
Kur Bashkimi Sovjetik u shpërbë në vitin 1991, Ukraina trashëgoi një pjesë të arsenalit të saj bërthamor. Por në Memorandumin e Budapestit të vitit 1994, Ukraina ra dakord t’ia kthente këto armë Rusisë në këmbim të “garancive” nga Rusia, Mbretëria e Bashkuar dhe Shtetet e Bashkuara se sovraniteti dhe kufijtë e saj do të respektoheshin. Rusia e shkeli pafytyrësish këtë premtim kur aneksoi Krimenë në 2014 dhe e grisi Memorandumin me pushtimin e saj të plotë të Ukrainës më 24 shkurt. Shumë vëzhgues kanë arritur në përfundimin se Ukraina bëri një gabim fatal duke rënë dakord të dorëzonte arsenalin e saj bërthamor (dikur i treti më i madh në botë) A kanë ata të drejtë?
Në fillim të viteve 1960, Presidenti amerikan John F. Kennedy parashikoi se të paktën 25 shtete do të kishin armë bërthamore deri në dekadën e ardhshme. Por në vitin 1968, shtetet anëtare të Kombeve të Bashkuara ranë dakord për një traktat mospërhapjeje që kufizonte armët bërthamore në pesë shtetet që tashmë i kishin ato (SHBA, Bashkimi Sovjetik, Britania, Franca dhe Kina). Sot, vetëm nëntë shtete i kanë ato – pesë nënshkruesit e traktatit plus Izraeli, India, Pakistani dhe Koreja e Veriut – por ka më shumë vende me aftësi teknologjike për të ndërtuar shpejt armë bërthamore që po e shqyrtojnë një opsion të tillë.
Disa analistë sugjerojnë se përhapja e tyre mund të jetë një gjë e mirë, sepse një botë me shtete të armatosura me armë bërthamore do të ishte më e qëndrueshme sesa një botë me disa shtete me armë bërthamore dhe me disa shtete të paarmatosura. Sipas mendimit të tyre, Rusia nuk do të kishte guxuar të pushtonte një Ukrainë të armatosur me armë bërthamore. Për më tepër, ata vënë në dyshim pse disa shtete duhet të kenë të drejtën për armë bërthamore, ndërsa disa të tjerë jo.
Të tjerë mbrojnë heqjen e të gjitha armëve bërthamore, një qëllim i sanksionuar në Traktatin e OKB-së për Ndalimin e Armëve Bërthamore të vitit 2017, i cili hyri në fuqi në vitin 2021. Aktualisht ka 86 nënshkrues dhe 66 palë (megjithëse asnjë nga nëntë shtetet me armë bërthamore nuk është regjistruar).
Skeptikët e kësaj qasjeje argumentojnë se ndërsa eliminimi i armëve bërthamore mund të jetë një aspiratë e denjë afatgjatë, përpjekjet për të arritur atje shumë shpejt mund të rrisin paqëndrueshmërinë dhe gjasat e konfliktit. Sfida e vërtetë etike, thonë ata, nuk është ekzistenca e armëve bërthamore, por probabiliteti i përdorimit të tyre. Mund të ishte më mirë sikur njerëzimi të mos kishte mësuar të shfrytëzonte fuqinë e një atomi të ndarë në vitet 1930; por ajo njohuri nuk mund të shfuqizohet, prandaj është më mirë të fokusohemi në zvogëlimin e rreziqeve të përdorimit të saj në luftë.
Imagjinoni sikur jetoni në një lagje që vuan nga vjedhje të vazhdueshme, grabitje dhe sulme. Një ditë, disa nga fqinjët tuaj vendosin t’i pajisin shtëpitë e tyre me pajisje shpërthyese dhe tela pengues dhe të vendosin tabela paralajmëruese për të pengua furacakët. Problemi është se nëse këto pajisje përdoren, do të dëmtohet edhe shtëpia juaj. Megjithatë, ka edhe rreziqe të konsiderueshme në përpjekjet për të çmontuar sistemin në planin afatshkurtër.
Çfarë do të bënit? Mund t’i kërkoni fqinjëve tuaj ta përdorin sistemin vetëm për t’u mbrojtur kundër agresorëve të mundshëm dhe jo për të kërcënuar të tjerët. Mund t’i inkurajoni ata të instalojnë pajisje për të zvogëluar rrezikun e aksidenteve dhe të kërkoni kompensim për rrezikun që ju kanoset duke përfshirë shtëpinë tuaj në tabelat e tyre paralajmëruese. Dhe mund t’i bindni ata të ndërmarrin hapa për ta çmontuar sistemin diku në të ardhme, kur mund të gjenden mjete relativisht të sigurta.
