Reporter.al
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
  • Reportazhe
  • Opinion
  • Intervista
  • Rajoni
  • Blog
Ska rezultat
Shiko të gjitha
  • Tema kryesore
  • Gjyqtare
  • Kolegji i Posaçëm i Apelimit
  • Prokurore
  • KPK
  • Gjykata e Apelit Tiranë
  • Mjedisi
Reporter.al
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
  • Reportazhe
  • Opinion
  • Intervista
  • Rajoni
  • Blog
Ska rezultat
Shiko të gjitha
Reporter.al
Fillimi Rajoni

Një vit luftë në Ukrainë: Mbështetja e lirisë së medias në kohë lufte

Gazetarët ukrainas kanë punuar në kushte krize pa ndërprerje që nga pushtimi i plotë i vendit të tyre nga Rusia një vit më parë, por pavarësisht nga rreziqet dhe vështirësitë emocionale, ata janë të vendosur të konsolidojnë lirinë e shtypit.

Matthew CollinMilica StojanovicNgaMatthew CollindheMilica Stojanovic
13:27 | 24/02/2023
Në Rajoni
Kohe leximi: 9 minuta
A A
0
Dekada e ardhshme pa paqe

Automjete ruse të shkatërruara në Bucha, Kiev, 1 mars 2022. Foto: Wikipedia.

Share on FacebookShare on Twitter

Në orët e para të 24 shkurtit të vitit të kaluar, kur Rusia nisi sulmin e saj të gjithanshëm ndaj Ukrainës, gazetarët në vend u zgjuan dhe zbuluan se jeta dhe puna e tyre ishin transformuar plotësisht.

Shumica prej tyre nuk kishin menduar kurrë të bëheshin korrespondentë lufte, por tani lufta u kishte ardhur në derë.

Angelina Kariakina, drejtuese e lajmeve në televizionin publik ukrainas, u zgjua në orën 3 të mëngjesit të atij mëngjesi dhe kontrolloi titujt e lajmeve, siç kishte bërë çdo mëngjes në ditët e mëparshme, ndërsa kërcënimi i pushtimit në shkallë të plotë bëhej më i madh. Ajo pa që presidenti rus Vladimir Putin po fliste drejtpërdrejt në televizion: “Fillova ta dëgjoja dhe kuptova nga ky fjalim se po fillonte lufta.”

Kolegët e saj filluan të dërgonin mesazhe, duke raportuar se po dëgjonin shpërthime në Kiev dhe qytete të tjera anembanë vendit. Radhët makinash filluan të krijoheshin jashtë kryeqytetit ndërsa njerëzit filluan të iknin të tmerruar nga sulmi ushtarak rus.

Nga apartamenti i saj në kryeqytet, Kariakina dëgjoi shpërthime dhe pa tym që ngrihej në qiell. Kështu që ajo paketoi gjërat e saj dhe shkoi në punë.

“Në orën shtatë të mëngjesit, unë po bëja një edicion lajmesh drejtpërdrejtë në zyrë”, kujtoi ajo disa javë pas fillimit të pushtimit, në një intervistë për serinë e videove të BIRN “Eyewitness Ukraine”. “Ishte një ditë shumë, shumë e gjatë.”

Një vit pas asaj dite shumë të gjatë, lufta vazhdon ende pa fund në horizont. Në një intervistë të re pak para përvjetorit të parë të kësaj jave, Kariakina i tha BIRN se shumëçka ka ndryshuar për gazetarët ukrainas që vendosën të qëndronin në vendin e tyre dhe të raportonin për pushtimin. “U desh të rishikonim mënyrën se si punojmë”, tha ajo.

Një ndryshim është se lajmi tani është i pandërprerë. “Është si një detyrë e pafund”, tha Roman Stepanovych, bashkëthemelues i faqes së pavarur të lajmeve Zaborona dhe fondacionit 2402, i cili ndihmon në pajisjen e gazetarëve që mbulojnë konfliktin me pajisje mbrojtëse. “Nuk ka rehati, nuk ka ndjenjë sigurie dhe gjatë gjithë kohës thjesht bën punën tënde. Familja ime tani është jashtë Ukrainës për sigurinë e tyre, kështu që në thelb është një punë 24/7.”

