Nisma u prezantua në Komisionin Parlamentar për Media dhe Edukim nga zëvendësministrja e Arsimit, Nina Guga, gjatë një seance dëgjimore në dhjetor, ku po diskutohej për dekomunistizimin në tekstet shkollore.
Njohja e së shkuarës do të bëhet nëpërmjet aktiviteteve që do t'i bashkëngjiten kurrikulës mësimore bazë në kuadër të zbatimit të rekomandimeve të Këshillit të Europës dhe Parlamentit Europian për një edukim demokratik.
Për të realizuar dhe zbatuar një plan të detajuar aktivitetesh për këtë periudhë, Ministria e Arsimit dhe Sporteve ka krijuar aleancë me dy institucione të kujtesës, Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit (ISKK) dhe Autoritetin për Informim mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit (AIDSSH).
“Do të na ndihmojnë të bëjmë kalendar të veprimtarive në shkolla”, tha Guga duke folur për marrëveshjet me këto institucione, ku, sipas saj, përfshihet edhe trajnimi i mësuesve të historisë për krimet e komunizmit.
Sipas Gugës, temat që do të përfshihen kanë të bëjnë me figurat historike që kanë shënjuar rezistencën antikomuniste, konceptet dhe termat që lidhen me këtë periudhë si; “diktatura e proletariatit, lufta e klasave, njeriu i ri dhe pasoja e luftës së klasave te familjet shqiptare, kampet e internimit, etj..”
Institucionet nënshkruese e shohin këtë si një “hapje dyersh” drejt arsimit, që puna e tyre të kontribuojë drejtpërdrejt në edukimin e të rinjve për të njohur dhe kuptuar të shkuarën komuniste.
“Njohuritë janë të pakta dhe të shtrembëruara”, tha për BIRN Ergys Mërtiri, Përgjegjës i sektorit të Edukimit pranë ISKK-së, duke iu referuar edhe një sondazhi të kryer nga OSBE-ja për të mbështetur konstatimin.
Studimi i 2016-ës mbi perceptimet dhe kuptimin e shqiptarëve mbi periudhën komuniste tregoi ndjenjat e përziera dhe në një masë të madhe një nostalgji pozitive për periudhën e diktaturës.
“Kjo nxjerr si detyrë që ndaj të rinjve të ofrohet informacion në mënyrë profesionale, në mënyrë që t'i aftësojë ata për të ndarë gjykimin e përgjithshëm objektiv ndaj regjimit, nga fenomene të ndryshme shoqërore, pa lidhje me shtetin, të cilat shpesh përzihen dhe ngatërrohen me njëra-tjetrën”, thotë Mërtiri.
Sipas tij, marrëveshja me MAS-in synon pikërisht këtë gjë, rritjen e nivelit të informimit në shkolla për përmirësimin e kurrikulave dhe realizimin e aktiviteteve të përbashkëta për historinë e komunizmit.
“Marrëveshja i vendos palët përballë detyrimit për projekte të përbashkëta në informimin dhe sensibilizimin e të rinjve në shkolla mbi të kaluarën komuniste, trajnimin e mësuesve për trajtimin e kësaj tematike në lëndët mësimore, krijimin e grupeve të përbashkëta të punës për të përmirësuar programet dhe lëndët mësimore në këtë drejtim”, thotë Mërtiri.
Sipas tij, ISKK-ja ka tërhequr vëmendjen e nxënësve me filma dokumentarë, projekte 3D, ekspozita si dhe nëpërmjet bisedash tematike.
Edhe Autoriteti i Dosjeve synon përfshirjen në sektorin e edukimit me projekte konkrete, si ndërtimi i një platforme digjitale me burime arsimore të hapura për këtë periudhë dhe nxitjen për përdorimin e dokumenteve të Sigurimit famëkeq në mësimin e historisë, temë që u diskutua gjatë një seminari ndërkombëtar në dhjetor me mbështetjen e Këshillit të Europës.
Ornela Arapi, drejtore për Mbështetjen Shkencore dhe Edukimit Qytetar pranë këtij institucioni tha për BIRN se “pjesa e historisë së ish-Sigurimit, jo vetëm nuk është e përfshirë në asnjë nga programet lëndore apo tekstet shkollore, por edhe mësuesit e rinj në moshë nuk e njohin të vërtetën e kësaj periudhe”.
Duke folur për nevojën që çoi në këtë marrëveshje me MAS-in, ajo thotë se kjo erdhi pas një analize me ekspertë të fushës të programeve të lëndëve: histori, qytetari, filozofi, gjuhë dhe letërsi, mbi tematikat që trajtonin sistemin komunist, nivelin e njohurive për ideologjinë komuniste, disidencën, jetën në komunizëm dhe se sa nxiten nxënësit që të diskutojnë mbi këtë periudhë.
“U vu re se edukimi mbi tematikën e propozuar nga AIDSSH-ja nuk ka marrë vëmendjen e duhur, ndaj edhe e gjejmë të rëndësishëm krijimin e hapësirave të nevojshme për përgatitjen e mësuesve dhe rishikimin e programeve lëndore”, thotë Arapi.
Ajo bën të ditur se, në kuadër të bashkëpunimit me ministrinë, është rënë dakord për hartimin e një kalendari kujtese, i cili do t'u përcillet shkollave për planifikim të aktiviteteve të tyre.