Pak a shumë këto janë llojet e kushteve të parashikuara në Traktatin e 1968 për Mospërhapjen e Armëve Bërthamore (NPT), dhe kjo është arsyeja pse pushtimi rus i Ukrainës është kaq i dëmshëm. Rusia jo vetëm që ka shkelur garancinë e saj të qartë të sigurisë sipas Memorandumit të Budapestit, por ajo ka lënë të kuptohet gjithashtu një përshkallëzim bërthamor për të penguar të tjerët që mund t’i vijnë në ndihmë Ukrainës. Ajo po dobëson tabunë kundër trajtimit të armëve bërthamore si armë normale luftarake – një konventë që ekonomisti Nobelist Thomas Schelling e quajti norma më e rëndësishme globale që nga viti 1945.
Por do të ishte gabim të ekzagjerohej dëmi që pushtimi i Ukrainës i ka shkaktuar regjimit të mospërhapjes së armëve bërthamore. Së pari, ata që mendojnë se pushtimi do t’u mësojë shteteve të tjera se do të ishin më të sigurt nëse do të kishin armë bërthamore, po e thjeshtojnë shumë historinë. Nuk mund të hamendësohet se asgjë nuk do të kishte ndodhur, nëse Ukraina do të kishte mbajtur armët e saj bërthamore të epokës sovjetike.
Në fund të fundit, armë të tilla nuk janë gati për t’u përdorur aq lehtë. Materiali i zbërthyeshëm në raketat sovjetike me rreze të gjatë të stacionuara në Ukrainë do të duhej të hiqej, të riformësohej dhe të ripërdorej. Kjo jo vetëm që do të kërkonte kohë dhe ekspertizë, por mund të kishte përshpejtuar ndërhyrjen e Rusisë. Kur shtetet i afrohen pragut të sulmit bërthamor, ato hyjnë në një “luginë cenueshmërie” që mund të ulë sigurinë e tyre dhe të rrisë paqëndrueshmërinë e përgjithshme. Edhe kur parandalimi i qëndrueshëm është i imagjinueshëm në një rajon, mund të jetë shumë e rrezikshme të përpiqesh të shkosh nga këtu atje.
Disa teoricienë argumentojnë se ashtu si armët bërthamore inkurajuan maturinë midis fuqive të mëdha, duke u dhënë atyre një “top kristal” me të cilin të parashikojnë shkatërrimin që do të vinte nga lufta bërthamore, përhapja e armëve bërthamore do të prodhonte në mënyrë të ngjashme stabilitet midis rivalëve më të vegjël rajonalë. Shtetet me armë bërthamore do të vepronin si lepuj, jo si ujqër.
Por jo të gjitha rajonet janë të barabarta për sa i përket rrezikut të përshkallëzimit dhe nuk mund të supozohet se të gjithë liderët do të kishin mençurinë për të përdorur topat e tyre të kristaltë. Rajonet ndryshojnë për sa i përket numrit të luftërave civile dhe qeverive të rrëzuara, kontrollit civil të ushtrisë, sigurisë së komunikimeve dhe protokolleve të kontrollit të armëve. Nëse përhapësit e rinj kanë një rrezik më të lartë të përdorimit të armëve bërthamore – edhe nëse pa dashje – ata dhe fqinjët e tyre do të bëhen edhe më të pasigurt në “luginën e cenueshmërisë”.
Në fund të fundit, kur armët bërthamore shtohen, shanset e përdorimit të paqëllimshëm ose aksidental priren të rriten, menaxhimi i krizave të mundshme bërthamore bëhet më i ndërlikuar dhe vendosja e kontrolleve që një ditë mund të ndihmojnë në uljen e rolit të armëve bërthamore në politikën botërore bëhet më e vështirë. Me pak fjalë, sa më e madhe të jetë përhapja e armëve gjoja mbrojtëse, aq më i lartë është rreziku i hedhjes në erë të gjithë lagjes. Mësimi i vërtetë nga lufta e Rusisë në Ukrainë është se ne duhet të përforcojmë NPT-në ekzistuese dhe të përmbahemi nga veprimet që e dëmtojnë atë.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate. Will the Ukraine War Fuel Nuclear Proliferation?