Dy grupet më të mëdha politike në vend, të cilat kanë qeverisur Shqipërinë me alternime që nga rënia e Komunizmit dhe që kanë aktualisht një problem të përbashkët serioz me drejtësinë, arritën një kompromis politik, i cili, në pamje të parë është habitës. Për aq pak sa dy komisione hetimore parlamentare, të cilat nuk duket se prekin ndonjë çështje shumë ekzistenciale për maxhorancën, grupi i Rithemelimit pranoi të kthejë jetën parlamentare në normalitet. Nga komisionet parlamentare, njëri që shënjestron koncesionet në shëndetësi dhe me shumë gjasa mund të ndihmojë për të goditur edhe më tej ish-ministrin Ilir Beqaj, i cili sakaq është politikisht i goditur mjaftueshëm. Komisioni i dytë, që synon të hetojë ndërhyrje të paligjshme në sistemin e regjistrimit të hyrje-daljeve të shtetasve të kufi, të njohur si TIMS, nuk është e sigurt se do të mund të prodhojë sukses politik të ngjashëm me komisionin hetimor parlamentar të incineratorëve. Si temë, duket se është pa potencial për kapital politik. E nëse merret parasysh fakti se opozita ka kërkuar komisione hetimore për çështje shumë më me potencial politik, fjala vjen, çështja McGonigal apo çështja e Portit të Durrësit, fakti që ajo heq dorë nga këto dhe zgjedh dy çështje pa shumë potencial politik, ngre pikëpyetje se për çfarë po e bën.
Me pak fjalë, fitorja kryesore e grupit të përfaqësuar aktualisht nga Gazmend Bardhi si udhëheqës rezervë në kushtet kur Berisha është në arrest shtëpie, duket se është realizuar, jo aq shumë kundër qeverisë, se sa kundër grupit Basha dhe Partisë Demokratike zyrtare. Duke u njohur si grupi kryesor opozitar nga maxhoranca socialiste, Rithemelimi e la në hije dhe praktikisht pa punë PD-në zyrtare dhe Bashën. Ato që shqiptarët kanë frikë, pra kompromise mes palëve për të cënuar Reformën në Drejtësi, duket se u lanë për t’u diskutuar në kuadër të një nën-komisioni parlamentar ku, sipas negociatorit socialist Bledi Çuçi, do të duhet të diskutohen në vijim ligjet me tre të pestat.
Kompromisi për socialistët, nëse është ky që është deklaruar, duket shumë komod. Përkundrejt dy çështjeve jo shumë të rëndësishme, ata fituan njohje si maxhorancë e ligjshme nga ana e Rithemelimit. Dhe të dy çështjet e kërkuara nga opozita gjithsesi do të duhet të hetohen në bazë të ligjit të ri për Komisionet Hetimore Parlamentare, ligj që u miratua nga socialistët pak kohë më parë. Ligji i ri praktikisht e dobësoi jashtëzakonisht shumë të gjithë procedurën e hetimit parlamentar dhe vendosi rregulla strikte për ta mbajtur një procedurë të tillë të mbyllur për publikun, gjë që heq rrezikun e pasojave politike për socialistët. Me pak fjalë, marrëveshja duket shumë e pabarabartë dhe ngjan më shumë si një dorëzim në përfitim të shumë pak gjërave nga ana e opozitës dhe një fitore e plotë dhe komode me një kosto të papërfillshme për maxhorancën. Për më tepër, Rama në çdo kohë i ka të gjitha mundësitë dhe interesin që të braktisë Rithemelimin si palë në bisedime për ligje që kërkojnë maxhoranca që nuk i ka, dhe të rikthehet te grupi i Bashës, për një pazar më të lirë nga sa mund të japë Rithemelimi. Është ky rezultat i pabarabartë në negociata si dhe historia tashmë e përsëritur e kompromiseve të paprincipta pas dyerve të mbyllura të këtyre dy partive, ajo që të shtyn të mendosh se kompromise me rezultate më konkrete se sa këto të deklaruarat duhet të jenë në tavolinë. Nëse historia përbën ndonjë mësim, le të shohim se çfarë kanë sjellë dy marrëveshjet e shkuara, ajo Nano-Berisha në vitin 2003 dhe ajo Rama-Berisha në vitin 2008.