Shoqëria civile kërkon më shumë rol
Shoqata e mësuesve të historisë “Rinia dhe Historia” prej vitesh angazhohet në aktivitete që synojnë përfshirjen e të rinjve në debatin për të shkuarën dhe fuqizimin e mësuesve të lëndës së historisë në këtë drejtim.
Themeluesja e saj, Fatmiroshe Xhemalaj, ish-mësuese historie dhe autore tekstesh didaktike, i sheh marrëveshjet e MAS-it si një sinjal pozitiv se po zbatohet detyrimi ligjor në funksion të formimit të personalitetit të fëmijëve dhe të rinjve përmes mësimit të historisë.
“Kjo na lehtëson punën si shoqatë në funksion të qëllimeve për formimin historik dhe qytetar të nxënësve”, tha ajo për BIRN, duke shtuar se gjithsesi kjo ishte vetëm ana formale.
Por, në praktikë, sipas Xhemalajt, MAS nuk ruan standarde të njëjta në bashkëpunimin me institucionet e shoqërisë civile që kanë përvojë në fushën e edukimit qytetar të të rinjve.
Ajo sjell rastin e Institutit për Demokraci, Media dhe Kulturë (IDMC), të cilin shoqata “Rinia dhe Historia” e ka partnere në projektet për edukimin për komunizmin, të tilla si konkursi “Pyet gjyshërit”, një aktivitet që organizohet prej vitesh me nxënësit, trajnimin e mësuesve, prodhimin e teksteve ndihmëse, etj..
“MAS ia ka refuzuar marrëveshjen, edhe pse përvoja e dhënë nga IDMC është e madhe në fushën e edukimit qytetar të fëmijëve dhe të rinjve, përmes edukimit historik”, thotë Xhemalaj.
Ajo sheh me rëndësi bashkëpunimin e institucioneve të shoqërisë civile me ato shtetërore me fokus trajtimin e problematikave të brendshme të sistemit arsimor dhe përgatitjen e mësuesve me njohuri dhe kompetenca.
“Ballafaqimi me historinë e regjimit komunist kërkon mësues sfidues, që zotëron kompetenca të larta akademike, psiko-pedagogjike, menaxheriale sociale dhe digjitale, që përdor çdo burim dhe mjet në funksion të arritjes së rezultateve me nxënësit, sipas prirjeve të tyre”, thekson ajo.
Sipas Xhemalajt, nuk është problemi te standardi i kurrikulës, por te mënyra se si zbatohet dhe fuqizimi i mësuesve të historisë, qoftë me dijet e nevojshme në njohjen e së shkuarës dhe konceptet për sistemet totalitare, por edhe në mënyrën se si do të plotësohet 40% i orëve të lira që janë lënë të bëhen veprimtari të planifikuara nga mësuesi.
“Historia nuk mësohet në klasa, ajo mësohet me veprimtari dhe projekte në vende historike apo vende të kujtesës historike, prandaj kyçi është mësuesi”, thotë ajo.
Njohja e së shkuarës si edukim demokratik
Këshilli i Europës sheh si të rëndësishëm lidhjen e pandashme mes edukimit dhe demokracisë dhe rolin që luan mësimi i historisë në pajisjen e nxënësve dhe studentëve me referencat e nevojshme për t'u rritur me vlera dhe parime demokratike.
Villano Qiriazi, kreu i Departamentit të Edukimit pranë KiE-së tha për BIRN se “historia e totalitarizmit, me mësimet që na jep për natyrën e brishtë të të drejtave dhe lirive themelore dhe koston njerëzore të pushtetit absolut, është thelbësore për konsolidimin e një shoqërie demokratike në Shqipëri”.
Nisma e MAS-it për të përfshirë aktivitete dhe metoda digjitale në mësimin e së shkruarës, sipas Qiriazit, duhet vlerësuar.
“Mësimi i historisë nuk mund të jetë vetëm një kronologji datash”, thotë ai, duke shtuar se “për të zhvilluar te nxënësit aftësitë e të menduarit kritik historik, ata duhet të përballen së pari me materiale historike e arkivore autentike ose, thënë ndryshe, me burime historike parësore, të cilat kanë vlera të veçanta pedagogjike, pasi u mësojnë nxënësve dhe mësuesve që t'i analizojnë në mënyrë kritike për t'iu afruar sa më shumë të vërtetës historike”.
Në këtë kontekst, ai sheh si thelbësor rolin që duhet të luajnë institucionet që i përkasin edukimit joformal si; muzetë, vendet e kujtesës dhe arkivat.
Të gjitha këto aktivitete, sipas tij, krijojnë më shumë autonomi pedagogjike për mësuesit, të cilëve do t'u hapen perspektiva të reja që shkojnë përtej librit shkollor.
Mësuesi duhet të jetë në qendër të reformës dhe jo kurrikula shkollore, sipas Qiriazit.
“Kurrikula shqiptare është e bazuar në kompetenca dhe më shumë se reformim i saj, dhe pa e nënvlerësuar këtë aspekt, përparësi duhet t'i jepet formimit të vazhdueshëm të mësuesve dhe autonomisë pedagogjike të tyre për të siguruar cilësi në arsim”, përfundon ai.