Komisioneri Publik, Florian Ballhysa njoftoi të premten ankimin e vendimit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK për konfirmimin në detyrë të drejtuesit të Prokurorisë së Lezhës, Erjon Shehaj, duke kërkuar shkarkimin e këtij të fundit për problemet e kriterit profesional.
Shehaj u konfirmua në detyrë më 1 prill 2022, pasi trupa e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit u bind nga shpjegimet dhe provat e tij për barrën e provës për pasurinë dhe për konstatimet në kriterin profesional.
Por komisioneri Ballhysa pretendon se nga shqyrtimi i vendimit të Komisionit për Shehajn dhe aktet e administruara, paraqiten gjetje dhe rrethana të tilla ligjore e faktike që nuk përmbushin kriteret dhe standardet e etikës dhe rregullat e sjelljes, që garantojnë mbrojtjen dhe forcimin e besimit të publikut.
Në ankim vërehet fakti se KPK ka evidentuar gjetje në të gjitha burimet e vlerësimit të kriterit të aftësive profesionale, si në raportin e hartuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë, KLP; në raportin e përditësuar të organeve ndihmëse; ankesat dhe kallëzimet e regjistruara ndaj tij; si dhe në denoncimet nga publiku, për të cilat është kaluar barrë prove e kërkuar shpjegime.
Ndryshe nga Komisioni që nuk i ka vlerësuar penalizuese gjetjet, komisioneri çmon se problemet e verifikuara në çështjet e analizuara, janë të tilla që cënojnë konkluzionin se subjekti arrin nivel minimal kualifikues në kriterin profesional.
“Referuar rezultateve të hetimit administrativ mbi këto akte, Komisioneri Publik çmon se subjekti i rivlerësimit nuk ka dhënë shpjegime bindëse, si dhe nuk ka arritur të provojë të kundërtën e barrës së provës, mbi gjetjet e rezultuara nga burimet e administruara, të cilat duhet të merren në shqyrtim nga ana e Kolegjit,” konstaton Ballhysa dhe rendit gjetjet e tij për secilën prej çështjeve.
Në një procedim penal të vitit 2014 të regjistruar për veprat penale “goditje për shkak të detyrës” dhe “kanosje për shkak të detyrës”, të hetuar nga subjekti, i dëmtuari ka qenë një punonjës policie ndërsa autori ka rezultuar person me precedenë penalë të mëparshëm.
Nga verifikimi dosjes është konstatuar se Shehaj ka zgjatur afatet e hetimit dy herë, me qëllim kryerjen e veprimeve të reja hetimore. Megjithëse disa veprime nuk janë kryer, subjekti ka vendosur pushimin e procedimit penal me argumentin se fakti nuk përbën vepër penale. Ai ka arsyetuar se nga provat e admnistruara ka rezultuar se punonjësi i policisë nuk është goditur.
Drejtuesi i prokurorisë është shprehur kundër pushimit të procedimit, duke theksuar se nuk është kryer asnjë veprim hetimor procedural pas datës së kontrollit.
Në përfundim, Komisioni ka konstatuar se veprimet hetimore të kryera nga prokurori Shehaj, kanë qenë të pamjaftueshme për të konkluduar në pushimin e procedimit penal, por duke u bazuar në parimin e proporcionalitetit, ka çmuar se gjetjet nuk mund ta penalizojnë atë dhe e ka transferuar për inspektim në ILD.
Ballhysa vlerëson se subjekti nuk i ka kundërshtuar dot gjetjet e konstatuara në KPK. “Komisioneri Publik, për sa ka rezultuar nga hetimi i Komisionit, vlerëson se moskryerja e të gjitha veprimeve hetimore të nevojshme, mënyra jo e saktë e vlerësimit të fakteve dhe provave, argumentimi jo i plotë dhe jo në përputhje me dispozitat ligjore, bien ndesh me kriteret e parashikuara në nenin 73, pikat 2 dhe 3, dhe 74, pika 4 e ligjit nr. 96/2016, dhe duhen të merren nga Kolegji në konsideratë në vlerësimin tërësor të çështjes”, citohet në ankim.
Në një procedim tjetër të vitit 2014, të regjistruar për veprën penale “plagosja e lehtë me dashje”, Shehaj ka konkluduar me vendim pushimi duke argumentuar se çështja mund të ndiqej me ankim në gjykatë.
Në ankim thuhet se subjekti i është referuar në vendimarrje një akt ekspertimi të një procedimi tjetër penal në ngarkim të të njëjtit shtetas. Po ashtu, në vendimin e pushimit nuk është cilësuar vepra penale “dëmtime të tjera me dashje”, për të cilën prokuroria nuk ka më kompetencë për të vijuar hetimet.
“Subjekti, në shpjegimet e tij, ka pranuar vetë se nuk ka kryer saktësisht cilësimin juridik të veprës penale në vendimin e pushimit të procedimit, por Komisioni ka vlerësuar se kjo pasaktësi nuk e penalizon subjektin, pasi shkaku për të cilin ka pushuar procedimin dhe baza ligjore e përdorur ka qenë e saktë,” vëren Ballhysa dhe shton se KPK i ka vlerësuar bindëse shpjegimet e subjektit në lidhje me përdorimin e një akt ekspertimi teknik që i përkiste një tjetër procedimi penal.
