Tani ka katër breza individësh në Bosnje dhe Hercegovinë, jetët e të cilëve janë prekur nga traumat nga e kaluara e dhunshme e vendit. Gjyshërit dhe prindërit që jetuan luftërat e shekullit të 20-të dhe përjetuan mizori të dorës së parë i kanë përcjellë traumat dhe shqetësimet e tyre te fëmijët dhe nipërit e tyre të lindur gjatë dhe pas dhunës, sipas ekspertëve.
Të rinjtë që jetojnë në Bosnje janë të prekur nga përvojat e prindërve të tyre dhe nga konteksti më i gjerë shoqëror, i cili mbetet shumë i ndarë, sipas një studimi të vitit 2016 në lidhje me përvojat emocionale të të rinjve të pasluftës në vend nga Natalya Paulsen.
Ata që kanë lindur vetëm pas luftës mund të trashëgojnë traumat e nënave dhe baballarëve që kanë qenë dëshmitarë, viktima apo autorë të dhunës. Kjo mund t’i bëjë të rinjtë të prirur ndaj dhunës ose sjelljeve antisociale, por gjithashtu bën që ata të përjetojnë një sërë problemesh të tjera, si zhgënjim, faj, zemërim, varfëri ose përjashtim social.
“Në Bosnje, fëmijët që rriten nën hijen e traumave të prindërve të tyre janë në rrezik për t’i përvetësuar këto emocione komplekse pa një përvojë të drejtpërdrejtë të ngjarjes nxitëse – luftës”, tha Mirza Buljubasiç nga Departamenti i Kriminologjisë në Universitetin e Sarajevës.
“Kjo ‘traumë e trashëguar’ mund të shfaqet si ankth i shtuar, depresion apo edhe tendenca agresive. Sfida është se ndërsa këta fëmijë po reagojnë ndaj një traume, ata nuk e kanë përjetuar personalisht atë, duke e bërë më të vështirë për ta të kuptojnë ose artikulojnë ndjenjat e tyre”, shtoi Buljubasiç.
Fëmijët e kriminelëve të luftës vuajnë gjithashtu
Psikologia Branka Antic-Stauber, kryetare e Shoqatës Women Power, e cila punon me gratë dhe fëmijët e prekur nga lufta në Bosnje, i tha BIRN një dekadë më parë se trauma transgjenerative mund të shkaktojë probleme psikologjike, të sjelljes dhe shëndetësore.
“Problemet me studimin, me abuzimin me drogën dhe ikja nga realiteti janë disa nga problemet e mundshme. Kemi edhe pasojat e tendencave drejt prostitucionit dhe alkoolizmit”, tha ajo në vitin 2013.
Duke folur dhjetë vjet më vonë, Antic-Stauber tha se të njëjtat probleme vazhdojnë edhe sot. Ajo gjithashtu vuri në dukje se si fëmijët e viktimave të luftës, si dhe fëmijët e kriminelëve të luftës mund të vuajnë nga trauma transgjenerative.
“Këta fëmijë (fëmijë të kriminelëve të luftës) janë të traumatizuar në të njëjtën mënyrë si fëmijët e viktimave. Të dy grupet e fëmijëve kanë të njëjtat simptoma: zemërim, izolim, stigmë. Por fëmijët e autorëve ndoshta edhe më shumë pasi shoqëria nuk ka ndjeshmëri për autorët dhe familjet e tyre”, tha ajo.
Ajo kujtoi se si shoqata e saj punoi me tre fëmijë, babai i të cilëve ishte një kriminel lufte i dënuar. “Ai u dënua me 25 vjet burg. Ata kanë lindur gjatë kohës që ai ishte në burg”, tha ajo. “Ata janë të zemëruar që janë privuar nga babai. Gjithashtu janë të hutuar pasi ai portretizohet nga disa si një kriminel lufte dhe nga të tjerë si një hero lufte. Ata nuk dinë çfarë të besojnë. Janë të izoluar dhe të stigmatizuar dhe pasi punuan me ne për disa vite, nuk vijnë më në terapitë tona.”
