Reporter.al
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
  • Reportazhe
  • Opinion
  • Intervista
  • Rajoni
  • Blog
Ska rezultat
Shiko të gjitha
  • Tema kryesore
  • Gjyqtare
  • Kolegji i Posaçëm i Apelimit
  • Prokurore
  • KPK
  • Gjykata e Apelit Tiranë
  • Mjedisi
Reporter.al
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
  • Reportazhe
  • Opinion
  • Intervista
  • Rajoni
  • Blog
Ska rezultat
Shiko të gjitha
Reporter.al
Fillimi Blog

Kush mund të përfitojë nga amnistia dhe çfarë parash mund të legalizohen?

Nëse e marrim si të mirëqenë pretendimin e qeverisë se paratë e drogës dhe korrupsionit nuk do të legalizohen nga projektligji për amnistinë, sërish mbeten shumë situata të shëmtuara ku përfituesit mund të variojnë nga biznesmenë të babëzitur që nuk kanë paguar sigurime shoqërore të punonjësve deri te kontrabandistët e naftës.

Gjergj ErebaraNgaGjergj Erebara
16:23 | 19/07/2022
Në Blog
Kohe leximi: 6 minuta
A A
0
‘Pakt me median’: Rama u dikton gazetarëve se çfarë duhet të raportojnë

Kryeministri Edi Rama duke folur me gazetarët pas një mbledhje me kryesinë e Partisë Socialiste. Foto: LSA

Share on FacebookShare on Twitter

Rasti 1. Një qytetar ka punuar në emigrim në të zezë. Ai ka vënë mënjanë, fjala vjen, 1 mijë euro në muaj dhe ka punuar dhjetë vjet me radhë, për një total prej 120 mijë eurosh. Ai vështirë se i ka të gjitha këto para nën dyshek. Më shumë gjasa ka që ka hapur një llogari bankare në Shqipëri dhe i ka depozituar aty gradualisht, duke përfituar ndërkohë edhe interesa dhe duke paguar tatim mbi të ardhurat personale mbi interesat e fituara. Ky njeri nuk ka nevojë t’i legalizojë këto para, e aq më pak, të paguajë 5 deri në 10% ose 6 deri në 12 mijë euro me ligjin e Ramës, sepse askush nuk shkon ta pyesë se ku i ka fituar paratë dhe se në çdo rast, i lind e drejta të thotë se këto para i ka kursyer gradualisht. Në fund fare, tipikja e emigrantit shqiptar që ka bërë para duke punuar në të zezë është që të ndërtojë një shtëpi apo të blejë një apartament. Në këto raste, askush nuk i kërkon llogari se ku i ka gjetur paratë për të ndërtuar shtëpinë apo për të blerë apartamentin.

Në fund të fundit, njeriu e ka shumë të vështirë të vë mënjanë qoftë edhe disa dhjetëramijëra euro, duke punuar edhe në të zezë apo duke pasur biznes pjesërisht jashtë sistemit fiskal, nëse nuk është marrë me ndonjë paudhësi më të madhe, të llojit të kontrabandës me mallrat e akcizës, vështirë se ke nevojë për të legalizuar para, apo për të legalizuar 2 milionë euro.

Rasti 2. Imagjinoni një biznesmen që ka një restorant të suksesshëm dhe që është në gjendje të blejë ushqime pa faturë dhe t’i shesë pa faturë, duke fituar në këtë mënyrë më shumë nga sa do të fitonte duke paguar taksat më nënyrë të ndershme. Një biznesmen i tillë nuk i ka paguar qeverisë tatim mbi vlerën e shtuar, e cila është në masën 20% të vlerës së shtuar; (pra jo 20% të të gjitha të ardhurave por nëse ka pasur një normë fitimi bruto prej 50%, atëhere ai i ka kursyer vetes 10% detyrime fiskale mbi të ardhurat). Ky lloj individi i detyrohet shtetit edhe tatim mbi fitimin, i cili në Shqipëri është 15% e fitimeve neto.

Një person i tillë me të vërtetë ka bërë më shumë pasuri nga sa i takon, duke shmangur pagesën e taksave, por ai vështirë se ka bërë 2 milionë euro dhe akoma më tutje, vështirë se ka nevojë për amnisti fiskale. Në Shqipëri dhe në shumicën dërrmuese të botës, autoritetet tatimore nuk kanë akses mbi llogaritë bankare. Kjo do të thotë që një qytetar që ka vënë mënjanë mijëra euro pasuri duke mos paguar taksat dhe tatimet dhe nuk ka nevojë t’i mbajë ato nën krevat. Ai mund t’i derdhë gradualisht në bankë, ku askush nuk të pyet se ku i gjete 500 apo 1 mijë euro apo 2 mijë euro. Në fakt, rregulli kundër pastrimit të parave është që një deklaratë duhet të bëhet mbi origjinën e pasurisë nëse depozitohen më shumë se 10 mijë euro njëherësh. Por nëse derdh çdo muaj nga 2 mijë apo 3 mijë euro, në fund të një viti do të kesh 25-36 mijë euro në llogari bankare, për të cilat, askush nuk të kërkon llogari nëse i ke nga biznesi me tatime të rregullta apo me tatime të parregullta.