Muajt e parë të luftës, ndërsa ushtria ruse u përpoq të shtypte rezistencën e ashpër të Ukrainës ndaj pushtimit, ishin më vdekjeprurësit për gazetarët, deri më tani. Sipas një raporti të Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve me qendër në Nju Jork, 15 punonjës të medias, ukrainas dhe gazetarë të huaj, humbën jetën nga shkurti deri në maj 2022.

Shumë prej tyre u vranë nga granatimet ose shkëmbimet e zjarrit, por është pretenduar se disa ishin shënjestruar drejtpërdrejt nga forcat ruse, si Maksim Levin, një fotoreporter i njohur ukrainas i cili u ekzekutua me një të shtënë në kokë, sipas një hetimi nga organizata Reporterët Pa Kufij.

Disa gazetarë janë zhdukur ose kanë humbur kontaktet me kolegët e tyre pasi qytetet ku ata jetonin, si Mariupol apo Kherson, u morën nga forcat ruse. Të tjerë janë vrarë në vijën e frontit pasi janë mobilizuar në ushtri.

“Disa prej tyre u morën gjithashtu si robër lufte dhe janë ende në duart e rusëve dhe ende nuk e dimë se si janë, nëse janë mirë apo nëse janë gjallë”, shtoi Kariakina.

Siguria u bë shpejt një shqetësim kryesor për organizatat mediatike, shpjegoi ajo: “Të gjithë ne po operojmë nga zyra që duhet të kenë një bunker, një strehë për bomba.” Një furnizim i besueshëm me energji elektrike është gjithashtu jetik: “Me ndërprerjet e mëdha të energjisë dhe me sulmet ruse kundër infrastrukturës sonë energjetike, duhej të siguroheshim që zyrat tona janë të sigurta.”

“Do të merremi për dekada të tëra me këtë”

Gazetarët ukrainas e kuptuan shpejt se tani po dokumentonin mizori që mund të klasifikoheshin si krime lufte ose krime kundër njerëzimit dhe se materialet e tyre mund të përdoreshin në të ardhmen për të ndjekur penalisht autorët e dyshuar në gjykatat e Ukrainës apo edhe në Gjykatën Penale Ndërkombëtare me bazë në Hagë.

“Kjo është puna me të cilën ne gazetarët, shoqëria civile dhe forcat e rendit do të merremi për dekada dhe dekada”, tha Kariakina, e cila si bashkëthemeluese e Laboratorit të Gazetarisë së Interesit Publik është gjithashtu e përfshirë në përpjekjet për të dokumentuar krimet e kryera në të gjithë Ukrainën. “Shumë media investigative që dikur fokusoheshin te korrupsioni, për shembull, tani po punojnë më shumë për identifikimin e kriminelëve rusë të luftës”, shtoi ajo.

Gazetarja Anna Babinets tha për BIRN vitin e kaluar se si media e saj investigative, Slidstvo, kishte filluar të dokumentonte mizori për rastet e mundshme gjyqësore të ardhshme duke marrë dëshmi nga dëshmitarët okularë: “Ne flasim me ta, pyesim se çfarë bëjnë saktësisht rusët atje, si sillen si njerëz, si vrasin, si grabisin dhe përpiqemi të publikojmë sa më shumë detaje që mund të sigurojmë.”

Ndër incidentet nën hetim nga prokurorët janë sulmet ndaj gazetarëve dhe granatimet e kullave të radios dhe televizionit. Reporterët pa Kufij thonë se tashmë kanë paraqitur shtatë kallëzime për krime lufte në Gjykatën Penale Ndërkombëtare dhe Prokurorin e Përgjithshëm të Ukrainës, duke pretenduar se forcat e armatosura ruse kanë zhvilluar “një luftë të gjithanshme ndaj lajmeve dhe informacioneve”.