Në Bosnje dihet pak për fëmijët e kriminelëve të luftës. Vajza e komandantit ushtarak serb të Bosnjës, Ratko Mlladiç, Ana, kreu vetëvrasje me armën e babait të saj në vitin 1994, ndërsa lufta në Bosnje ishte ende në vazhdim. Disa raporte mediatike pretenduan se ajo vrau veten sepse ishte në depresion për rolin e tij në luftë.
Ndryshe nga motra e tij, djali i Ratko Mlladiçit, Darkoja, ka lavdëruar veprimet e babait të tij gjatë luftës. Teksa fliste në një tubim pas arrestimit të Mlladiçit në 2011, djali i tij e përshkroi atë si një “mbrojtës të popullit të tij”, raportuan mediat.
Në mënyrë të ngjashme, Sonja Karaxhiç-Joviceviç, vajza e liderit politik serb të Bosnjës Radovan Karaxhiç, adhuron babanë e saj, i cili ashtu si Mlladiçi u dënua për gjenocid, krime kundër njerëzimit dhe krime lufte dhe aktualisht po vuan dënimin me burgim të përjetshëm. Karaxhiç-Joviceviç, e cila ka punuar për babanë e saj gjatë luftës, ka këmbëngulur se ai është i pafajshëm dhe se gjenocidi i Srebrenicës ishte “i sajuar”.
Duke pasur parasysh peizazhin politik dhe shoqëror të pasluftës, ku kriminelët e luftës mund të kremtohen dhe mizoritë mund të mohohen, kjo ndoshta nuk është befasuese. “Këtu, fëmijët e kriminelëve të dënuar të luftës janë krenarë për baballarët e tyre”, ka thënë Dusko Tomiç, një avokat nga Sarajeva që ka përfaqësuar të pandehurit për krime lufte.
Por realiteti është gjithmonë më kompleks. Disa kriminelë të dënuar lufte, ndryshe nga sa pritet nga elitat e tyre etnike, do t’ua pranojnë fajin fëmijëve të tyre. Një i dënuar për krime lufte, i cili është liruar pasi ka kryer tetë vjet burg, shpjegoi se si i foli vajzës së tij për krimet e tij.
“U ula me të një ditë dhe i tregova për mua. Ajo ishte 12 vjeçe. I thashë se do të lexonte në internet për mua dhe krimet që kam kryer dhe doja t’i tregoja për to para se ta bënte këtë”, tha burri, i cili kërkoi të mbetej anonim.
“Ajo ishte e hutuar. Ajo më njeh dhe personi që po i përshkruaja ishte ai para se ajo të më takonte. Ajo ishte shumë e hutuar pasi i tregova historinë time, sepse nuk më lidh dot me personin që ka kryer krime në të kaluarën”, tha ai.
Një tjetër fëmijë i një babai aktualisht në burg për kryerjen e krimeve të luftës tha për BIRN: “Është një përvojë e tmerrshme. Nuk do ia uroja kurrë askujt. Sa herë që vizitojmë babain tim, nëna ime qan.”
Megjithatë, shumë kriminelë lufte nuk duan ta pranojnë fajin, për arsye të ndryshme, njëra prej tyre është dëshira për të mbrojtur fëmijët e tyre nga e vërteta ose për të ndërtuar një realitet alternativ për të mohuar të kaluarën e tyre.
Damir Ivankoviç, një kriminel lufte i dënuar për vrasjen e civilëve në Koricanske Stijene, u deklarua fajtor në gjykatë, por pas lirimit të tij, ai këmbënguli se ishte i pafajshëm. I pyetur se çfarë i ka thënë djalit të tij në lidhje me arsyen pse ishte në burg, Ivankoviç u përgjigj: “I kam thënë gjithçka, ai e di se babai i tij nuk është vrasës.”
Fëmijët ka të ngjarë t’u besojnë baballarëve të tyre, por edhe nëse jo, ata shpesh përdorin mohime, racionalizime ose justifikime si mekanizma mbrojtës, në mënyrë që të mos kenë nevojë të përballen me realitetin e tmerrshëm që do të komprometonte imazhin e tyre për baballarët e tyre.