Rasti 3. Imagjinoni një biznesmen që shet karburant dhe me qëllim që të fitojë më shumë, e përzien karburantin që shet me lëndë më të dobëta djegëse, për të cilat nuk paguhet akcizë. Fjala vjen, një biznesmen që ka përzierë benzinën e zakonshme me naftën vergin, një nënprodukt nafte që dikur prodhohej nga rafineria e Ballshit dhe që për shkak se nuk plotësonte standardet minimale, nuk lejohej të futej në treg. Ajo teorikisht duhej të eksportohej për përpunim të mëtejshëm, por në vend që të eksportohej, ajo hidhej në treg, përzihej me benzinë të zakonshme dhe, në këtë proces, nuk paguante akcizë, TVSH, taksë qarkullimi e të tjera, dhe njëkohësisht na dëmtonte makinat duke na shkaktuar kosto shtesë mirëmbajtjeje dhe kokëçarje. Një biznesmen i tillë nuk ka fituar para thjeshtë duke bërë evazion fiskal, pra nuk ka bërë pasuri duke mos paguar taksat për një pjesë të aktivitetit të vet. Ai është bërë i pasur duke bërë kontrabandë. Pasuria e tij nuk është pjesërisht e paligjshme, ajo është tërësisht produkt i kontrabandës, evazionit fiskal dhe shkatërrimit të automjeteve tona. Ky biznesmen do të mund t’i legalizojë paratë e veta deri në masën 2 milionë euro gjithashtu duke paguar 5 deri në 10% të të gjithë pasurisë së vënë duke mos paguar TVSH, akcizë, taksë qarkullimi, e taksa të tjera.

Rasti 4. Imagjinoni një biznesmen që ka një fabrikë fasonësh ku punësohen njerëz të varfër e të pafuqishëm me paga të ulëta dhe pa sigurime shoqërore, një praktikë e rëndomtë kjo në Shqipërinë e tre dekadave të fundit. Sigurimet shoqërore janë një pjesë e pagës që i takon punëmarrësit, por që punëdhënësi nuk ia jep, por e mban për t’ia dorëzuar Institutit të Sigurimeve Shoqërore dhe Fondit të Detyrueshëm të Sigurimit të Kujdesit Shëndetësor. ISSh dhe FDSKSH i përdor këto para për të paguar pensionet si dhe kujdesin shëndetësor të punëmarrësit, të cilit u mbahet 25% e të ardhurave nga puna për këto qëllime. Por në Shqipëri ka shumë raste kur biznesmenët bëhen të pasur jo vetëm duke fituar para nga fabrika e vet, por edhe nga mospagimi i rregullt i sigurimeve shoqërore e shëndetësore.

Imagjinoni që ky biznesmen ka bërë 2 milionë euro fitime duke mos paguar sigurimet shoqërore dhe duke punësuar njerëz në të zezë. Këto 2 milionë euro nuk janë fitime të pataksuara, ku, po të taksoheshin, një pjesë do të duhej të derdhej në buxhetin e shtetit. Këto janë 2 milionë euro detyrime tatimore të papaguara. Dëmi në buxhetin e shtetit nuk është norma e papaguar e tatimit, është e gjithë pasuria e vënë. Por me nismën e qeverisë së kryeministrit Edi Rama, këto 2 milionë euro sigurime shoqërore, të cilat u mbajnë punëtorëve të drejtën për pension dinjitoz, do të mund të legalizohen përkundrejt një pagese që varion nga 5 deri në 10% të shumës. Me pak fjalë, dikush që ka shfrytëzuar punëtorët në mënyrë çnjerëzore dhe ka bërë 2 milionë euro pasuri duke mos paguar sigurimet, mund t’i legalizojë këto para duke paguar vetëm 100 mijë deri në 200 mijë euro.

