Beteja e qeverive ndaj Covid-in shpesh është krahasuar me luftën, por Arbnora Fazliu, e cila i përjetoi të dyja, beson se gjatë periudhës së Covid ishte më keq. “Në luftë, ne kishim përballë armikun,” tha ajo. “Por në spital, ne ishim mes të afërmve tanë. “Është e tmerrshme të mos kesh mëshirë për bashkatdhetarët e tu.” Familja Fazliu është me origjinë nga Mitrovica, një qytet në veri të Kosovës, popullsia e të cilit është e ndarë sipas linjave etnike – pjesërisht shqiptare, pjesërisht serbe. Gjatë luftës në fund të viteve 1990, që çliroi popullsinë me shumicë shqiptare të Kosovës nga kontrolli serb, familja u detyrua të largohej nga shtëpia. Shumica e anëtarëve të saj përfunduan në Shqipërinë fqinje, mes qindra mijëra kosovarëve që kërkuan strehim atje. Arbnora, që në atë kohë ishte njëmbëdhjetë vjeçe, ishte vazhdimisht e shqetësuar për të dy vëllezërit, fati i të cilëve nuk dihej. Siç rezultoi më vonë, njëri vëlla ishte në burg ndërsa tjetri strehohej te të afërmit. Vëllezërit e motrat u ribashkuan me ngazëllim kur familja u kthye në Kosovë në vitin 1999.
Në korrik 2020, rreth katër muaj pasi Italia regjistroi valën e parë evropiane të vdekjeve nga Covid-19, babai i Arbnorës, Xhaferi, u shtrua në spital në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë. Xhaferi ishte infektuar me virusin, por familja nuk ishte shumë e shqetësuar. 70-vjeçari kishte nevojë kryesisht për terapi me oksigjen dhe pritej të dilte nga spitali pas një qëndrimi të shkurtër. Shumica e vendeve evropiane në atë kohë po përpiqeshin të kontrollonin përhapjen e virusit duke i ndaluar të gjithë vizitorët nga spitalet, por Kosova po vepronte krejt ndryshe. Reparti i sëmundjeve infektive në Qendrën Klinike Universitare të Prishtinës i lejonte të afërmit e pacientëve të ndihmonin mjekët dhe infermierët, që ishin tepër të ngarkuar. Arbnora, së bashku me vëllain dhe motrën u kujdesën për babanë e tyre, në kushte të mjerueshme që të kujtojnë një zonë lufte. “Ushqimi ishte i mbuluar me miza për shkak të nxehtësisë, na u desh të blinim vetë dezinfektuesin”, tha Arbnora. “Dhoma e babait tim nuk kishte tualet, duhej të shkonim në dhoma të tjera. Pashë shumë njerëz që duhej të bënin gjithçka në shtretërit e tyre.” Arbnora tha se motra e saj i jepte qetësues babait dhe monitoronte furnizimin e tij me oksigjen.
Xhaferi vdiq në spital në orën tre të mëngjesit. më 5 korrik, tre ditë pasi ishte pranuar. Vëllai i Arbnorës, i cili ishte me të në atë moment, tha se pajisjet e oksigjenit nuk kishin funksionuar gjatë natës dhe se ishte dashur gjysmë ore për të gjetur një anëtar të stafit të spitalit për ta rregulluar. Raporti i autopsisë do të konkludonte se Xhaferi vdiq nga shkaqe natyrale. Por familja Fazliu dyshoi se ndërprerja e furnizimit me oksigjen ndikoi në vdekjen e tij. Xhaferi ishte një nga gjashtë pacientët me Covid që vdiq atë natë në repartin e sëmundjeve infektive të spitalit. “Ende e kemi pikë në zemër se çfarë ndodhi atë natë”, tha Arbnora. “Akoma nuk kemi asnjë shpjegim nga shteti.”
