Si rezultat i luftës së Kosovës 1998-1999, sipas të dhënave nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë, FDHK, dhe nga Fondi për të Drejtën Humanitare, FDH, janë vrarë rreth 13,535 persona.
Rreth 80 për qind e tyre ishin civilë që nuk morën pjesë në konfliktin e armatosur dhe rreth 1,600 prej këtyre viktimave janë ende të zhdukur.
Më shumë se dy dekada pas përfundimit të luftës, e cila zgjati nga 28 shkurti 1998 deri më 20 qershor 1999, shumë familje të viktimave ende kërkojnë drejtësi për të afërmit e tyre të vrarë.
Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë, GJPNJ (e cila ishte funksionale nga 1993-2017) dhe gjykatat vendase në Kosovë, duke përfshirë misionin e OKB-së UNMIK (2000-2008) dhe misionin e BE-së për sundimin e ligjit EULEX (2009-2018), të gjithë kanë qenë të përfshirë në hetimin dhe gjykimin e krimeve të luftës në Kosovë.
Nga qershori 2014, gradualisht filloi transferimi i kompetencave nga EULEX te prokurorët vendorë. Në maj të vitit 2015, në kuadër të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, u krijua Departamenti për Krime Lufte.
Sipas Ligjit të ri për Gjykatat në Kosovë, që nga janari i vitit 2019, janë krijuar departamente speciale në Gjykatën Themelore të Prishtinës dhe Gjykatën e Apelit, të cilat janë në gjendje të gjykojnë rastet e krimeve të luftës në nivel kombëtar.
Paralelisht me gjyqësorin vendas, që nga gushti 2015, Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyra e Prokurorit të Specializuar, me selinë e tyre në Hagë, janë në gjendje të hetojnë dhe gjykojnë personat për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit që kanë ndodhur në Kosovë gjatë periudhës 1998- 2000.
Në gjykatat e Serbisë dhe Malit të Zi janë zhvilluar edhe disa procese gjyqësore lidhur me krimet e luftës në Kosovë.
Në total, rreth 215 persona janë akuzuar për krime lufte në Kosovë nga të gjitha këto institucione, edhe pse vetëm 71 janë dënuar.
Si rezultat, shumë familje viktimash janë dëshpëruar dhe kanë humbur shpresën për të parë drejtësinë të vihet në vend.
Sfidat për ndjekjen penale të krimeve të luftës
Arsyeja pse nuk ka pasur më shumë sukses në dënimin e kriminelëve të luftës është se institucionet e drejtësisë janë përballur dhe ende përballen me sfida të ndryshme.
Këto sfida përfshijnë ndikimin te dëshmitarët; mungesa e bashkëpunimit midis prokurorive të Kosovës dhe Serbisë; koha (me kalimin e kohës kujtesa zbehet, dëshmitarët dhe të dyshuarit vdesin); mandatet e kufizuara të misioneve ndërkombëtare në Kosovë; numri i pamjaftueshëm i prokurorëve vendas dhe personelit ndihmës të angazhuar në hetimin e krimeve; dhe së fundi, gjykimet në mungesë.
Raportet e FDHK-së bazuar në monitorimin e gjykimeve për krime lufte në Kosovë kanë identifikuar të gjitha vonesat dhe sfidat me të cilat është përballur dhe po ballafaqohet gjyqësori i Kosovës dhe kanë ofruar rekomandime konkrete për përmirësimin e gjendjes së gjyqësorit.
Raporti vjetor i FDHK-së i vitit 2013, “Dëshmitarë ende thembra e Akilit në gjyqe të profilit të lartë”, shqyrtoi situatën e dëshmitarëve të cilët, për arsye të ndryshme, vendosën të kundërshtojnë dëshmitë paraprake që dhanë që mbështesin aktakuzën.
Përballë deklaratave të tyre të mëparshme, ata shpjeguan kontradiktën me ato që thanë më parë në mënyra të ndryshme, duke përfshirë edhe pretendimin se i nënshkruan deklaratat paraprake në anglisht; se nuk e dinin se çfarë kishin nënshkruar; se deklarimet në procedurën paraprake janë dhënë nën presion; dhe se dallimet në dëshmitë e tyre të mëparshme dhe aktuale ishin rezultat i përkthimit të dobët.
Raporti i Komisionit Evropian për vitin 2016 për progresin e Kosovës konkludoi se “përkundër faktit se sistemi për mbrojtjen e dëshmitarëve ka kapacitete adekuate, për momentin nuk ka dëshmitarë nën mbrojtje për shkak të mungesës së besimit në këtë sistem”.
