
Gjykata e Posaçme rrëzoi të martën kërkesën e Jamarbër Malltezit për lirimin e pasurive të tij nga masa e sekuestrimit. Pasuritë e Malltezit janë sekuestruar pas një procesi penal për akuzën e korrupsionit lidhur me çështjen e privatizimit të ish-klubit sportiv “Partizani”. Malltezi e kundërshton akuzën si të ngritur mbi fakte të rreme.
Në seancën parardhëse më 2 prill, prokurorja Enkeleda Millonai këmbënguli që masa e sekuestrimit të mbetej në fuqi, ndërkohë që Malltezi dhe mbrojtësit e tij parashtruan se tejzgjatja e sekuestrimit të pasurive sjell impakt në situatën financiare dhe familjare.
Gjykata e Lartë po ashtu vendosi të martën mospranimin e rekursit të kërkuesve Argita Malltezi dhe Jamarbër Malltezi, kundër vendimit të Gjykatës së Posaçme të Apelit lidhur me pasuritë e sekuestruara.
Malltezi dhe vjehrri i tij, ish-kryeministri Sali Berisha akuzohen nga Prokuroria e Posaçme për korrupsion pasiv. Sipas prokurorisë, Jamarbër Malltezi ka përfituar të ardhura mbi 5 milionë euro nga një biznes ndërtimi, falë vendimeve të qeverisë të marra nga vjehrri i tij.
Në të njëjtën çështje, SPAK akuzon për korrupsion aktiv biznesmenin e ndërtimit, Fatmir Bektashi, ndërsa Xhimi Begeja dhe Andia Pustina akuzohen për pastrim parash. Si të pandehur në këtë çështje për akuzën e pastrimit të parave janë edhe shoqëritë Studio Pustina sh.p.k., Homeplan sh.p.k. dhe Kontakt sh.p.k.
Me kërkesë të SPAK janë sekuestruar 25 pasuri, mes të cilave shumat monetare në disa llogari bankare, apartamente, njësi, bodrume, si dhe kuotat që zotëron në disa shoqëri.