Ka kaluar pak më shumë se një vit që kur Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH), deklaroi se Covid nuk ishte më një emergjencë shëndetësore globale. Në shumë prej demokracive më të zhvilluara të Evropës, kanë nisur hetime publike, të cilat po shqyrtojnë problematikat në reagimet ndaj Covid, që çuan deri në prag të kolapsit të sistemit të kujdesit shëndetësor. Megjithatë, qeveritë në vendet më të varfra të Ballkanit, që u goditën më keq nga pandemia, e kanë shmangur llogaridhënien. Të dhënat për vdekjet janë anashkaluar, ose përdorur sipas interesit, thirrjet për hetime janë lënë në heshtje dhe nuk është zbardhur tabloja e vërtetë e asaj që ndodhi në spitale. Në pamje të parë, Kosova ia doli më mirë se fqinjët e saj sipas disa treguesve: popullsia e saj relativisht e re favorizonte që më pak njerëz të sëmureshin rëndë. Por falë një sistemi të kujdesit shëndetësor të dobët, të sëmurët kishin shumë më pak gjasa të mbijetonin. “Situata thjesht doli jashtë kontrollit”, tha një mjek në Prishtinë, duke folur në kushte anonimiteti, sepse, siç tha ai, ishte besnik ndaj kolegëve të tij. “Ishte e pamundur të menaxhohej, të gjithë ishim të humbur. Gjithmonë mungonte diçka, herë oksigjeni, herë ilaçet. Njerëzit u detyruan të blinin vetë ilaçe thelbësore dhe të shtrenjta. “Ata që nuk kishin para nuk morën trajtimin e duhur”.
Kosova kishte normën më të lartë të vdekshmërisë shtesë në Evropë gjatë kulmit të pandemisë, në periudhën 2020-21, sipas të dhënave të analizuara nga statistikat e agjencive kombëtare statistikore dhe zyrës së statistikave të Bashkimit Europian (BE), Eurostat. Në këtë artikull, termi “Evropë” përfshin shtetet anëtare të BE-së dhe vendet e Ballkanit e Turqinë, që kanë aplikuar për t'u anëtarësuar në bllok, ndërsa përjashton ato vende që më parë ishin pjesë e Bashkimit Sovjetik. Vdekshmëria shtesë përshkruan përqindjen e rritjes së numrit të vdekjeve nga të gjitha shkaqet gjatë një periudhe krize specifike, krahasuar me atë që mund të pritej në kushte “normale”. Ky tregues, megjithëse nuk është i përsosur, është përdorur nga epidemiologët si një mjet mjaft i besueshëm për të vlerësuar ndikimin e pandemisë. Ai jep një vlerësim të përafërt të rritjes në përqindje të numrit të njerëzve që vdiqën si pasojë e Covid duke e krahasuar me mesataren e katër viteve të mëparshme të periudhës normale.
Të dhënat nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se vdekshmëria shtesë në Kosovë ishte 41 për qind gjatë periudhës 2020-2021 ( llogaritur si mesatare vjetore), në kulmin e pandemisë, krahasuar me mesataren vjetore 2016-2019. Shkalla mesatare e vdekshmërisë shtesë në të gjithë BE-në gjatë të njëjtës periudhë ishte 14 për qind, sipas Eurostat. Rezultatet më negative pas Kosovës ishin në vendet fqinje: Maqedonia e Veriut, me një shkallë vdekshmërisë shtesë prej 35 për qind dhe Shqipëria, me 33 për qind.
Këto tre këto vende janë më të varfrat në Evropë për sa i përket Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB) PBB-së për frymë. Ndërkohë, shtetet më të pasura për të ardhurat për frymë kishin një ecuri shumë më të mirë. Gjermania kishte një vdekshmëri shtesë prej 8 për qind, sipas të dhënave të Eurostat. Ky tregues në Itali, vendi më pak i përgatitur për Covid sepse u godit i pari, ishte 14 për qind. Në Suedi, e cila refuzoi në mënyrë të diskutueshme të kufizojë lëvizjet, ishte 5 për qind. E thënë thjesht, shanset tuaja për të mbijetuar nga një periudhë kërcënuese për jetën e Covid-it ishin dukshëm më të këqija nëse do të ndodheshit në Kosovë, Maqedoninë e Veriut ose Shqipëri.
