Busti prej bronzi i një të moshuari që u përurua në parlamentin e Hungarisë në fund të gushtit, bëri bujë menjëherë në mediat ndërkombëtare. Statuja portretizonte Miklos Horthy, guvernatorin e Hungarisë midis viteve 1920-1944, i përshëndetur nga disa si shpëtimtar i vendit, por i konsideruar nga shumë të tjerë si përgjegjës për gjenocidin e mbi 400,000 hebrenjve hungarezë.
Partitë opozitare dhe organizatat hebreje protestuan ashpër dhe kërkuan heqjen e menjëhershme të skulpturës.
“Parlamenti është ndërtesa simbolike e kombit hungarez”, paralajmëroi Andras Heisler, president i shoqatës më të madhe hebreje të Hungarisë Mazsihisz, duke shtuar se nuk duhet të ketë vend për një statujë të një njeriu “i cili është përgjegjës për vdekjen tragjike të qindra mijëra njerëzve dhe që e çoi vendin tonë drejt një prej fatkeqësive më të mëdha në historinë e vendit.”
Por kryetari i parlamentit, Laszlo Kover, një themelues konservator i partisë në pushtet Fidesz, e hodhi poshtë protestën, duke pretenduar se busti nuk është në një “hapësirë publike” dhe “deputetët mund të dekorojnë zyrat e tyre në çfarëdo mënyre që dëshirojnë”.
Pas marifetit politik ishte, në mënyrë të pashmangshme, Dora Duro, nënkryetarja e partisë së ekstremit të djathtë Mi Hazank (Atdheu ynë). Duro, e cila është gjithashtu një nga nënkryetarët e parlamentit, njihet për akte të tilla provokuese: në vitin 2020, ajo grisi publikisht një libër për fëmijë që portretizonte një princ homoseksual si dhe përmbante tema të tjera LGBT. Ajo ka bërë fushatë hapur për “ligjin rrahja e zemrës”, një rregullore që i detyron gratë të dëgjojnë rrahjet e zemrës së fetusit të tyre përpara se të vendosin për një abort.
Çfarëdo që bën Duro, shpesh gjen jehonë te Fidesz. Ajo mund të marrë meritën, për shembull, për frymëzimin e drejtimit anti-LGBT të qeverisë dhe modifikimin e fundit të ligjit të abortit. Prandaj, shumë pyesin veten nëse rehabilitimi historik i Horthit dhe regjimit të tij është ajo që do të bëjë në vijim qeveria.
“Ka një konkurrencë të qartë midis të djathtës ekstreme dhe Fidesz, dhe partia qeverisëse përpiqet të parandalojë radikalët që të grumbullojnë temat e tyre, qofshin ato mbi gjininë, migrimin apo abortin”, thotë për BIRN Bulcsu Hunyadi, një analist politik i specializuar në lëvizjet e ekstremit të djathtë në Political Capital me qendër në Budapest.
“Për të djathtën ekstreme, figura e Horthy-t është qendrore në mitin për një Hungari të madhe dhe të lavdishme”, shton ai.
Shumë Horthy për t’u prekur
Lavdia e Hungarisë është gjithashtu e dashur për qeverinë nacional-populiste të Viktor Orban. Megjithatë, deri më tani, ajo e ka shmangur lavdërimin e Horthy-t me një statujë në një hapësirë publike.
Në vitin 2015, kryeministri Orban deklaroi: “Qeveria nuk mund të mbështesë vendosjen e një statuje të një politikani që bashkëpunoi ose bashkëveproi me shtypësit e Hungarisë, pavarësisht se çfarë meritash të tjera mund të ketë pasur.” Kjo fshiu faktin se shtypësit të cilëve ai po u referohej (Gjermania naziste) ishin në të vërtetë aleatë të Hungarisë.
Megjithatë, ka një numër në rritje të statujave në nder të Horthy-t të ngritura nga organizata civile si Miklos Horthy Society ose persona privatë në prona private përrreth kryeqytetit hungarez.
Më e njohura është në qendër të Budapestit, ku admirali me fytyrë të ashpër shikon kalimtarët nga shkallët e një kishe reformiste. Statuja u zbulua nga politikani i ekstremit të djathtë dhe pastori reformist Lorant Hegedus në vitin 2013 dhe u vandalizua nga një protestues që derdhi bojë të kuqe mbi të në vitin 2020.
Opinioni publik është i ndarë për Horthy. Sipas një sondazhi të vitit 2018 nga Median, 27 për qind besonin se ai ishte figurë pozitive, por 52 për qind kishin një opinion negativ për ish-guvernatorin. Megjithatë, në vitin 2005, vetëm 22 për qind e vlerësuan atë pozitivisht. Një hungarez mesatar zakonisht ka njohuri mjaft të kufizuara për historinë, por përvoja tregon se me një fushatë propagandistike të orkestruar me kujdes, kujtesa historike mund të ndryshohet lehtësisht.