Problemet më pak dramatike kanë pasur gjithashtu një ndikim të rëndësishëm. Lufta ka shkatërruar të ardhurat nga reklamat, duke goditur rëndë mediat e pavarura online dhe gazetat lokale.

“Nuk ka shumë media të pavarura në Ukrainë, shumica i përkasin oligarkëve, biznesmenëve dhe njerëzve në pushtet”, shpjegoi Stepanovych. “Me këtë luftë, tregu i tyre i shitjes me pakicë dhe tregu i reklamave është zhdukur. Disa media më të vogla tani varen nga financimi i donatorëve dhe mund të mos mbijetojnë në fund.”

Në zonat që janë kapur nga forcat ruse, mediat ukrainase kanë heshtur; në qytetin e pushtuar të Mariupolit, për shembull, një gazetë lokale e zhdukur u ringjall për të përhapur propagandën e Kremlinit dhe u krijua një stacion i ri televiziv pro-rus.

Megjithatë, disa gazetarë ukrainas janë përpjekur të ngrenë një lloj rezistence informacioni në zonat e pushtuara. “Ne kemi shembuj kur gazetarët krijuan kanalin e tyre në Telegram për të informuar audiencën e tyre në territoret e pushtuara për situatën sepse faqja e tyre e internetit u bllokua”, tha Lina Kushch, sekretare e përgjithshme e Unionit Kombëtar të Gazetarëve të Ukrainës.

Në zonat që janë rimarrë nga forcat ukrainase, Unioni Kombëtar i Gazetarëve ka ndihmuar që gazetat lokale të rifuten në funksion. “Ndonjëherë në fshatrat ose qytetet afër vijës së frontit, ata nuk kanë sinjal televiziv, nuk kanë internet dhe nuk kanë asnjë mundësi të gjejnë informacione”, tha Kushch. “Kështu që ne mbështesim gazetat në territoret e deokupuara dhe i ndihmojmë të gjejnë financime nga donatorë të tjerë për të vazhduar punën e tyre.”

“Ne nuk jemi si Rusia, ne jemi një demokraci”

Veronika Melkozerova, një gazetare ukrainase që raporton për Politico dhe media të tjera, tha se, përveç rreziqeve, gazetarët duhet të përballen me stresin e vazhdueshëm të të jetuarit të jetës së tyre brenda historisë që po mbulojnë.

“Më pëlqente të ndaloja së qeni si një ‘njeri normal’ dhe të shikoja se çfarë po ndodhte nga këndvështrimi i një gazetari, që është gjithmonë si ta shohësh pak nga anash”, shpjegoi Melkozerova. “Është e vështirë kur nuk po hidhesh me parashutë në një konflikt, por po mbulon pushtimin e vendit tënd.”

Disa gazetarë kanë pësuar trauma psikologjike për shkak të mizorive që kanë parë ose lodhje mendore për shkak të stresit të vazhdueshëm. Disa kanë luftuar gjithashtu me dilema morale se si të raportojnë histori që mund të mos duken të mira për autoritetet në një kohë kur ukrainasit po luftojnë për të ruajtur lirinë e vendit të tyre.

“Qeveria jonë nuk po i persekuton gazetarët për kritika gjatë luftës, por ka ende një luftë të brendshme midis patriotizmit dhe etikës profesionale, sepse e dini se çdo informacion jo i këndshëm, si për korrupsionin ose për vendime të caktuara nga qeveria, mund të përdoret nga Rusia dhe skeptikët evropianë”, shpjegoi Melkozerova.

“Gjithmonë duhet të theksoni se nuk po përpiqeni të minoni qeverinë, thjesht po tregoni historinë dhe kjo është gjë e mirë sepse tregon se ne nuk jemi si Rusia, ne jemi një demokraci”, argumentoi ajo.

Megjithatë, mediave u është dashur të rishikojnë mënyrën se si raportojnë historitë. Ligji ushtarak i vendosur nga autoritetet ukrainase pas fillimit të pushtimit çoi në vendosjen e një sërë kufizimesh sigurie në mënyrën se si gazetarët lejohen të raportojnë, si moszbulimi i vendndodhjeve të njësive ushtarake dhe informacione të tjera që mund të ndihmojnë forcat ruse.