Më shumë se dy dekada pas përfundimit të luftës, një numër i madh dëshmitarësh okularë besohet se tashmë kanë vdekur. Dëshmitë që mund t’u kenë dhënë organeve të hetuesisë sa ishin gjallë, nuk kanë më shumë peshë në proceset gjyqësore. Gjatë kësaj periudhe dyshohet se kanë vdekur edhe një numër i madh autorësh, duke e bërë të pamundur hapjen e një procedimi të mëtejshëm gjyqësor ndaj tyre.
Me nënshkrimin e Marrëveshjes së Kumanovës, të datës 9 qershor 1999, forcat ushtarake jugosllave dhe forcat policore serbe u larguan nga territori i Kosovës. Që nga ky moment një numër i madh i autorëve të krimeve të luftës janë larguar edhe nga territori i Kosovës.
Mungesa e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe mungesa e shkëmbimit të informacioneve midis prokurorive të këtyre dy vendeve ka krijuar një klimë të favorshme për autorët që kanë kryer krime lufte në Kosovë.
Fakti që të dy shtetet nuk ekstradojnë të dyshuar për krime lufte, ndërsa nga ana tjetër, vetë shtetet nuk kanë treguar ndonjë përparim të madh në gjykimin e qytetarëve të tyre për krime të tilla, tregon qartë se kjo është një sfidë më e madhe që duhet adresuar sa me shpejt te jete e mundur.
Në Kosovë, misionet ndërkombëtare kanë trajtuar kryesisht hetimin dhe gjykimin e të dyshuarve për krime lufte. Këto misione kanë pasur mandate të kufizuara, personeli i të cilëve ka pasur kontrata të kufizuara, ndërsa rastet e krimeve të luftës janë komplekse dhe procedurat gjyqësore zgjasin disa vite.
Kemi shembullin e një rasti krimesh lufte që filloi në vitin 2003 me aktakuzën e lëshuar nga një prokuror i UNMIK-ut dhe përfundoi në vitin 2016 me aktakuzën që po trajtohej nga prokurorët e EULEX-it. Natyrisht, në këtë periudhë prokurorët janë ndryshuar disa herë gjatë procesit gjyqësor.
I gjithë ky proces kërkon natyrshëm kohë – çdo prokuror i ri duhet të njihet me dosjet voluminoze, gjë që ndikon në (jo)efikasitetin e përfshirë në zgjidhjen e çështjes.
Që nga viti 2019, janë bërë ndryshime në Kodin e Procedurës Penale të Kosovës duke lejuar gjykimin në mungesë të të dyshuarve të cilët nuk janë të aksesueshëm nga autoritetet e Kosovës. Disa juristë e mbështesin këtë ndryshim, disa e kundërshtojnë, duke shtruar pyetjen se cili është qëllimi i dhënies së një dënimi nëse ai nuk zbatohet.
Ky ndryshim në Kodin e Procedurës Penale mund të rrisë numrin e personave të akuzuar dhe të dënuar dhe jo numrin e të dënuarve të burgosur. Ky ndryshim ligjor nuk do të krijojë kënaqësi për familjarët e viktimave, nëse ata e dinë se vrasësit e të afërmve të tyre nuk po vuajnë dënimin.
Që nga viti 2019, ky ligj është ndryshuar tre herë, sepse në mënyrë të përsëritur ka rezultuar jopraktik dhe ende nuk ka nisur asnjë proces gjyqësor në mungesë.
Ekziston një praktikë e ngjashme e mbajtjes së gjyqeve në mungesë për krimet e luftës në Kroaci. Megjithatë, pasi vendimet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut thanë se standardet për një gjykim të drejtë në lidhje me të drejtat e të pandehurit në procedurë nuk ishin respektuar, një numër i madh i vendimeve në këto gjykime të të dyshuarve në mungesë është dashur të rishikohen.
Se sa e aftë do të jetë Kosova për të përmbushur kushtet strikte për drejtësi ndaj të pandehurit në gjykime të tilla, mbetet të shihet në vitet e ardhshme.
Një kusht elementar për drejtësi – që i pandehuri të njoftohet zyrtarisht se është ngritur aktakuzë për të, dhe se gjykimi po vazhdon në mungesë – është e vështirë për Kosovën të përmbushet për shkak të situatës aktuale të mosbashkëpunimit me Serbinë.
Sukseset dhe dështimet në Hagë dhe Kosovë
GJPNJ-ja, përkundër kritikave, ishte një mekanizëm gjyqësor që arriti të sjellë para drejtësisë zyrtarët më të lartë të akuzuar për përfshirje në krimet e luftës në Kosovë.
Gjykata e Hagës nuk e dënoi ish-presidentin e Republikës Federale të Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviç, pasi ai ndërroi jetë gjatë gjykimit, por gjashtë zyrtarë që ishin vartës të tij u dënuan dhe u vërtetua nga gjykata se kishte qëllim të përbashkët kriminal.