“Mendoj se në një vend demokratik, asgjë nuk do të justifikonte ngritjen e një statuje për Horthy-n”, thotë historiani i njohur Ignac Romsics për BIRN. “Ne kemi pasur disa politikanë demokratë në të kaluarën tonë, por Horthy nuk u përket atyre. Në të vërtetë, ai ishte haptazi antidemokratik.”
Por Romsics thekson gjithashtu se Horthy nuk ishte një diktator ushtarak si Franko i Spanjës apo Antonesku i Rumanisë dhe kërkohet një qasje më e nuancuar. “Disa argumentojnë se Horthy ishte një diktator fashist, të tjerë mendojnë se regjimi i tij konservator ofronte stabilitet dhe ishte mjaft i qëndrueshëm – e vërteta është diku në mes”, shpjegon ai.
Admirali që fitoi dhe humbi gjithçka
Miklos Horthy, një ish-admiral i perandorit austro-hungarez Franz Josef, u bë guvernator i Hungarisë në vitin 1920 në një moment kritik. Vendi ishte tronditur në thelb nga një traumë kombëtare: pas një lufte të humbur, një marrëveshje tragjike paqeje i kishte hequr Hungarisë dy të tretat e territorit dhe gjysmën e popullsisë së saj.
Një revolucion komunist jetëshkurtër, por i përgjakshëm (1919) nxiti më tej trazirat sociale. Shumica e mbështetësve të Horthy-t argumentojnë se pas trazirave, admirali arriti të stabilizonte vendin, fillimisht me një grusht të hekurt, duke vrarë brutalisht qindra, por më vonë duke siguruar një nivel sigurie dhe stabiliteti për ata që pranuan rregullat e lojës. Ishte një sistem parlamentar i kufizuar, bëheshin zgjedhje të rregullta, edhe mediat ishin pak a shumë të lira, por asgjë nuk kërcënonte qeverisjen e elitës qeverisëse. Ngjashëm në disa mënyra me Hungarinë e sotme nën Orbanin, theksojnë disa vëzhgues.
Horthy është përshëndetur gjithashtu për rikuperimin e pjesës më të madhe të territoreve të humbura dhe popullsisë hungareze që kishte humbur në zgjidhjen e pas Luftës së Parë Botërore, kryesisht në tryezën e bisedimeve, por me ndihmën masive nga Gjermania naziste dhe Italia. Mjerisht, këto përfitime ishin vetëm të përkohshme, pasi hartat e Evropës Qendrore u rivizatuan edhe një herë pas Luftës së Dytë Botërore.
Partia e ekstremit të djathtë Mi Hazank ankohet tani se qeveria aktuale Fidesz nuk po bën mjaftueshëm për të rikthyer madhështinë e Hungarisë – edhe pse ata nuk janë mjaft të qartë se si duhet të arrihet kjo.
Rigjallërimi i pretendimeve territoriale ndaj vendeve fqinje mbetet një vijë e kuqe për elitën politike hungareze, duke përfshirë Fidesz. “Çdo përpjekje për të rivizatuar kufijtë do të shkaktonte menjëherë një aleancë të ish-“petite entente” kundër Hungarisë”, paralajmëron historiani Romsics.
Por sigurisht që nuk nxiten marrëdhënie të mira fqinjësore kur kryeministri Orban portretizohet duke qëndruar përpara një harte të madhe të Hungarisë së Madhe gjatë mbledhjeve të kabinetit.
“Sllovakët, rumunët, njerëzit e Vojvodinës dhe Transkarpatisë kanë të drejtën e paranojës”, tha së fundmi ministri i jashtëm sllovak Rastislav Kacer për të përditshmen polake Rzeczpospolita. Ai vuri në dukje se si nuk ka harta të ngjashme në kancelaritë e Berlinit apo të Vjenës.
Megjithatë, shumica e politikanëve janë të vetëdijshëm se regjimi i Horthy kreu krime të tmerrshme që nuk mund të justifikohen. Parlamenti hungarez ishte ndër të parët që miratoi legjislacionin anti-hebre në Evropë, duke kufizuar numrin e hebrenjve hungarezë në universitete dhe më vonë në disa profesione. Horthy nuk shfaqi asnjë dyshim për nënshkrimin e këtyre ligjeve.
Politika ditore drejtohej nga kryeministrat e tij, por si komandant i përgjithshëm i ushtrisë, në vitin 1941 ai zgjodhi t’i bashkohej luftës në anën e Gjermanisë naziste. “Një nga gabimet e tij kryesore,” e përshkruan historiani Romsics.
