
Pjesa më e madhe e botës mbetet e fokusuar në zhvillimet e frikshme në Ukrainë, ku ushtria e presidentit rus Vladimir Putin vazhdon të kryejë krime lufte kundër një vendi sovran që ai pretendon se është pjesë e patjetërsueshme e Rusisë. Ndërkohë, historia në Hong Kong ka shkuar nga shumë keq në akoma edhe më keq se aq.
Në një proces përzgjedhjeje farsë, të maskuar si demokraci, Partia Komuniste e Kinës së fundmi emëroi një ish-polic, John Lee, si shefin e ri ekzekutiv të regjimit të saj kukull. Lee nuk është thjesht një polic i vjetër. Ai e fitoi këtë posrt sepse mbikëqyri goditjen brutale të 2019-ës ndaj demonstratave në Hong Kong pasi dy milionë banorë protestuan kundër planit të qeverisë së qytetit për të lejuar ekstradimin e të dyshuarve për krime në territorin e Kinës. Ky ndryshim i propozuar në ligj ishte i nevojshëm, tha një këshilltar pro Pekinit, në mënyrë që rrëmbimet nga shërbimet e sigurisë të Kinës të bëhen të panevojshme.
Goditja e Lee zëvendësoi gazin lotsjellës, plumbat prej gome dhe goditjet me shkarkim elektrik me dialog. Madje disa nga ata që u ofronin ndihmë mjekësore demonstruesve u arrestuan dhe u rrahën. Metoda të tilla sollën turp për forcën policore të Hong Kongut, e cila nuk mund të quhet më më e mira e Azisë. Lee u soll gjithashtu sikur do të kishte shtypur me dëshirë demonstruesit e rinj në sheshin Tiananmen në vitin 1989 – një episod që ai dhe të tjerë si ai tani përpiqen të ndalojnë qytetarët e Hong Kongut ta përkujtojnë me manifestime të heshtura dhe shërbime fetare.
Unë kam fituar disa njohuri për policimin e rendit publik kur kryesova komisionin që riorganizoi shërbimin policor në Irlandën e Veriut pas Marrëveshjes të së Premtes së Mirë të vitit 1998. Qasja e Lee ndaj demonstratave të vitit 2019 ishte shumë larg asaj që kërkon policimi i mirë dhe ajo që publiku i Hong Kongut ka të drejtë të presë. Mjerisht, kjo është pikërisht arsyeja pse një njeri që nuk ka njohuri për politikat ekonomike dhe sociale që e kanë bërë Hong Kongun kaq të suksesshëm është zgjedhur për të drejtuar qytetin.
Emërimi i Lee përkoi me arrestimin më 11 maj të kardinalit Joseph Zen, një ish-peshkop i Hong Kongut, i cili është një nga klerikët më të famshëm dhe më të admiruar të Azisë. Kardinali Zen u arrestua së bashku me tre të tjerë, të cilët, si ai, ishin administrues të një fondi ndihme humanitare që ofronte ndihmë ligjore dhe financiare për më shumë se 2,200 persona që ishin arrestuar për pjesëmarrje në demonstratat e vitit 2019. Megjithëse fondi tashmë ishte mbyllur nën presionin e policisë, kardinali 90-vjeçar dhe kolegët e tij u arrestuan nën pretendimin për bashkëpunim me forcat e huaja në shkelje të ligjit drakonian të sigurisë kombëtare të Kinës.
Kardinali Zen ka qenë prej kohësh një nga mbrojtësit më të guximshëm dhe më të artikuluar të të drejtave të njeriut të Kishës Katolike kudo, jo më pak në Kinë. Rëndësia e arrestimit të tij u shpreh qartë nga kardinali Charles Maung Bo i Mianmarit, presidenti i Federatës së Konferencave të Peshkopëve të Azisë. “Si mund të jetë krim të ndihmosh personat e akuzuar që të kenë mbrojtje dhe përfaqësim ligjor?” pyeti Kardinali Bo. “Hong Kongu ka qenë një nga qytetet më të lira dhe më të hapura të Azisë. Sot ai është shndërruar në një shtet policor.”