Institucione të ndërvarura
Në vitin 2003, Shqipëria vinte nga një periudhë përplasjesh politike ekstreme, të cilat galvanizonin ndasitë sociale të kohës së komunizmit. Partia Socialiste, në qeveri, perceptohej gjerësisht si thellësisht e korruptuar, si dhe sot si dhe pranohej gjerësisht nga vendësit dhe ndërkombëtarët që, në vitin 2001, nën udhëheqjen e kryeministrit Ilir Meta, pati manipuluar zgjedhjet me një gamë të gjerë mjetesh, nga dhuna policore te vendimet e njëanshme të Gjykatës Kushtetuese. Si edhe sot, Partia Demokratike në opozitë bënte sherr, në parlament dhe jashtë parlamentit. Kryeministria u blindua në këtë periudhë për herë të parë me një mur rrethues, i cili, në vitin 2011, ndaloi sulmuesit socialistë që të sulmonin “kështjellën” e Berishës ndërsa u zëvendësua me dyer të blinduara, të cilat, më 2019, ndaluan demokratët që të sulmonin “kështjellën” e Ramës. Si edhe sot, marrëveshja rezultoi më e lehtë nga sa imagjinohej. Ishte koha kur zgjedhjet për president po afroheshin dhe në atë kohë, presidenti zgjidhej me tre të pestat e parlamentit. Ndërkombëtarët i bënë presion socialistëve që të zgjidhnin një president konsensual, pavarësisht se i kishin numrat, për shkak se forca e tyre parlamentare mbështetej në zgjedhje të konsideruara si thelbësisht pa standarde.
Një marrëveshje e firmosur nga Fatos Nano dhe Sali Berisha i dha fund krizës, por jo vetëm për zgjedhjen e presidentit. Ajo i dha vendit presidentin e parë dhe të fundit konsensual, bëri një reformë zgjedhore që synoi të garantojë kontroll nga opozita të procesit të hartimit të listave zgjedhore dhe të numërimit të votave, si dhe krijoi një sistem ndërvarësie në strukturat e drejtësisë dhe institucionet e tjera të pavarura, e cila sot mund të cilësohet me shumë të drejtë si themeli i instalimit të sistemit të pandëshkueshmërisë së korrupsionit politik në vend.
Reforma zgjedhore e vitit 2003 vendosi shumë nga elementët e sistemit zgjedhor që kemi edhe sot: për të garantuar një komision zgjedhor normal u krijua një komision me ndërvarësi politike, me disa anëtarë të emëruar nga maxhoranca dhe disa, nga opozita. Për të garantuar proces normal zgjedhor u vendos që shumica e anëtarëve të komisioneve zonale zgjedhore apo të qendrave të votimit apo të numëruesve të votave, t’u jepej në një pjesë të vendit maxhorancës dhe një pjesë tjetër, opozitës, me vende të rezervuara për partitë e vogla të spektrit respektiv. Dhe për të garantuar më shumë kontroll mbi procesin e numërimit, numërimi i votave, i cili zakonisht bëhet në secilën nga mbi 5 mijë qendrat e votimit në vend, u vendos të kryhet në mënyrë të përqendruar në më pak se 100 qendra. Për shkak se Gjykata Kushtetuese, e cila më herët shqyrtonte mosmarrëveshjet zgjedhore, kishte denigruar vetveten me vendime që të shkyenin sysh në zgjedhjet e vitit 2001, mosmarrëveshjet zgjedhore iu zhveshën asaj dhe iu kaluan një strukture të posaçme pranë Gjykatës së Apelit të Tiranës, me supozimin se gjyqtarët në këtë strukturë do të tregoheshin më profesionistë dhe më të pavarur.
