Udhëtimi për studime në Mbretërinë e Bashkuar për Hanën nga Mali i Zi mund të jetë më i ndërlikuar nga tetori, pasi dy kompani me kosto të ulët njoftuan se do të pezullonin fluturimet nga kryeqyteti i vendit, Podgorica.
Më 1 korrik, gjigandi irlandez me kosto të ulët Ryanair njoftoi se do të pezullojë linjat e tij nga Mali i Zi drejt Mançesterit, Barcelonës dhe Zagrebit në dimër, ndërsa numri i fluturimeve nga vendi në Berlin dhe Krakov në Poloni do të reduktohet në dy herë në javë.
Kompania ajrore hungareze me kosto të ulët, Wizz Air, njoftoi se po ndërpriste fluturimet që lidhin Podgoricën me Vjenën, Romën, Poloninë dhe Londrën.
Të dyja kompanitë pezulluan fluturimet pasi aeroporti i Podgoricës rriti tarifat e tij nga 1.75 euro në 3.25 euro për pasagjer.
“Tani do të më duhet të fluturoj drejt aeroportit më të afërt në Shqipëri, në Tiranë, dhe më pas të bëj tre orë rrugë me makinë për në shtëpi në Podgoricë. Kjo do t’i bëjë më të lodhshme udhëtimet e mia të shpeshta. Por për shkak të çmimeve të larta të kompanive të tjera ajrore, kjo është mënyra e vetme”, tha Hana për BIRN.
Sipas aeroportit të Podgoricës, Ryanair ishte linja ajrore më e ngarkuar me kosto të ulët në vend, me 249,959 pasagjerë në fluturimet për dhe nga aeroporti vitin e kaluar.
Vitin e kaluar, kompania pati 28,745 pasagjerë në linjën e Zagrebit, si dhe 10,000 në atë të Mançesterit.
Dragan Jovoviç, nga një agjenci udhëtimesh me bazë në Podgoricë, i tha BIRN se pezullimi i fluturimeve me kosto të ulët mund të dëmtojë industrinë e turizmit në vend.
“Ndërsa aeroportet evropiane kanë ulur tarifat për të stimuluar rimëkëmbjen dhe rritjen e trafikut, për fat të keq, Mali i Zi ka bërë të kundërtën. Ky vendim do të ketë një ndikim negativ në lidhshmërinë, turizmin dhe ekonominë e Malit të Zi”, tha Jovoviç për BIRN.
Ndërpriten fluturimet për në Bosnje, Greqi dhe Rumani
Në Bosnje dhe Hercegovinë, Wizz Air tetorin e kaluar mbylli bazën e saj në aeroportin e Sarajevës, duke përmendur kushtet e këqija të tregut dhe rritjen e çmimeve të karburantit. Kompania ishte përgjegjëse për rreth 30 për qind të trafikut të aeroportit, duke transportuar rreth 400,000 pasagjerë çdo vit.
Kompania hungareze njoftoi gjithashtu se do të mbyllë bazën e saj në Tuzla nga shtatori, duke lëvizur dy avionët e saj të stacionuar atje në vende të tjera. Në vitin 2022, rreth 466,000 pasagjerë përdorën aeroportin në qytetin boshnjak. Në muajt e parë të 2023, numri ishte pothuajse 400,000.
Nga 1 qershori, Ryanair gjithashtu ndaloi fluturimet nga aeroporti i Tuzlës, duke përmendur një tarifë shtesë prej tre markash boshnjake për pasagjer, ose rreth 1.5 euro, të kërkuar nga Drejtoria e Aviacionit Civil e Bosnjës dhe Hercegovinës.
“Kur shohim statistikat që Wizz Air ofron për të gjithë rrjetin e tyre, ne renditemi gjithmonë në mesin e tre aeroporteve më të mirë për shpejtësinë e shërbimit, vonesat minimale të fluturimeve dhe gjithçka tjetër që ata marrin në konsideratë”, tha për BIRN drejtori i Aeroportit Ndërkombëtar të Tuzlës, Dzevad Halilceviç.
