
Prokurori i Durrësit, Ndriçim Troplini u shkarkua nga detyra prej Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, KPK më 12 korrik për probleme në kriterin e pasurisë dhe profesionalizmit. Ndërkohë, ai u vlerësua pozitivisht për pastërtinë e figurës.
Vendimi për shkarkimin e Troplinit u mor nga trupa e KPK e kryesuar nga Firdes Shuli, me relatore Valbona Sanxhaktarin dhe anëtar Olsi Komicin.
Ndriçim Troplini përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2004 dhe u emërua prokuror në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Fier. Prej vitit 2008 dhe deri në shkarkimin nga detyra, ai e ushtroi funksionin në Prokurorinë e Durrësit.
Problemet për pasurinë
Në deklaratën veting, prokurori Troplini ka shënuar blerjen e një automjeti në vitin 2005 kundrejt shumës 800 mijë lekë dhe shitjen në 2012-ën për 450 mijë lekë. Gjatë hetimit administrativ, Troplini ka sqaruar se në momentin e përpilimit të kontratës i ka dhënë palës shitëse 500 mijë lekë, ndërsa pjesën tjetër të çmimit prej 300 mijë lekësh e ka likujduar në janar ose në shkurt të vitit 2006, pasi do të shikonte ecurinë e mjetit. Por, në kontratën noteriale të shitjes ai deklaron se është dakord me çmimin 800 mijë lekë që e ka likuiduar, si dhe se e ka marrë në dorëzim mjetin pa ndonjë pretendim.
Bazuar në këto fakte, KPK ka përgatitur analizën financiare paraprake për periudhën deri në momentin e blerjes së mjetit sipas kontratës, prej nga ka rezultuar balancë negative në vlerën 531 mijë lekë.
Megjithëse subjekti ka kërkuar të llogaritet gjendja e mundshme e cash-it, KPK nuk i ka pranuar këto pretendime pasi nuk janë konstatuar gjurmë të kursimeve në deklarimin periodik vjetor të vitit 2004, apo ndonjë likujditet në bankë.
Troplini ka blerë në vitin 2012 një tjetër automjet vit prodhimi 2006 kundrejt çmimit 6000 euro. Nga hetimi administrativ ka rezultuar se makina është blerë në janar të 2012-ës nga shtetasi D.L. në Gjermani për vlerën 6000 euro dhe ka hyrë prej Portit të Durrësit, ku shpenzimet doganore janë përllogaritur në masën 211 mijë lekë mbi vlerën statistikore për automjetet e kësaj kategorie.
Gjatë hetimit, subjekti ka shpjeguar se një i afërmi i tij kishte sjellë këtë makinë dhe se në bisedë e sipër kishin shprehur pëlqimin për të ndërruar automjetet. Ai ka argumentuar se kontrata e shkëmbimit nuk aplikohej dhe duhet të kryenin shitjen e ndërsjellë. Sipas Troplinit, në këto kushte kanë kryer shitjen e mjeteve, por pas disa muajsh, D.L. ka nxjerrë pretendime në lidhje me një defekt në motor dhe kanë kryer revokimin e kontratës së shitjes në qershor të 2012-ës. Po atë muaj rezulton se ka edhe një kontratë shitje të makinës tek një person tjetër, për shumën 450 mijë lekë.
Subjekti ka deklaruar se, për shkak se e ka mbajtur makinën e të afërmit që e ka sjellë nga Gjermania, i ka dhënë atij shumën 6000 euro.
Komisioni vëren se mjeti që ka pasur subjekti ishte vit prodhimi 1988 dhe se nuk kishte logjikë ekonomike që i afërmi i tij të jepte në këmbim një makinë të 2006-ës. Për këtë arsye, KPK ka konstatuar se dukej se veprimet e kryera për shitjet e këtyre makinave ishin fiktive.
Nga hetimi i kryer për automjetin vit prodhimi 1988 që kishte pasur subjekti, ka rezultuar se nuk është përdorur pas vitit 2011 për udhëtime jashtë vendit, ndërkohë që ka qenë i regjistruar gjithmonë në emër të prokurorit Ndriçim Troplini deri në dhjetor të 2017-ës kur është çregjistruar.
Në përfundim, trupa e KPK vlerëson se automjeti i vitit 1988 nuk rezulton të jetë përdorur nga ndonjëri prej blerësve, pasi përdoruesi i fundit ka qenë vetë subjekti i rivlerësimit në vitin 2011, ku sipas deklarimeve të dhëna në ILDKPKI në vitin 2011, mund të ketë bërë edhe një aksident.
Nga analiza financiare e kryer duke përfshirë koston totale të blerjes në vitin 2012 të makinës vit prodhimi 2006, ka rezultuar pamundësi financiare.
Në deklaratën “veting”, Troplini ka shënuar si adresë banimi një apartament të përfituar nga familja e tij e origjinës nga privatizimi, pasuri për të cilën nuk janë gjetur probleme për burimet e krijimit.
