
Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë vendosi të martën më 28 korrik deklarimin fajtorë të gjashtë zyrtarëve të Bashkisë së Divjakës, të akuzuar për shkelje të barazisë në tre procedura tenderimi, në bashkëpunim me njëri-tjetrin. Gjykata i dënoi të pandehurit Dorjan Spaho, Roklejd Malko, Sara Xhepa, Fatos Veliu, Elbareta Nishica dhe Vojsava Leçini me nga 1 vit burgim dhe në aplikim të gjykimit të shkurtuar, dënimin përfundimtar me 8 muaj heqje lirie.
Trupi gjykues i përbërë nga gjyqtarët Erjon Bani, Bib Ndreca dhe Paulin Çera, vendosi pezullimin e ekzekutimit të dënimeve për gjashtë të gjykuarit. Dënimet për të pandehurit Dorjan Spaho, Roklejd Malko, Sara Xhepa u zevendësuan me 120 orë punë me interes publik që duhet të kryhen brenda gjashtë muajve, ndërsa tre të tjerët u vendosën në shërbim prove për 16 muaj. Për Veliun, Nishicën dhe Leçinin u zaktua dhe dënimi plotësues, që iu heq të drejtën të ushtrojnë funksione publike për pesë vjet.
Procedimi penal ndaj gjashtë zyrtarëve të Bashkisë Divjakë filloi nga të dhënat e siguruara gjatë hetimit të një çështjeje tjetër. Ata akuzohen se shkelën barasinë në tre tendera me vlerë totale të fondeve limit, afro 1 milion euro.