Si biznes anësor i palëve politike, formula e ndërvarësisë e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u shtri gradualisht në të gjitha të ashtuquajturat institucione të pavarura të shtetit, ku më kyçi, dhe më problematiku, ishte Gjykata e Lartë. Përgjatë dy dekadave që pasuan, u bë praktikë e rëndomtë që, fjala vjen, nëse krijoheshin dy vakanca në institucionin e Bordit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë apo të Autoritetit të Konkurrencës, PS propozonte një anëtar dhe PD propozonte tjetrin. Por ndërsa formula garantonte njëfarë paqeje politike, ajo nuk garantonte profesionalizëm apo pastërti figure në emërtimet te institucionet e pavarura. Dhe kjo u bë e qartë më shumë se gjithkund tjetër në Gjykatën e Lartë.
Gjykata e Lartë në atë kohë përbëhej nga 19 anëtarë, të cilët zgjidheshin nga kuvendi dhe dekretoheshin nga presidenti. Ligji lejonte zgjedhje politike të anëtarëve ndërsa Gjykata e Lartë, duke pasur monopolin e shqyrtimit të akuzave ndaj zyrtarëve me imunitet, u bë instrumenti kyç mbrojtës i korrupsionit në vend dhe garancia për paprekshmëri për palët politike. Gjykata u bë aq shumë simbol i asaj që shteti nuk duhej të ishte sa, nëse e mbani mend, Bashkimi Evropian vuri dikur dymbëdhjetë kushte për integrimin e Shqipërisë dhe një nga këto kushte ishte “depolitizimi” dhe profesionalizimi i procesit të emërimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë. Në vend të kësaj, emërimet degraduan vazhdimisht dhe vazhdimisht dhe gjykata shpërbleu politikanët duke garantuar pandëshkueshmërinë edhe në rastet më të pabesueshme.
Disa nga vendimet më të debatueshme të saj ishin mbyllja me procedurë e hetimit për rrugën e Kombit, në të cilën, Lulzim Basha akuzohej se kishte përdorur një procedurë prokurimi të paparashikuar në ligj ndërsa Sali Berisha mbrohej duke thënë se vendimi ka qenë kolegjial dhe për rrjedhojë, nuk mund të ketë përgjegjësi penale. Gjykata nuk u shpreh për thelbin, por shpalli procesin të parregullt dhe të pavlerë duke argumentuar se prokurorët kishin shkelur një procedurë. E njëjta gjykatë më vonë shpalli si ineksiztente të një videoje që paraqiste Ilir Metën duke diskutuar manipulime tenderësh dhe ndarje parash; ajo shpalli inekzistente një video të dytë e cila paraqiste një ish-ministër dhe një ish-zëvendësministër duke numëruar tufa me para dhe në fund, në vitin 2015, kjo gjykatë shpalli se dhuna e xhiruar në kamerat e sigurisë të dy deputetëve socialistë, Arben Ndoka dhe Pjerin Ndreu ndaj deputetit të opozitës Genc Strazimiri nuk përbën vepër penale, sepse, për shkak se ka ndodhur brenda mjediseve të kuvendit, duhet të konsiderohet vetëm si “tejkalim i lirisë së shprehjes.”
Gjykata e Lartë ishte ajo që u rrëzua në mënyrën më tërësore të imagjinueshme nga procesi i vetingut. Nga të 17 anëtarët që ishin në detyrë në çastin e reformës në drejtësi, shtatë u tërhoqën me dorëheqje, supozohet për t’i shpëtuar vetingut, pesë të tjerë u rrëzuan në shkallën e parë të vetingut. Njëra u arrestua për korrupsion, tre u rrëzuan në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit dhe vetëm një, Adrian Dvorani, mbijetoi jo pa debate.
Me pak fjalë, Reforma në Drejtësi që u miratua në vitin 2016, ishte në thelb një përpjekje për të zhbërë marrëveshjen Nano-Berisha sa i përket ndërvarësisë partiake të institucioneve të drejtësisë. Reforma në Drejtësi vendosi hallka shqyrtimi paraprak të kandidaturave me qëllim që të pakësonte ndikimin e palëve politike në emërimet në sistemin e drejtësisë. Dhe ajo që ndodhi në vitet në vijim ishte një betejë e palëve politike për të ndikuar në proceset e emërimit të anëtarëve të këtyre hallkave paraprake.