Asnjë nga këto vende nuk ka hapur hetime për të parë përgjigjen ndaj Covid. Në Kosovë për më tepër, mediat dhe institucionet e shoqërisë civile nuk gërmuan në shifrat që po bëheshin publike në kulmin e pandemisë, sipas Albert Spahiut, redaktor i ekonomisë në gazetën Telegrafi të Prishtinës. “Nuk kishte asnjë raportim shkencor të të dhënave,” tha ai. “Raportimi ishte i thjeshtë, sipërfaqësor, i fokusuar vetëm në shifrat ditore, ndërkohë që nuk kishte kërkime për numrin e saktë të vdekjeve dhe çfarë i shkaktoi ato.”
Ndërkohë, në nivele kombëtare, vende të tilla si Mbretëria e Bashkuar, Franca dhe Italia kanë nisur hetime publike për përgjigjen e tyre ndaj Covid-it, në një përpjekje për të demonstruar llogaridhënie, për të forcuar sistemet e kujdesit shëndetësor dhe për të ofruar një ngushëllim për të afërmit e vdekurve. Për shembull, në Mbretërinë e Bashkuar, një hetim për Covid – i nisur në vitin 2022 dhe që pritet të përfundojë në vitin 2026 – zbuloi se zyrtarë të lartë të qeverisë kishin zhvilluar festa në zyrë, në kundërshtim me udhëzimet, që kishin dhënë vetë. Në Suedi, një hetim dha një vlerësim të dyzuar të strategjisë së diskutueshme të vendit “pa bllokim”. Ai kritikoi dështimet e hershme për të mbrojtur të moshuarit, por justifikoi qasjen e përgjithshme, duke vënë në dukje se shkalla e vdekshmërisë shtesë ishte më e ulët se në shumë vende që kishin vendosur bllokime të rrepta.
Nuk është për t'u habitur që asnjë hetim i tillë nuk është bërë në vendet që kanë regjistruar shkallën më të lartë të vdekshmërisë shtesë në Evropë. Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut janë ndër vendet më të varfra në Ballkanin Perëndimor dhe sistemet e tyre të kujdesit shëndetësor janë dobësuar nga dekada të tëra investimesh të pakta dhe një “ikje truri” të vazhdueshme të mjekëve dhe infermierëve të kualifikuar. Spitaleve të tyre u mungonte kapaciteti për t'u kujdesur për pacientët që ishin më rëndë me Covid, duke çuar në nivele të larta të vdekshmërisë. Edhe sot, për shkak të kufizimeve të ngjashme, rrezikohet që të mos bëhet një vlerësim i ndershëm i asaj që shkoi keq. Sistemet me cilësi të mirë të kujdesit shëndetësor publik si dhe hetimet publike të besueshme, priren të jenë të kushtueshme. Vendet që nuk mund të përballojnë të parën nuk ka gjasa të dedikojnë burime për të dytën. Megjithatë, mungesa e burimeve nuk është pengesa e vetme. Ekspertët thonë se një vlerësim i sinqertë i përgjigjes ndaj pandemisë po pengohet gjithashtu nga mungesa e transparencës.
Në tetor të vitit 2021, prokuroria e Prishtinës përfundoi hetimin për rastin e gjashtë pacientëve që kishin vdekur gjatë të njëjtës natë në repartin e sëmundjeve infektive të Qendrës Klinike Universitare. Prokurorët mbështetën gjetjet e raporteve fillestare të autopsisë: ata konfirmuan Covid si shkakun e vdekjes dhe nuk ofruan asnjë tregues nëse kishte ndikuar ndërprerja e furnizimit me oksigjen.