Disa kanale televizive kombëtare u mblodhën gjithashtu për të krijuar një transmetues të unifikuar, të mbështetur nga qeveria gjatë kohës së luftës, United Neës. Si në çdo vend në luftë, ka pasur debate se çfarë roli duhet të luajë transmetuesi kombëtar dhe sa duhet të ndjekë vijën e qeverisë.

Kariakina argumentoi se duke pasur parasysh rrethanat, kufizimet e vendosura ndaj medias nuk përbëjnë censurë të papranueshme dhe se mediat ukrainase dhe ato ndërkombëtare që veprojnë në vend kanë një “nivel të paprecedentë lirie” për të raportuar.

“Sigurisht që ka disa kufizime dhe ka disa gjëra që ne nuk mund t’i bëjmë në krahasim me ato që bënim në kohë paqeje, por mendoj se niveli i lirisë profesionale që ne përdorim është i paprecedentë në një vend që është në luftë”, tha ajo.

Një ligj i ri i miratuar në fund të vitit 2022 u ka dhënë gjithashtu autoriteteve më shumë pushtet për të rregulluar median, duke shkaktuar disa polemika. Qeveria pretendon se legjislacioni është i nevojshëm për të luftuar dezinformimin dhe propagandën ruse, por Federata Evropiane e Gazetarëve ka shprehur shqetësime se ai mund të përdoret për të mbytur raportimin kritik.

Ndërkohë në Rusi, që nga fillimi i pushtimit, regjimi i Vladimir Putin ka zhvilluar një “luftë kundër gazetarisë në vend”, sipas një raporti të botuar nga Instituti Ndërkombëtar i Shtypit për të shënuar përvjetorin. Lajmet e televizionit rus dominohen nga propaganda luftarake dhe disa media të pavarura të mbetura janë mbyllur.

“Në Rusi, ka pasur qindra raste censure, arrestimesh dhe kufizimesh të tjera si rezultat i goditjes gjithëpërfshirëse të Putinit ndaj lajmeve të pavarura që ka shtyrë një valë gazetarësh dhe mediash ruse të mërgojnë”, thuhet në raport.

“Jemi ende në fazën e nxehtë”

Lufta, dhe mënyra se si njerëzit mund të ruhen prej saj, është ende tema mbizotëruese në mediat ukrainase. “I vetmi informacion për të cilin ukrainasit tani janë të interesuar është se si të mbijetojnë të nesërmen”, tha Stepanovych.

“Është informacion jetik, është informacioni që u nevojitet që ata të marrin vendime. Të qëndrojnë apo të largohen nga vendi, të rrinë në shtëpi apo të dalin në rrugfë, t’i çojnë apo jo në shkollë fëmijët dhe gjëra të tilla”, theksoi Kariakina.

Është ende shumë herët për të vlerësuar siç duhet efektet afatgjata të konfliktit në mjedisin mediatik në vend, ajo tha: “Jemi ende në fazën e nxehtë të mbulimit të lajmeve të fundit.”

Në muajt e parë pasi Vladimir Putin urdhëroi forcat e tij të sulmonin Ukrainën, ndjenja se ishte jetike të ruhej solidariteti kombëtar, i pengoi disa gazetarë të eksploronin akuzat për keqbërje zyrtare, tha Kushch: “Nuk kishte investigime të rrezikshme gazetareske për muaj të tërë – kishte një të pathënë në formë tabuje: “Le ta fitojmë luftën dhe pastaj do t’i zgjidhim gjërat.”

Por në janar të këtij viti, gazetarët investigativë publikuan pretendime se zyrtarët po përfitonin në mënyrë të paligjshme nga kontratat e prokurimit për racionet ushtarake dhe gjeneratorët elektrikë për forcat e armatosura. Si pasojë e skandalit që pasoi, zëvendësministri i mbrojtjes dha dorëheqjen dhe zëvendësministri i infrastrukturës u shkarkua nga puna.

