
Gjykata Administrative e Shkallës së Parë Tiranë vendosi të premten më 24 korrik të mos pranojë shqyrtimin e padisë së kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili kërkoi zhbërjen e dekretit të Presidentit për emërimin e prokurorit të çëshjtes penale të ngritur ndaj tij, Ols Dado. Gjyqtari Hazbi Balliu, deklaroi gjatë shpalljes së vendimit, se Veliaj ka interes të tërthortë në kërkesën e tij për shfuqizimin e aktit të emërimit të prokurorit Dado, ndërsa Bashkia e Tiranës nuk ka asnjë lloj interesi.
Avokati i prokurorit Dado dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë i kërkuan gjykatës gjatë parashtrimeve të tyre që të mos merrej në shqyrtim kërkesë padia e Veliajt, me argumentin se ai nuk legjitimohej të kundërshtonte mënyrën e emërimit të magjistratit. Po ashtu, vlerëson se as kërkuesit e tjerë që kërkonin shkarkimin e Dados, nuk legjitimoheshin.
Pas përfundimit të seancës, mbrojtësi i Veliajt, avokati Plarent Ndreca deklaroi se vendimmarrja ishte e pritshme dhe se do e ankimojnë si të pabazuar.
Po ashtu, gjykata rrëzoi si të pabazuara kërkesat e “Asosacionit Kombëtar të Medias dhe Drejtësisë” dhe ish-prokurorit Tom Dedaj, për t’u bërë palë në proces, në cilësinë e ndërhyrësit kryesor. Shoqata që u përfaqësua në seancë nga avokati Ervin Karanxha, parashtroi në seancat e mëparshme se kërkesa për ndërhyrje si palë në proces, ka si qëllim mbrojtjen e interesit publik dhe për rrjedhojë ka interes të drejtpërdrejtë për mënyrën e përzgjedhjes së një prokurori. Gjyqtari Hazbiu vërejti gjatë seancës të premten, se shoqata mund të bënte kërkesë tjetër të posaçme, jashtë këtij procesi.
Ndërkohë, ish-prokurori Tom Dedaj pretendoi se kishte interes, pasi mendonte se ishte shkarkuar në vitin 2009 prej ish-prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, për t’ë hapur një vend për Dadon. Mbrjtësi ligjor i Dados solli në vëmendje se Dado ishte emëruar në detyrë në 2008-ën, një vit para se të shkarkohej Dedaj.
Veliaj ndodhet në qeli prej 10 shkurtit 2025, kur u arrestua nga Prokuroria e Posaçme për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave përmes një skeme që përfshin edhe bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa. Sipas SPAK, Veliaj dhe Xoxa kanë përfituar rreth 1 milionë euro nga kjo skemë korruptive, para që janë përdorur kryesisht për stilin e jetesës dhe blerje luksoze në internet.
Veliaj i ka mohuar akuzat dhe ka nisi një betejë gjyqësore kundër prokurorit të çështjes ndaj tij, në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë, që u përmbyll me mospranimin e kalimit për shqyrtim të padisë së tij, për shkak të mungesës legjitimitetit si palë paditëse.