Familja e Arbnores tentoi të niste procedurat gjyqësore për vdekjen e Xhaferit, por nuk gjeti asnjë avokat të gatshëm të merrte përsipër këtë çështje. Gjatë realizimit të këtij shkrimi kontaktuam me vajzën e një pacienti tjetër me Covid, i cili vdiq në të njëjtën natë me Xhaferin në infektiv. Gruaja, e cila nuk dëshironte të identifikohej me emër, tha se edhe ajo ishte përpjekur të ndiqte veprime ligjore për vdekjen, por hoqi dorë sepse asnjë avokat nuk ishte i gatshëm të merrte përsipër çështjen.
Bujar Vitija, një gazetar i shëndetësisë që drejton portalin Shneta, tha se në verën e parë të Covid në spitale ishte një “kaos i plotë”. Spitalet shpesh përfundonin duke përdorur bombola oksigjeni sepse nuk mund të mbështeteshin në një sistem modern, të përqendruar të oksigjenit, përmes tubacionit. “Shpesh ishte e vështirë të sigurohej oksigjen i mjaftueshëm për pacientët,” tha Vitija.
I pyetur për pretendimet se vdekjet e pacientëve ishin të lidhura me ndërprerjen e furnizimit me oksigjen, Qendra Klinike Universitare u përgjigj duke cituar raportin e prokurorit, i cili nuk tregonte ndonjë lidhje të tillë. Në përgjigje të çështjeve të tjera të ngritura nga ky artikull, Qendra Klinike Universitare pranoi se të afërmit e pacientëve me Covid kishin ndihmuar në kujdesin e tyre në kulmin e pandemisë duke administruar tableta, ashtu siç do të kishin bërë nëse pacienti do të kishte qenë në shtëpitë e tyre, dhe të siguronin që pacienti të mos e hiqte maskën e oksigjenit. Spitali theksoi se të afërmit nuk kishin kryer asnjë trajtim intravenoz për pacientët. “Mjedisi i spitalit ishte i mbipopulluar dhe mjekët dhe infermierët bënin punë humane dhe heroike”, tha Arben Vishaj, drejtori i Qendrës Klinike Universitare.
Në një vizitë në repartin e sëmundjeve infektive shumë kohë pas pandemisë, stafi mjekësor që takova nëpër korridore hezitonte të fliste. Shumë kundërshtuan se Kosova kishte një shkallë të lartë së vdekshmërisë shtesë, edhe pse shifrat ishin nxjerrë nga statistikat zyrtare. “Maqedonia e Veriut kishte një shkallë të lartë të vdekjeve gjatë pandemisë”, tha një nga mjekët. “Jo ne.”
Kërkesës drejtuar Ministrisë së Shëndetësisë në Prishtinë për të komentuar shkallën e lartë të vdekshmërisë shtesë në Kosovë, Ministria iu përgjigj përmes e-mail. Ministria dukej se pranoi se shkalla e vdekshmërisë shtesë ishte rritur midis 2020-2021. “Vdekjet shtesë në Kosovë gjatë pandemisë tregojnë një ndryshim të këtij parametri”, thuhet në e-mail. Në nëntor dhe dhjetor 2020, tha ministria, Kosova regjistroi një shkallë të vdekjeve shtesë prej 103 për qind dhe 88 për qind përkatësisht – ose afërsisht dyfishin e asaj që do të pritej normalisht.
