
Zakonisht nuk shkruaj për produkte kulturore nga vendi im, por duhet të bëj përjashtim për dokumentarin e ri të regjisorit slloven Miran Zupanic, “Sarajevo Safari”, i cili detajon një nga episodet më të çuditshme dhe patologjike të rrethimit të kryeqytetit boshnjak gjatë viteve 1992-1996.
Dihet mirë se snajperët serbë në kodrat që rrethojnë qytetin do të qëllonin në mënyrë arbitrare banorët në rrugët poshtë dhe se aleatë të zgjedhur serbë (kryesisht rusë) u ftuan që edhe ata të qëllonin. Por tani mësojmë se kjo mundësi është dhënë jo vetëm si gjest vlerësimi, por edhe si lloj aktiviteti turistik për klientët që paguanin. Nëpërmjet “safarëve” të organizuara nga Ushtria Serbe e Bosnjës, dhjetëra të huaj të pasur – kryesisht nga Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar dhe Italia, por edhe nga Rusia – paguanin mijëra dollarë për mundësinë që të qëllonin mbi civilët e pafuqishëm.
Merrni parasysh formën e veçantë të subjektivitetit që një safari i tillë do t’i jepte “gjuetarit”. Megjithëse viktimat ishin anonime, kjo nuk ishte një lojë elektronike; drithërima perverse qëndronte në faktin se ishte e vërtetë. E megjithatë, duke luajtur “gjuetarin”, këta turistë të pasur, në një vend të sigurt mbi qytet, e përjashtonin veten nga realiteti i zakonshëm. Për shënjestrat e tyre realiteti ishte jetë a vdekje.
Ka diçka tejet të sinqertë në këtë shkrirje të realitetit dhe spektaklit. Në fund të fundit, a nuk janë politikanët kryesorë dhe menaxherët e korporatave të angazhuar gjithashtu në një lloj safari? Nga pozicioni i tyre i sigurt si shef, drejtuesit shpesh shkatërrojnë shumë jetë.
Dmitry Medvedev, ish-president rus, i cili tani shërben si zëvendëskryetar i Këshillit të Sigurisë së Rusisë, kohët e fundit ia imponoi një logjikë të ngjashme udhëheqësve politikë perëndimorë. Duke hedhur poshtë paralajmërimet e SHBA-së dhe NATO-s për pasojat e sulmit taktik bërthamor rus, Medvedev argumentoi se:
“Siguria e Uashingtonit, Londrës, Brukselit është shumë më e rëndësishme për Aleancën e Atlantikut të Veriut sesa fati i Ukrainës që po vdes, për të cilën askush nuk ka nevojë. Furnizimi me armë moderne është thjesht biznes për vendet perëndimore. Demagogët e huaj dhe evropianë nuk do të humbasin në një apokalips bërthamor. Prandaj, ata do ta gëlltisin përdorimin e çdo arme në konfliktin aktual”.
Medvedev ka thënë gjithashtu se Kremlini do të “bëjë gjithçka” për të parandaluar “fqinjët armiqësorë” si “Ukraina naziste” që të marrin ose të presin armë bërthamore, pasi kjo supozohet se do të përbënte kërcënim ekzistencial për shtetin rus. Por duke qenë se është Rusia ajo që po kërcënon ekzistencën e Ukrainës si shtet, logjika e Medvedevit dikton që edhe Ukraina duhet të ketë armë – madje edhe armë bërthamore – për të arritur barazinë ushtarake.
Kujtojini fjalët e vetë Putinit qershorin e kaluar: “…nuk ka asnjë shtet ndërmjetësues, asnjë shtet të ndërmjetëm: një vend ose është sovran, ose është koloni, pavarësisht se si quhen kolonitë”.