“Një prind që ka kryer një krim gërryhet moralisht në sytë e fëmijës dhe gjendja mendore e fëmijës lufton ta pranojë këtë fakt. Ata duhet të gjejnë një mënyrë për të asimiluar këtë proces të dhimbshëm dhe të vështirë”, tha Vladan Beara, psikolog dhe psikoterapist.
Fëmijët do të ngrenë pyetje të tilla si: “Babi, si munde ta bëje këtë? Babi, kush je ti? Babi, ti nuk je qenie njerëzore!’ Imazhi i një prindi si një figurë pozitive që dashuron dhe ofron siguri është shkatërruar”, vazhdoi Beara.
“Në vend të kësaj, shfaqet një imazh tjetër, i babait si një dhunues, i rrezikshëm dhe i pashpirt, ndoshta edhe një psikopat. Është e vështirë ta lidhësh këtë imazh të ri me babain dhe të mbash një marrëdhënie dashurie me të.”
Mohimi bëhet më i lehtë nëse klima më e gjerë shoqërore miraton dhe promovon mohimin, racionalizimin ose justifikimin e krimeve të luftës.
Fëmijët e përdhunimeve të kohës së luftës të traumatizuar
Viktimat e sulmeve seksuale gjatë kohës së luftës ndonjëherë heshtin për atë që kanë kaluar gjatë konfliktit.
“Shumë gra nuk u kanë thënë kurrë burrave dhe fëmijëve të tyre se ishin përdhunuar. Ato po përpiqen t’i mbrojnë nga trauma”, tha Lana Jajceviç nga Fondacioni United Ëomen, një organizatë që bën fushatë kundër dhunës me bazë gjinore dhe promovon barazinë gjinore.
Fëmijët që e dinë se kanë lindur nga nëna që janë përdhunuar gjatë kohës së luftës shpesh vuajnë nëse kjo bëhet e ditur publikisht. Ajna Jusiç, e cila ishte fëmija i parë që u regjistrua si i lindur nga përdhunimi gjatë kohës së luftës, kujtoi se ishte në shënjestër të diskriminimit dhe bullizmit kur ishte fëmijë, sepse identiteti i babait të saj ishte i panjohur, ndërsa ofendimet i drejtoheshin nënës së saj.
Jusiç i tha Reuters në vitin 2019 se “stigmatizimi i grave të përdhunuara në shoqërinë tonë” e bën të vështirë arritjen e fëmijëve që kanë lindur si rezultat i përdhunimit të kohës së luftës, duke lënë të pazgjidhura traumat e nënës dhe të fëmijës.
Për fëmijët e lindur nga përdhunimi i kohës së luftës, të mësojnë ose të dëgjojnë për të kaluarën e prindërve të tyre është një përvojë shumë komplekse pasi fëmijët ndahen midis “viktimës” (nënës) dhe “autorit” (babait). Nevojiten shumë më tepër kërkime për të kuptuar këta skenarë kompleksë dhe se si të rinjtë i trajtojnë ato.
Disa fëmijë thjesht nuk duan ta dëgjojnë nënën e tyre duke folur për atë që u ndodhi gjatë kohës së luftës. “Djalit tim nuk i pëlqen të flas për përvojën time”, tha Lola, një grua boshnjake e cila u përdhunua në grup në vitin 1992 ndërsa ishte ndaluar bashkë me tre fëmijët e saj të vegjël dhe foli për këtë në një dokumentar televiziv të realizuar nga TV Happy i Serbisë. “Kur jam në televizion duke folur për përvojën time në kampin e paraburgimit, ai dek nga dhoma.”
Alma Taso Deljkoviç, një psikologe boshnjake dhe këshilltare e familjes dhe traumës, tha se nuk ka një përgjigje të saktë për pyetjen se kur dhe si duhet t’u thuhet fëmijëve për një përvojë traumatike të përejetuar nga një nga prindërit ose të afërmit e tyre të afërt.