Në përgjigje të pyetësorit standard të dërguar nga Komisioni, ai ka shpjeguar se për periudhën 2003-2010 ka banuar në këtë apartament të përfituar nga privatizimi, ndërsa prej 2010-ës e në vijim jeton në një tjetër apartament po në pronësi të prindërve.
Apartamenti tjetër ka rezultuar se përbëhet nga banesa fillestare me sipërfaqe 56 m2 e blerë në 2010-ën për 1 milion e 657 mijë lekë, më pak nga sa kishte paguar shitësi në vitin 2005 për ta pasur atë pasuri, si dhe një shtesë me sipërfaqe 77 m2 e blerë nga nëna e subjektit në vitin 2012 kundrejt vlerës 2.5 milionë lekë, ndërkohë që ishte rivlerësuar në shumën 5.7 milionë lekë. Sipas KPK, subjekti nuk i ka deklaruar burimet e këtyre pasurive.
I pyetur gjatë hetimit për burimet që kanë shërbyer për blerjen e këtyre pasurive në vitet 2010 e 2012, subjekti ka shpjeguar se rrjedhin nga të ardhurat e krijuara nga aktiviteti tregtar i prindërve në vitet 1991 – 2000, si shitës ambulantë, por të paregjistruar; të ardhurat nga paga e tij si prokuror; të ardhurat nga punësimi i motrës Dh. T. si mjeke në vitet 2006 – 2010; pensioni i pleqërisë së babait nga viti 2006 e në vazhdim; dhuratë 7500 euro nga tezja V. H. bërë nënës së tij në vitet 2006 – 2010;
KPK ngre dyshime se këto dy pasuri janë marrë në përdorim prej familjes së subjektit që prej kohës kur janë hapur kontratat e shërbimeve utilitare në vitin 2006-ën.
Nga analiza financiare ka rezultuar pamundësi financiare në shumën 1.7 milionë lekë për blerjen e shtesës në 2012-ën.
Bazuar në këto të dhëna janë ngritur dyshimet se dy apartamentet me sipërfaqe totale 133 m2 mund të jenë pasuri të krijuara nga subjekti, konstatim për të cilin Troplinit i është kaluar barra e provës.
KPK konkludon se Troplini, nuk shpjegoi se përse vlerat e investuara prej tij në krijimin e kësaj pasurie nuk u deklaruan, megjithëse ai ka investuar pjesën më të madhe.
“Subjekti i rivlerësimit nuk ka deklaruar asnjëherë se sa është konkretisht vlera e investuar prej tij, pse prindërit e tij u larguan nga shtëpia që ata kishin në pronësi (e që vijojnë ende ta kenë) për të jetuar së bashku me subjektin e rivlerësimit në një shtëpi tjetër kur nuk kishin as mundësi financiare për krijimin e kësaj pasurie, në mënyrë që Komisioni, tej çdo dyshimi të arsyeshëm, të krijonte bindjen se pasuria me sipërfaqe 133 m2 ishte pasuri e nënës së subjektit dhe me burime financiare të mjaftueshme për krijimin e saj”, vëren KPK.
Në vijim, Komisioni shton se edhe pasi analiza financiare është kryer duke ndjekur pretendimet e subjektit, rezulton përsëri se ka mungesë të burimeve të ligjshme në shumën 1.7 milionë lekë. Trupa e KPK vlerëson se huaja e deklaruar nga tezja e tij nuk është e dokumentuar me akte provuese të kohës dhe se nuk është pasqyruar në deklarime. Nisur nga fakti se është deklaruar vetëm gjatë hetimit administrativ, është konsideruar se mbetet në nivel deklarativ dhe se është kryer për të mbuluar balancat negative të rezultuara nga hetimi administrativ.
Në përfundim, Komisioni çmon se subjekti ka bërë deklarim të pamjaftueshëm për këtë pasuri dhe se nuk arriti të kundërshtojë barrën e provës. Prej analizës financiare të përgjithshme ka rezultuar pamjaftueshmëri për krijimin e likujditeteve cash të përdorura për mbylljen para kohe të një kredie të marrë në 2011-ën.
Komisioni arrin në përfundimin se Troplini ka kryer deklarim të pasaktë e të pamjatueshëm për pasuritë dhe se gjendet në kushtet e mungesës së burimeve financiare të ligjshme për justifikimin e tyre.
Cënimi besimit të publikut
KPK ka gjetur probleme për Troplinin edhe në aspektin profesional. Nga verifikimi një dosjeje të shqyrtuar nga subjekti janë gjetur zvarritje në fazën e veprimeve hetimore pas regjistrimit të procedimit penal dhe mungesë kontrolli. Megjithatë, këto elemente nuk janë konsideruar të mjaftueshme për aplikimin e ndonjë mase disiplinore.