Si kreu i shtetit, Horthy mbahet përgjegjës për vdekjen e mbi 300,000 trupave hungareze dhe për fatin tragjik të 430,000 hebrenjve hungarezë, të cilët u hipën në trena dhe u transportuan në territoret e kontrolluara nga nazistët në 1944 dhe u vranë në dhomat e gazit.
Fidesz argumenton se Hungaria humbi sovranitetin e saj në mars 1944 kur trupat gjermane pushtuan vendin, por Horthy e mbajti pozicionin e tij deri në tetor 1944. Ai ndaloi dëbimet në korrik, por deri atëherë ishte tepër vonë për shumicën – popullsia hebreje e Hungarisë në fshat kishte tashmë është eliminuar.
Frymëzimi i viteve 1930
Horthy nuk u mbajt kurrë përgjegjës për mizoritë e kryera gjatë regjimit të tij dhe vdiq në mërgim në Estoril, Portugali në vitin 1957. Pas tranzicionit demokratik të Hungarisë, ai u rivarros në ish-pronën e tij në Kenderes, Hungaria lindore, në 1993.
Për shkak të trashëgimisë së tij të diskutueshme, nuk pati funeral shtetëror, megjithëse disa anëtarë të qeverisë së parë të zgjedhur në mënyrë demokratike morën pjesë si “qytetarë privatë”. Fidesz, ende një parti liberale në atë kohë, kundërshtoi shumë.
Gjërat kanë ndryshuar mjaft që atëherë. Në vitin 2017, Orban e përshëndeti ish-guvernatorin si një “burrë shteti të jashtëzakonshëm që rindërtoi vendin”.
Analisti politik Bulcsu Hunyadi thotë se ka shumë anëtarë dhe mbështetës të Fidesz në bazë që e konsiderojnë Horthy një “hungarez të madh” dhe elita e partisë qeverisëse nuk dëshiron t’i humbë ata nga e djathta ekstreme.
“Unë mendoj se një rilindje Horthy nuk do të sillte më shumë votues për Fidesz në Hungari, por Fidesz” do të rrezikonte shumë ndërkombëtarisht – kjo është arsyeja pse ata janë ende shumë të kujdesshëm”, thotë Hunyadi.
Në mesin e tetorit, në Szeged, në jug të Hungarisë, ishte planifikuar të përurohej një basoreliev në nder të Horthy-t, në prani të një deputeti nga partia qeverisëse. Por sapo u shfaq në media, evenimenti u anulua.
Në vend që t’i hapë krahët Horthy-t, Fidesz zgjedh simbolizmin. Nuk është e vështirë të dallosh se si qeveria po kërkon frymëzim nga regjimi Horthy: ridizajnimi dhe rindërtimi i Kossuth ter, sheshi qendror rreth parlamentit dhe rinovimi i qarkut të Kalasë janë të gjitha përpjekje të dukshme për të risjellë vitet 1930, jo vetëm në formën e tyre fizike por edhe shpirtërore.
Riemërtimi i qarqeve si “qarqe kështjellash” dhe i komisionerëve të qeverisë si “foispan” (një lloj agjenti tokash ose granger nga kohët mesjetare, i emëruar nga një monark) ndjekin të gjitha traditën Horthyesque. Sado qesharake mund të duket, të gjitha këto tani janë të ankoruara në kushtetutën e Hungarisë. Rehabilitimi i reputacionit të politikanëve konservatorë dhe të shkrimtarëve të dyshimtë antisemitë të viteve 1930 janë të gjitha pjesë e një revizionizmi historik nën Fidesz-in.
“Orban mendon në një hark kohor prej 20-30 vjetësh, që është pak a shumë gjatësia e epokës Horthy”, shpjegon Hunyadi. “Ai ka nevojë për një simbol, një precedent dhe ai e gjen atë kryesisht në regjimin Horthy.”
Të dy regjimet janë nacionaliste, konservatore, autoritare, me lidhje të forta me kishat, duke ruajtur disa gjurmë parlamentarizmi dhe demokracie, si zgjedhjet e rregullta, por që ofrojnë pak mundësi për ndryshim të vërtetë ose një pushtim të opozitës.
Historiani Romsics mendon se Fidesz ka arritur të krijojë një komunitet politik pas partisë, ku identiteti dhe lidhja emocionale janë të një rëndësie kyçe. “Kujtesa historike është një pjesë integrale e këtij komuniteti dhe Horthy, i cili ishte një nacionalist dhe antikomunist i vendosur, është një nga ata që i lidh ata së bashku”, vëren Romsics.
Të dy “regjimet” u ndërtuan mbi një pushtet të fortë qendror, i cili me sa duket përshtatet me nevojat e shoqërisë së sotme. “Unë prirem të mendoj se pa një klasë të mesme të fortë dhe të arsimuar, asnjë demokraci e vërtetë nuk është e mundur”, përfundon ai.