“Nga pikëpamja sociologjike, të flasësh për traumën është e rëndësishme. Ose heshtja për një përvojë traumatike ose narrativa e saj mund të kontribuojë ndjeshëm në formimin emocional dhe psikologjik të identiteteve të njerëzve”, tha Deljkoviç.
“Megjithatë, temave të cilat nuk i flasim, duhet t’u qasemi me kujdes. Nëse një person vendos t’u tregojë anëtarëve të familjes së tij për përvojën e tij traumatike, kjo duhet të bëhet në një hapësirë të sigurt, në të cilën mbizotëron besimi dhe mirëkuptimi dhe nëse është e mundur, ndihma dhe mbështetja e ekspertëve është në dispozicion”, shtoi ajo.
Ndasitë etnike i përkeqësojnë problemet
Në Bosnje tani ka tre histori shumë të ndryshme përsa i takon të kaluarës – tri histori zyrtare të luftës – të cilat dominojnë diskurset zyrtare. Duket e pamundur të gjendet një rrugë e mesme midis tre grupeve etnike dhe nuk po bëhet asnjë punë dhe përpjekje nga shteti apo subjektet e tjera zyrtare për të harmonizuar pikëpamjet kryesisht të ndryshme.
Traumat kolektive të theksuara në diskutimet dhe diskurset publike janë shumë selektive, duke u fokusuar vetëm në viktimizimin e secilit grup përkatës, duke fajësuar “tjetrin” dhe duke mohuar vuajtjet e tjetrit. Të rinjtë, qofshin fëmijë të autorëve apo viktimave, rriten me imazhin e “tjetrit të rrezikshëm”.
Një përzgjedhje dhe ekskluzivitet i tillë historik përgjatë vijave etnike rezonon nëpër shoqëri, ku traumat e luftës janë ende shumë të gjalla edhe brenda atyre që nuk e kanë përjetuar luftën në dorën e parë, dhe ndoshta mund të luajnë një rol në radikalizimin e të rinjve.
“Në Bosnjë, fëmijët që rriten mes traumave të luftës së prindërve të tyre mund të mos bëhen drejtpërdrejt ekstremistë, por ndërveprimi i traumave të trashëguara dhe normalizimi shoqëror i ideologjive të së djathtës ekstreme mund të formësojë këndvështrimin e tyre”, thotë Mirza Buljubasiç.
“Këta fëmijë, të ndikuar nga rrëfimet e ngarkuara me dhimbje të prindërve, mund të gjejnë rezonancë me grupet që i bëjnë jehonë këtij ankthi të trashëguar, jo domosdoshmërish sepse ata mbështesin pikëpamjet ekstremiste, por për shkak të identifikimit emocional”, shtoi ai.
Buljubasiç tha se aktualisht nuk ka “një qasje të standardizuar, të drejtuar nga shteti për trajtimin e traumave transgjenerative. Megjithatë, psikologët klinikë dhe psikiatrit mund të përfshijnë strategji specifike në praktikat e tyre individuale, në varësi të nevojave të pacientit”, shtoi ai.
Deljkoviç tha se disa OJQ kanë punuar për këtë çështje, por nuk ishte në dijeni të ndonjë programi që është përshtatur posaçërisht për të punuar me traumat transgjenerative.
“Mendoj se duhet të flasim më shumë për këtë temë dhe të punojmë me të rinjtë dhe fëmijët”, tha ajo. “Është e rëndësishme të rritet ndërgjegjësimi dhe të shpjegohet mundësia e transferimit të traumës nga brezi në brez në drejtim të parandalimit të rrezikut dhe pasojave që një transferim i tillë mund të shkaktojë.”
Buljubasiç tha se duhet mbledhur më shumë informacion rreth çështjes në mënyrë që ajo të trajtohet siç duhet.
“Hulumtimi jithëpërfshirës është thelbësor për të trajtuar në mënyrë efektive çështjen e traumës transgjenerative, si dhe për të rritur ndërgjegjësimin për traumën transgjenerative, e cila është thelbësore për njohjen, kuptimin dhe ndërhyrjen efektive kulturore dhe etnike të ndjeshme”, tha ai