Megjithatë, ministria vuri në dukje edhe një tregues tjetër – numrin e vdekjeve shtesë për 100,000 banorë – që duket se e vendos Kosovën në një pozitë shumë më komode. Duke cituar të dhënat e përpiluara nga revista The Economist deri në nëntor 2022, Ministria e Shëndetësisë tha se rekordi i Kosovës për vdekjet shtesë ishte larg të qenit më i keqi në Europë. E-maili i ministrisë tha se Kosova kishte regjistruar 329 vdekje të tepërta për 100,000 banorë, duke tejkaluar Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, ku i njëjti tregues ishte përkatësisht 584 dhe 823. Ministria tha se Bullgaria kishte regjistruar 1,049 vdekje shtesë për 100,000 banorë – më e larta në botë. Ministria nuk specifikoi një kornizë kohore për këto numra dhe ishte e pamundur t'i vërtetonim këto shifra në linkun e The Economist që ata dhanë, pasi shifrat përditësohen rregullisht. Shifrat e fundit në faqen e internetit të The Economist në të vërtetë tregojnë se numri i vdekjeve shtesë për 100,000 banorë ka qenë dukshëm më i ulët në Kosovë, përgjatë pandemisë, krahasuar me fqinjët dhe shtetet e BE-së.
Në një periudhë normale, një vend me një popullsi relativisht të re mund të priret të ketë një numër të ulët vdekjesh në krahasim me një vend me një popullsi të plakur, në raport me popullsisë. Gjatë një pandemie të tillë si Covid që vret në mënyrë disproporcionale të moshuarit, të dyja këto vende do të shohin një rritje të numrit të vdekjeve për 100,000 njerëz. Megjithatë, kjo rritje, në vlerë nominale, ka të ngjarë të jetë akoma më e vogël në një vend me një popullsi të re, krahasuar me një vend me një popullsi në plakje.
Kosova nuk është vetëm shteti më i ri në Evropë, por është edhe me moshë më të re. Gjysma e popullsisë së saj prej 1.87 milionë është nën moshën 30 vjeç, sipas të dhënave të Eurostat-it nga viti 2021. Në BE, për krahasim, mosha mediane – ose mosha që e ndan popullsinë në gjysmë – është 44. Shkalla e fertilitetit në Kosovë, ka qenë tradicionalisht e lartë, por tani është në rënie si kudo në Evropë. Gjithsesi vendi mbetet jashtëzakonisht rinor në një kontinent të plakur. Deri vonë, kosovarët prireshin të martoheshin dhe të krijonin familje në një moshë relativisht të re. Shkalla e martesave është ende më e larta në Evropë: ka pothuajse 10 martesa çdo vit për 1,000 banorë në Kosovë, më shumë se dyfishi i mesatares së BE-së prej 4 për 1,000 banorë, sipas Eurostat. Për më tepër, familjet kosovare priren të jenë të qëndrueshme – vendi ka shkallën më të ulët të divorcit në Evropë. BE-ja gjithashtu ka një ndikim. Në pjesën më të madhe të Evropës Lindore, të rinjtë kanë migruar drejt perëndimit për të punuar, duke rritur moshën mesatare të popullsisë së mbetur. Kosovarët, megjithatë, sapo kanë fituar të drejtën e udhëtimit pa viza në BE. Ata ende nuk mund të migrojnë lehtësisht në bllok, me përjashtim të mjekëve dhe infermierëve të kualifikuar, të cilët janë shumë të kërkuar në BE.
Ndërsa Kosova regjistroi një numër relativisht të ulët të vdekjeve shtesë për 100,000 banorë, këto shifra nuk e justifikojnë përgjigjen e saj ndaj Covid. Edhe para pandemisë, Kosova kishte një numër jashtëzakonisht të ulët të vdekjeve për 100,000 banorë, krahasuar me vendet evropiane. Të dhënat nga Banka Botërore tregojnë se Kosova regjistroi 560 vdekje për çdo 100,000 banorë në vitin 2019 – e dyta më e ulëta në Evropë pas Turqisë, dhe afërsisht sa gjysma e mesatares për BE-në. Ndërkohë, Bullgaria edhe në vitin 2019 kryesonte renditjen botërore, me 1,550 vdekje për 100,000 njerëz. Demografia ofron një shpjegim: një në pesë bullgarë janë mbi 65 vjeç, përqindja më e lartë në BE pas Italisë dhe Portugalisë.