Krimet që janë vërtetuar nga GJPNJ-ja tani nuk mund të mohohen nga askush dhe kjo ka dërguar mesazhin se askush nuk është imun ndaj ndjekjes penale, pavarësisht nga pushteti politik që zotërojnë në një moment të caktuar.
Dështimet më të mëdha të UNMIK-ut dhe EULEX-it kanë qenë në trajtimin e krimeve të luftës lidhur me përdhunimin; është e qartë se gjatë konfliktit të armatosur në Kosovë ka pasur një numër të madh rastesh përdhunimit të grave dhe burrave, duke përfshirë edhe të miturve.
Përdhunimi konsiderohet si një nga krimet më të urryera kundër njerëzimit dhe në Kosovë vlerësohet se gjatë luftës ka pasur mijëra raste abuzimi seksual.
Përkundër vështirësive në krijimin e një mjedisi të sigurt për dëshmitarët që të dëshmojnë kundër njerëzve të profilit të lartë që akuzohen për krime lufte në Kosovë, misioni i EULEX-it arriti të akuzojë dhe të dënojë më shumë njerëz për krime lufte sesa misioni i UNMIK-ut dhe gjyqësori vendas.
Nga qershori i vitit 2014, EULEX-i filloi gradualisht transferimin e mandatit të tij ekzekutiv në prokurorinë vendase. Që nga qershori i vitit 2018, EULEX-i nuk ka më mandat ekzekutiv dhe tani vepron vetëm si strukturë mbështetëse dhe monitoruese.
Që kur mori mandatin ekzekutiv, prokuroria vendase ka akuzuar vetëm 12 persona për krime lufte.
Mungesa e vullnetit politik
Vendet që dolën nga luftërat në ish-Jugosllavi nuk kanë pasur kurrë vullnet politik për të ndëshkuar autorët e krimeve të luftës, pasi të dënuarit për këto krime janë trajtuar si heronj dhe shpesh janë nderuar zyrtarisht nga udhëheqësit shtetërorë dhe janë ngritur në poste kyçe në institucionet shtetërore.
Në aspektin e rrugës përpara, qeveria e Kosovës duhet të kërkojë të fusë, ndër çështjet prioritare në agjendën e negociatave të saj të ndërmjetësuara nga BE-ja me Serbinë, vendosjen e bashkëpunimit juridik ndërkombëtar përmes nënshkrimit të protokolleve të bashkëpunimit midis autoriteteve të prokurorisë speciale të Kosovës dhe Serbisë.
Bashkëpunimi ligjor është një nga mënyrat e duhura për ndjekjen e suksesshme penale të krimeve të luftës, por edhe për vendosjen e drejtësisë për viktimat e krimeve të luftës. Mungesa e bashkëpunimit juridik dhe shkëmbimit të informacioneve midis organeve të hetuesisë së Kosovës dhe Serbisë çon në joefikasitet në ngritjen e aktakuzave për krime lufte.
Ndërkohë mediat duhet të japin më shumë mbështetje dhe përkushtim për viktimat e krimeve të luftës, pasi që deri më tani disa media kanë treguar përkushtim dukshëm më të madh ndaj atyre që janë akuzuar.
Kjo shpesh reflektohet në emisionet televizive ku paraqiten prova të njëanshme, duke u dhënë hapësirë kriminelëve të dënuar të luftës që të mohojnë faktet e vërtetuara me vendime gjyqësore, në mënyrë që të krijohet përshtypja në arenën publike se ata janë dënuar në mënyrë të paligjshme.
Paqja nuk ndërtohet duke neglizhuar familjet e viktimave të luftës, paqja nuk ndërtohet duke shmangur bashkëpunimin, paqja nuk ndërtohet duke kërcënuar dëshmitarët, paqja nuk ndërtohet duke ndikuar në gjyqësor dhe paqja nuk ndërtohet kur politikanët shmangin këto tema në tryezën e negociatave.
E gjithë kjo tregon se, deri më tani, politikanët tanë nuk kanë pasur vullnet dhe guxim për t’u përballur me të shkuarën. Krimet e luftës nuk duhet të harrohen apo amnistohen nga neglizhenca e institucioneve shtetërore. Kjo thjesht e mjegullon të kaluarën dhe krijon konfuzion për brezat e rinj për atë që ka ndodhur realisht.
Amer Alija është koordinator dhe analist ligjor në Fondin për të Drejtën Humanitare Kosovë.
Ky artikull është botuar si pjesë e projektit Përmirësimi i Llogaridhënies dhe Proceseve të Memorializimit në Ballkan, financuar nga Mantra Regional Rule of Law Programme.