Wizz Air planifikon të vazhdojë fluturimet drejt dhe nga Bazeli, Dortmundi, Frankfurt Hahni dhe Memingeni, duke mbajtur 11 fluturime në javë.
Kompani të tjera me kosto të ulët, si kompania saudite Flydeal dhe Flynas lidhin Riadin me Sarajevën. Wizz Air dhe Ryanair operojnë gjithashtu nga Banja Luka, qendra administrative e entitetit të Republikës Srpska të Bosnjës.
Në Rumani, linjat ajrore me kosto të ulët shënuan shkallën më të lartë të fluturimeve të vonuara ose të anuluara në qershor. Një studim i publikuar javën e kaluar nga kompania Vola e cila shet bileta ajrore për dhe nga Rumania, tha se Wizz Air dhe HiSky moldav kishin shkallën më të lartë të fluturimeve të anuluara në qershor.
Studimi tha se mungesa e personelit dhe problemet teknike ishin shkaqet më të zakonshme të vonesave të fluturimeve, por edhe shfrytëzimi tepër intensiv i avionëve nga kompanitë me kosto të ulët.
Sipas të dhënave nga Instituti Kombëtar i Statistikave në Rumani, INS, 12.69 milionë shtetas të huaj kanë hyrë në Rumani në vitin 2022, nga të cilët 4.49 milionë ishin nga BE-ja.
Por konsulenti i marketingut turistik Razvan Pascu tha për BIRN se fluturimet e vonuara ose të anuluara nuk ishin një problem i madh për industrinë e turizmit të Rumanisë.
“Unë nuk mendoj se është një problem i madh sepse turizmi në Rumani është, në pjesën më të madhe, turizëm biznesi. Rreth 60 deri në 70 për qind e njerëzve që udhëtojnë në Rumani e bëjnë këtë për qëllime biznesi”, tha Pascu.
“Vonesat apo anulimet e fluturimeve nuk prekin turistët e huaj aq sa prekin rumunët që udhëtojnë në destinacione të caktuara pushimi. Në Rumani kemi edhe shumë trafik të rumunëve që punojnë jashtë dhe kthehen në vend. Linjat ajrore që operojnë në Rumani mbështeten shumë në këtë trafik”, shtoi ai.
Në Greqi, Ryanair tha në shtator 2022 se do të mbyllte bazën e tij në Athinë më 29 tetor për sezonin e dimrit duke përmendur mungesën e stimujve të qeverisë për të investuar në aeroportin e Athinës gjatë periudhave jashtë pikut dhe refuzimin e aeroportit për të ulur çmimet e tij.
“Qeveria greke nuk ofron stimuj afatgjatë për linjat ajrore për të investuar në aeroportin e Athinës gjatë periudhave jashtë pikut, ose për të zhvilluar turizmin në mënyrën që kanë bërë Spanja, Italia, Portugalia dhe Qiproja”, tha Ryanair në një deklaratë për shtyp.
Megjithatë, linja ajrore irlandeze njoftoi se në verë do të shtojë destinacione të reja greke si dhe fluturime direkte që lidhin qytetet e BE-së dhe ishujt e njohur grekë.
Nënkryetarja e dhomës së hoteleve të Greqisë, Christina Tetradi, tha për BIRN se fluturimet me kosto të ulët janë të rëndësishme për turizmin grek, sepse ato tërheqin udhëtarë të pavarur, të cilët shpesh shpenzojnë më shumë se ata që marrin paketa turistike.
“Kompanitë ajrore me kosto të ulët ofrojnë lirinë e lëvizjes në përgjithësi dhe lirinë e lëvizjes për dikë që dëshiron të udhëtojë. Ne e duam këtë lloj turizmi sepse klienti zgjedh stilin e pushimeve dhe është i gatshëm të shpenzojë më shumë para për të shijuar pushimet e tij”, tha Tetradi.
Megjithatë, ajo shtoi: “Edhe nëse ka një reduktim fluturimesh, ka gjithashtu një rritje. Të dhënat e turizmit po ndryshojnë dhe fluturime specifike janë zakonisht në zhvillim.”