“Arsyetimi i subjektit mbi përdorimin e një akt ekspertimi që i përket një procedimi tjetër, më të hershëm në kohë, mbi një mjet të pretenduar se mund të jetë kryer vepra penale, nuk mbështetet nga rrethanat, deklarimet dhe aktet në dosje, e për më tepër përmbajtja e të dhënave të këtyre akteve procedurale, mbi natyrën e mjetit (armë e ftohtë) është kontradiktore”, konstaton Ballhysa.
Komisioneri ndan qëndrim të ndryshëm edhe lidhur me ndryshimin e cilësimit të veprës penale, duke argumentuar se në aktet e hartuara nga subjekti i rivlerësimit mungon arsyetimi ligjor për të kaluar nga “plagosje e lehtë me dashje në bashkëpunim” ku është bazuar regjistrimi i procedimit në atë për “dëmtime të tjera me dashje” me të cilën është vendosur pushimi.
“Këto mangësi në kryerjen e veprimeve hetimore dhe arsyetimin e akteve procedurale, duket kanë sjellë pasoja në mbrojtjen e posaçme ligjore të marrëdhënieve juridiko-shoqërore të rëndësishme (shëndetit të shtetasve), si dhe eventualisht në të drejtat procedurale të të dëmtuarit nga kryerja e veprës penale”, vlerëson Ballhysa dhe kërkon që për këtë çështje të kryhet vlerësimi të paktën në raport me “treguesit e cilësisë së analizës dhe argumentimit logjik të prokurorit”.
Shehaj ka kryer veprimet hetimore në një çështje të vitit 2015, për veprën penale “kanosja e gjyqtarit”, megjithëse është regjistruar pas mbërritjes në prokurori të një zarfi me mesazhe kërcënuese ndaj tij dhe ndaj drejtuesit.
Megjithëse Komisioni ka konstatuar se subjekti kishte detyrimin të hiqte dorë pasi kishte interes të drejtëpërdrejtë, pas shpjegimeve të subjektit, bazuar në parimin e proporcionalitetit ka konkluduar se këto rrethana nuk e bëjnë të papërshtatshëm për kriterin profesional. KPK e bazon këtë argument edhe në faktin se subjekti në një kohë të shkurtër ka marrë masa për heqje dorë duke e transferuar për kompetencë në prokurorinë më të afërt.
Komisioneri vlerëson se Shehaj nuk ka arritur të provojë të kundërtën e barrës së provës dhe ndryshe nga KPK që e ka transferuar për inspektim, çmon se ky procedim i vitit 2015 është në tejkalim të afateve ligjore dhe nuk duhej të ishte dërguar në ILD.
Në një çështje të hetuar nga subjekti për veprat penale “drejtim automjeti në mënyrë të parregullt” në gjendje të dehur dhe “mosbindje ndaj urdhrit të punonjësit të Policisë së Rendit Publik”, Komisioni i ka kaluar barrë prove për moskryerjen e një hetimi të plotë në lidhje me faktet e dokumentuara dhe se duket se ka lehtësuar pozitën e të pandehurit. Kjo, pasi i pandehuri është dërguar në gjyq vetëm për veprën penale “drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”.
“Regjistrimi i procedimit penal, me cilësim ndryshe nga veprat penale të referuara nga Policia e Rrethit, Lezhë, duket se kanë mundësuar lehtësimin e pozitës procedurale të shtetasit ***.***”, konstaton Ballhysa dhe e quan të pabazuar konkluzionin e Komisionit se subjekti ka qenë bindës në shpjegimet e tij.
Komisioneri kërkon që Kolegji të vlerësojë dhe një çështje të vitit 2020 e regjistruar për “vrasje me paramendim” dhe “mbajtje pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, që është ende në shqyrtim.
KPK i ka kaluar fillimisht Shehajt barrën e provës për disa gjetje, mes të tjerave edhe për kërkesën për pushimin e hetimeve ndaj një personi të dyshuar megjithëse nuk dukej që të kishte kryer ndonjë veprim hetimor që të justifikonte mbylljen e hetimeve. Po ashtu, ka rezultuar se Shehaj nuk ka arsyetuar mbi rrethanat mbi të cilat është bazuar për ndryshimin e cilësimit të veprës penale nga “vrasje me paramendim” në “vrasje me dashje”, si dhe nuk është provuar që të jetë njoftuar babai i viktimës për përfundimin e hetimeve.
Subjekti ka kërkuar që të mos vlerësohet për një çështje që është ende në shqyrtim, kërkesë që është gjetur e bazuar dhe prej Komisionit.
Por komisioneri duke u bazuar në jurispudencën e Kolegjit, ka kërkuar që të përfshihen edhe çështjet e papërfunduara që janë verifikuar gjatë hetimit administrativ nga Komisioni lidhur me veprimet procedurale të kryera nga subjekti i rivlerësimit.
Komisioneri konstaton probleme dhe në dy çështje të tjera për të cilat i kërkon Kolegjit që t’i shqyrtojë. Në përfundim, Ballhysa vlerëson se të metat e konstatuara në shqyrtimin e çështjeve të trajtuara gjatë procesit, duhet të merren në konsideratë në vlerësimin tërësor të procedurave të çështjes dhe kërkon shkarkimin nga detyra të prokurorit Erjon Shehaj.