazetarinë dhe lirinë e shprehjes inkurajon censurën dhe vetëcensurën”.
Organizata shtoi se “mekanizmat për financimin e medias janë, në shumë raste, të errëta apo edhe të korruptuara, dhe politikat editoriale janë në varësi të interesave të pronarëve, të cilët shpesh i përdorin ato si mjete propagande”.
Në një shembull të fundit të mjedisit të trazuar mediatik në vend, gazetarja e njohur investigative Emilia Sercan tha më 4 prill se ajo ishte vënë në shënjestër pasi publikoi materiale duke pretenduar se kryeministri rumun Nicolae Ciuca e kishte plagjiaturë një pjesë të tezës së doktoraturës.
“Gjatë një muaji të vetëm, isha shënjestër e tre incidenteve të veçanta – kërcënime, shpifje dhe kanosje – të gjitha të lidhura me punën time si gazetare investigative. Sipas provave që posedoj, një nga aktet shpifëse është kryer me bashkëpunim të punonjësve të një institucioni të caktuar shtetëror”, tha Sercan.
Ajo tha gjithashtu se i janë dërguar disa foto të saj, të shkrepura rreth 20 vjet më parë nga një ish i fejuar, nga një person i panjohur në Facebook Messenger.
Në përgjigje të incidentit, Instituti Ndërkombëtar i Shtypit dhe OJQ-të e tjera për lirinë e medias i bënë thirrje autoriteteve rumune për një hetim të shpejtë dhe të pavarur.
Politikanët shënjestrohen në Bosnje dhe Maqedoninë e Veriut
Skena politike boshnjake mbetet thellësisht e ndarë dhe e përçarë. Në një shembull të fundit të kësaj, faqja e internetit Klix.ba publikoi një regjistrim në të cilin dëgjohet Jelena Trivic, nënkryetarja e Partisë së Progresit Demokratik dhe anëtare e Asamblesë Kombëtare të Republikës Srpska duke kërcënuar ish-këshilltarin Ivan Begic.
Në regjistrimin, i cili u bë përpara zgjedhjeve lokale në 2020, Trivic i thotë Begic, i cili shërbeu në Këshillin Bashkiak të Banja Lukës, se ai “do të varroset”. Klix.ba thotë se regjistrimi është vërtetuar, por Partia e Progresit Demokratik pretendoi se ishte një version i redaktuar i regjistrimit origjinal.
Në një tjetër incident që përfshin regjistrime të bisedave private të publikuara në internet, këtë herë në Maqedoninë e Veriut, dy regjistrime audio të një bisede që dyshohet se është mes ish-kryeministrit Nikola Gruevski dhe biznesmenit Orce Kamçev u publikuan nga një burim i panjohur më 3 prill.
Në bisedë, zëra që duket se janë të Gruevskit dhe Kamcevit diskutojnë një çështje gjyqësore në të cilën ata të dy janë të përfshirë. Zëri që pretendohet se është i Kamcevit thotë se ai ka dhënë një deklaratë duke thënë se Gruevski nuk ka lidhje me blerjen e parcelave në malin Vodno për 1.2 milionë euro. Autenticiteti i regjistrimeve ende nuk është konfirmuar.
Lajme të rreme, sulme kibernetike dhe shkelje të tjera në internet
Incidentet e dezinformimit dhe për pretendime të pa verifikuara, si dhe raste mashtrimi kibernetik, vazhdojnë të jenë problem në mjediset digjitale të shumë vendeve.
Në Bosnje, një artikull i rremë që thoshte se Apple ka krijuar unaza martese që lejojnë çiftet të monitorojnë lëvizjet e bashkëshortëve të tyre u bë viral pasi u publikua nga faqja satirike Zanimljivo. Artikulli u ripostua si lajm i vërtetë edhe pse faqja Raskrinkavanje raportoi se nuk synohej të merrej seriozisht.
Një rast tjetër pa që disa media online dhe faqe lajmesh në Maqedoninë e Veriut të postonin pretendime të pa verifikuara për vdekjen e hendbollistit kroat Denis Toth, i cili besohet të ketë vdekur si pasojë e lëndimeve të marra në një përleshje pasi doli nga një klub nate në Shkup. Pretendimet e pa verifikuara ndezën shumë spekulime në rrjetet sociale në vend për arsyen e vdekjes së Toth.
Policia u detyrua të ndërhynte në Maqedoninë e Veriut pas rishfaqjes së një grupi famëkeq në Telegram të titulluar Dhoma Publike, një forum për ndarjen e fotove eksplicite të vajzave të reja. Rasti i fundit i këtij grupi, ku publikoheshin foto, video, informacione nga rrjetet sociale dhe numra telefoni të vajzave dhe grave në vend, kishte afër 1500 anëtarë. Pas disa ditësh, policia ndërhyri dhe grupi u mbyll.
Dhe në fund, Drejtoria Kombëtare për Sigurinë Kibernetike në Rumani tha se kishte pasur një rritje masive të sulmeve kibernetike kundër institucioneve shtetërore dhe kompanive private në ditët e para të luftës në Ukrainë. Ajo pretendoi se IP-të ruse ishin përfshirë në sulme zbulimi ndaj kompanive shtetërore dhe private rumune në sektorin e energjisë.