Në Maqedoninë e Veriut, Turqi dhe Shqipëri, fluturimet me kosto të ulët lulëzojnë
Ndërkohë, linjat ajrore me buxhet të ulët kanë prezantuar linja të reja dhe fluturime shtesë drejt Turqisë nga disa qytete evropiane.
Në maj, Wizz Air rriti numrin e fluturimeve për në Antalia, qendra turistike e Turqisë në bregdetin e saj lindor të Mesdheut. Wizz Air prezantoi tre fluturime të reja javore nga Budapesti në Antalia, përveç listës së tij prej 50 fluturimesh në javë për në Stamboll dhe Izmir.
Përveç Wizz Air, kompani të tjera të linjave ajrore me kosto të ulët, duke përfshirë Easy Jet, Sun Express dhe Ryanair, kanë shtuar linja të reja për në Turqi. Kompania turke me kosto të ulët Airlines njoftoi se kishte hapur 21 linja të reja nga BE-ja në Lindjen e Mesme dhe Turqi.
Midis janarit dhe majit të këtij viti, më shumë se 15 milionë njerëz vizituan Turqinë, një rritje prej 23.65 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022.
“Kompanitë ajrore me kosto të ulët po organizojnë shumë fluturime shtesë gjatë verës. Këto fluturime shtesë janë përgjithësisht drejt destinacioneve të njohura turistike, veçanërisht në Stamboll, Izmir dhe Antalia”, tha për BIRN Ozgur Hacioglu, një ekspert turk i turizmit.
Sipas Aeroportit Ndërkombëtar të Tiranës, TIA, më shumë kompani me kosto të ulët po fluturojnë drejt Shqipërisë. Në qershor, Ryanair njoftoi se do të hapë 17 linja të reja për në Tiranë.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë së Shqipërisë, Belinda Balluku, tha se 5.2 milionë pasagjerë kanë udhëtuar përmes aeroportit të Tiranës gjatë vitit 2022.
Në qershor, aeroporti i Tiranës prezantoi një destinacion të ri në Arabinë Saudite nga kompania me kosto të ulët Flynas Airlines dhe Jazeera Airways e Kuvajtit.
Eksperti turistik Besnik Vathi tha për BIRN se linjat ajrore me kosto të ulët kanë stimuluar turizmin shqiptar.
“Gjatë vitit 2019, kompanitë me kosto të ulët kanë pasur fluturime direkte nga Tirana në 30 qytete. Por, aktualisht, vetëm Wizz Air fluturon në 66 qytete të ndryshme në Evropë, apo edhe në Lindjen e Mesme”, tha Vathi për BIRN.
“Jo vetëm që ka rritur numrin e destinacioneve, por nga viti në vit po rrit edhe shpeshtinë”, shtoi ai.
Dy aeroportet ndërkombëtare të Maqedonisë së Veriut, në kryeqytetin Shkup dhe në qytetin e Ohrit, sipas operatorit të aeroportit, TAV, kanë parë gjithashtu rritje të madhe për sa i përket pasagjerëve dhe fluturimeve.
Që nga janari 2023, të dy aeroportet kanë pasur 1,338,406 pasagjerë, që ishte 41 për qind më shumë se e njëjta periudhë e vitit të kaluar. TAV thotë se trendi pozitiv pritet të vazhdojë.
“Këtë vit, ACI parashikoi 9 për qind më pak pasagjerë në aeroportet evropiane në krahasim me vitin 2019, por ne tashmë e kemi kapërcyer këtë problem”, tha Nejat Kurt, menaxher i përgjithshëm i TAV Maqedoni.
Duke mos pasur linjën e saj ajrore kombëtare, Maqedonia e Veriut është mbështetur prej kohësh në ofrimin e subvencioneve për linjat e tjera ajrore, për t’i tërhequr ato në vend. Wizz Air është tashmë kompania më e shpeshtë drejt dhe nga Maqedonia e Veriut, dhe EasyJet është tashmë i pranishëm.