Fatkeqësisht, shumë të majtë perëndimorë kanë luajtur drejtpërdrejt në duart e Putinit për këtë çështje. Për shembull, Harlan Ullmanin nga Këshilli Atlantik, i cili shkruan: “Clemenceau vërejti se ‘lufta është shumë e rëndësishme për t’u lënë në dorë gjeneralëve’. Në këtë rast, a është Ukraina shumë e rëndësishme për t’ia lënë në dorë Zelenskit? SHBA-së i duhet një strategji me platformë të hapur për t’i dhënë fund dhunës dhe luftës.”
Të majtët nga Noam Chomsky deri te Jeffrey Sachs (për të mos përmendur shumë apologjetë të Rusisë në të djathtë) kanë miratuar qëndrime të ngjashme. Pasi këmbëngulën fillimisht se Ukraina nuk mund të fitojë luftën kundër Rusisë, ata tani nënkuptojnë se ajo nuk duhet të fitojë, sepse kjo do ta linte Putinin në qoshe dhe për këtë arsye ai do të ishte i rrezikshëm.
Por nëse do të kishim ndjekur këshillat e paqedashësve dhe nuk do të kishim dërguar armë në Ukrainë, ai vend tani do të ishte plotësisht i pushtuar, nënshtrimi i tij do të ishte shoqëruar me mizori shumë më të mëdha se ato që janë zbuluar në Bucha, Izium dhe shumë vende të tjera.
Një qëndrim shumë më i mirë është mbajtur nga të Gjelbërit gjermanë, të cilët mbrojnë jo vetëm mbështetjen e plotë për Ukrainën, por edhe reformat strukturore për të përshpejtuar tranzicionin larg naftës dhe gazit, që nga ana tjetër do ta largojë njerëzimin nga ndryshimet katastrofike klimatike. Pjesa tjetër e së majtës perëndimore ka qenë në safari, duke refuzuar ndërhyrjen që nuk do të sfidojë mënyrën e saj të vendosur të jetesës.
Paqedashësit argumentojnë se Rusia ka nevojë për fitore ose lëshim, gjë e cila do t’i japë asaj mundësinë “shpëtojë fytyrën”. Por kjo logjikë ka edhe efekte të mira edhe të këqija. Pas kërcënimeve bërthamore të Medvedevit dhe Putinit, është Ukraina dhe Perëndimi që nuk mund të bëjnë më kompromis dhe ende të shpëtojnë fytyrën. Të mos harrojmë se Medvedev parashikoi se Perëndimi do të refuzonte t’i përgjigjej ushtarakisht sulmit bërthamor rus, sepse është shumë frikacak dhe lakmitar për ta bërë këtë.
Këtu hyjmë në fushën e filozofisë, sepse fjalët e Putinit dhe Medvedevit i bëjnë jehonë qartazi dialektikës zot-skllav të Hegelit. Nëse dy vetëdije përfshihen në luftë për jetë a vdekje, nuk mund të ketë fitues, sepse njëra do të vdesë dhe fituesi nuk do të ketë më vetëdije tjetër rreth vetes që mund të njohë vetëdijen e tij. E gjithë historia e kulturës njerëzore mbështetet në kompromisin origjinal, sipas të cilës dikush bëhet shërbëtori që “shmang sytë” për të parandaluar shkatërrimin e sigurt të ndërsjellë.
Medvedev dhe Putin hamendësojnë se Perëndimi dekadent dhe hedonist do ta kthejë shikimin nga ana tjetër. Dhe kjo na kthen në dinamikën e kapur në “Sarajevo Safari”. Elitat e privilegjuara ndihen sikur mund të ndërhyjnë në botën reale në mënyra strategjike që nuk sjellin asnjë rrezik personal. Por realiteti i arrin të gjithë përfundimisht. Kur të ndodhë kjo, nuk duhet t’i vëmë veshin këshillave të atyre që shqetësohen vetëm që të mos provokojnë bishën.
Marrë me autorizim nga Project Syndicate, 2016. Ripublikimi mund të bëhet vetëm me lejen e Project Syndicate The Ukraine Safari