Rasti 5. Imagjinoni një biznesmen që me qëllim që të shmangë tatimin mbi vlerën e shtuar apo për të përfituar rimbursim të TVSH-së së paguar shtesë, ka krijuar një kompani joreale nën pronësinë e një fukarai, një të moshuari që nuk kupton më asgjë apo një endacaku. Ai e ka bërë këtë me qëllim që kompania nën emrin e fakirit t’i lëshojë biznesit të tij faturë me TVSH, ku TVSH-a që duhej të derdhej në shtet nuk derdhet ndërsa tatimeve u mbetet veçse të sekuestrojnë kompaninë e fakirit, kompani që nuk ka asete reale. Ky biznesmen ka bërë një vepër penale që duhet mashtrim me TVSH-në, por ligjërisht ai nuk ka kurrfarë përgjegjësie pasi faturën false e ka lëshuar kompania fantazëm dhe subjekti që nuk ka paguar TVSH-në në tatime është kjo e fundit. Biznesmeni në fjalë ka bërë 2 milionë euro pasuri falë këtij mashtrimi fiskal, duke i shkaktuar shtetit 2 milionë euro dëm. Ai mund ta legalizojë këtë pasuri duke paguar 5 deri në 10% të saj falë ligjit të amnistisë. Në këtë proces, atij i falet edhe vepra penale e mashtrimit me TVSH-në sepse projektligji i propozuar është “amnisti penale” bashkë me atë fiskalen.

Ka vetëm një numër të vogël shqiptarësh, në fakt janë jo më shumë se 800, ata të cilët janë detyruar të justifikojnë çdo lek pasuri të vënë. Ky është rasti i gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët iu nënshtruan procesit të vetingut. Ajo që vihet re në rastet e atyre që u rrëzuan për pasuri të pajustifikuara, është se ata këto pasuri të pajustifikuara nuk i kishin nën dyshek në pritje të amnistisë, por i kishin të regjistruara me dokumente të rregullta në hipotekë apo i mbanin në llogari bankare. Për rrjedhojë, këto para nuk mund të konsiderohen “kapital i fjetur” që pritet të çlirohet nga amnistia për të na rritur ekonominë. Po kështu, edhe pasuritë e krijuara përmes evazionit fiskal vështirë se janë “kapitale të fjetura” dhe vështirë se pengohen për t’u investuar nga ndonjë sy vigjilent në agjencitë ligjzbatuese.

Në të vërtetë, personat me të vërtetë të interesuar për të përfituar nga amnistia duhet t’i kenë bërë pasuritë jo tamam duke shmangur pagesën e taksave.

Etiketa: Amnistia Fiskale
Tjetri
ILD kërkoi shkarkim, por KLGJ dha vetëm 3 muaj pezullim për gjyqtarin e Elbasanit

ILD kërkoi shkarkim, por KLGJ dha vetëm 3 muaj pezullim për gjyqtarin e Elbasanit

Më të lexuarat

Sekreti i Bankës së Shqipërisë: Si u klonua kompania italiane e rikonstruksionit të Hotel Dajtit

Sekreti i Bankës së Shqipërisë: Si u klonua kompania italiane e rikonstruksionit të Hotel Dajtit

17:19 | 04/08/2022
‘Pakt me median’: Rama u dikton gazetarëve se çfarë duhet të raportojnë

Kush mund të përfitojë nga amnistia dhe çfarë parash mund të legalizohen?

16:23 | 19/07/2022
KPA pranoi prova të reja në çështjen ndaj prokurorit Hysen Keta

‘Pamundësi objektive’: Debati në Kolegj për konfirmimin e Hysen Ketës

19:55 | 05/08/2022
Kryesekretarja e Prokurorisë së Tiranës akuzohet për dekonspirim

Kryesekretarja e Prokurorisë së Tiranës akuzohet për dekonspirim

16:39 | 08/08/2022
KPK riçel hetimin për prokurorin Bledar Bejko

Komisionerja Publike kërkon shkarkimin e Bledar Bejkos në Kolegj

12:07 | 04/08/2022
Qeveria urdhëron mosregjistrimin e pronave që pengojnë “investitorët strategjikë”

Qeveria e shet falë tokën në bregdet për hotelet e ‘oligarkëve’

14:44 | 10/08/2022
  • Analiza
  • Blog
  • Intervista
  • Investigime
  • Lajme
  • Opinion
  • Rajoni
  • Reportazhe
  • Vendi
  • Rreth nesh
  • Stafi
  • Kontaktoni
  • Ankesa dhe Korrigjime
  • Politika e privatësisë dhe rregulla të tjera
  • Pyetje të shpeshta
Follow Us

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2014 - 2021 Reporter.al - BIRN
Dev by Aplikacione.com

Ska rezultat
Shiko të gjitha
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
  • Reportazhe
  • Opinion
  • Intervista
  • Rajoni
  • Blog

© 2022 Reporter.al - Dev by aplikacione.com.