Në Komision janë paraqitur 29 denoncime, në disa prej të cilave janë konstatuar të dhëna që janë mbajtur në konsideratë në vlerësimin e subjektit.
Në një prej denoncimeve, pretendohet se prokurori Ndriçim Troplini nuk ka shqyrtuar të gjitha provat dhe sipas tij ka mungesë hetimi të kallëzimit të tij dhe zvarritje të hetimeve.
KPK vëren se vendimarrja e subjektit për mosfillim të procedimit është kontrolluar nga gjykatat, që kanë vlerësuar se nuk është rrjedhojë e një hetimi të plotë dhe nuk janë verifikuar të gjitha pretendimet e ankuesit.
Edhe një tjetër denoncues ka ngritur pretendime ndaj një vendimi të subjektit për mosfillim hetimi. Në këtë rast, KPK konstaton se duket se Troplini ka gabuar në qëndrimin e tij dhe në veprimet procedurale të kryera, pasi ai nuk mund të kryente veprime hetimore që synojnë marrjen e provave, nëse më parë nuk kishte regjistruar veprën penale. Po ashtu, janë konstatuar zvarritje të pajustifikuara të hetimeve nga ana e subjektit të rivlerësimit, edhe pas kthimit të çështjes për plotësime nga ana e Gjykatës së Apelit.
KPK ka marrë informacion se Troplini ka trajtuar dy procedime ku përmendet shtetasi A.H., me të cilin ka deklaruar se kanë miqësi dhe kanë udhëtuar jashtë vendit. I pyetur nga KPK nëse kishte shqyrtuar çështje për këtë person, subjekti ka deklaruar se nuk ka hetuar material kallëzues apo procedim penal ku A.H. të ketë qenë person i dyshuar apo nën hetim për kryerjen e ndonjë vepre penale.
Subjekti ka pohuar se duke qenë se shtetasi A. H. ka qenë me detyrë drejtues i IMT-së Durrës në prokurori mbërrinin çdo ditë materiale kallëzuese për “ndërtim të paligjshëm”, si nga institucioni që ai drejtonte, ashtu edhe nga ana e personave të ndryshëm që ankoheshin në lidhje me prishjen e ndërtimeve pa leje.
Ai ka parashtruar se nuk ka pasur konflikt interesi dhe as shkak njëanësie për të hequr dorë nga shqyrtimi i një materiali kallëzues apo procedimi penal, duke argumentuar se veprimtaria e institucionit të IMT-së Durrës, me drejtues shtetasin A. H., ka qenë në përputhje dhe në zbatim të ligjit dhe akteve nënligjore.
Trupa e KPK vëren se, prokurori duhet që të jetë i paanshëm, të duket që është i paanshëm, si dhe të perceptohet që është i paanshëm. Shpjegimet e subjektit nuk janë vlerësuar bindëse prej Komisionit që çmon se situata të tilla duhet të ishin shmangur nga Troplini.
Në një denoncim është pretenduar se subjekti nuk ka ushtruar ankim ndaj një vendimi pafajësie. Edhe Komisioni vlerëson se nga troplini nuk është ushtruar e drejta e ankimit ndaj vendimit të gjykatës, si një e drejtë e njohur nga ligji.
Sipas informacioneve të marra nga burime të hapura prej Komisionit, subjekti ka pezulluar një çështje penale për vrasje. Ndërkohë, vrasja e nënës së viktimës më vonë është hetuar nga një tjetër prokuror, i cili dhe ai e ka pezulluar çështjen në kohë të afërt.
Komisioni vëren se duket sikur këto dy procedime penale kanë pasur sinkronizim në vendimarjet për pezullimet e tyre, edhe pse nga aktet duket se kishin një autor të dyshuar të përbashkët dhe nuk ishin bashkuar gjatë hetimeve.
“[…]Vendimmarrja e prokurorit Troplini në procedimin penal nr. ***, që ka të bëjë me vrasjen e shtetasit E. D., i cili ka vendosur në datën 25.5.2015 pezullimin, duke dërguar çështjen për hetime të mëtejshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, e cila vjen menjëherë pas dërgimit të procedimit penal nr. ***, që ka të bëjë me vrasjen e shtetases F. D. (nëna), dërguar gjithashtu për hetime të mëtejshme në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, në datën 4.5.2015, krijon perceptimin se veprimet kanë qenë të koordinuara dhe se qëllimi ishte shmangia e nxjerrjes para ligjit të autorëve të dyshuar”, citohet në vendim.
Në përfundim, KPK vlerëson se, megjithëse mangësitë nuk mjaftojnë për ta konsideruar subjektin të paaftë profesionalisht, nga ana tjetër ato janë gjithashtu të tilla që nuk mund të plotësohen nëpërmjet programit trajnues në Shkollën e Magjistraturës.
Mangësitë e konstatuara në aspektin profesional e kanë çuar Komisionin në përfundimin se subjekti ka cënuar me sjelljen e tij profesionale besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë.