
Televizori ishte ndezur dhe po dilnin rezultatet e zgjedhjeve të mbajtura në Turqi dhe Shqipëri, por Florina (jo emri i saj i vërtetë) nuk po e ndiqte vërtet, pasi sapo kishte duruar një rrahje tjetër nga duart e të shoqit.
Florina, e cila iu përgjigj me shkrim, në mënyrë anonime, pyetjeve të BIRN, prej disa vitesh është viktimë e abuzimit në familje.
Megjithatë, ajo ngurron të shkojë në polici ose të kërkojë ndihmën e organizatave për të drejtat e grave, nga frika se çfarë mund t'i ndodhë asaj dhe djalit të saj të vogël nëse e bën këtë.
“Nuk kam të ardhura të miat. Jam e papunë”, tha Florina për BIRN në maj. “Kam frikë dhe po sakrifikoj veten për të.”
Florina nuk është e vetmja grua në Kosovë që “sakrifikon” veten në duart e një burri të dhunshëm për hir të fëmijëve të tyre ose për shenjtërinë e “familjes tradicionale” në shoqërinë shumë patriarkale të vendit të ri.
Strehat që operojnë në Kosovë thanë për BIRN se shumë viktima të abuzimit në familje durojnë vite të tëra dhune sepse janë të varur financiarisht nga burrat e tyre dhe kanë frikë se do të humbasin fëmijët e tyre, nëse martesa përfundon.
Gratë përfundojnë duke u kthyer te abuzuesit e tyre sepse janë “vihen me shpatulla pas murit”, tha Erblina Dinarama, drejtoreshë e një strehe për viktimat e abuzimit në familje në qytetin perëndimor të Gjakovës. Vitin e kaluar, afërsisht një e treta e 171 grave të cilave iu dha një dhomë në strehë u rikthyen te burrat e tyre, tha ajo për BIRN.
“Për shkak të mentalitetit patriarkal, shumë prindër u thonë vajzave të tyre që t'i lënë fëmijët pas me burrin dhe të kthehen në shtëpi vetëm”, tha Dinarama. “Në mënyrë që gruaja të mos heqë dorë nga fëmijët e saj, ajo detyrohet të kthehet te bashkëshorti dhunues dhe përfundimisht familja e saj dorëzohet.”
Pa një vend ku të shkojnë

Në Kosovë ka shtatë streha, por me shtimin e rasteve të raportuara të abuzimit në familje, vendi ka nevojë për më shumë.
Sipas të dhënave të policisë, 2,069 raste u raportuan në vitin 2020, duke u rritur në 2,456 në 2021 dhe 2,764 vitin e kaluar. Shumica dërrmuese e viktimave ishin gra, por jo të gjitha rastet përfundojnë në gjykatë.
Në vitin 2020, gjykatat në Prishtinë, Ferizaj dhe Pejë kanë dhënë vendime për 180 raste; këto gjykata morën vendime në 327 raste në vitin 2021 dhe 369 në vitin 2022. Gjykatat Themelore në Mitrovicë, Prizren, Gjilan dhe Gjakovë nuk u përgjigjën deri në kohën e publikimit.
“Ka mungesë të banesave sociale dhe ndihmës emergjente për viktimat e dhunës, gjë që i shtyn ato të kthehen te dhunuesi dhe krijon një cikël recidivizmi”, tha Zana Asllani, drejtoreshë e strehës në Prishtinë.
Mungesa e pavarësisë financiare, mbështetjes së familjes ose të drejtave pronësore janë ndër arsyet që i shtyjnë gratë të kthehen tek abuzuesit e tyre.
Ashtu si Florina, Marigona (jo emri i saj i vërtetë) është dhunuar fizikisht dhe verbalisht nga bashkëshorti i saj që nga viti 2015. Megjithatë, në rastin e Marigonës, ajo e denoncoi dhunën në polici dhe burri i saj kaloi një muaj në paraburgim, por ajo dhe djali i saj qëndruan me të.
“Nuk kam ku të shkoj tjetër”, tha Marigona për BIRN.
Mundësi të kufizuara punësimi