Për shumë zyrtarë të Partisë Komuniste të Kinës, krimi i vërtetë i kardinalit Zen nuk është vetëm mbrojtja e tij e rregullt e lirisë fetare në Kinë dhe kërcënimi i tij i mundshëm ndaj totalitarizmit të partisë, por edhe kritika e tij ndaj marrëveshjeve sekrete të Vatikanit me lidershipin kinez. Këto pakte synojnë të ndërtojnë ura midis të ashtuquajturës kishë nëntokësore në Kinë, e cila ka qenë gjithmonë në vëllazëri me Vatikanin, dhe kishës së vetëpërshkruar patriotike të kontrolluar nga qeveria në Pekin.
Përfitimet e pretenduara të kësaj marrëveshjeje, e cila synon të përmirësojë trajtimin e të gjithë katolikëve në Kinë (pastorëve dhe laikëve), janë qartazi aq të konsiderueshme saqë ajo është mbajtur e fshehtë. Ndoshta ka shumë për të raportuar. Por nuk duket e paarsyeshme të pyesim pse, nëse marrëveshja është kaq e mirë, askush nuk lejohet të dijë se në çfarë konsiston ajo.
Gjithsesi, marrëveshja nuk ka bërë asgjë për të lehtësuar gjendjen e katolikëve apo të krishterëve të tjerë në Kinë, ku presidenti Xi Jinping qëndron qartë pas një goditjeje mbarëkombëtare ndaj praktikës fetare. Kryqet janë hequr, kishat janë mbyllur dhe peshkopët e kishave nëntokësore janë shkarkuar; një peshkop i njohur, James Su Zhimin, ka kaluar vite në burg dhe nuk është parë për gati 20 vjet.
Në provincën Jiangxi dhe Yujiang, priftërinjtë janë lënë në arrest shtëpie ose janë ndaluar të kryejnë detyrat e tyre fetare, ndërsa fëmijëve u është ndaluar të shkojnë në kishë.
Kisha e Hong Kongut, e cila ka rreth 400,000 anëtarë, qartazi po i kërkohet të bëj kujdes të mos ofendojë zotët e saj të rinj të Partisë Komuniste të Kinës. Vitin e kaluar, policia e qytetit pengoi një manifestim të heshtur për të vrarët në sheshin Tiananmen në 1989, dhe këtë vit Kisha e anuloi eventin.
Në përgjigje të gjithë kësaj, Vatikani thjesht lëshoi një deklaratë ku shprehej se po e ndiqte arrestimin e kardinalit Zen “me vëmendje të madhe”.
Ndërsa dëshira e Vatikanit për të përmirësuar marrëdhëniet midis katolikëve kinezë, qeverisë kineze dhe Selisë së Shenjtë është e kuptueshme, qëndrimi i tij ndaj Kinës të sjell ndërmend qëndrimin e Kishës ndaj nazistëve në vitet 1930 dhe 1940. Shpresoj se që kjo të mos jetë aq e dëmshme për integritetin e Kishës sa ishin ato ngjarje.
Shumë katolikë do ta konsiderojnë kardinalin Zen – i cili, siç tha Universiteti i Notre Dame, “ka një ndërgjegje të madhe të ushqyer nga besimi i tij” – si një shprehës më autentik të pikëpamjeve katolike mbi të drejtat e njeriut sesa zyrtarët e Vatikanit. Dhe, edhe pse ata fokusohen tek Ukraina, demokracitë liberale duhet të vazhdojnë të flasin kundër sulmit të Kinës ndaj lirisë dhe sundimit të ligjit të Hong Kongut.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate. Nuk mund të ripublikohet pa lejen e Project Syndicate. China’s Cardinal Sins in Hong Kong