Qeveria shqiptare kërkoi te Banka Islamike për Zhvillim një shtesë kredie prej 35 milionë dollarësh për të paguar kostot e tejkaluara nga shembjet në rrugën Tiranë – Elbasan, punimet për të cilën nisën në vitin 2011, por që pritet të përfundojë jo më parë se sa viti 2018.
Shembjet përgjatë autostradës Tiranë – Elbasan me një distancë të përgjithshme prej vetëm 3,700 metrash pritet t’i kushtojnë taksapaguesve mbi 35 milionë dollarë. Qeveria ka dërguar në Kuvendin e Shqipërisë një marrëveshje shtesë me Bankën Islamike për Zhvillim me anë të së cilës, Ministria e Financave do të marrë një kredi shtesë prej 35 milionë dollarësh, e cila do të duhet të përdoret vetëm për stabilizimin e pesë segmenteve të vogla nga Lundra deri në hyrje të Tunelit, në të cilat ka pasur shembje gjeologjike apo lëvizje gjeoteknike, segmente që sipas kontratës, kanë një gjatësi të përgjithshme prej 3,700 metrash, stabilizimi i të cilave pritet të kushtojë gati 9,500 euro për metër rrugë.
Qeveria shqiptare nënshkroi dy kontrata huamarrjeje në vitin 2011 me dy institucione islamike, të cilat japin borxh me kriteret e ligjit Islamik, me synimin për të ndërtuar një autostradë me katër korsi nga Tirana në Elbasan me gjatësi të përgjithshme prej 27 kilometrash dhe me kosto fillestare të vlerësuar prej 407 milionë dollarësh. Procesi i tenderimit ofroi një surprizë kur kompania fituese, ku tenderi për ndërtimin e tuneleve 2.2 kilometra të gjatë, nxorri fitues kompaninë Aktor SA me vlerë punimesh 8.3 miliardë lekë nga 15.4 miliardë që qe fondi limit.
Por pas kësaj surprize punët nuk ecën edhe aq mirë. Kostoja e përgjithshme e projektit të tenderuar në tre lote shkoi 33 miliardë lekë ndërsa punimet ecën ngadalë ose u pezulluan për shkak se qeveria ra në krizë dhe nuk arriti të shlyejë detyrimet ndaj kompanive sipërmarrëse. Deri në fund të vitit 2015 qe financuar 28 miliardë lekë ndërsa gjatë vitit 2016 qeveria akordoi një shumë minimale prej 1.1 miliardë lekësh për këtë rrugë. Përfundimi i saj kërkon edhe 9 miliardë lekë punime, nga të cilat mbi 4 miliardë duhet të shpenzohen për të mbuluar kostot e shembjeve. Zyrtarisht rruga duhej të përfundonte në vitin 2015 ndërsa afati i ri është viti 2018.
“Nevoja për financim shtesë ka ardhur si rezultat i problematikave të shumta që janë hasur gjatë zbatimit të këtij projekti. Shkaqet kryesore që kanë ndikuar në mosfinalizimin e projektit lidhen me problemet gjeologjike, e konkretisht,rrëshqitjet në km 11+100 (Ibë), km 13+150, km 14+000, si dhe lëvizjet gjeoteknike në zonën e Mulletit, km 4+000,” thuhet në relacionin që shoqëron projektligjin për marrjen e kredisë.
“Bazuar në analizat financiare të gjendjes aktuale të fondeve të akorduara nga Banka Islamike për Zhvillim, për përfundimin e plotë të veprës do të duhet të akordohen fonde shtesë në vlerën prej 35 174 256.80 USD-sh. Në këtë vlerë përfshihen punimet civile, shërbimet e konsulencës, shpenzimet për njësinë e zbatimit të projektit dhe shpenzimet për auditin,” vijon më tej relacioni.
Kostoja e kredisë do të jetë në masën libor 6 mujor plus 1.2 për qind. Ajo do të shlyhet për 17 vjet.