Niveli i ndihmës së ofruar nga shtatë strehat në Kosovë ndryshon në mënyrë të konsiderueshme.
Streha e drejtuar nga Dinarama në Gjakovë është e vetmja me një rrjet të mirë-krijuar që mund të ofrojë punë për ato që strehohen atje, si pastruese ose kujdestare për të moshuarit.
“Një anëtar i familjes punëdhënëse duhet të vijë me makinë, të lërë mjetin e identifikimit dhe numrin e telefonit dhe ta kthej atë pas përsëri pasi të mbarojë punën”, tha Dinarama. “Ne nuk gjejmë punë në vende të hapura, të tilla si supermarkete, për shembull, për arsye sigurie.”
“Paratë i ruan streha dhe kur një grua largohet, ajo do të ketë një depozitë për të filluar një jetë të pavarur.”
Të paktën dy grave nga streha në vit u jepet një apartament në pronësi komunale, pa qira, ndërsa disa të tjera marrin subvencione ose donacione për të ndihmuar në mbulimin e shpenzimeve të qirasë dhe taksave për një periudhë gjashtëmujore.
Streha në Gjakovë gjithashtu ofron mbështetje psiko-sociale për abuzuesit të cilët janë urdhëruar të ndjekin një terapi të tillë nga gjykatat.
“Ne duhet të punojmë me abuzuesit për të gjetur shkakun rrënjësor”, tha Dinarama, e cila shpjegoi se programi nuk zbatohet për ata me çrregullime psikologjike ose që kanë varësi nga droga ose alkooli. “Ka pasur disa suksese, por duhet kohë sepse është e vështirë të bindesh një burrë me besime patriarkale që të shkojnë në trajtim”, tha ajo.
Strehat e tjera nuk punojnë me dhunuesit dhe shpesh nuk kërkojnë punë për gratë gjatë kohës që ato janë të akomoduara aty.
“Ne advokojmë për punësimin e tyre pas largimit nga streha”, tha Asllani, drejtoresha e strehës në Prishtinë.
Streha në Ferizaj gjithashtu ofron trajnime për t'i pajisur gratë me aftësi të reja punësimi që mund t'i përdorin pasi të largohen.
Në Gjilan, drejtoresha e strehës Liria, Nazife Jonuzi, tha për BIRN se nëse niveli i kërcënimit vlerësohet i ulët, “sigurohet punësim”.
Gratë kërkojnë strehim, me fëmijët

Shpesh në rastet e abuzimit në familje, fëmijët anashkalohen – qoftë si vktima të drejtpërdrejta, qoftë si dëshmitarë të dhunës së ushtruar nga njëri prej prindërve nga ana e tjetrit.
Duke iu përgjigjur pyetjes së kur ndodhte dhuna, Agroni (jo emri i tij i vërtetë) u përgjigj: “Për 20 vjet, kur babai im ushtronte dhunë dhe torturonte rregullisht nënën time, dy motrat dhe dy vëllezërit e mi ishin të mitur, por edhe kur u rritëm”.
Tashmë i rritur, Agroni arriti të largohej nga shtëpia, ashtu si Alisa (jo emri i saj i vërtetë), babai dhe më pas njerku i së cilës ushtruan dhunë fizike dhe verbale ndaj saj, vëllait, nënës dhe gjyshes së saj.
Strehat me të cilat kontaktoi BIRN thanë se gratë zakonisht vijnë me fëmijët e tyre.
“Zakonisht, gratë kanë tre deri në pesë fëmijë të cilët vazhdojnë të shkojnë në shkollë dhe gjithashtu ndihmohen nga një mësues plotësues”, tha Dinarama. “Ato gjithashtu kanë një dhomë të veçantë për aktivitete për fëmijët.”
Megjithatë, në disa streha, siç është ajo në Ferizaj, djemtë mbi moshën 12-vjeçare nuk lejohen të qëndrojnë.