
Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë liroi nga arresti të 19 protestuesit e ndaluar gjatë tubimit të datës 2 korrik, të zhvilluar para ambienteve të Kuvendit të Shqipërisë, në vijim të protestave maratonë përmes të cilave qytetarë nga e gjithë Shqipëria dhe diaspora po kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit dhe fundin e klasës politike.
Vendimi u mor nga gjyqtari Sokol Mara, i cili nuk e pranoi kërkesën e prokurorit Julian Xhengo për caktimin e masës së sigurimit personal “arrest në burg” për dy prej të ndaluarve. Në përfundim, u caktua masa e sigurimit “arrest në shtëpi” për dy nga të arrestuarit, 12 prej tyre u lanë në “detyrim paraqitjeje”, ndërsa për pesë nuk u caktua masë sigurimi.
Një prej të pranishmëve në seancën për caktimin e masës së sigurimit i tha BIRN-it, në kushte anonimiteti, se disa prej të ndaluarve ngritën para gjykatës shqetësime dhe pretendime për dhunën e ushtruar nga punonjësit e policisë ndaj tyre. Po ashtu, mësohet se avokatët kanë kundërshtuar ligjshmërinë e ndalimit, por gjykata i ka vlerësuar arrestimet si të ligjshme. Vlerësimi i ndalimeve të 19 protestuesve u krye në limitin e afatit prej 72 orësh.
Pas përfundimit të seancës, avokati Dorian Matlija deklaroi para medieve se në sallë ishte konstatuar se disa prej të ndaluarve kishin shenja të qarta dhune, madje edhe gjakosje.
Dhuna e ushtruar nga policia ndaj protestuesve është dënuar nga Komiteti Shqiptar i Helsinkit (KShH), i cili e ka cilësuar atë joproporcionale. Sipas KShH-së, forcat e rendit nuk zbatuan detyrimin për paralajmërim paraprak, si dhe përdorën forcë të mëtejshme ndaj personave tashmë të neutralizuar.
Situata e zhvilluar paraditen e së enjtes u tensionua, duke sjellë shoqërime të dhunshme, tërheqje zvarrë të protestuesve dhe përdorim joproporcional të shkopinjve të gomës. Policia deklaroi përmes një njoftimi se protestuesit sulmuan me gurë dhe mjete të forta, ndërsa 15 efektivë u lënduan gjatë përplasjeve.
Në Prokurorinë e Tiranës janë referuar për ndjekje penale, deri më 29 qershor, 151 protestues, por ndaj tyre nuk ishte kërkuar asnjë masë sigurimi. Të parët për të cilët organi i akuzës kërkoi vendosjen e masave të sigurimit janë protestuesit e ndaluar gjatë protestës së zhvilluar paraditen e 2 korrikut para Kuvendit.