Ndryshimi në përqindje i këtij treguesi ofron një rezultat më domethënës për ecurinë e Kosovës gjatë pandemisë. Sipas të dhënave të Bankës Botërore në 2020-n, vitin e parë të pandemisë, Kosova regjistroi 750 vdekje për 100,000 banorë – një rritje prej 35 për qind. Kjo rritje nuk ishte vetëm më e larta në Evropë, por edhe ndër më të lartat në botë. Ekuadori kryesoi tabelën me një rritje prej 53 për qind në vitin 2020. Në krahasim, Bullgaria regjistroi 1800 vdekje për çdo 100,000 banorë në vitin 2020 – një rritje prej vetëm 16 për qind.
Shumë ekspertë preferojnë vdekshmërinë shtesë të llogaritur me ndryshimin në përqindje, në vend të vdekjeve shtesë për 100,000 banorë, për të matur ndikimin e pandemisë. Gjatë një pandemie vdekjeprurëse, një vend me një sistem të dobët të kujdesit shëndetësor pritet të shënojë një rritje të mprehtë të shkallës së vdekshmërisë shtesë, krahasuar me një shtet me një sistem të fortë të kujdesit shëndetësor.
“Raporti i vdekjeve në raport me popullsinë nuk e tregon realitetin, pasi shumë vende me popullsi të moshuar kishin një numër të lartë vdekjesh për njësi të popullsisë, edhe para pandemisë”, tha Artan Hoxha, president i Institutit për Studime Bashkëkohore, me qendër në Tiranë, një think tank që ka gjurmuar vdekjet nga Covid. “Vdekshmëria shtesë në përqindje është një indikator më i mirë, sepse tregon sesi vendi ka performuar përkundrejt ecurisë së tij historike.”
Sistemet e kujdesit shëndetësor në të gjithë Ballkanin po dobësohen nga emigrimi i punonjësve të kualifikuar mjekësorë. Sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) për vitin 2020, Shqipëria kishte 18 mjekë për 10,000 banorë, shifra më e ulët në Evropë, ndërsa Maqedonia e Veriut kishte 28 mjekë për 10,000 banorë. Gjermania dhe Italia, të dyja destinacione të njohura për mjekët dhe infermierët shqiptarë dhe maqedonas, kishin përkatësisht 45 dhe 40 mjekë për çdo 10,000 banorë.
Kosova u rendit mes Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut, me 23 mjekë për 10,000 banorë, sipas të dhënave të vitit 2019 nga Dhoma e Mjekëve, një organ profesional me qendër në Prishtinë. Ekspertët e kishin ngritur alarmin, që përpara pandemisë, se eksodi i mjekëve dhe infermierëve do të krijonte mungesa akute në sistemin e kujdesit shëndetësor vendas.
Siç ndodh shpesh, nuk ka të dhëna për Kosovën nga OBSH. Vendi shpesh lihet jashtë të dhënave ndërkombëtare, duke qenë një pikë e errët statistikore. Një ndikim mund të ketë dhe sovraniteti i saj i kontestuar. Kosova ende nuk është pranuar në OKB, BE dhe NATO, megjithëse shumica e shteteve anëtare të dy organizatave të fundit e njohin sovranitetin e saj.
Ekspertët thonë se përgjigja e Kosovës ndaj Covid-it është dëmtuar nga keqmenaxhimi i të dhënave. “Të dhënat për vdekjet shtesë nuk ishin transparente – ato nuk arritën të nxjerrin në pah problemin real”, tha Safet Gerxhalliu, analist ekonomik dhe ish-kryetar i Odës Ekonomike me seli në Prishtinë. “Studimet po bazohen në shifra të pasakta. Vendi ka vuajtur shumë për shkak të mungesës së të dhënave të mira – ka humbur mundësinë për të kërkuar ndihmë nga institucionet ndërkombëtare”.