Yuriy Nikolov, një gazetar i përfshirë në publikimin e një prej historive për ZN.UA, tha se përpara se raporti i tij të publikohej, ai ishte i shqetësuar për ndikimin që ai mund të kishte në përpjekjet e luftës. “I kërkoj falje paraprakisht lexuesve për dhimbjen e shkaktuar”, shkroi ai.

Por mbështetësit e lirisë së medias argumentojnë se nxjerrja e autoriteteve para përgjegjësisë është një pjesë e rëndësishme e luftës për një të ardhme më të mirë për Ukrainën. Melkozerova tha se skandali i korrupsionit tregoi se ka arsye për të qenë optimist sepse raportimi i gazetarëve të pavarur dhe presioni nga organizatat e shoqërisë civile e kishin detyruar qeverinë të ndërmarrë veprime.

“Ndryshe nga Rusia, ku autoritetet vijnë dhe arrestojnë gazetarë që kritikojnë zyrtarët, në Ukrainë është anasjelltas – zyrtarët tani janë nën presion për të shpjeguar veten dhe mund të përballen edhe me dënime me burg, nëse gjykata i gjen ata fajtorë”, shpjegoi ajo.

Stepanovych shprehu gjithashtu një optimizëm të kujdesshëm: “Pas këtyre investigimeve, ishte e qartë se ne nuk mund të mbetemi vetëm te ‘ne po fitojmë, pavarësisht mënyrës se si’. Njerëzve u intereson situata në shoqëri. Atyre u intereson se si funksionon qeveria, se si shpenzohen paratë”, tha ai.

“Pra, kjo është një shenjë e mirë, besoj. Kjo është një shenjë shumë e mirë.”

Për më shumë informacione se si puna dhe jeta personale e gazetarëve ukrainas janë ndikuar nga lufta, shikoni video projektin e BIRN Eyewitness Ukraine.

Tjetri

Gjykata rrëzon pretendimet e Mirel Mërtirit kundër BIRN Albania

Më të lexuarat

Dekada e ardhshme pa paqe

Një vit luftë në Ukrainë: Mbështetja e lirisë së medias në kohë lufte

13:27 | 24/02/2023
Seksizmi si ana e dukshme e paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë

Seksizmi si ana e dukshme e paaftësisë dhe papërgjegjshmërisë

19:09 | 18/03/2023
KPK shkarkon nga detyra gjyqtarin Arben Kostandini

KPK shkarkon nga detyra gjyqtarin Arben Kostandini

10:51 | 15/03/2023
Buzëqeshja e Tristanit, një emblemë që do t’i mungojë qytetit

Buzëqeshja e Tristanit, një emblemë që do t’i mungojë qytetit

13:49 | 20/03/2023
Si u kthye Tirana në kryeqytetin e skemave mashtruese të investimeve

Si u kthye Tirana në kryeqytetin e skemave mashtruese të investimeve

10:08 | 13/03/2023
Arrestohen drejtuesit e Bashkisë Bulqizë, falsifikuan 2.8 milionë euro tender

Arrestohen drejtuesit e Bashkisë Bulqizë, falsifikuan 2.8 milionë euro tender

11:16 | 16/03/2023
  • Analiza
  • Blog
  • Intervista
  • Investigime
  • Lajme
  • Opinion
  • Rajoni
  • Reportazhe
  • Vendi
  • Rreth nesh
  • Stafi
  • Kontaktoni
  • Ankesa dhe Korrigjime
  • Politika e privatësisë dhe rregulla të tjera
  • Pyetje të shpeshta
Follow Us

Të gjitha të drejtat janë të rezervuara
© 2014 - 2021 Reporter.al - BIRN
Dev by Aplikacione.com

Ska rezultat
Shiko të gjitha
  • Investigime
  • Analiza
  • Lajme
  • Reportazhe
  • Opinion
  • Intervista
  • Rajoni
  • Blog

© 2022 Reporter.al - Dev by aplikacione.com.