Republika e kryetarit
Reforma e vitit 2008 mes Sali Berishës dhe Edi Ramës dukej sikur kishte një shënjestër më të thjeshtë. Përmes një sistemi zgjedhor të pafavorshëm për partitë e vogla të pavarura, të dy ndanë vendin në 12 qarqe zgjedhore, në shumicën dërrmuese të së cilave, partitë e vogla mund të merrnin vetëm vota të djegura. Votat e tyre mund të bëheshin të vlefshme vetëm nëse garohej brenda koalicioneve të drejtuara nga PD dhe PS. Me pak fjalë, marrëveshja synoi që të ndajë vendin mes dy partive. Por jo vetëm kaq. Sistemi me lista të mbyllura supozohej se do të krijonte një parlament në të cilin deputetët do të dërgoheshin nga partitë politike, një skemë që u prezantua sikur do të ndihmonte për të mbajtur larg politikës politikanët gangsterë. Vetëm se në kushtet kur partitë nuk kanë demokraci të brendshme, sepse, si mbeturina të komunizmit nuk kanë traditë debatesh apo të votimit në forume apo të respektimit të mendimit ndryshe, listat e deputetëve nuk u caktuan në thelb nga partitë por u caktuan nga kryetarët.
Raporti i fundit i Komisionit Evropian vë në dukje se si, parlamenti nuk është në gjendje të kontrollojë ekzekutivin dhe se si ekzekutivi nuk denjon të raportojë në parlament, as të përgjigjet në interpelancë ndërsa përdor forcën e kartonit në mënyrë të paligjshme për t’i mohuar opozitës të drejtën për komisione parlamentare. Si edhe një dekadë më parë në lidhje me Gjykatën e Lartë, Bashkimi Evropian kërkon edhe kësaj here reformë. Se çfarë reforme mund të bëhet, kjo mbetet shumë e mjegullt. Reformimi i parlamentit për ta bërë atë kontrollues të ekzekutivit dhe jo vulë e gatshme për çdo gjë, ka gjasa që kërkon një përpjekje po aq tërësore sa ajo e Reformës në Drejtësi, gjë që për momentin, duket e pagjasë. Reforma natyrisht që duhet të nënkuptojë zhbërjen e sistemit Rama-Berisha të emërimit të deputetëve nga kryetarët, e cila ose mund të bëhet me sistem tjetër zgjedhor ose mund të bëhet me demokratizimin e brendshëm të këtyre dy partive. Por për momentin, që të dy palët politike duken shumë të lumtura me sistemin që kanë dhe reforma zgjedhore ka qenë historikisht në fund të listës së prioriteteve të tyre.
Aktualisht ato pak hapa përpara të hedhura nga Reforma në Drejtësi, të cilat kanë kërkuar sakaq tetë vjet nga jeta jonë dhe sërish konsiderohen si ende në fillim dhe të pamjaftueshme, janë i vetmi element i mirëfilltë i vendosjes në praktikë të sistemit kushtetues të balancave dhe kufizimeve. Edhe nëse reforma ecën përpara e pacënuar dhe i mbijeton sulmeve të pritshme politike, ajo sërish nuk mjafton për të arritur te shteti i së drejtës, i cili ka nevojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, media të pavarur dhe të larmishme, barazi shoqërore dhe jo një shtet të kapur nga oligarkët dhe shoqëri civile të fortë dhe aktive. Por sistemi i drejtësisë është gjithsesi një hap i rëndësishëm përpara. Dhe palët politike, përfshirë Ramën, kanë shprehur tani në mënyrë të përsëritur gadishmërinë për ta prishur. Për shembull, në vitin 2020, ishte ambasadorja e SHBA-së Juri Kim, e cila shkroi në Tëitter: “Shpresoj që fjalët për një marrëveshje prapa krahëve për të vrarë reformën në drejtësi në Shqipëri të mos jenë të vërteta”. Ndërsa në shtator 2022, palët politike krijuan një grup të mbyllur për të rishikuar paketën e ligjeve të reformës në drejtësi. Gati një vit më vonë, EU-Just dhe OPDAT, dy shërbimet e asistencës ligjore nga BE dhe SHBA për Shqipërinë, i konsideruan propozimet e marra nga ky komision bipartizan si kthesa e gabuar. Thelbi i propozimeve ishte që, në mungesë të magjistratëve, jomagjistratët, pra preferencat e palëve politike, të mbushnin një numër vakancash në sistem si dhe një njësi “konsulence ligjore” pranë SPAK.