Në vendet fqinje, dështimi për të hetuar menaxhimin e pandemisë i është atribuar gjithashtu mungesës së vullnetit politik. Në Shqipëri, qeveria e Edi Ramës trumbetoi përgjigjen e saj ndaj Covid-it, pavarësisht se vendi regjistroi shkallën më të lartë të vdekshmërisë së tepërt në Evropë në vitin 2020, sipas të dhënave nga Fondi Monetar Ndërkombëtar. “Nëse do të kryeshin hetime, qeverisë do t''í duhej të pranonte nivelin e lartë të vdekjeve dhe si rrjedhojë dhe dështimin total për të administruar pandeminë” thotë Artan Hoxha, analisti ekonomik me seli në Tiranë.
Erion Dasho, një mjek dhe konsulent me origjinë shqiptare, me bazë në Gjermani, i cili ka bërë thirrje vazhdimisht për një transparencë më të madhe mbi trajtimin e pandemisë nga Tirana, e përforcon nevojën për një hetim. “Vendet më të mëdha nxorën mësime nga ajo që ndodhi në pandemi dhe po përpiqen të forcojnë parandalimin e tyre. kapacitetet”, tha ai. “Duke pretenduar se kemi bërë gjithçka siç duhet, duke mos njohur gabimet, është e pamundur të imagjinohet se qeveria do t'i korrigjojë ato gabime”.
Në Maqedoninë e Veriut, Ministria e Shëndetësisë ende nuk i është përgjigjur thirrjeve për të hetuar përgjigjen e saj ndaj Covid. Shaban Memeti, drejtori i Institutit të Shëndetit Publik, një qendër kërkimore e financuar nga shteti, tha se ai kishte kërkuar nga qeveria që të hetojë menaxhimin e pandemisë. Megjithatë, tha ai, kërkesat e tij kishin mbetur në sirtar, si rrjedhojë e ndryshimit të shpeshtë të ministrave. “Ne duhet të bëjmë një analizë të duhur të numrit të vdekjeve, të asaj që funksionoi dhe nuk funksionoi gjatë pandemisë,” tha ai.
Memeti ka mbaruar studimet e larta për mjekësi në Tiranë dhe e njeh mirë sistemin shëndetësor të Kosovës dhe Shqipërisë. Rajoni kishte një ecuri të keqe gjatë pandemisë, tha ai, sepse shumë hallka në zinxhir nuk funksionuan – nga një rrjet i dobët i mjekëve të familjes deri te mosrespektimi i protokolleve, vonesat në testime dhe mungesa e komunikimit ndërmjet institucioneve. Duke qenë të varfra dhe jofunksionale, shumë vende të Ballkanit ishin gjithashtu të ngadalta për të marrë masat e vaksinimit masiv – ku Serbia ka një përjashtim të dukshëm. Mentaliteti ballkanik gjithashtu luajti rol. “Njerëzit u përpoqën të fshihnin sëmundjen ose hezitonin të merrnin ndihmë derisa ishte tepër vonë,” tha Memeti.
Pas ekspozimit të problematikave në sistemet e kujdesit shëndetësor të këtyre vendeve, Covid mund të ofrojë një mbrojtje kundër pandemisë së ardhshme, tha Memeti. “Nuk do të jetë njësoj – sistemi ka përvojën tani, ka një kujtesë institucionale,” tha ai. Megjithatë, paralajmëroi ai, kujtesa institucionale nuk do të mund të zëvendësojë pasojat e një rinovimi të vonuar të infrastrukturës së kujdesit shëndetësor.
Ornela Liperi është një gazetare nga Tirana e specializuar në të dhënat dhe analizat ekonomike, për revistën Monitor. Ky artikull u realizua si pjesë e Bursës për Gazetari Ekselente, mbështetur nga Fondacioni ERSTE, në bashkëpunim me Rrjetin Ballkanik për Gazetari Investigative. Redaktuar nga Neil Arun.