Në një plan të miratuar këtë vit, midis 2023 dhe 2025, qeveria planifikon të shpenzojë 5 milionë euro shtesë për të subvencionuar kompanitë që do të prezantojnë fluturime të reja.
Punonjës të aviacionit thonë se tarifat relativisht të ulëta të aeroportit po tërheqin gjithashtu më shumë fluturime.
Në Bullgari, norvegjezi Air Shuttle me kosto të ulët filloi fluturimet midis Sofjes dhe Oslos, ndërsa në korrik Sun Express i Turqisë prezantoi fluturimet për në Antalia nga Plovdivi, qyteti i dytë më i madh i Bullgarisë.
Që nga qershori, Ryanair dhe Wizz Air kanë hapur destinacione të reja nga Sofja në Rodos në Greqi, Riad në Arabinë Saudite dhe Jerevan në Armeni, ndërsa Turkish Pegasus Airlines kryen fluturime dy herë në javë nga Plovdivi në Stamboll.
“Sofja ende nuk e ka arritur nivelin e të ardhurve para pandemisë. Ndërkohë Plovdivi po ecën dukshëm më mirë se zakonisht për shkak të fluturimeve më të shpeshta drejt Britanisë së Madhe. Ajo që është e veçantë për turizmin me kosto të ulët këtë vit është rritja e numrit të fluturimeve drejt Polonisë”, tha për BIRN Rumen Draganov, nga Instituti bullgar për Analizën dhe Vlerësimin e Turizmit.
Serbia shton fluturimet, pa probleme të mëdha në Kosovë
Në Serbi, aeroporti Nikola Tesla i Beogradit i tha BIRN se linjat ajrore me kosto të ulët kanë rritur numrin e fluturimeve me 12 për qind, ndërsa numri i pasagjerëve është rritur me 25 për qind. Ai thotë se disa nga kompanitë i kanë ndërprerë fluturimet, por kanë nisur fluturime të reja.
EasyJet nuk fluturon më në Bazel, Eurowings ka reduktuar numrin e fluturimeve për në Shtutgart, Air International i Norvegjisë nuk fluturon tani për në Stokholm dhe Vueling nuk fluturon për në Barcelonë.
Hungarezi Wizz Air kritikoi aeroportin e Beogradit në maj, duke thënë se kostot e aeroportit janë rritur me 40 për qind, duke e bërë aeroportin më të shtrenjtë në rrjetin e tij. Në një deklaratë për shtyp, zyrtari ekzekutiv i Wizz Air, John Stephenson, akuzoi Ministrinë e Transportit të Serbisë dhe aeroportin Nikola Tesla, të menaxhuar nga kompania franceze Vanci, se nuk stimulojnë punën e linjave ajrore me kosto të ulët dhe se mbrojnë padrejtësisht Etihad Airways dhe Air Serbia me synimin për të krijuar një monopol në treg. Air Serbia, një kompani 83% shtetërore, me Etihad që mban pjesën e mbetur, ka qenë prej kohësh e privilegjuar në Serbi dhe subvencionohet shumë nga shteti.
Stephenson pretendoi se Wizz Air po tarifohej 31 euro për pasagjer, ndërsa Etihad dhe Air Serbia tarfoheshin pothuajse gjysmën e kësaj – 17 euro.
Megjithatë, sipas të dhënave të aeroportit të Beogradit, ndërsa Wizz Air tërhoqi shumicën e fluturimeve, ai gjithashtu ka nisur të reja dhe ka rinovuar fluturimet sezonale. Eurowings ka rritur numrin e fluturimeve për në Dusseldorf, FlyDubai ka rritur ndjeshëm numrin e fluturimeve për në Dubai dhe linja ajrore AnadoluJet, një filial me kosto të ulët i Turkish Airlines, ka rritur numrin e fluturimeve për në Ankara.
“Dy linja ajrore të reja me kosto të ulët janë gjithashtu të pranishme në Beograd këtë sezon – linja ajrore AirBaltic, e cila rinovoi fluturimet për në Riga dhe Jazeera Airways, e cila vendosi fluturime për në Kuvajt”, tha për BIRN zëdhënësi i aeroportit Nikola Tesla.
