
“Imazhet e ndara nga ministri Itamar Ben-Gvir që tregojnë trajtimin poshtërues të aktivistëve të ndaluar të flotiljes janë tronditëse dhe të papranueshme,” deklaroi ministri i Jashtëm, Ferit Hoxha në një reagim në platformën X.
Hoxha u referohet pamjeve të shpërndara nga ministri Ben-Gvir ku shihen dhjetra aktivistë me duar të lidhura dhe të përkulur në dysheme, pamje që kanë tronditur opinionin ndërkombëtar dhe kanë nxitur reagimin e Komisionit Europian, që i bën thirrje qeverisë izraelite të sigurojë mbrojtjen dhe trajtimin dinjitoz të këtyre aktivistëve, mes tyre dhe qytetarë të BE-së.
Ai kërkon që “të gjithë personat e ndaluar duhet të trajtohen me dinjitet dhe në respekt të plotë të të drejtave të njeriut, ligjit ndërkombëtar dhe ligjit humanitar”.
Në bordin e flotiljes humanitare ndodhej edhe aktivisti nga Shqipëria, Baki Goxhaj, i cili sipas burimeve nga Ministria e Jashtme ka mbërritur tashmë në Stamboll.
“Kam udhëzuar ambasadën tonë në Tel Aviv që të mbetet në kontakt dhe koordinim të ngushtë me autoritetet izraelite në mënyrë që të sigurohet që qytetarëve tanë t’u ofrohet ndihma e duhur konsullore, sipas nevojës dhe në përputhje të plotë me ligjin ndërkombëtar,” shkroi ministri Hoxha.
Ndërkohë më herët, Ministria e Punëve të Jashtme pranoi se ishte në komunikim me autoritetet izraelite për të siguruar informacion të plotë mbi situatën dhe për të garantuar respektimin e të drejtave të shtetasit shqiptar, përfshirë aksesin konsullor, në përputhje me praktikat dhe konventat ndërkombëtare.