Rrjedhimisht, ndërsa palët kanë dhënë prova në mënyrë të përsëritur të dëshirës për të prekur reformën në drejtësi dhe problemet ligjore duket se i kanë të përbashkëta, nuk është çudi që në negociatat për paketën e ligjeve me tre të pestat të gjendet edhe dëshira për të dëmtuar reformën në drejtësi.
Rezultatet e deritanishme të reformës janë ende larg së dhënit të drejtësisë për shqiptarët. Gjykatat vijojnë të zvarrisin çështjet dhe qytetarët presin me vite me rradhë për një vendim. Dhe në fund të fundit, pastrimi i sistemit të drejtësisë nga gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar apo të paaftë apo pa integritet profesional është një lloj objektivi i ndërmjetëm. Synimi final është dhënia e drejtësisë, si në çështjet e luftës kundër korrupsionit ashtu edhe në çështjet e përditshme të qytetarëve, në një vend që ka një numër të lartë në mënyrë të pazakontë problemesh ligjore, të cilat përfundojnë dhe zvarriten në gjykata.
Megjithatë, në gamën e zhvillimeve që duhet të shënohen në rrugën drejt shtetit të së drejtës dhe anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Reforma në Drejtësi duket se është një nga të paktat hapa para. Në drejtim të zgjedhjeve, gjasat janë që janë bërë hapa pas, ku politika e konfliktit është zëvendësuar me politikën e korrupsionit, gangsterizmit politik dhe përfshirjes së krimit të organizuar në zgjedhje. Dhe ku politika qytetare është zëvendësuar nga politika oligarkike. Hapa thelbësorë pas janë bërë me politikën vendore, ku grupet qytetare janë zhdukur nga politizimi i tejskajshëm i të gjithë administratës publike, përfshirë shkollat dhe sistemin mjekësor si dhe nga emigrimi i pothuajse çdokujt që nuk ka qenë pjesë e klanit politik të zonës. Ndërsa në drejtim të medias së lirë dhe të larmishme, e cila duhet të garantojë qytetarë të informuar, para së gjithash, në rolin e qytetarit si votues, gjërat kanë ecur në drejtim të kundërt. Sot ka më pak media dhe mediat transmetojnë që të gjitha të njëjtën propagandë të prodhuar nga palët politike. Numri i gazetarëve që raportojnë, qoftë edhe nga Kuvendi i Shqipërisë, institucioni që duhet të jetë nën vëmendjen më të madhe të të gjithëve, është jashtëzakonisht shumë i vogël. Dhe ata që janë, janë shpesh të shtypur nga mbingarkesa në punë dhe nga cenzura e drejtpërdrejtë apo vetëcensura nga frika. Dhe sa i përket të drejtave të njeriut, të drejtave të pronës apo të drejtave të sigurisë së jetës, gjërat duket sikur kanë bërë ca hapa para dhe ca hapa pas. Korrupsioni është arma e shkatërrimit në masë të të drejtave të njeriut, qoftë kjo liria e shprehjes, të drejtat LGBTIQ+, të drejtat për kujdes shëndetësor apo mjedis të pastër, të drejtat e pronësisë apo të drejtat e punës, që të gjitha shkatërrohen nga korrupsioni, atë korrupsion që sistemi i drejtësisë ka për detyrë ta luftojë.