Sipas të dhënave të aeroportit të Beogradit, në tremujorin e dytë të vitit 2023, më shumë se 67 milionë pasagjerë kaluan përmes aeroportit, që ishte 24 për qind më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.
Kreu i Shoqatës Kombëtare të Agjencive Turistike të Serbisë, Aleksandar Seniciç, tha se situata me linjat ajrore me kosto të ulët në Serbi nuk ishte kritike, duke pretenduar se këto kompani janë gjithmonë në kërkim të subvencioneve, apo uljes së taksave të aeroportit.
“Air Serbia si një kompani shtetërore është e privilegjuar … por Kroacia po jepte shumë subvencione për kompanitë me kosto të ulët për të nxitur turizmin dhe më vonë ata e kuptuan se nuk ishte një veprim i mirë. Kur ata reduktuan subvencionet, kompanitë me kosto të ulët ndaluan fluturimin atje”, tha Seniciç për BIRN.
Në Kosovë, kompanitë kryesore me kosto të ulët që operojnë janë Wizz Air, EasyJet dhe Eurowings. Sipas të dhënave nga janari 2023, vitin e kaluar Wizz Air transportoi 414,478 pasagjerë në shtatë fluturimet e saj javore të drejtuara nga Prishtina dhe EasyJet kishte 411,688 pasagjerë, e ndjekur nga Eurowings, me 342,262 pasagjerë.
Kreu i Odës së Hoteleri-Turizmit të Kosovës, Hysen Sogojeva, tha se vetëm më 24 korrik të këtij viti, rreth 100 fluturime janë ulur në Prishtinë para mesditës, ku shumica vinin nga Turqia, Gjermania dhe Zvicra.
“Këtë vit turistët kryesisht nga diaspora kanë ardhur dhjetë ditë më vonë se zakonisht. Për shkak të tensioneve në veriun me shumicë serbe të vendit, shumica e këtyre vizitorëve anuluan planet për të udhëtuar me makinë ose autobus nëpërmjet Serbisë dhe zgjodhën fluturimet, duke shkaktuar një rritje të madhe të fluturimeve për në Aeroportin Adem Jashari”, tha Sogojeva për BIRN.
Fluturimet me kosto të ulët për në Kroaci janë sezonale
Shtatë aeroportet në Kroaci të hapura për trafik të rregullt vendas dhe ndërkombëtar, Pula, Rijeka, Zadari, Spliti, Dubrovniku, Osijeku dhe Zagrebi, regjistruan pothuajse 1.5 milion pasagjerë në gjashtë muajt e parë të këtij viti.
Falë natyrës së turizmit, i cili sjell një të pestën e PBB-së së Kroacisë, trafiku ajror është shumë sezonal. Më pak se 15,000 pasagjerë kaluan përmes aeroportit të Dubrovnikut në janar të këtij viti. Në qershor, ky numër u rrit në 344,456.
Në dimër, vetëm Eurowings dhe Ryanair fluturojnë për në Zagreb gjatë gjithë vitit, por Easyjet, Eurowings, Ryanair dhe Wizz Air kanë të gjithë fluturime në shumicën e aeroporteve në bregdetin e Adriatikut gjatë verës.
Sipas Aeroportit të Osijekut, Ryanair dyfishoi numrin e pasagjerëve për dhe nga Londra, nga 2,000 në maj në 5,000 në qershor.
Alen Scuriç, i portalit rajonal të aviacionit zamaaero.com, thotë se situata në Kroaci është pak a shumë e pandryshuar.
“Dimrin e kaluar, kompanitë me kosto të ulët kishin 56 fluturime; këtë vit do të ketë 50 fluturime. Nuk do të ketë më fluturime për në Mançester, Selanik, Sofje dhe Podgoricë. Mendoj se i dhanë një ‘karton të verdhë’ Zagrebit sepse rriti taksat. Kompanitë me kosto të ulët e bëjnë këtë. Ata të nxjerrin karton të verdhë dhe më pas tërhiqen plotësisht, kështu që do të shohim se çfarë do të ndodhë”, tha Scuriç për BIRN.